...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse problemi ynë nuk është Veliera?

SHJ

17/02/2017 - 09:39

Ndërtimi i “Velierës”, hapësirës së re publike që projektoi Bashkia përgjatë vitit 2016-të, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit, për shembull, do të ndikohet drejtpërdrejt nga ngritja e nivelit të ujërave të detit. Veliera, në të vërtetë, është pasojë e drejtëpërdrejtë e natyrës së shtetit: heteronomisë së tij. Domethënë, është pushteti qendror ai që parapërcakton projektet e bashkive. Rasti konkret buron nga qasja e përgjithshme e qeverisë “Rama”: të zhvillimit të turizmit. Kjo qasje përforcohet nga mendësia ‘artistike’ që ka zhvilluar vetë Rama. Domethënë, nga bindja se përmes veprave artististike dhe ‘ekzotike’ mund të zhvillohet turizmi. Problemi kryesor që krijohet nga kjo qasje është se ajo përmbys përparësitë e një bashkie. Bashkia e Durrësit, për shembull, ka plotë probleme, jetike për banorët. Por pushteti qendror ka përparësi ‘turizmin’. Kështu ai mbivendoset dhe përparon objektivin e tij me vepra ‘ekzotike’. Për të njëjtën arsye, ne duhet të përqendrohemi te qasja e përgjithshme e qeverisë “Rama”: se një vend mund të zhvillohet përmes turizmit. Kjo bindje buron kryesisht nga karakteristikat e vendit tonë. Por kjo qasje është kryekëput e gabuar: sepse e vendos një pupull në pritje të “nuses” kur nuk dihet se sa dëshirë dhe mundësi ka “nusja” të vijë në anët tona.

Kështu, bashkë me pritjen e tregëtarëve me pakicë të mallrave të konsumit të gjerë, qeveria “Rama” shton edhe sektorin e turizmit: të presë —nga ballkonet dhe me dylbi— vizitorët e huaj! Por nuk është vetëm qeveria “Rama” e keqedukuar në administrimin e shtetit modern. Edhe “veprimtarët” paraqiten njëlloj. Nëse gjykojmë nga rasti i “Velierës”, ata filluan të organizojnë protesta pasi “shfryu” masmedia dhe opozita. Njëlloj si këta të fundit, të cilët shfrytëzojnë çdo ndjesi popullore për “kapital” politik dhe nuk kanë mësuar të hetojnë,[1] ashtu dhe “veprimtarët“: në vend të hetojnë dhe tejkalojnë mendësitë e partive dhe kuptojnë shkaqet e një problematike - protestojnë dhe kush nuk bashkohet me “kauzën” e tyre dyshohet se ka interesa! Sepse nëse do ta kishin hetuar çështjen dhe kuptuar – ata do të kishin sulmuar së pari natyrën shtetit modern dhe së dyti qasjen “zhvillimore” të qeverisë “Rama”. Protestat në këtë rast i udhëhoqi e ashtuquajtura “shoqëri civile”. Kjo e fundit, jo vetëm që protestoi si shiu pas të vjelit —kur projekti filloi të realizohësh në terren sesa kur ishte në fazën e projektimit, miratimit dhe tenderimit—, por, dhe më e rëndësishmja, ajo operon si përfaqësuese e popullit pa u votuar nga ai! Pa pëmendur këtu burimin financiar të saj.

Kështu, në krye të dy-tre protestave, gjykata administrative e Durrësit pezulloi punimet në pjesën ku Bashkia ka zbuluar (jo mbuluar) disa ndërtime arkeologjike. Shkurt, është qasja “zhvillimore” e qeverisë “Rama” që po ‘pispillos’ qytetet dhe karakteri i shtetit modern shkaku kryesor i çdo dëmi social-ekonomik (dhe arkeologjik) i qyteteve si Durrësi. Por gjykuar se nga burojnë fondet për veprat në fjalë —nga BE-ja— dhe arsyeja se pse ato jepen —për të çliruar dhe liberalizuar tregjet, domethënë për të zhgardhuar vendin tonë për kapitalin e huaj— përgjegjësi të madhe ka edhe populli. Përgjegjësi të madhe kanë edhe veprimtarët politikë që dëmet tona me karakter social-ekonomik (por dhe kombëtar) nuk i shikojnë nga një qasje sistemike dhe shkakiste por përqendrohen te simptomat. Përtej faktit që vetë BE-ja ka të njëjtën qasje me qeverinë “Rama”: se zhvillimi i sektorit të turizmit është kryesori. Mirëpo, paralel me zhvillimin e kësaj qasje, BE-ja përparon edhe projekte të tjerë në vendin tonë. Për shembull, në sektorin energjitik. Jo, sigurisht, duke u përfshirë Brukseli drejtëpërdrejt. Por duke përfshirë korporatat që rezidentojnë në vendet e BE-së... 



[1]Mungesa e hetimit të çështjes “Veliera” çoi në keqparaqitjen e saj nga shumë “kritikë”, “analistë” dhe “gazetarë”, madje edhe nga shumë veprimtarë politikë, të cilët supozohet se e hetojnë më shumë një çështje ose lajm se publiku i gjerë. Keqparaqitja kryesore ishte në shifrën e projektit. Thuajse kudo u përsëritë e njëjta shifër: se projekti kushtonte 6 milion dollarë ndërkohë që kostua tij ishte 4 milion. Një tjetër kaqparaqitje ishte çështja se Bashkia mbuloi ndërtimet arkeologjike...ndërkohë që ishte vetë Bashkia që nënshkroi një kontratë për mbikqyrjen e punimeve me dy institucione arkeologjike: Institutin e Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shpëtimit Arkeologjik. Sigurisht, me dy muaj vonesë. Por kjo s’tregon se qëllimi i Bashkisë ishte të mbulonte dëmet. Në të vërtetë, gjykuar nga ç’ka më komunikoi drejtori i mbikqyrjes së punimeve, ndërtimet që janë zbuluar nuk ishin dokumentuar nga arkeologët. Si të tilla, nuk njiheshin se ekzistonin. Fakti që u zbuluan në proces dhe  Bashkia kërkoi ndihmën e arkeologëve, tregon dëshirën e saj për të ruajtur gjetjet arkeologjike jo të kundërtën.     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA