...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kryefiaskua e qeverisë “Rama” me “turizmin elitar” dhe si mund të krijojmë turizëm të qendrueshëm

Turizmi në Shqipëri mund të zhvillohet vetëm nëse mbështetet së pari në kërkesën e brendshme dhe së dyti në kërkesën e jashtme. Për t’u mbështetur në kërkesën e brendshme duhet të rritet mirëqenia e popullit. Dhe për t’u mbështetur në kërkesën e jashtme duhet të zhvillohet një turizëm me karakteristika shqiptare, jo vetëm në shërbim por dhe në ndërtesa. Kjo qasje kërkon bashkërendim të sektorëve kyç të ekonomisë dhe veçanërisht të bujqësisë, blegtorisë dhe artit.

Ylli Përmeti

13/01/2018 - 12:04

Qasjen e “fisnikërizimit” (“gentrification”) të shoqërisë qeveria “Rama2” filloi ta integronte edhe në turizëm. Domethënë, përmirësimin e strukturave turistike —kryesisht në veri të Shqipërisë— për t’u përshtatur kryesisht në shijet e klasës së mesme, të cilat krijohen nga klasa e lartë dhe nuk burojnë nga krijitaria e klasës së mesme. Nuk janë, në fjalë të tjera, origjinale. Por të parafabrikuara nga arkitektë të ndikuar nga shijet e klasës së lartë dhe anasjelltas. Këtë qasje e qarkulloi në sytë e publikut në kohën kur turizmi në përgjithësi dhe turizmi “elitar” në veçanti ishte në krizë të thellë! Hoteli “Sheraton” me pesë yje, për shembull, pak ditë pas shpalljes të “turizmit elitar” nga Rama, njoftoi largimin nga Shqipëria sepse kishte humbje të mëdha. Sipas tyre, sepse qeveritë tona nuk kanë krijuar ‘rregulla’ dhe ‘standarte’. Në vend të tyre kanë krijuar ‘informalitet’. Por kjo është një qasje, siç do të shqyrtoj këtu, tejet e ngushtë dhe nuk tregon shkaqet e vërtetë të largimit të hotelit. Pas largimit të tij u shfaq hotel “Hilton”! Kështu, tre janë aspektet kryesore që do të shqyrtoj lidhur me këtë çështje: së pari, plani “Rama” u shpall pa studim të gjendjes së sektorit (siç duket, besoi tek “ekspertiza” e oligarkëve ekonomikë); së dyti, lidhja e “turizmit elitar” me “sportet e aventurës” nuk është rastësore: nënkupton se në të do të përfshihet kryesisht klasa e mesme dhe e lartë. Sepse dihet se të ashtuquajturit ‘varfanjakë’ nga shoqëria s’kanë ushqim të hanë e jo më të zbavisin me sportet e aventurës. Së treti, konsiderimi i sporteve të aventurës si burim i rëndësishëm ekonomik, për hir të ‘ekonomisë’, siç logjikon qeveria “Rama”, është marrëzi dhe tregon edhe një herë mungesë dijeje.

Por le të shqyrtojmë së pari natyrën e sporteve të aventurës: disa prej tyre janë të rrezikshëm për jetën dhe përveç adrenalinës, nuk sjellin asgjë tjetër në jetën e njeriut (garat me motorra p.sh); disa janë të rrezikshëm por edhe të shëndetshëm për jetën e njeriut (alpinizmi p.sh). Kërkohet, rrjedhimisht, kualifikim i përshtatshëm me sektorin që mos të ndodhin aksidente: sepse nëse ndodhin, sektori do të rrënohet. Përtej këtyre aspekteve, sportet e aventurës do të zhvillohen në një terren kur dihet se terreni ynë (fushor dhe malor) është thuajse shkretuar dhe kur dihet se ku shkelin ‘njerëzit’ e aventurës dhe jo vetëm, nuk lënë gjë tjetër të gjallë. Për shembull, për zhvillimin e garave me motorra në pyje duhet të shkatërrohen pyje dhe kafshë.

Në të vërtetë, përqendrimi i zhvillimit të “turizmit elitar” me bazë “sportin e aventurës” në zonën e Alpeve të qarkut të Shkodrës ku dominojnë pyjet —deri diku të virgjër— shton rrezikun e zjarreve gjatë verës, sidomos kur dihet se asnjëri s’është dënuar nga djegia e pyjeve (si do të dënohen kur nuk ka mekanizëm shtetëror –pyjore- dhe policët dhe prokurorët flenë?); kur sektori përkatës perceptohet nga fajkojtë e tregut të lirë si burim fitimi i shpejtë dhe kur mungon urtësia ekologjike qoftë për njerëzit e përfshirë në këtë sektor qoftë për shoqërinë. Pa përmendur ‘faktin’ se në ndërmarrjet përkatëse mund të përfshihen tërthorazi politikanët në pushtet. Të njëjtën qasje, Rama po zbaton në një sektor tjetër të “turizmit elitar”: duke miratuar ligjin për të lejuar ndërtimin e hoteleve me pesë yje. Siç argumentoi Rama në Kuvend, ligjin përkatës e nxitën oligarkët ekonomikë: sepse, hamendësisht, duan të joshin pasanikët e botës që na rrethojnë. Njëlloj kanë menduar dhe homologët e tyre dhe kanë krijuar kulmin e luksit në shumë hotele.[1]

Mirëpo, sektori është në krizë[2] dhe “ekspertët” e hotelerisë luksoze nuk kanë kuptuar as shkaqet as edhe zgjidhjet. Kështu, disa pohojnë se ka rënë kërkesa për shkak të krizës ekonomike; disa thonë se ka humbur ‘besimi’; dhe disa thonë se ka ndryshuar mënyra e konsumit të luksit nga gjenerata e re...dhe për të njëjtat arsye, sugjerojnë ta rrisin sektorin përmes rritjes së ‘kreativitetit’ dhe ‘besimit’! Ndoshta oligarkët tanë ‘frymëzohen’ nga “bumi” i hotelerisë luksoze në Slloveni dhe Kroaci.[3] Por qeveria “Rama” është frymëzuar nga vendet fqinje - nëse gjykojmë nga relacioni e qeverisë,[4] lidhur me çështjen: nga modeli truk, malazez dhe maqedonas (“kontratat ‘franchise’”) ku pranohet se kjo politikë diskriminon bizneset e vegjël dhe të mesmë me pronësi familjare me më pak se tre yje dhe, pavarësisht këtij fakti, qeveria kërkon ta përparojë sepse, sipas saj, ajo është burim punësimi dhe prestigji (qeveria e ndan turizmin në dy koncepte në “turizëm masiv” dhe “turizëm elitar”, hamendësisht me të parin kupton turistët e klasave të ulta të shoqërive –masat- ndërsa me të dytin turizmin e klasës së lartë!) duke u falur taksat e pronës, të tatimit mbi fitimin dhe taksën për ndikimin në infrastrukturë të hoteleve me 5 yje si dhe uljen e tvsh-së për të gjitha shërbimet në hotelet me 5 yje në masën 6 për qind në kohën kur hotelet e tjerë paguajnë 20 për qind tvsh për të gjitha shërbimet me përjashtim të akomodimit! Shkurt, kërkon ta kthejë Shqipërinë një parajsë fiskale për oligarkët ekonomikë – të jashtëm dhe të brendshëm për hir të punësimit dhe imazhit më të mirë!

Por dy vendet e parë, jo vetëm që janë në terma ekologjikë më lartë se ne, kanë zhvilluar një kulturë turistike prej shumë dekadash dhe kanë një infrastrukturë të krijuar shekullin e kaluar por janë dhe pranë metropoleve europiane – konsumatorëve kryesorë të turizmit, dhe si të tillë, mund ta përballojnë krizën ndryshe nga vendet e tjerë. Vendet e dytë, “luajnë” kryesisht me oligarkitë europiane dhe kemi parë rezultatet e politikave të tyre.

Turizmi në Shqipëri mund të zhvillohet vetëm nëse mbështetet së pari në kërkesën e brendshme dhe së dyti në kërkesën e jashtme. Për t’u mbështetur në kërkesën e brendshme duhet të rritet mirëqenia e popullit. Dhe për t’u mbështetur në kërkesën e jashtme duhet të zhvillohet një turizëm me karakteristika shqiptare, jo vetëm në shërbim por dhe në ndërtesa. Kjo qasje kërkon bashkërendim të sektorëve kyç të ekonomisë dhe veçanërisht të bujqësisë, blegtorisë dhe artit. Bashkërendimi i tyre, me rradhë, mund të konkurrojë me rivalët: sepse do të ketë kosto më të ulët ushqimi dhe cilësi më të lartë.

Qasja e qeverisë “Rama” është kryekëput e kundërt me qasjen e parashtruar: ajo e mbështet sektorin në kërkesën e jashtme si gjithë vendet e rajonit duke shpërnjohur faktin se ato kanë krijuar avantazhe për një kohë të gjatë krahasuar me ne dhe pikërisht sepse mbështeten në kërkesën e jashtme janë në krizë të përhershme. Mjafton të përmendim turizmin “elitar” turk: kur Erdogani luajti keq më Rusinë – kjo e fundit e ndëshkoi duke ndaluar udhëtimin e qytetarëve rusë në Turqi. Kur luajti keq me perëndimin – e pësoi njëlloj! Dhe njëlloj mund të themi dhe për dy vendet e tjerë të rajonit, Malizi dhe Maqedoni, ku elitat janë në një përpjekje të përhershme për të balancuar qendrimet politike me qëllim që të ‘ruajnë’ klientelën e hotelerisë. Janë, në fjalë të tjera, të varuar kryesisht nga xhapat e pasanikëve të huaj. Ndërsa mbështetja e turizmit në kërkesën e brendshme do të çonte pikërisht në bashkërendimin e sektorëve që përmenda dhe në një orientim tjetër zhvillimor dhe do të ulte —nëse zhvilloheshin paralel shkollat turistike, artet dhe marketingu kombëtar— koston e përgjithshme të shërbimeve në sektorin e turizmit dhe do të rriste rrogat e punëtorëve dhe numrin e turistëve (kur ulet kostua e shërbimeve rritet turizmi sepse bëhet më i përballueshëm për shtresat e ulëta të shoqërisë) duke ndihmuar hotelet aktualë. Ndryshe, kostua do të ulet vetëm duke ulur rrogat e punëtorëve! Nëse qeveria adopton këtë qasje, ajo do të mbështesë hotelet ekzistues me kërkesë dhe në proces mund të kërkojë rritjen e cilësisë nga ata.

Përmblethtas, hoteleria është në krizë për shkak të paqendrueshmërisë ekonomike të vendeve përkatëse. Paqendrueshmëria është pasojë e orientimit ekonomik. Në rastin e hotelerisë, hotelet bazohen kryesisht në kërkesën e jashtme. Mungesa e standarteve, si në vendin tonë, është një shkak dytësor: sepse vendet që kanë krijuar ‘standarte’ janë në krizë gjithashtu. Se çfarë kërkohet për sektorin është e qartë: ndryshimi i orientimit zhvillimor. Por ndryshimi i qasjes sërish nuk mjafton: nëse nuk krijojmë një kulturë dashamjedisore, dashakafshë dhe relativisht të barabartë, cilësia e hotelerisë do të jetë sërish e çalë sidomos në vendin tonë ku kultura përkatëse mungon dhe pabarazia është tejet e madhe. Ndryshe, turistët e huaj kanë plotë vende të tjerë për të shkuar, sidomos kur vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare nxisin turizmin për vendet më të mirë-administruar. Aktualisht, vendet më të miradministruar —me politika shoqërore përparimtare, besim në qeverisje dhe sistem efektiv drejtësie—janë Danimarka –të cilët e trajtojnë njëri-tjetrin në thuajse çdo gjendje më shumë si shokë—, Zelanda e re, Kanadaja, Japonia, Botsuana, dhe Kili.[5]                     

Mund të konkludohet se problemi ynë nuk është kryeministri. Por është populli. Në kohët tona, të dijes falas që qarkullon në internet, edhe nëse elitat janë reaksionare, siç janë, populli ka mundësi të vetë-edukohet dhe kuptojë politikat e elitave dhe, të kundër-veprojë analogjikisht. Sidoqoftë, jemi ende në fazën e parë të dijes falas dhe të vetë-edukimit. Një gjeneratë e re do të lindë nga kjo fazë. Ajo, në vërtetë, është duke lindur, nëse gjykojmë nga revolta e anarko-komunistëve përgjatë korrikut të vitit 2017-të në Gjermani. Apo nga pjesëmarrja e studentëve në protestat kundër reformës në arsimin e lartë dy vitet e fundit: ajo ishte e konsiderueshme. Por duhet të jemi të kujdesshëm sa u përket revoltave dhe protestave. Anarko-komunistët ende s’kanë përqafuar ndonjë projekt. Dhe pa ‘projekt’ ata do të mbeten gjithnjë rrugëve: sepse elitat kapitaliste janë më të organizuara. Ndërsa studentët s’e kanë kuptuar ende se arsimi publik gjendet në sulm për shkakt të orientimit tonë si vend për t’u integruar në Rendin Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, i cili në anën tona shprehet me integrimin në BE. Domethënë, vendosja e universitetit publik në konkurrencë dhe hapja e tij kundrejt kapitalit privat. Kjo është pasojë e orientimit tonë. Nuk është, në fjalë të tjera, qeveria “Rama” e keqe, siç e paraqesin shumë. Por është orientimi ynë që detyron qeverinë të imponojë politikat përkatëse. Kështu kuptimi i Rendit të Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal —një detyrë që u takon të ashtuquajturve pedagogë për ta bërë të kuptueshëm— mund të çojë në revolucion ‘nga poshtë’. Pa këtë lloj kuptimi dhe rrjedhimisht, organizimi politik, ne nuk mund t’i kundërshtojmë politikat përkatëse. Rastin e arkitektëve, për shembull, ne mund ta kundërshtojmë pikërisht nga qasja e mungesës së parimeve: se pa parime, asnjë art nuk mund të jetë njerëzor – domethënë, art që buron nga intelekti i njeriut.

Kontributi i papërfillshëm i turizmit në ekonomi dhe (breg)deti si burim infeksionesh

Në vijim do të shqyrtoj dy çështje për të cilat nuk flet as qeveria “Rama” as të ashtuquajturit “analistë” të establishmentit oligarkik dhe as dhe populli: njëra që lidhet me rritjen ekonomike që propagandon qeveria “Rama”, për të cilën e paralajmërova tre vjet më parë, se turizmi...“elitar”, i cili do të përbënte shtyllën kryesore ekonomike për zhvillimin e vendit pas të cilit rendën plotë dritëshkurtër, ishte i pambrojtur ndaj dinamikave me karakter botëror (gjeopolitikave dhe pandemive), dhe tjetra lidhet me gjendjen e deteve tanë.

Gjatë vitit 2018 turizmi kontriboi me rreth 2.8 % të PPB-së (Prodhimi i Përgjithshëm Bruto) ose rreth 45 miliardë lekë (Instat). Në vitin 2014 turizmi kontribuonte rreth 5.9 për qind të PPB-së­—fakt që tregon se vërtet është dyfishuar numri i turistëve, siç argumenton qeveria “Rama”, por ata shpenzojnë më pak. Qeveria “Rama” këto shifra i dyfishon dhe trefishon në parashikimet e veta: se ai kontribuon 8.4% apo dhe 9%![6]Në fakt, turizmi...ndërkombëtar, siç e quante qeveria kur mori pushtetin, kontribuonte 16.1 për qind të PPB-së në vitin 2011 dhe qendronte pas tregëtisë. Për pasojë, qeveria “Rama” e kishte në shtyllat kryesore të ekonomisë në strategjinë se saj 2013-2020.[7]Qartësisht, turizmi “elitar” i Ramës në terma ekonomikë ka dështuar, jo sepse solli më pak turistë por sepse turistët u varfëruan dhe filluan të shpenzonin më pak­­—që është një ndër shkaqet kryesore se pse turizmi është në krizë.

Gjendja e bregdetit ndërkohë nuk është përmirësuar. Përkundrazi, është përkeqësuar. Dihet se ne trashëguam një bregdet të pastër nga socializmi marksist të cilin e mallkojnë demagogët e establishmentit pas të cilëve shkojnë plotë idiotë, për shkak se bregdeti ynë dhe hiret e tjera të hapësirës sonë gjeografike, nuk u panë si burim ekonomik. Mirëpo, me ndryshimin e sistemit, ndryshoi dhe administrimi i burimeve ekonomike dhe shoqërisë. Turizmi filloi të konsiderohësh si burim ekonomik i rëndësishëm dhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore e të tjerë, prej të cilëve qeveritë tona mësojnë, por dhe marrin borxhe për të zhvilluar ekonominë, e këshillonin dhe vazhdojnë ta këshillojnë si bazë ekonomike. Por në këtë proces, luajti rol dhe mendësia e krijuar mes shqiptarësh: se mjaftonte të ngrinin hotele dhe shërbime të tjera të lidhura me turizmin dhe të punësonin disa qindra punëtorë dhe ata do të bëheshin pronarë dhe të pasur ndërsa të huajt do të kënaqeshin duke shpenzuar kursimet e tyre të bollshme. Por në kushte të reja ekologjike: të zhytur në ndotje dhe shkatërrime.

Kështu, për shembull, një studim i realizuar nga një ekip mjekësh në Durrës, gjatë periudhës 2006-2010, dhe nga të vetmit meqë mjekët tanë vetëm studime nuk realizojnë, zbuluan se infeksionet dhe epidemitë (si erisipela, e cila shkaktohet nga streptokoku dhe ndonjë herë dhe nga stafilokoku) në Durrës lulëzojnë.[8]Bakteret, në fjalë të tjera, lulëzojnë në det ku njerëzit notojnë dhe freskohen gjatë verës! Mirëpo, nuk mjaftoi ky studim për të organizuar ujërat e zeza. Përkundrazi, ai është “heshtur” nga autoritetet dhe nuk përmendet asgjëkundi. Pse? Sepse dëmtohet industria e turizmit! Kjo e fundit nuk ngurroi të kërkonte dhe lejimin e turizmit pas epidemisë së Koronës-19 duke aktivizuar mjekët e establishmentit për të na bindur se virusi i ri nuk transmetohet përmes ujit të detit: Pipero, për shembull, një ndër infeksionistët protagonistë përgjatë pandemisë, kështu argumentoi në “Open”—një ndër programet e çensurës vendore! Të njëjtin qendrim kanë patur dhe infeksionistë të tjerë përveç—në dijeninë time— Kalos.

Kështu, ndërsa bakteret e sapo përmendur infektojnë njerëzit, virusi i ri (viruset nga bakteret ndryshojnë në virulencë: viruset janë më të fuqishëm dhe më infektues) —që karakterizohet me virulencë të lartë për mos të thënë nga më të lartat— nuk të infekton, sipas mjekëve! Këta nuk mundohen as të na bindin me ndonjë provë përpara se të thonë se “s`ka asnjë studim që të tregojë se virusi i ri transmetohet përmes ujit të detit”. Për shembull, të mbushin një vaskë me ujë deti, ta infektojnë, të zhyten vetë në të dhe të na thonë rezultatet. Por është e qartë se nxitohen ca si pasojë e padijes dhe ca si pasojë e trysnisë që ushtron qeveria...për të “hapur” turizmin.

Një çështjet tjetër që lidhet me turizmin dhe shëndetin e popullit, është gjendja e ranishteve tona: ato bombardohen përditë dhe përnatë me infeksione ose me baktere dhe viruse që shkaktojnë infeksione dhe thuajse asnjëri nuk flet! Domethënë, rëra ku shtrihet populli, ku supozohet se do të fitojë shëndet, infektohet si nga njerëzit kur hedhin mbejte dhe sekrecione (pështyjnë dhe urinojnë mbi të) ashtu dhe nga kafshët kur jashtëqisin, urinojnë dhe flenë mbi të. Një arsye se pse disa hotele e përmbysin rërën në prag të verës, është pikërisht zhytja e baktereve dhe viruseve thellë në tokë. Por është e qartë se kjo praktikë nuk e ndalon marshin e baktereve dhe viruseve sidomos kur dihet se njërëzit dhe veçanërisht fëmijët e trazojnë rërën ca për lojë e ca për t`u “pjekur” në të. Se çfarë i eliminon bakteret dhe viruset nga rëra, është uji i detit. Kjo është arsyeja pse themi se rëra që laget nga uji i detit është më e pastër (por jo detyrimisht e pastër përsa kohë që edhe uji është i ndotur) dhe për të njëjtën arsye këshillohet të shtrihen mbi rërën e lagur dhe jo mbi rërën që as laget dhe as përpunohet për t`u dezinfektuar.  



[1]The peak of luxury, FT, October 13, 2017.

[2]Is the luxury industry in crisis, FT, May 24, 2016.

[3]Luxury hotels spring up as tourism hits new record in Slovenia and Croatia, FT, April 26, 2017.

[4]Relacion për projektligjin “për disa shtesa në ligjin nr. 93/2015, “për turizmin”, 2017.

[5]What it’s like to live in a well-governed country, BBC, 8 January 2018.

[6]Strategjia kombëtare për zhvillimin e qendrueshëm të turizmit 2018-2020 (Draft), Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Janar 2018.

[7]Strategjia e zhvillimit të biznesit dhe investimeve, f, 11, Prill 2013.

[8]Durrës. Erisipela, zbardhen të dhënat e epidemisë në vitet 2006-2010, DurrësLajm, 21/09/2015.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA