Blofi i madh juridik i prokurorisë dhe klasës politike: rasti i Saimir Tahirit

Rasti i ndjekjes penale të Saimir Tahirit, ish-ministrit të brendshëm dhe deputetit aktual të partisë “socialiste”, tregoi qartë gjendjen e keqe juridike jo vetëm të pushtetarëve politikë por veçanërisht të prokurorisë: pushtetit juridik. Si i tillë, ai shërben si një rast studimi për gjithë ata që pretendojnë se janë ose duan të jenë të ‘drejtë’.
Ylli Përmeti
22/10/2017 - 11:46
Rasti i ndjekjes penale të Saimir Tahirit, ish-ministrit të brendshëm dhe deputetit aktual të partisë “socialiste”, tregoi qartë gjendjen e keqe juridike jo vetëm të pushtetarëve politikë por veçanërisht të prokurorisë: pushtetit juridik. Si i tillë, ai shërben si një rast studimi për gjithë ata që pretendojnë se janë ose duan të jenë të ‘drejtë’.
Kujtoj, edhe një herë, se ndjekja penale e Saimirit është nxitur nga e ashtu quajtura “opozitë” përgjatë gjithë periudhës së tij si ministër. Dhe jo pa arsye: sepse Saimiri shkatërroi monopolin e drogës që kontrollonte partia “demokratike” dhe burimin kryesor të saj financiar dhe krijoi oligopolet përkatëse. Nëse Saimiri s’do të kishte krijuar oligopolet në fjalë – “opozita” e Bashës nuk do të kishte të drejtë të kërkonte ndjekjen penale. Në të vërtetë, “opozita” s’ka të drejtë të kërkojë asnjë ndjekje penale nëse gjykojmë nga krimet që ka shkaktuar kur administronte pushtetin politik.
Sidoqoftë, fakti që është votëbesuar nga një numër i konsiderueshëm njerëzish, s’kemi rrugë tjetër veç të respektojmë rolin e saj si “opozitë”. Kujtoj, gjithashtu, se partia “socialiste” erdhi në pushtet duke premtuar, mes të tjerash, dënimin e shkaktarëve të krimeve kryesore politike që janë shkaktuar nga krerët e partisë “demokratike” dhe jo vetëm. Në mandatin e parë nuk e realizoi dot këtë premtim sepse qeveria ishte e përbërë nga dy parti: PS dhe LSI. Kjo e fundit luante me të dyja partitë dhe mbështeste partinë “demokratike” kryesisht për shkak të synimit të reformës në drejtësi.
Sidoqoftë, partia “demokratike” kishte mundësi që akuzat e saj kundrejt Tahirit t’i mbështeste me fakte/prova kur dihet se sektori juridik është i përbërë nga njerëz të lidhur me të: prokuroria e krimeve të rënda, për shembull, është e përbërë nga njerëz të afërt të Berishës. Por ajo nuk veproi kështu: priti të përmendësh emri i tij nga prokuroria italiane në raportin e saj kur kjo e fundit arrestoi bandën “Habilaj”.
Gjykuar nga veprimet e prokurorisë —veproi pasi u njoftua nga masmedia lajmi se banda në fjalë u kap dhe në raportin e prokurorisë italiane përmendësh emri i Saimirit dhe pasi partia “demokratike” kërkoi arrestimin e tij— mund të themi se ajo është ekspozuar dy herë: një herë kur priti njoftimin nga masmedia dhe një herë kur iu përgjigj thirrjes së partisë “demokratike” dhe “opozitës” së bashkuar!
Nuk duhet të lëmë pa shqyrtuar një aspekt shumë të nëndësishëm në këtë proces: se bisedat e përgjimeve të prokurorëve italianë përdornin nofka dhe gjuhë të maskuar ndërsa përmendnin me emër Saimirin! Kush? Kushërinjtë e tij të cilët supozohet se duhet ta mbronin. Kujtoj se ditët e para të shtatorit, Ilir Meta shkoi në Itali për një vizitë. Kujtoj, gjithashtu, se Meta luftoi ashpër në Vorë në zgjedhjet e fundit dhe partia e tij i shpalli luftë Saimirit duke e akuzuar se ai po blinte vota. Kështuqë një lloj armiqësie mes tyre është krijuar.
Sidoqoftë, çështja këtu është se biseda e tregëtarëve të drogës përmend me emër Saimirin: të hamendësosh se tregëtarët nuk e dinë se përgjohen, do të ishte gabim përsa kohë që ata përdornin një gjuhë të maskuar në biseda ndërsa përmendnin me emër Saimirin. Kështuqë ata ishin në djeni se përgjoheshin. Ndryshe nuk do të përdornin gjuhë me kode. Kështu, nëse hamendësojmë se ata ndanin fitimet me Saimirin, siç pretendon dhe “opozita”, pse e përmendin emrin e tij? Hamendësisht për t’i dhënë punës së tyre karakter ‘paprekshmërie’. Por kjo qasje implikon “mbrojtësin” e tyre dhe ata ishin në djeni për këtë rezultat.
Çfarë mbetet nga kjo histori është se ose ishin naivë lidhur me ‘implikimin’ e Saimirit ose prokurorët italianë janë shitur/blerë nga Meta kur ishte në Itali. Të dy këta hamendësime mund të hetohen nga prokuroria jonë. Për shembull, duke kërkuar regjistrimet (përgjimet) e prokurorisë italiane për të ‘dëgjuar’ ata vetë se në bisedë përmendet Saimiri me emër. Pas këtij hetimi, mund të shkonin të hetonin të arrestuarit. Por ata nuk vepruan kështu!
Si të tillë, ata kanë vepruar gabim (ose joprofesionalisht), disa herë: një herë kur na thanë se Saimiri ishte i përfshirë në tregëtinë përkatëse me automjetin e tij që në fillim të punës së tij si ministër; një herë kur u mjaftua me ‘përshirjen në fjalë’, e cila, sërish, buroi nga masmedia dhe jo nga hetimi i saj; një herë kur kërkoi arrestimin e tij duke u bazuar në njoftimin e masmedias për “habilajt”; dhe një herë, në fund, kur paraqiti ‘indikacionet’ si ‘prova’! Ndoshta donte të përdorte konceptin juridik të “res ipsa loquitur” — se “veprimtaria e të akuzuarit flet vetë”...
Sidoqoftë, është e qartë se prokuroria u paraqit në akuzën e saj pa hetim të sajin: u mjaftua me njoftimet e masmedias dhe hetimin e prokurorëve italianë! Por në sytë e drejtësisë këto nuk janë prova. Por indikacione. Të hamendësosh se prokuroria nuk dallon dot ‘indikacionet’ nga ‘provat’ do të ishte spekulim: sepse pavarësisht lidhjes së saj të ngushtë me Berishën, ajo mund të kundërshtonte kërkimin nga Berisha për të kërkuar arrestimin e Saimirit thjesht duke i thënë se ato janë indikacione jo prova në sytë e drejtësisë. Kështuqë gjasat janë se ose vërtet prokuroria jonë nuk dallon dot ‘indikacionet’ nga ‘provat’ ose iu nënshtrua urdhërit të Berishës për të krijuar tymnajën përkatëse. Mirëpo, ajo ekspozoi veten dhe kështu humbi besimin se mund t’i shërbejë shtetit.
Nga ana tjetër, nëse supozojmë se gjithë kjo histori është sajuar nga Berisha dhe Meta, për arsyet e tyre, ata, gjithashtu, kanë ekspozuar veten: sepse që të sajosh një histori të tillë ose s’ke mësuar dallimin mes ‘indikacioneve’ dhe ‘provave’ ose thjesht kërkon të krijosh një tymnajë tjetër, si gjithë të tjerat. Por nga ekspozimi në fjalë, kostua politike është e madhe: sepse tregon, edhe një herë, se jo vetëm virtytin e drejtësisë s’e ke zhvilluar dhe si i tillë nuk mund të emërosh njerëz me virtytin e drejtësisë (sepse virtyti kupton virtytin) në sistemin e drejtësisë...por e pengon atë.
Saimiri, në anën tjetër, gjatë zhvillimit të ngjarjes, tregoi se ishte i paaftë të mbronte veten: jo vetëm që ishte kontradiktor (i papërputhshëm) me ç’ka thoshte dhe ç’ka ka thënë por ishte përfshirë në frikën e arrestimit. Në të vërtetë, frika në vetë-vete shkakton pështjellim. Sidoqoftë, Saimiri nuk i kontrollon dot emocionet. Kur një njeri nuk kontrollon dot meocionet tregon se arsyen (mendjen) e ka të dobët: sepse është arsyetimi (mendja) që kontrollon emocionet.
Gjatë zhvillimit të ngjarjes u tregua e dobët edhe partia “socialiste”: si fillim u duk se do ta lejonte arrestimin e Saimirit pa kërkuar hetim. Vetëm pasi filloi kritika mbi prokurorinë ajo veproi dhe mbajti qendrim! Kjo tregon se sa e dobët juridikisht është si parti.
Implikimet juridike që mund të shkaktonte prokuroria dhe miratimi i arrestimit të Saimirit pa prova ishin tejet të mëdha. Kujtoj se prokuroria nuk përdori vetëm ‘indikacionet’ si ‘porva’ por edhe një koncept juridik të cilin asnjëri s’e sfidon: “dyshimin e arsyeshëm’! Në sytë e drejtësisë ‘dyshimi i arsyeshëm” nuk përbën predikament ose premisë për të ngritur një akuzë me karakter politik: por ‘dyshimi i arsyeshëm’ duhet të jetë ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’: sepse vetëm kur prokuroria tregon përpara gjykatës se një i akuzuar për krim qendron ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’, ajo mund të ngrejë akuzë për arrestim.
Nëse, për shembull, gjykata ka një ‘dyshim të arsyeshëm’ për fajësinë e të akuzuarit, ky nuk është fajtor. Nëse gjykata nuk ka dyshime për fajësinë e të akuzuarit, ose nëse atje janë vetëm dyshime të paarsyetueshme, prokuroria ka provuar fajësinë e të akuzuarit dhe gjykata mund ta quajë fajtor. Mosdallimi mes të parit dhe të dytit, tregon se prokuroria jonë dhe të ashtuquajturit “juristë”, nuk kanë mësuar të shqyrtojnë dhe dallojnë konceptet juridike.
Kështu, nëse Saimiri arrestohësh duke iu përmbajtur konceptit juridik që përmendi prokuroria —dyshimit të arsyeshëm— do të hapësh kutia e pandorës për cilindo që shkaktonte ‘dyshim të arsyeshëm’ në sytë e prokurorisë dhe policisë.
Për të gjitha këto arsye, e të tjera si këto, vendi ynë do të vuajë edhe për shumë vite padrejtësinë...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 127 reads



