...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Forcat paramilitare ruse dhe qendrimi i Kremlinit

Ky rast dëshmon se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miqësi të sinqertë dhe të përhershme mes shteteve

Adil Fetahu

01/08/2020 - 22:06

Më 29 korrik të këtij viti “Rojters-i” njoftonte se forcat e sigurisë së Bjellorusisë kanë arrestuar 33 mercenarë rusë, të cilët kishin planifikuar të kryejnë diversione dhe akte terroriste në disa qytete të Bjellorusisë, siç kanë raportuar mediat e atij vendi. Thonë se nga Rusia kanë hyrë 200 mercenarë të Kompanisë Ushtarake Private “Wagner” dhe se forcat bjelloruse të sigurisë janë duke i kërkuar të tjerët. Ministria e Punëve të Jashtme të Bjellorusisë thirri menjëherë në dëgjesë ambasadorin rus në atë vend dhe ka kërkuar prej tij shpjegime për rastin. Natyrisht që ambasadori do të ketë thënë se politika zyrtare ruse nuk ka kurrëfarë lidhje me ata mercenarë...por a do t’i besojë ndonjëri se është ashtu?

Ky rast dëshmon se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miqësi të sinqertë dhe të përhershme mes shteteve, siç pretendohet miqësia e pandashme, si mishi me thoin, mes Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Nëse dikë e ka befasuar ky lajm i inkursionit të mercenarëve rusë në shtetin mik, për njohësit e kësaj veprimtarie të përhershme të forcave ruse nuk është kurrëfarë befasie: sepse mercenarë rusë “qenë të luftës” ka gjithandej nëpër vendet ku zhvillohen luftime, qoftë të brendshme apo me shtete të tjera. Burime të ndryshme bëjnë të ditur se aktualisht kontigjente të mercenarëve rusë veprojnë së paku në 13 shtete të botës si në Angolë, Guine, Guineja Bisao, RD Kongo, Zimbave, Libi, Madagaskar, Mozambik, Sudan, Republika e Afrikës Qendrore, Siri, Ukrainë dhe Venezuelë.

Radio “Europa e Lirë” njoftonte më 2 gusht 2018 se në Republikën e Afrikës Qendrore, në vitin 2018 u vranë në rrethana të pasqaruara tre gazetarë rusë: Orkhan Xhemal, Aleksandra Rastrojgijeva dhe Kirill Radçenko, të cilët donin të hulumtonin aktivitetin dhe të inçizonin një film dokumentar për Kompaninë Ushtarake Private “Wagner”, që sipas mediave franceze dhe atyre ruse po vepronin aktivisht në atë vend. Qeveria ruse asnjëherë nuk ka pranuar zyrtarisht se kishte mercenarë rusë në atë shtet të Afrikës dhe ka mohuar se ajo kompani punon sipas urdhërave të Moskës. Në Republikën Qendrore të Afrikës në vitin 2013 patën shpërthyer konfliktet mes myslimanëve e të krishterëve, në të cilin u vranë mijëra njerëz e qindra-mijëra të tjerë u detyruan të ikin prej vendit të tyre. Në vitin 2014 KB dërguan Misionin Paqëruajtës atje, ndërsa në vitin 2017, Rusia fitoi të drejtën e përjashtimit nga sanksionet e KS për shitjen e armëve RQA, gjoja me qëllim aftësimi të forcave të sigurisë së atij vendi dhe i dërgoi 175 instruktorë  për t’i ushtruar forcat legale për mbrojtjen e kryetarit Tuadera.Thuhet se 170 prej tyre ishin civilë (mercenarë) të Kompanisë “Wagner” dhe 5 pjesëtarë të ushtrisë së rregullt ruse. Ndërsa Rusia lavdërohej se me dërgimin e armëve dhe të “instruktorëve” për ushtrimin e forcave të milicisë qeveritare është arritur qetësia, ekspertët e KB në raportin e tyre thonë se gjendja është përkeqësuar dhe ka përshkallëzuar dhuna (edhe) në rajonet e tjera ku më përpara ishte më  qetë.

Kush është Kompania Private Ushtarake “Wagner”?

Kompania “Wagner” është një kompani e regjistruar si subjekt legal i policisë dhe ushtrisë private, e armatosur, me seli afër qytetit Krasnodar, në Jug të Rusisë. Atë e ka themeluar Dimitrij Utkin,  ish-oficer i Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ruse (GRU) dhe bashkëpunëtor i afërt u Putinit. Ai më përpara e kishte formuar Korpusin Sllaven për luftë në Çeçeni. Prej atij Korpusi kishte krijuar Kompaninë private ushtarake. “Wagner” ishte pseudonimi i themeluesit, që më vonë ia la si emër kompanisë. Këtë pseudonim e kishte në qejf si simpatizant i nacizmit.  Në vitin 2014 vullnetarët (lexo: mercenarët) e Utkinit  iu bashkuan separatistëve prorusë të Ukrainës Lindore, kurse në vitin 2015 mercenarët e “Wagnerit” u shfaqen në Siri, kur Moska filloi inervenimin ushtarak në përkrahje të regjimit të Asadit. Raporte të ndryshme nga Rusia dhe SHBA thonë se financier i grupit “Wagner” është Jevgenij Prigozhin, një biznismen-miliarder nga Shën Petersburgu, i njohur me pseudonimin “kuzhinieri” i Putinit. Duke u mbështetur në burimet ruse të informatave mësohet se në marsin e vitit 2016 në Siri ishin 2500 pjesëtarë (mercenarë) të “Wagnerit” me detyra të ndryshme, prej të cilëve 1600 ishin luftëtarë në fronte, për të cilët fillimisht ishte ndarë një buxhet prej 350 milionë dollarësh. Revista javore ruse Soverseno Seketno (Rigoroz sekrete) bënë të ditur se 40% e grupit “Wagner” ishin kriminelë të cilët kanë kryer krime të rënda para se të rekrutoheshin në këtë kompani.

Kompaninë deri në vitin 2016 e ka financuar dhe armatosur ushtria ruse, por tash thonë se ua ka ndërprerë financimin, për shkak të tendosjes së raporteve për dominim në terren, në Moskë, në konkurrencë me ushtrinë e rregullt! Pas ndërprerjes së financimit nga Ministria Ruse e Mbrojtjes, “e ka detyruar Prigozhinin të kërkojë burime të tjera financimi dhe ka arritur  të lidhë kontratë me qeverinë e Asadit. Sipas saj, Kompania “Wagner” merr 25% të të ardhurave nga fushat e naftës të cilat i “çliron” kjo Kompani me mercenarët e saj.

Prej atëherë (dhjetor 2016), Kompania ua ka rritur pagat mujore mercenarëve të vet, të cilat vërtiten nga 3500 deri 5000 dollarë amerikanë. Natyrisht, mercenarët kanë përfitime tjera,  ndoshta edhe më të mëdha, si pre e plaçkës në luftë. Raportohet për më se 200 mercenarë rusë të vrarë e shumë tjerë të plagosur në Siri. Kompania “Wagner”ua dërgon pagat familjeve të  ushtarëve të vrarë. Edhe pse bëhen përpjekje për të mohuar lidhjen e Rusisë zyrtare me grupin “Wagner”, shteti ka dobi të dyfishtë prej kësaj ushtrie ruse “nën hije”: nga një anë pranon pjesëmarrjen e gjërë të Rusisë zyrtare në territorin e Sirisë sipas të drejtës ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër “e zvogëlon” numrin e ushtarëve të vrarë në terren, sepse ata nuk i numron si të tillë. Interesat ekonomike ruse, për koncesione në hulumtimin dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendeve, regjimet e të cilave i ndihmon, është kapitull i veçantë dhe me peshë jo të vogël.

Mercenarët rusë marrin pjesë edhe në luftimet që po zhvillohen në Libi midis forcave rebele dhe atyre qeveritare. Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, rreth 1000 mercenarë të “Wagnerit” kanë luftuar në frontin e lindjes së Tripolit, në përkrahje të forcave jolegjitime, ndërsa Rusia e ka mbëshetur luftën e tyre me avionë ushtarakë. Në luftimet që ka zhvilluar grupi “Wagner” në Libi ka përdorë gaze helmuese kimike dhe kundështarët e paralizuar në baza nervore pastaj i kanë vrarë.

Mercenarët rusë (dhe të tjerë) në luftërat në Jugosllavi

Në luftërat e përgjakshme të shpërbërjes së Jugosllavisë federale kanë marrë pjesë një numër i madh i vullnetarëve e mercenarëve rusë, ukraisnas, grekë e rumunë, qysh nga fillimi i luftës 1992, Bosnje dhe Kroaci, e deri në përfundimin e saj më 1999 në Kosovë.

Komandanti i Brigadës 549, Korpusit të APJ në Prishtinë, koloneli Bozhidar Gjeliq, në deklaratat e tij të shumta në procesin e gjykimit të S.Millosheviçit në Tribunalin e Hagës, po edhe më pas në raste të ndryshme, ka pohuar se në mesin e 14000 ushtarëve të  korpusit të tij në Kosovë, ka pasur 2000 vullnetarë (mercenarë, v.j.) rusë, ukrainas e të republikave të tjera sovjetike dhe të vendeve tjera. Ata  kanë qenë të organizuar në dy grupe: BAD dhe GAV; herë kanë vepruar të pavarur, herë në kuadër të njësive policore, ushtarake e paramilitare serbe, në periudhën qershor 1998, deri në qershor 1999. Bashkë me forcat serbe kanë marrë pjesë në luftimet kundër UÇK-së në Koshare, në Pllaneja (afër Prizrenit)  në Budakovë (afër Suharekës), e në vende tjera.  Nuk ka dyshim se kanë marrë pjesë edhe në deportimin e civilëve shqiptarë dhe kanë kryer krime monstruoze si serbët. Shumë prej tyre kanë qenë veteranë (lexo: kriminelë) të luftës në Avganistan, në Bosnje e në Kroaci. Në Bosnje, ka ndodhur që oficeri i kontigjentit rus të UNPROFOR-it (majori Aleksandar Shkravo, pasi njëherë është kthyer në Rusi, ka ardhur përsëri në Bosnjë, por tash si mercenar në anën e serbëve, dhe është vrarë në luftë. Në Srebrenicë garda e vullnetarëve grekë, nën flamurin e shtetit të tyre ka bashkëpunuar me Ratko Mlladiçin në kryerjen e gjenocidit.

Disa nga mercenarët rusë, grekë, ukrainas e rumunë edhe sot e kësaj dite jetojnë të lirë dhe marrin pensione si veteranë të luftës, në entitetin serb të Bosnjës ose në Serbi. Në Kosovë dihen me emër e mbiemër  së paku tre mercenarë rusë që u vranë në luftë:

1) Bullah Vitalij Gllakoviq (1965), u vra më 19 maj 1999, në Koshare,

2) Fjodor Fjoroviq Shulga (1963), u vra më 30 maj 1999, në Deçan,

3) Starçen Ivajoviq Sergej (1962), u vra më 11 maj 1989, në Rezallë.

Njëri që e humbi syrin e djathtë në luftën e Koshares, Alber Andrijev, dhe që pastaj e quanin Albert qorri, nga Odesa, pasi kishte plaçkitur një xhip të shtrejtë dhe e kishte mbushur me plaçka të tjera të vlefshme —valuta, stoli ari, sende të çmueshme, të plaçkitura prej shqiptarëve— kishte ikur  nga Kosova e shkuar në Vllasotince (Serbi) ku ishte martuar me një serbe të pasur të atij vendi. Ndoshta nga xhelozia, apo për arsye dhe motive tjera, policia serbe lokale, një natë ia kishte djegur xhipin, për pasojë qorri u shpërngul nga Vllasotinca dhe prej vitit 2006 jeton në Beograd, si udhëheqës i një kompanie për sigurimin e objekteve të hoteleve më të njohura të Beogradit. Natyrisht ata “qej të luftës”, në mesin e serbëve në Bosnje e në Serbi, në mos paste edhe në Veri të Mitrovicës (!), i konsiderojnë si heronjtë e tyre.   

Redaksia - një studim më i gjerë mund të lexohet këtu:

Decoding the Wagner Group: Analyzing the Role of Private Military Security Contractors in Russian Proxy Warfare

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA