...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Korporatat “të bashkuara qendrojnë, të ndara mbretërojnë” dhe minojnë të drejtat e punëtorëve

Korporatat që paraqiten si “modele” të suksesshme nga establishmentet perëndimore dhe lindore, nuk konsiderojnë natyrën e tyre por mjaftohen duke na treguar vetëm fitimet! Tregimin e realitetit të ndërmarrjeve nuk e ndihmojnë as të ashtuquajturit të “majtë”

Ylli Përmeti

31/08/2020 - 14:15

Ndërsa administratorët e korporatave përpiqen të përqendrojnë pushtet (si gjithë shoqëria) qoftë në raport me rivalët e mundshëm brenda korporatës qoftë jashtë saj,  ato minojnë çdo përpjekje për të rritur rrogat e punëtorëve nga qeveritë. Motua (ose taktika) që përdorin, siç citon një analist, për të përligjur rrogat e tyre të majme, është “të bashkuar ne qendrojmë, të ndarë ne mbretërojmë” (“united we stand, divided we rise”).  Më shkoqur, bizneset zakonisht veprojnë bashkë për të luftuar të drejtat e punëtorëve, siç janë rritja e rrogave të punëtorëve, që mund të dëmtojnë përfitimet e korporatave. Por për rrogat e tyre, administratorët veprojnë veç, duke sulmuar çdo sfidë në nivelin e ndërmarrjes.

Nuk do të ishte e çuditshme që krye-administratorët e ndërmarrjeve të mëdha në Britani të shijojnë një të tretën e rritjes mesatare të rrogave që nga viti 2010-të dhe të (vetë)-paguhen më shumë se 140 herë më shumë se mesatarja e punëtorëve në vitin 2015-të. Dhe ndërsa rrallë herë mbrojnë rrogat e tyre në publik - përpjekja e qeverisë Britanike për të imponuar votime të detyrueshme vjetore për rrogat e administratorëve dhe përfaqësimin e punëtorëve në bordin e ndërmarrjeve do të dështojë, siç ka dështuar shekullin e kaluar, jo vetëm në sajë të taktikës që kanë adoptuar krye-administratorët e korporatave por edhe në sajë të lidhjeve të ngushta që krijojnë politikanët profesionistë me pronarët e korporatave përgjatë fazës parazgjedhore me sponsorizime fushatash etj.

Qoftë edhe nëse konsiderojmë ndërmarrjet më të “suksesshme” në botë vërejmë pakuptimësi të një niveli të lartë: ndërmarrja “Amazon”, për shembull, përdor disa “parime” që nuk burojnë nga kuptimi i drejtë i administrimit të ndërmarrjes dhe natyrës njerëzore në raport me sistemin. Por nga “parime” pa bazë shkencore dhe që u drejtohen vetëm të ashtuquajturve ”liderë”. Kështu, për shembull, kur këshillon “liderët”...me një parim u thotë “të jenë të drejtë shumë” në vend t’i këshillojë “të jenë gjithnjë të drejtë”. Siç citon për më shumë një komentatore në një kritikë me titull: “Sekretet e zymta të suksesit të Amazonës” duke e filluar kritikën nga: ‘talenti është i rëndësishëm, kështu punëso më të mirin’ — mezi kuptohet. Banalitete të tjerë pasojnë, duke përfshirë “shpërnda rezultate” dhe “mendo madhërisht”. Nëse ti nuk je i sigurt se si ta bësh këtë, mundohu të “shikosh vërdallë për zgjidhje për t’u shërbyer klientëve”, parim i cili tingëllon më i dobishëm për të administruar një restorant se sa një biznes’. 

Ndërmarrja “Amazon”, për më shumë, krijoi “qendrën e ambasadorëve të zbatimit” (“fulfilment centre ambassadors”) për të cilën tha se ishte një magazinë punëtorësh dhe pjesë e një programi më të gjerë edukimi. Por ajo u kritikua se nisma ishte pjesë e një ngritje më të përgjithshme të “punëdhënësve ventrikulist” që përdor punëtorët si një mbështetje për t’i shërbyer interesave të ndërmarrjes duke abuzuar me besnikërinë e tyre:

...Drejtorët kanë një megafonë më të madh se punëtorët. Njerëzit besojnë se “punëtorët e rregullt” janë më të besueshëm kur flitet për ndërmarrjen e tyre se sa pronari ose bordi. Belaja është se angazhimi i punëtorëve bie sa më poshtë të qendrojnë në hierarkinë e ndërmarrjes. Kumtet nga lartë-poshtë për besnikëri ndaj korporatës konsiderohen në pjesën më të madhe si fakte të mirëqenë...përpjekjet për të vjelë sjellje pozitive nga punëtorët janë shumë më delikate dhe të prirura për dështim. Këshillova herët këtë vit se ndryshimi i pikëpamjeve të punëtorëve vepron në një shkallë rritëse prej 5 pikësh — nga rendet shmangëse, nëpërmjet shpërfilljes, shpërqendrimi ose përçarja, në shfaqjen aktive kundër politikës së ndërmarrjes. Ngjashëm, lumturia e punëtorëve fillon duke i angazhuar me pronarët ndërsa përparojnë përmes mbështetjes, drejt entuziazmimit të tyre dhe, në fund, nëse ndërmarrja është shumë me fat, ta lavdërojë atë në publik…siç tregojnë studimet, të mundohesh të përmbash keqveprimin në punë mund të rrisë sjelljen e keqe, duke detyruar punëtorët të kapërcejnë drejt lavdërimit adhurues të korporatës…e vetmja rrugë e sigurt për të bërë punëtorët vërtet entuziastë rreth pronarit të tyre është t`i mbash ata mirë […], t`i furnizosh ata me mjetet dhe kohën për të bërë punën e tyre më të mirë, dhe t`i përgëzosh ata kur ata dalin mirë.          

Për çështjen e parimeve “Amazona” gabon sepse nuk ka kuptuar natyrën e tyre: ata kanë natyrën e shkaqeve—se kur braktisen dihet se ku çon braktisja e tyre – një fakt që nënkupton se drejtorët janë së pari parimorë dhe kërkojnë t`i zbatojnë ata në drejtimin e çdo ndërmarrjeje: sa më pak parime të përfshijë një ndërmarrje (apo një subjekt tjetër) aq më ‘ekzakte’ (ose e thjeshtë) është ajo dhe anasjelltas. Duke ditur se ndërmarrjet përfshijnë njerëz, parimi i demokracisë është i pari; parimi i drejtësisë, i dyti; dhe parimi i virtyteve, i treti. Parimet, rrjedhimisht, shërbejnë në administrimin e ndërmarrjes dhe janë të vyer kur kuptohet natyra e tyre në raport me natyrën e ndërmarrjes përkatëse.  Duke mos e patur të qartë çështjen e parimeve, nuk do të ishte e çuditshme që korporata të abuzojë me besnikërinë e punëtorëve. Kritika që i bëhet nga shtypi, rrjedhimisht, është e pjesshme: sepse ajo nuk procedon nga sqarimi dhe rëndësia e parimeve në drejtimin e ndërmarrjeve. Por tregon, të paktën, disa fakte: për shembull, se punëtorët në fund të hierarkisë së ndërmarrjes angazhohen pak në mbarëvajtjen e saj. Kuptohet pse: sepse ndërmarrja konceptohet hierarkike dhe punëtorët nuk janë pjesë e vendim-marrjes dhe objektivit që ajo nënkupton dhe nuk kuptohen shkaqet e vërtetë se pse rritet kostua dhe bie cilësia e shërbimit.

Për shembull, për të ulur koston e përgjithshme të punës dhe rritur cilësinë e shërbimit ndërmarrja përkatëse krijoi shërbimin mjekësor (“Amazon Care”) brenda ndërmarrjes duke përdorur një aplikacion elektronik për video-thirrje dhe biseda elektronike me mjekët ose infermierët për t`i vizituar punëtorët në shtëpi dhe zyra. Kjo përpjekje erdhi pasi themeloi “Haven”, një sipërmarrje (venture) për kujdesin shëndetësor me bankën “JPMorgan Chase” dhe firmën investitore të Warren Buffett, Berkshire Hathaway, për të gjetur rrugë të reja për të ulur kostot e larta në kujdesin shëndetësor në SHBA dhe për të krijuar një shërbim paralel me shërbimin shëndetësor publik!  Korporata përkatëse ka kërcënuar me pushim nga puna dhe punëtorët e organizuar nëse vazhdojnë të rrëfejnë në publik politikat e saj mjedisore!  Por kjo s`do të thotë se kërcënimi me pushim nga puna i ka mposhtur punëtorët. Përkundrazi, ata po përparojnë në disa raste. Siç citon një analizë:

Veprimi i bashkërenduar, i cili ndjek veprimtarinë e brendshme në rritje në Google dhe Microsoft, shënon një bisim të ri mes punëtorëve të teknologjisë për të shprehur papajtueshmërinë e tyre publikisht kundrejt pronarëve...Amazona ka diktuar strategjinë e “pëlqeje ose pranoje” (“like-it or lump it strategy”) kundrejt punëtorëve të çiltër. Por ka shenja se qasja e vijës së ashpër mund të dalë huq. Organizatorët e një proteste mbi ndryshimet klimatike vitin e kaluar u kërcënuan me pushim nga puna për shkelje të politikës së ndërmarrjes, e cila përcakton se punëtorët nuk duhet të angazhohen me shtypin, ose të flasin publikisht rreth biznesit ose për çdo çështje të ndërmarrjes, pa kaluar nga proces miratimi [nga ndërmarrja]…përgjatë vitit të kaluar rivali Google është përleshur me kundërgoditje të përshkallëzuar të punëtorëve duke e çuar atë të braktiste të paktën dy nisma të mëdha, duke përfshirë plane për të punuar me ushtrinë e SHBA-së mbi mbulesën kompjuterike (“cloud-computing”) dhe rifutjen e tregut kinez me një motorr kërkues miqësor të Pekinit, të quajtur Dragonfly. 

Votimet që zhvilloi unioni i punëtorëve për disa të drejta ndërmarrja i minoi duke korruptuar punëtorët. Qartësisht, korporatat që paraqiten si “modele” të suksesshme nga establishmentet perëndimore dhe lindore, nuk konsiderojnë natyrën e tyre por mjaftohen duke na treguar vetëm fitimet! Tregimin e realitetit të ndërmarrjeve nuk e ndihmojnë as të ashtuquajturit të “majtë”. Në anët tona, për shembull, OP-ja krahason në një kritikë Bezon me Manen, oligarkun tonë, dhe tregon se ky i fundit është më i pasur se Bezos meqë fitimet shihen në dritën e PPB-së vendore dhe se oligarku ynë, ndryshe nga Bezoz, kontrollon bashkë me oligarkët e tjerë 99% të medias!

Në fakt, OP-ja shtrembëron konceptin e oligarkisë njësoj si partitë kryesore të establishmentit: quan “oligarkë” vetëm pasanikët ekonomikë kur dihet se pushteti ekonomik është vetëm një lloj pushteti dhe se ai krijohet nga pushteti politik dhe të dy bashkë quhen pushtet oligarkik (kujtoj katër format e oligarkisë sipas Aristotelit). Kujtoj edhe një herë se pushteti ekonomik krijoi pushtetin politik në SHBA ndërsa në Shqipëri është pushteti politik ai që krijoi pushtetin ekonomik dhe nëse i krahasojmë për nga fuqia, pushteti politik vazhdon të jetë më i fuqishëm se pushteti ekonomik meqë administron pushtetin politik bashkë me pushtetin ushtarak, juridik, dhe shoqëror ndërsa dihet se krerët e partive janë gjithashtu të majmur dhe si të tillë mund të përfshihen në pushtetin ekonomik ose në oligarkinë ekonomike të vendin nëse përfshijmë në listën e oligarkëve jo vetëm ata që qendrojnë në krye të listës së më të pasurve. Dhe nëse partitë kryesore kanë arsye ta shtrembërojnë konceptin e ‘oligarkisë’ —sepse kështu përjashtojnë veten nga “armiqt” e popujve dhe përligjin veten për t`i shpallur luftë oligarkisë— OP-ja s`ka asnjë arsye, përjashto mundësinë që mund të jetë korruptuar nga establishmenti.

Sidoqoftë, problemi ynë nuk është vetëm oligarkia —siç ajo shprehet, me pushtet politik dhe ekonomik— por dhe dija lidhur me sistemin ose kuadrin modern institucional: “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut ku lulëzojnë dhe korporatat. Siç tregova, korporatat, nga të cilat pritet dije dhe efiçencë, nuk kanë zhvilluar as dije dhe sigurisht as parime. Thjesht integrohen në sistem pasi mësojnë në shkolla “abc-në”, se duhet të monopolizojnë tregun dhe larmojnë veprimtarinë ekonomike që të jenë më konkurrentë, dhe pasi realizojnë këtë objektiv, fillojnë të mendojnë për mirëqënien e punëtorëve ndërsa bashkohen kur punëtorët kërkojnë më shumë të drejta duke korruptuar pushtetin politik por dhe krerët e punëtorëve. Në këtë mënyrë, ata vërtet “të bashkuar qendrojnë, dhe të ndarë mbretërojnë”, sepse të ashtuquajturit të “majtë” nuk tregojnë as realitetin e plotë se si mbretërojnë korporatat, shumë prej tyre shumëkombshe, as krijojnë një realitet tjetër për të revolucionarizuar punëtorët.

Lexo, për më shumë: 

Padija dhe hipokrizia e të “majtës” globaliste lidhur me punëtorët: nga Aristoteli te Marksi 

Shkëputur nga një studim shumëvjeçar, me titull:

Administrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne në rend demokratik 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA