Bisedimet me të panjohura mes Serbisë dhe Kosovës dhe mobilizimi i lobit serb në Uashington

Edhe pse e drejta e Zotit dhe e drejta ndërkombëtare janë në anën e Kosovës, në këto bisedime, sidomos në këtë fazë të pavolitshme, pozita e Kosovës është tejet e dobët
Adil Fetahu
28/08/2020 - 13:31
Takimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, njëherë e caktuar për 2, e pasaj e shtyrë për 4 shtator, e ka thirrë Robert O’Brajan, këshilltar i presidentit Donald Tramp. Në atë takim gjithësesi do të marrë pjesë edhe emisari i Trampit për bisedimet Kosovë – Serbi, Riçard Grenell, si dhe këshilltari e dhëndëri i Trampit, Xherald Kushner. Nga burime të pakta informacioni njoftohet se në takim do të bisedohet për tema ekonomike por nuk përjashtohet mundësia që të bisedohet edhe për tema tjera (politike).
Në garën mes Bashkimit Europian dhe Amerikës, se cila kërkon të marrë meritën për arritjen eventuale të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, të dy palët po luajnë ping-pong me organizimin e takimeve. Sapo u caktua takimi i nivelit të lartë në Uashington për 4 shtator, BE-ja e thirri takimin në Bruksel më 27 gusht, për bisedime në nivel të ekspertëve, në të cilin do të bisedohet për çështjen e të zhdukurve dhe të shpërngulurve dhe për tema ekonomike.
Edhe në takimin në Uashington thuhet se do të bisedohet për tema ekonomike dhe pritet se do të nënshkruhen memorandume mirëkuptimi:
• për normalizimin e trafikut hekurudhor, rrugor dhe ajror;
• për qarkullimin e lirë të mallrave, të njerëzve dhe të kapitalit; dhe
• për mundësinë që Kosova të përfshihet në “mini-Shengenin” e Vuçiçit-Ramës e Zaevit!
Dy temat e para janë biseduar në Prishtinë dhe në Beograd, e në parim është arritur marrëveshje në bisedimet e udhëhequra nga emisari Grenell. Tash sigurisht do të këmbngulet në zbatimin e tyre. Jozyrtarisht, flitet se edhe vet presidenti Doald Tramp do të paraqitet në takimin e 4 shtatorit. Kjo është një çështje hipotetike. Sepse është e pabesueshme që presidenti të jetë shumë i interesuar për tema të vogla, sikurse janë marrëveshjet për trafikun apo për “mini-Shengenin”. Ai mund të paraqitet vetëm për tema të mëdha, qoftë ato ekonomike apo politike. Nëse ka në plan të premtojë investime në projekte më të mëdha si bie fjala në energjetikë, në “Trepçë”, apo nëse bëhet fjalë për çështje tjera strategjike, si për kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve, atëherë pjesëmarrja e Trampit është e kuptueshme. Sepse asnjë marrëveshje midis shteteve, sidomos këtyre të vogla, nuk mund të arrihet pa arbitrimin e Amerikës.
* * *
Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në bisedën për mediat serbe më 26 gusht, tha se në Uashington do të bisedohet për tema ekonomike, por nuk përjashtohet mundësia të bisedohet edhe për tema tjera. Por nëse nisë biseda për njohjen e pavarësisë së Kosovës, këtë Serbia nuk do ta pranojë kurrë dhe do t’u them: “hajde të bisedojmë seriozisht për tema të tjera”! Në të gjitha bisedimet me faktorët ndërkombëtarë u kam bërë vërejtje atyre, “përse kanë kritere të dyfishta: që dikush ka të drejtë në shkëputje, e dikush tjetër nuk e ka këtë të drejtë”? Me këtë argument Vuçiçi aludon në entitetin e serbëve të Bosnjes, duke bërë kështu krahasimin e të pakrahasueshmes. Sepse Kosova gjithmonë e ka pasur mvetësinë politike, juridike dhe territoriale, ndësa e ashtuquajtura “Republika srpska” kurrë nuk ka pasur identitet të vetin, por është një krijesë gjenocidale e formuar në bazë të gjenocidit të kryer mbi popullin Boshnjak dhe është formuar si entitet në kuadër të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit (1995).
Pavarësisht se nëse do të paraqitet presidenti Tramp në takimin e 4 shtatorit apo jo, Vuçiçi pret “mirëkuptimin e tij” për interesat e Serbisë në bisedimet me Kosovën. Ai thotë se për dallim nga presidentët paraprak të SHBA-ve, Trampi është më përkrahës i Serbisë. Përndryshe, në stilin e tij të krekosjes, thotë se “është i përgatitur për këto bisedime dhjetëfish më mirë se pala tjetër (Kosova); se e kemi vështirë, por do ta ruajmë Serbinë tonë të shenjtë (aludon në Kosovën); dhe nuk do të refuzojmë atë që është e mirë për Serbinë, por as nuk do të pranojmë atë që është e dëmshme”.
Lobi serb në Amerikë dhe këshillat e ambasadorëve amerikanë proserb
Serbia qysh prej vitit 2004, ka një grup të fortë lobimi në Kongresin amerikan dhe ka investuar shumë në agjensi të ndryshme lobuese jashtë Kongresit. Në kongres ka një grup prej 26 lobuesish për interesat e Serbisë; 21 në Kongres dhe 5 në Senat, të tubuar në të ashtuquajturin Kokusi serb. Kokusi serb është formuar në bazë të angazhimit të Ambasadës së Serbisë në Uashington. Bashkëkryesues të Kokusit janë senatorët Ted Po, nga republikanët, dhe Emanuel Kliver nga radha e demokratëve. Ambasada e Serbisë është në kontakt të përhershëm me Kokusin dhe anëtarët e tij. Ted Po, në vitin 2018, i kishte shkruar një letër Presiddentit Tramp me propozim që ta vizitojë Serbinë për ta njohur më mirë. Për lexuesit po e reprokudoj këtu përmbajtjen e letrës së Kokusit, dërguar Presidentit:
“Si bashkëkryesues i Kokusit serb në Kongres, po ju shkruaj në mënyrë që t`ju inkurajoj të bëni një udhëtim dhe vizitë zyrtare presidenciale në Republikën e Serbisë. Përveç Karterit, asnjë kryetar tjetër amerikan nuk e ka vizituar Serbinë. Vizita Juaj pa dyshim do të forconte më tepër përkrahjen Tuaj në të ardhmën ndaj Serbisë, që është pjesë e Europës demokratike, në të cilën sundon paqja. Serbia është me rëndësi të madhe gjeostrategjike, duke pasur parasysh se gjendet në mes të integrimit të largët me Perëndimin dhe marrëveshjeve të afërta me Rusinë. Për të arritur këtë qëllim strategjik, përkrahja e Amerikës është me rëndësi esenciale. Serbia e meriton përkrahjën tonë. Në periudhën e kaluar Serbia krahpërkrah me Shetet e Bashkuara ka luftuar kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në pengimin e rrjedhës së luftëtrëve të huaj të ISIS-it. Konsideroj se duhet të pranojmë kontributin e Serbisë që i ka dhënë paqes dhe sigurisë, me një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë edhe vizitën e presidentit aktual amerikan”.
Nuk është vetëm Kokusi serb i përbërë nga personalitete të shquara të Kongresit amerikan që lobon për interesat e Serbisë. Janë me qindra personalitete të tjera nga fusha e politikës, diplomacisë dhe biznesit që aktivisht merren me atë lobim. Në Amerikë, sipas vlerësimeve, jetojnë 650.000 qytetarë me prejardhje serbe, ndërkaq sipas regjistrimit të para njëzet vjetëve, 176.666 janë deklaruar se në shtëpi e flasin gjuhën serbe. Në fushatën parazgjedhore, lobi serb është shumë aktiv, duke premtuar se mbi 600 mijë vota të serbëve do të jenë për Trampin, e duke propaganduar se shqiptarët do të votojnë kandidatin demokrat. Disa prej lobuesve edhe ata jashtë Kongresit, kanë qenë ose janë në funksione të ndryshme. Për shembull, njëfarë Branko Terziq, ka qenë ministër i energjetikës në Admininistratën e presidentit Regan, dhe pastaj ka qenë këshilltar edhe i kryetarëve të tjerë. Agjensitë lobuese për interesat e Serbisë, promovojnë vlera e gënjeshtra, gjithnjë duke theksuar vlerat krishtere të popullit serb dhe tiparet negative myslimane të shqiptarëve; duke theksuar aleancën e Serbisë në Luftën e I dhe II Botrore.
Ekziston njëfarë e ashtuquajtur Konferenca e Liderëve Serbo-Amerikanë (SALC), me më se 1500 anëtarë aktivë, të cilët përfaqësojnë dhe lobojnë për interesat e Serbisë në Amerikë, që është shumë aktive me retorikën e përhapjes së lajmeve selektive dhe gënjeshtrave në rrjetet sociale: fejsbuk, twiter dhe me shkrime të botuara në gazeta e revista amerikane në gjuhën angleze. Në Bordin e SALC-it janë shumë aktivë kryesuesi (Aleksandër Gjuriç) dhe Nemo Gjorgjeviç. Prifti i Kishës Ortodokse Serbe në Amerikë, Vasilij Vraniç i lidhur me ambasadorin amerikan për çështje fetare, bashkë me të ishin në vizitë në Beograd (4 mars 2020), dhe u takuan me patriarkun serb Irinej. Ai tash atje është ngritur edhe kundër regjimit të Malit të Zi, prej se nisën tollovitë kishtare atje.
Një lobist për çështjen serbe, shumë i çmuar në Serbi është Stiv Stajvers, një kongresmen republikan, gjeneral brigade, i cili e ka vizituar Serbinë në krye të delegacionit të Gardës Nacionale të Ohajos. Një organizatë e fortë lobuese për interesa të Serbisë është Agjensia “Rabin-Shivs, Lipki-Shahak, Binger”, pronar i së cilës është djali i ish-kryeministrit izraelit, Jicak Rabin. Me këtë agjensi kontratën e ka lidhur Vuk Jeremiçi, ish-ministër i jashtëm i Serbisë. Përmes kësaj agjensie synon të fitojë përkrahjen e lobit të fortë izrealit që ekziston në Amerikë. Kompania Kariq, e serbëve të Pejës, me banim në Beograd, ka lidhur një kontratë lobimi duke i paguar 240.000 dollarë vajzës së kongresmenit Kurt Veldon nga Karolina. Madje, edhe Këshilli Nacional Serb nga Kosova ka lidhur kontratë dhe ka paguar shuma të caktuara Agjensisë lobuese “Venable” ndërsa veprojnë sa e sa agjensi lobuese të tjera për intersat serbe në Amerikë.
Ish-ambasadori amerikan në Beograd, William Montgomeri, në një bisedë me mediat serbe (më 23 gusht), në vigjilje të takimit Hoti – Vuçiç në Uashington, kishte këtë porosi për Vuçiçin: “Ngutuni të arrini marrëveshjn me Kosovën deri sa Trampi është kryetar i SHBA-ve, sepse po erdhi Bajdeni, që është përkrahës i Kosovës dhe i Shqiptarëve, atëherë marrëveshja do të jetë në dëm të Serbisë. Për arritjën e marrëveshjes, duke përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve, vendimtare është shpejtësia e veprimit, ku do të zbatohej “skenari izraelit”, kur u arrit marrëveshja historike për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Vuçiçi duhet të kuptojë se gjasat janë të mëdha që Trampi t’i humbë zgjedhjet e ardhshme, kurse Bajdeni fuqimisht është në anën e Kosovës me kufijtë e tashëm. Pra, tash duhet të veprojë, ose ndoshta për gjithmonë do ta humbë mundësinë për zgjidhjen e këtij problemi në favor të Serbisë. Keni kujdes në datat. Trampi dëshiron që lideri serb dhe ai Kosovar t’i shtrëngojnë duart për një rrugë të ardhshme. Kjo përfshinë edhe shkëmbimin e territoreve, dhe ai don që marrëveshja të zbatohet menjëherë në praktikë. Bashkimi Europian dhe SHBA-të, secila do ta lënë meritën vetes për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe asnjëra nuk do t’ia lënë meritën palës tjetër. Arritja e kësaj marrëveshje do ishte poemë e madhe e politikës së jashtme të Trampit në prag të zgjedhjeve të nëntorit. Tash është me rëndësi shpjetësia e veprimit. Shkaku i vetëm nëse Trampi merr pjesë në këtë takim është arritja e marrëveshjes. Ai nuk është i shqetësuar shumë me rajonin sikurse është Angela Merkel e të tjerët. Nëse Trampi vjen në takim, kjo do të thotë se ai e shtynë fuqishëm arritjen e marrëveshjes”, citon Montgomeri. Edhe ky është një serbofil i dëshmuar dhe lobues i fortë për interesat e Serbisë.
Pozita më e pafavorshme e Kosovës
Sido që të zhvillohen bisedimet në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës e Serbisë, dhe pavarësisht se merr pjesë ose jo presidenti Tramp në atë takim, nuk ka gjasa të arrihet ndonjë marrëveshe përfundimtare gjithpërfshirëse, siç mendojnë disa analistë e politikanë, sepse nuk janë krijuar kushtet elementare për arritjen e saj. Para se të arrihet marrëveshja përfundimtare duhet të sqarohen e zgjidhen shumë çështje e tema të tjera politike, praktike, ekonomike e sociale mes Kosovës e Serbisë.
Edhe pse e drejta e Zotit dhe e drejta ndërkombëtare janë në anën e Kosovës, në këto bisedime, sidomos në këtë fazë të pavolitshme, pozita e Kosovës është tejet e dobët. Nga njëra anë qeveria “Hoti” është në këmbë prej qelqi, tejet e paqendrueshme. Brendapërbrenda qeverisë ka përçarje. Kryetari i Kosovës dhe shumë të tjerë janë nën “shpatën e Damokleut” të Gjykatës Speciale. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, me etjen e tij të pangopshme dhe joreale kërcënon se do ta prishë koalicionin dhe do ta rrëzojë qeverinë poqese nuk i garanton pozitën e kryetarit të Kosovës. Brenda qeverisë dhe Kuvendit nuk ka një qëndrim për sa i përket variantit të shkëmbimit të territoreve. Ekipi negocues kurrë nuk ka qenë më i dobët dhe pa përvojë kundrejt një shteti i cili gjithmonë ka humbur në fushën e luftës dhe gjithmonë ka fituar në tavolinën e bisedimeve, natyrisht me përkrahjen e Rusisë dhe të tjerëve, që nuk do t’i mungojë as tash. Krahas të gjitha këtyre, Kosovën e ka mbërthyer pandemia sa që ka zënë vendin e parë në botë me numrin e të vdekurve nga C-19, në përpjestim me numrin e popullsisë që ka. Takmi i 4 shtatorit në Uashington dhe takimi i 7 shtatorit në Bruksel, fushata paragjedhore e kryetarit të ShBAHve, rivaliteti midis SHBA-ve dhe Bashkimit Europian në marrjen e meritës për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës e Serbisë, - janë rrethana të pafavorshme për Kosovën, më tepër se asnjëherë deri më tash. Prandaj, delegacioni i Kosovës, në këto rrethana nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje por të bëjë çmos për shtyrje, të paktën deri pas përfundiit të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 91 reads



