Ca sqarime dhe një thirrje nga Organizata Politike

Jani Marka
27/02/2017 - 14:50
Jo vetëm ditët e fundit, por edhe vitet e fundit – sa më shumë shtohet veprimtaria e ndikimi i Organizatës Politike në shoqëri – po shtohen sulmet e ngatërresat ndaj saj. Në njërën anë, ne nuk kemi dëshirën më të vogël të sqarojmë ata që na akuzojnë, qyshse banaliteti i tyre nuk meriton përgjigje. Në anën tjetër kemi detyrim të flasim për të vërtetën, të sqarojmë simpatizantët e largët të Organizatës, qytetarët e keqinformuar e të painformuar apo tek-tuk edhe ndonjë media të lirë dhe që i intereson e vërteta.
Cilat janë akuzat e ngatërresat që ngrihen ndaj nesh? Ato janë disa: komunistë, sorosianë, të lidhur me PS-në, ndonjëherë edhe me PD-në, Erion Veliajn, prishës të kauzave etj.
Le t’i marrim me radhë. Akuza se jemi komunistë, dhe me këtë të fundit në Shqipëri kuptohet regjimi i egër hoxhist, është tërësisht qesharake. Mes akuzuesve janë edhe ish-të përndjekurit e regjimit të shkuar. Këta të fundit shqetësohen nga simboli i grushtit, që për ne përfaqëson bashkim e fuqi rreth një ideje, dhe harrojnë që përndjekësit e tyre u shpërndanë si në njërën parti ashtu, edhe në tjetrën. Ndërkohë, mosha mesatare e aktivistëve të Organizatës është më pak se 25-30 vjeç, dhe më të vjetrit ndër nesh ende s’i kanë kapur të dyzetat, dhe asnjeri nuk është fëmijë, mbesë apo nip bllokmeni. Ne jemi distancuar në totalitetin e tij nga regjimet hoxhiste e staliniste. Në këtë kuptim të komunizmit, po edhe ne jemi antikomunistë.
Natyrisht që jemi krenarë që përfaqësojmë e luftojmë për vlera të së majtës çlirimtare dhe emancipuese. Si qëndrimet, të shprehura në paramanifestin e Organizatës Politike, ashtu edhe veprimet tona kanë qenë për kauzat e të shfrytëzuarve e të nëpërkëmburve: punëtorëve, të papunëve, grave, të përjashtuarve etj. Më tej, për kauza në mbrojtje të publikes: për arsim publik, transport publik, shërbime publike dhe hapësira publike, kundër koncesioneve e privatizimeve të pasurive shoqërore. Ne jemi ngjizur fill pas ngjarjeve të 21 Janarit 2011. Na ka tronditur vrasja politike e katër protestuesve nga qeveria e Partisë Demokratike dhe braktisja e kauzës së tyre nga pashallarët e Partisë Socialiste. Prandaj kemi parë domosdoshmëri një organizim të ri. Organizim që në themel të tij ka mobilizimin e njerëzve të thjeshtë e bazës së shoqërisë, nga poshtë lart.
Ne nuk besojmë në reformimin e kësaj kaste politike. Ne kemi protestuar kundër rritjes së çmimit të biletës së transportit urban në Tiranë, për mbrojtjen e arsimit publik nga reformat privatizuese, kemi manifestuar rregullisht për çdo 1 Maj për të drejtat e punëtorëve, kemi protestuar bashkë me minatorët e Bulqizës e naftëtarët e Ballshit, në mbrojtje të komunitetit rom e egjiptian, kemi protestuar për vdekjen e Ardit Gjoklajt, kemi mbështetur komunitetin LGBT, kemi protestuar kundër betonizimit të mëtejshëm të hapësirave publike, kundër importit të armëve kimike dhe importit të plehrave, kemi protestuar kundër shkatërrimit të mjedisit si në rastin e Valbonës e Vjosës etj. Ndoshta pa arritur suksese të mëdha, por kaq mundësi kemi pasur.
Veç protestës, shkruajmë e përkthejmë rregullisht qëndrime e pjesë teorike me qasje kritike ndaj sistemit kapitalist, sidomos trajtës së tij egërshane neoliberale që u ka rënë për pjesë vendeve si yni. Po, ne jemi antikapitalistë. Jo se kemi nostalgji për regjimet totalitare staliniste, por se sot kapitalizmi global po rrezikon jetën e njerëzve e mjedisit në çdo cep të botës, më pak në qendër e shumë më shumë në periferi.
Na akuzojnë si të financuar nga Sorosi dhe lidhja bëhet me financimin nga Olof Palme International Center të gazetës Universitari, të hartuar nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror, që është themeluar nga disa prej aktivistëve tanë. Së pari, ky financim është tërësisht transparent dhe ato pak paga që janë dhënë kanë qenë në nivelin e pagës minimale në Shqipëri. Ndërkohë ne jemi krenarë që një pjesë e mirë e jona (të tjerët janë studentë e të papunë) që punon në sektorin buxhetor apo privat në fund të çdo muaji zbret nga paga e tij një përqindje në bazë progresive të pagës, për të mbajtur në këmbë qendrën sociale Logu i Shkëndijës dhe atë pak logjistikë që na është dashur për aktivitetet tona (protesta). Së dyti, ajo që nuk dinë kundërshtarët është se fill pas aksionit më salcë ndaj ministres së Arsimit Nikolla, dhe bash për këtë arsye, Olof Palme e ndërpreu financimin për gazetën Universitari për vitin 2017. Për të ruajtur paanësinë dhe ndershmërinë tonë, ne kurrë nuk kemi kërkuar fonde në dhjetëra organizatat që ndodhen në Shqipëri, dhe që në një mënyrë ose në një tjetër janë të lidhur me pushtetet partiake.
Na akuzojnë si të lidhur me PS-në dhe Erion Veliajn. Këtu nuk kemi se çfarë argumenti shtesë të japim veç veprimtarisë sonë, e cila fill pas 21 janarit ka qenë gjithmonë e rreshtuar përballë tyre, sidomos qyshse i hipën karriges së pushtetit. Natyrisht, kundër PS-së dhe Erionit duhet të kishim protestuar edhe më shumë, por ja që aq mundësi praktike kemi pasur. Tash na akuzojnë se ne do të lobojmë që në zgjedhjet e ardhshme të votohet për PS-në, kur ne në zgjedhjet vendore të 2015-s kemi bërë thirrje për bojkot dhe të njëjtin vendim e kemi marrë edhe në shtator të 2016-s për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Bojkot, si e vetmja mënyrë për të vendosur në krizë legjitimitetin fallco të oligarkisë.
Na akuzojnë si prishës të kauzave. Përveç rastit të Zharrës thirret në kujtesë edhe protesta te Parku i Liqenit vitin e kaluar, apo më çuditshëm edhe reforma në arsimin e lartë. Përpara se të sqarojmë Zharrëzën, le të prekim dy të tjerat. Në protestat kundër betonizimit të parkut ne kemi qenë bashkorganizatorë me grupe dhe individë të tjerë të shoqërisë civile, dhe natyrisht kur e nisëm betejën (për hir të fakteve ajo filloi kundër rritjes së çmimit të biletës së transportit urban në 1 shkurt 2016) në asnjë moment nuk ramë dakord që në protestë të përfshiheshin hienat oportuniste të Partisë Demokratike. Sapo protesta filloi të kishte sukses, hienat u shfaqën në protestë, donin të përfitonin prej saj. E vetmja gjë që arritën hienat ishte shqyerja e protestës së Parkut.
Akuza më absurde është se për fajin tonë nuk u arrit të ndalohej reforma shkatërruese në arsimin e lartë. Ne u përpoqëm maksimalisht, bëmë aq sa mundëm, dhe për herë të parë ngritëm një debat të madh shoqëror për arsimin publik, e në veçanti për arsimin publik falas si e drejtë shoqërore. Edhe fitore konkrete kemi arritur, se falë rezistencës tonë, qe ende vazhdon, tash e dy vite tarifat në universitet publike nuk janë rritur, paçka se nuk kemi ndaluar dot përfitimet e pronarëve të universiteteve private. Po Partia Demokratike çfarë bëri ndërkohë? Ajo premtoi ta çonte në Gjykatën Kushtetuese ligjin e arsimit të lartë, por ende nuk e ka bërë një gjë të tillë. A thua e kemi fajin ne të Organizatës Politike për këtë!?
Vijmë te protesta e banorëve të Zharrëzës. Organizata Politike e ka ndjekur nga afër çështjen e banorëve të Zharrëzës, si në terren (aktivistët tanë kanë shkuar në Zharrës dhe janë takuar me banorët, kanë filmuar e mbajtur qëndrime), ashtu edhe me qëndrime publike, apo evente publike. Është e vërtetë që me hyrjen e tyre në grevë urie, duke mos pasur shumë mundësi logjistike, nuk kemi qenë aq afër tyre fizikisht. Po ashtu u kemi thënë se sa herë do të dilnin në rrugë për t’u ndeshur me qeverinë, ne do të ishim krah tyre, edhe përballë dhunës policore. U jemi zotuar edhe po të vinin në Tiranë, do të ishim me ta edhe fizikisht deri në fund. Pas njoftimit se banorët e Zharrëzës nisën marshimin, e mirëpritëm këtë fakt dhe iu përgjigjëm pozitivisht thirrjes së vetë banorëve për t’iu bashkuar protestës. Gjatë këtyre ditëve ka pasur shumë lajme. Një pjesë dëshmonin se banorët po vinin drejt çadrës së PD-së, ndërsa nga vetë deklarimet e banorëve protesta e tyre ishte larg partive politike. Kur vendosëm t’i bashkoheshim fizikisht protestës te Zogu i Zi, nuk e dinim se në protestë ishte parashikuar edhe ardhja e kryetarit të Partisë Demokratike, siç pretendohet sot. Po ta dinim, natyrisht që nuk do të merrnim pjesë sepse për ne PD-ja nuk është forca e reformuar (si u reformua, kur u reformua?!) që na jep shpresë, por është partia e hienave, bashkëpërgjegjëse me PS e LSI në shkatërrimin e Shqipërisë në 26 vitet e fundit. Kur në protestë ia behu z. Basha, ne reaguam, as të vetmit e as të parët, bashkë me qytetarët e tjerë të pranishëm për të shprehur kontestimin tonë për këtë bashkëpërgjegjës. Tekefundit, z. Basha nuk është se realisht u përzu, ai arriti të mbante fjalën e tij, ku kërkoi edhe ndjesë publike për çështjen e Zharrëzës. Po a është e mjaftueshme thjesht të kërkosh ndjesë?!
***
I dashur simpatizant e qytetar! Ne nuk frikësohemi nga kërcënimet e pushtetarëve. Përkundrazi jemi të vendosur të luftojmë për kauza të drejta shoqërore. Diçka e tillë as ka qenë, as është dhe as do të jetë e lehtë. Për të fituar, është e nevojshme të rritemi e të bashkohemi sa më të shumtë përballë të keqes. Bashkohu me ne!
Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 54 reads



