Hipokrizia e Ramës, Sakos…dhe opozitës me dhimbjen shoqërore të pas-tërmetit

Nga këto qendrime mësojmë –edhe një herë- se pushtetarët nuk kanë zhvilluar as etikën më të rëndësishme të shoqërisë: si të sillen në dhimbje shoqërore. Duhet thënë se sjellja e drejtë në dhimbje buron nga virtyti i drejtësisë dhe dhembshuria, kur dihet (nga ata që dihet) se dhembshuria nuk mund të zhvillohet pa zhvilluar një lloj ndjesie drejtësie për njërëzit, kafshët dhe jetën që na rrethon
Ylli Përmeti
10/12/2019 - 14:08
Qeveria “Rama” ishte në dijeni të plotë kur erdhi në pushtet se qeveria “Berisha” me ministër Bashën kishte filluar shkatërrimin e plazhit të Durrësit me pallate e ndërhyrje shkatërrimtare, të cilat, në vend t`i dënonte, fliste për “plane” e “masterplane” për zhvillimin e turizmit në bregdet. Rezultati i këtij qendrimi është se PS-ja jo vetëm që nuk dënoi pararendësit e saj por vazhdoi me “planet” e saj për ta shkatërruar më tej bregdetin ku bashkë me të përfshiu dhe hapësirat e brendshme të tokave. Si pasojë, gjatë ditëve të para pas tërmetit pushtetarët treguan jo vetëm hipokrizi lidhur me shkaktarët e gjendjes katastrofike por dhe mungesë etike me dhimbjen që pllakosi, e cila ka një dhe vetëm një burim—keqedukimin në raport me etikën më të rëndësishme të shoqërisë: dhembshurinë. Duhet thënë se është në detyrën e kryeministrit të miradministrojë gjendjen pas tërmetit pavarësisht se nuk ka punuar në parandalimin e gjendjes përkatëse: sjellja e tij —në njërën përlotësh dhe në tjerën ironizonte kritikët— nuk mund të quhet etike si nga roli i tij si kryeministër ashtu dhe nga çfarë pret populli në raste të tillë – populli pret drejtësi dhe shpresë pavarësisht se për gjashtë vjet e zhgënjeu, dhe drejtësia dhe shpresa nuk mund të zhvillohen me përlotje dhe ironi por veç me qendrime të qarta politike (jopartiake). Dhe siç është “koka”, thotë populli, ashtu do të jenë dhe “gjymtyrët”…e partisë dhe qeverisë!
Qëndrimi i kryebashkiakes së Durrësit, për shembull, “të jemi të kënaqur me 50 viktima” — një qendrim që autorja e lidhi me ‘stresin’— tregon edhe një herë se sa të keqedukuar janë njerëzit e partive dhe pushteteve. Dihet se autorja kishte në mendje përmasën e tërmetit dhe gjykuar nga përmasa dhe pasoja e saj, na tregoi se duhet të “jemi të kënaqur”! Qendrimi i saj nuk ishte rezultat i ‘ligësisë’ siç e paraqesin idiotët e opozitës (një njeri i lig – ligësinë e tij nuk e tregon kurrë me qendrime publike por me veprime minuese pikërisht siç ka vepruar dhe vepron opozita); as ishte rezultat i ‘stresit’ të saj. Por ishte rezultat i keqedukimit të saj: sepse qoftë edhe nëse pranojmë se ajo ishte pushtuar nga stresi dhe ky i fundit luajti rol vendimtar në qendrimin e saj, supozohet se stresin e kontrollojmë kur rritemi kur përballemi me dhimbje dhe nëse nuk e kontrollojmë dot, ne duhet të kërkojmë shkaqet se nga buron ai që të marrim masat.
Në rastin konkret, ai nuk buron nga dhimbja e madhe e saj për viktimat (po të kishte dhimbje do ta tregonte); por nga padija për të administruar gjendjen, sepse padija gjithnjë shkakton stres. Edhe nëse ajo u pushtua nga stresi për shkak të padijes, supozohet se në dhimbje shoqërore nuk do të mbante atë qendrim: sepse kur ngushëllojmë dikë në një vdekje apo kur përcjellim një familjar pas vdekjes - ne kurrë nuk dëgjojmë të “gëzohet” ndonjëri pavarësisht se mund të pushtohemi nga ‘stresi’. Se çfarë mbizotëron në këto raste është “ngushëllimi”. Ky i fundit, sidoqoftë, nuk është kuptuar drejtë nga shoqëritë për sa kohë që njerëzit mjaftohen me një urim që të thuash të drejtën nuk të ngushëllon dhe aq: “për të mira dhe gëzime” apo thjesht “ngushëllime”! Në rastin e Sakos ajo duhet të kuptonte se bëhet fjalë për një tragjedi shoqërore dhe rrjedhimisht për dhimbje të madhe—më e madhe se dhimbja që shkakton vdekja e një familjari. Dhe ngaqë dhimbja kishte karakter shoqëror, duhet të përgatiste gjendjen mendore, qendrimet dhe veprimet e saj përpara se të fliste.
Sikur mos të mjaftonte kjo gafë, një tjetër pasoi në krye të dhjetë ditëve, kur gjendja vazhdonte të ishte e dhimbshme: Durrësi u zbukurua për festat e fund-vitit dhe zëvendësministrja e turizmit dhe mjedisit, Ornela Çuçi, argumentoi se kjo “ndodh në çdo qytet të botës” duke mos na treguar ndonjë rast! Por edhe sikur të ketë ndonjë rast, kjo s`do të thotë se ne duhet të veprojmë si të tjerët pa shqyrtuar se sa drejtë kanë vepruar të tjerët dhe sa drejtë veprojmë ne kur dy ditë përpara kësaj nisme në kuvend ministret qanin dhe vajtonin — duke ndjekur qarjet dhe vajtimet e Ramës rrugëve dhe televizioneve. Hamendësisht për të na treguar se ndienin dhimbje të madhe për tragjedinë dhe kësisoj meritojnë pushtetin. Por qartësisht përlotjet e tyre nuk ishin të sinqerta: ato ishin rezultat i sjelljes së kryeministrit i cili ka treguar në mënyrë të përsëritur se është aktor i madh — pak a shumë si gratë e zakonit tonë të keq në disa krahina të Shqipërisë që vajtojnë një njeri jofamiljar në shkëmbim të paráve: sepse një njeri i sinqertë me dhimbjen e tij nuk do të kërcente sa në një sjellje në tjetrën; as do të paguante dikë që të vajtonte për të. Ministre(a)t që vajtonin në kuvend dhe televizioneve janë aq pa mendim dhe rrjedhimisht servilë kundrejt Ramës saqë përdorin dhe fjalët e tij në qendrime publike: fjala “patjetër” është bërë pjesë e çdo fjalie, e cila, nuk përdoret vend e pavend por në një kontekst demagogjik. Për shembull, “po patjetër, ne kemi shumë për të bërë”, duke nënkuptuar se bëjnë “autokritikë”. Por qartësisht nuk bëhet fjalë për autokrtikë për sa kohë që autokritika nuk procedon nga gjykimi i drejtë në raport me veprimet dhe mosveprimet dhe nuk vendoset përballë kritikës gjithëpërfshirëse të popullit.
Nga këto qendrime mësojmë –edhe një herë- se pushtetarët nuk kanë zhvilluar as etikën më të rëndësishme të shoqërisë: si të sillen në dhimbje shoqërore. Duhet thënë se sjellja e drejtë në dhimbje buron nga virtyti i drejtësisë dhe dhembshuria, kur dihet (nga ata që dihet) se dhembshuria nuk mund të zhvillohet pa zhvilluar një lloj ndjesie drejtësie për njërëzit, kafshët dhe jetën që na rrethon: se tjetri nuk meriton të vdesë apo dëmtohet; kur besojmë se tjetri ka zhvilluar njëlloj mirësie dhe nuk meriton të jetojë në dhimbje; dhe kur ne vetë kemi kaluar nga dhimbje të ngjashme dhe nuk dëshirojmë të pësojnë të tjerët njëlloj as dëshirojmë të na ndodhë, nëse nuk na ka ndodhur, në të ardhmen.[1] Pa zhvilluar, edhe një herë, një lloj ndjesie drejtësie ne nuk mund të zhvillojmë dhembshurinë për tjetrin dhe jetën që na rrethon. Sjellja jo-etike e tyre, rrjedhimisht, është pjesërisht pasojë e mungesës së virtytit të drejtësisë dhe pjesërisht pasojë e mungesës së etikës. Kështu, tërmeti dhe dhimbja pas tij, tregoi, edhe një herë se njerëzit pa etikë (pa virtytet etikë) dhe pa virtytin intelektual, mund të degjenerojnë fare lehtë dhe të shtiren dhe të shkaktojnë dhimbje të tjera në popull jo vetëm të karakterit etikë por edhe të karakterit intelektual lidhur me të ardhmen.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 28 reads



