Propaganda amerikane dhe kundërpërgjigja ruse

Ne jemi një perandori tani, dhe kur ne veprojmë, ne krijojmë realitetin tonë. Dhe ndërsa ti e studion këtë realitet―juridikisht, siç do të bësh, ne do të veprojmë sërish, duke krijuar realitete të tjerë të rinj, të cilët ti mund t`i studiosh gjithashtu, dhe kështu do të organizohen gjërat. Ne jemi aktorët e historisë...dhe ti, të gjithë ju, do të mbetesh thjesht duke studiuar se çfarë bëjmë ne - Bruce Bartlett, këshilltar presidentësh amerikanë
Ylli Përmeti
20/02/2022 - 16:21
Në “rendin“ e ri botëror të globalizmit neoliberal Shtëpia e Bardhë ndjek një lloj propagande që njerëzit e zakonshëm e kanë vështirë ta kuptojnë; madje edhe studiuesit nuk e kuptojnë drejt atë! Këtë çështje do të shqyrtoj në vijim me qëllim që të kuptojmë drejt propgandën e saj: sepse ajo bazohet kryesisht tek këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dhe veçanërisht në njërin prej tyre: Bruce Bartlett―i cili filloi të këshillonte Ronald Reganin dhe vazhdoi të këshillonte Xhorxh Bushin e dytë. Prej këtij të fundit u themelua “baza e saj teorike” e cila vazhdoi me presidentët e tjerë. Qasjen e tij lidhur me rolin e Amerikës në “rendin” në fjalë e zbulon gazetari amerikan Ron Suskind, të rrëfyer nga vetë Bartleti në vitin 2002 dhe të publikuar në “New York Times Magazine”. Sipas tij ajo synon krijimin e realiteteve të tjerë ndryshe nga realiteti në terren:
“Ne jemi një perandori tani, dhe kur ne veprojmë, ne krijojmë realitetin tonë. Dhe ndërsa ti e studion këtë realitet―juridikisht, siç do të bësh, ne do të veprojmë sërish, duke krijuar realitete të tjerë të rinj, të cilët ti mund t`i studiosh gjithashtu, dhe kështu do të organizohen gjërat. Ne jemi aktorët e historisë...dhe ti, të gjithë ju, do të mbetesh thjesht duke studiuar se çfarë bëjmë ne”.
Propaganda në fjalë buron nga çka besojnë këshilltarët amerikanë dhe përgjithësisht populli amerikan: se ata janë një perandori. Barleti, sidoqoftë, nuk sqaron se propaganda nuk buron thjesht nga besimi i tyre por thuajse tërësisht nga përqendrimi i pushtetit: sepse qeveritë nuk dinë t`i drejtojnë ndryshe popujt. Në rastin e pushtetit të Shtëpisë së Bardhë – ai nuk është thjesht pushtet me vektor kombëtar por ndërkombëtar meqënse rivali i saj i shekullit të kaluar, Bashkimi Sovjetik, falimentoi. Besimin se Amerika është një perandori e ushqejnë dhe disa “marksistë” (Zizeku, Hardt & Negri etj.). Por ky besim shtrembëron realitetin: sepse perandoritë historikisht janë bazuar në një shtet të vetëm dhe kanë qenë vërtet imperialiste―në kuptimin e sundimit të popujve të tjerë duke përdorur kryesisht pushtetin ushtarak. Ndryshe nga perandoritë e shekujve të kaluar, Amerika përdor kryesisht pushtetin e butë (ose pushtetin ekonomik) por dhe pushtetin ushtarak si në Lindjen e Mesme për të zgjeruar veprimtarinë e saj ekonomike dhe politike dhe ajo është pjesë e një elite ndërkombëtare, G-7-tës, dhe drejtuesja e saj.
Por ndërsa kjo është një çështje që shqetëson kryesisht studiuesit, ne s`kemi rrugë tjetër veç të mbështetimi tek çka beson vetë elita amerikane: sepse ajo krijon të njëjtin besim në popullin amerikan për sa kohë që nuk shqyrtohen dallimet e perandorive dhe realitetit të ri në të cilin jetojmë tre dekadat e fundit nga elita dhe media amerikane. Dhe ajo beson se është një perandori dhe si e tillë ajo krijon realitetin (si fillim mendor dhe pastaj mes shoqërive) si në nivel vendor ashtu dhe botëror. Propaganda e saj, rrjedhimisht, nuk mbështetet thjesht në përsëritjen e një të vërtete apo gjysmë të vërtete apo gënjeshtre siç kuptohet përgjithësisht propaganda nga një pjesë e madhe e shoqërisë: por në krijimin e realiteteve mendore dhe shoqërore. Qendrimet e Shtëpisë së Bardhë, rrjedhimisht, bëhen të besueshme qoftë edhe nëse bëhet fjalë për gënjeshtra.
Bajdeni, për shembull, pretendoi se Rusia do të “pushtonte” Ukrainën, si fillim duke cituar një datë të mundshme dhe më pas duke përmendur togfjalshin “ditët e ardhshme” ndërsa Putini përpiqej ta nxirrte blof me qëllim që të fitonte besimin e popujve apo përdor të drejtën ndërkombëtare ndërsa Bajdeni përsërit rrëfenjën se Rusia është 'agresore' ose 'pushtuese' e një vendi që nuk e provokoi dhe ndonjë herë përdor dhe fjalën ajo është 'imperialiste'. Qëllimi është ta paraqesë si fajtore dhe të rrezikshme. Në këtë proces, media luan rol vendimtar: sepse ajo është e detyruar të njoftojë qendrimet e palëve në mospajtim. Zëri kryesor i propagandës amerikane është “Voa”. Kjo e fundit ka për detyrë të mbështesë synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë amerikane. Këtë detyrë ia ngargoi Regani kur politikat neoliberale po ngjizeshin në botën anglo-saksone: në vitin 1982. Që nga ajo kohë nuk ka ndryshuar shumë detyra e saj. Më parë (që nga viti 1941) ajo ishte e lirë të raportonte për sa kohë që qeveritë s`i kishin ngarkuar ndonjë detyrë.
Kjo është arsyeja se pse Voa censuron shumë raporte dhe kritikët seriozë të Uashingtonit ndërsa propagandon se është një “zë i lirë”. Por media shtrembëron shpesh herë qëllimshëm realitetin. BBC-ja, për shembull, ka raportuar drejt qendrimet e palëve por në bisedat e saj fton vetëm zëra “kritikë” (këta përdorin kryesisht argumentat që përdor Shtëpia e Bardhë) ndaj politikave ruse dhe asnjë kritik ndaj politikave perëndimore aq sa një ditë në radio ishte ftuar një qytetare ukrainase dhe kur kjo e fundit tha se “ne në Ukrainë jemi të qetë dhe nuk përfshihemi në histerinë perëndimore” gazetarja u habit dhe pasi e pyeti edhe një herë se nëse ajo besonte vërtet se ishte “histeri perëndimore” dhe mori të njëjtën përgjigje, e përjashtoi menjëherë nga programi! RT-ja, gjithashtu, ka raportuar drejt qendrimet e palëve por në të mbizotërojnë zërat kritikë ndaj perëndimit se sa ndaj Kremlinit!
BBC-ja, në fakt, shkoi më tej me propagandën e saj në ditën e parë pas “pushtimit”, kur perëndimi përdori argumentin se Rusia vazhdon të përshkallëzojë gjendjen në kufijtë me Ukrainën dhe se ajo mund ta pushtojë atë brenda pak ditësh: kështu ndërsa televizioni rus “RT” raportoi qendrimin e presidentit ukrainas, Zelenski, se ukrainasit duhet të pyeten se nëse dëshirojnë të anëtarësohen në Nato, BBC-ja raportoi të kundërtën. Por si fillim le gjykojmë raportin e “RT-së”: “Unë besoj përgjithësisht se këto çështje [mbi anëtarësimin në Nato] duhet të vendohen nga një referendum...dhe duhet të vendohen vetëm nga populli, dhe më pas të shkruhen në kushtetutë,” raportohet të ketë thënë Zelenski gjatë një raportimi me gazetarët. Rreth një orë më pas BBC-ja raportoi se Zelenski “përjashton çdo referendum mbi anëtarësimin në Nato dhe se dëshira e Ukrainës për të qenë një anëtare [e Nato-s] është tashmë shkruajtur në kushtetutën e vendit”. Në videon e publikuar bashkë me raportin pyetjes se nëse “Ukraina ishte gati të braktiste ambicien e saj për t`u bërë anëtare e Nato-s”, Zelenski sfidon konceptin e “ambicies” ndërsa pretendimin e BBC-së, se ai përjashton referendumin për...videoja nuk e tregon! BBC-ja përcolli dhe reportazhin e gazetares në fjalë në radio ku bënte pjesë dhe biseda me Zelenskin dhe çështja e anëtarësimit të Nato-s nuk përmendet fare! Në të theksohen kryesisht lëshimet që mund të bëjë Ukraina ndaj Rusisë me qëllim që t`i shmanget një lufte!
Në të vërtetë, gjatë tensioneve që ngriti Shtëpia e Bardhë me “pushtimin” rus dhe mediat perëndimore krijonin frikën e luftës mes popujve, Zelenski mbante qendrime ndryshe nga Shtëpia e Bardhë: ai thoshte se Ukraina është e qetë dhe se ushtria e tij nuk do të sulmonte. Madje në konferencën e zhvilluar në Mynih gjatë kohës kur në lindje të Ukrainës populli rus u largua dhe separatistët organizuan forcat për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm, dhe sulmet e ndersjella ishin në rritje, Zelenski kërkoi takim me Putinin, hamendësisht sepse perëndimorët dështuan me qasjen e tyre ndaj Rusisë.
Dëftues është fakti se BBC-ja raportoi se Zelenski kishte thënë në të njëjtën konferencë se “Ukraina nuk do t`u përgjigjësh provokimeve” ruse (Ukraine will not respond to provocations, Zelensky says, BBC, 20 shkurt 2022) pa cituar thënien e tij në raport! Hamendësisht për të theksuar pretendimin e Shtëpisë së Bardhë se separatistët rusë do të provokonin me qëllim që më pas Rusia të pushtonte Ukrainën dhe kështu të vërtetohësh Bajdeni. Madje Zelenski rrëfeu pas konferencës së Mynihut se i beson më shumë inteligjencës ukrainase se amerikanes duke shprehur mirënjohje për këtë fundit dhe duke sqaruar se inteligjenca e tij “kupton [më mirë] se çfarë po ndodh përgjatë kufijëve”. Zelenski përdori dhe një lloj “trysnie” ndaj elitave perëndimore: kërkoi ndihmë më të madhe financiare dhe ushtarake dhe bisedime për “Memoranumin e Budapestit”―domethënë, të drejtën e Ukrainës të zhvillojë armë bërthamore me qëllim që të kërcënojë Rusinë. Domethënë i vendosi fuqitë perëndimore mes zgjedhjes “ose ju më ndihmoni të përballem me fuqinë ushtarake ruse ose unë kërkoj zhvillimin e armëve bërthamore!
Kujtoj se propaganda e shekullit të kaluar ―për të dy blloqet― ishte e përqendruar kryesisht tek imazhet, sepse blloqet bazoheshin në ideaologji. Por ajo ndryshoi kur ra BS dhe bashkë me të dhe ideologjitë, duke përdorur “faktet”. Siç citon Adrian Hamilton, një komentator kryesisht për çështjet ndërkombëtare, për “The Independent” se: ‘propaganda e imazheve është zëvendësuar me “propagandën e fakteve”, sipas së cilës faktet duhet të mbahen sa më të saktë të jetë e mundur dhe të përdoren për një qëllim’. Praktika e përsëritjes së fakteve përforcohet edhe me konceptin modern të “marrëdhënieve publike”, siç e quajti në vigjile të Luftës së parë Botërore, “shkencëtari” politik amerikan Harol Lasswell, se propaganda është ‘drejtimi i sjelljes kolektive dhe kontrolli i opinioneve përmes manipulimit të simboleve të rëndësishëm’ duke u ndjekur më vonë nga teoricieni amerikan Edward Bernays, themeluesi i propagandës moderne amerikane (1928).
Sipas tij, ‘manipulimi i opinionit publik është pjesë e nevojshme e demokracisë! Në marrëdhënie publike, grupet intriguese (“lobby”) krijohen për të influencuar politikat e qeverisë, politikën e korporatave, ose opinion publik, tipikisht në një mënyrë që përfiton organizata që sponsorizon dhe, se tre elementët kryesor të marrëdhënieve publike janë: informimi i njerëzve, bindja e njerëzve ose integrimi i njerëzve me njejrëz’’.
Kështu, për shembull, kur thotë Bajdeni se Rusia kërkon të pushtojë Ukrainën, sepse është “agresore” dhe kërkon të “shtypë” popujt, ai synon të krijojë një realitet tjetër, ndryshe nga çka synon në të vërtetë Rusia: rishikimin e sigurisë evropiane. Duke vepruar kështu ai zhvendos vëmendjen e popujve nga qëllimi i vërtetë i Rusisë dhe bashkë me të shkakton dhe pasiguri mes popujsh dhe sigurisht dhe në tregje. Por për të është më e rëndësishme të krijojë një realitet tjetër se sa frika që shkakton mes popujsh dhe dëmi në tregje. Edhe kur përmend “fakte” lidhur me pretendimin e tij, se ata burojnë nga shërbimet inteligjente amerikane, ato mund të jenë pjesë e strategjisë amerikane: krijimi i realiteteve të tjerë dhe zhvendosja e vëmendjes!
Në fakt, nëse u përmbahemi qendrimeve të Bajdenin gjatë tensioneve, ai e bën të qartë se “faktet” për të cilët ai flet, janë pjesë e strategjisë së Shtëpisë së Bardhë dhe jo detyrimisht ekzistojnë. Në fund të fundit, Shtëpia e Bardhë ka dështuar historikisht disa herë me “faktet” e shërbimeve të saj inteligjente, me rastin më spektakolar, dështimin në Irak (lexo, për shembull “Failure of Intelligence: The Decline and Fall of the CIA, Melvin A. Goodman/2008). Por ‘dështimet’ e CIA-s, sidoqofshin, duhet të shihen në raport me qeveritë amerikane, sepse janë këto të fundit që hartojnë strategjitë e saj.
Për shembull, në vitin 2020 strategjia e CIA-s ndryshoi: ajo nuk do të përqendrohet më tek armiqtë konkret por tek gjetja e mënyrave më të mira për t`u mbrojtur në pikat më të dobëta amerikane brenda dhe jashtë vendit dhe ndryshe nga e kaluara në strategjinë e re ajo i emërton armiqtë: Rusia, Kina, Irani, Kuba, Koreja e Veriut dhe grupet terroriste si Hezbollahu libanez, ISIS-i dhe al-Kaeda, janë armiqtë e saj. Bajdeni, në fakt, në mes të tensioneve me Rusinë, iu drejtua popullit rus me këto fjalë: “ju nuk jeni armiqtë tanë”. Hamendësisht për të minuar besimin e popullit në fjalë ndaj Putinit. Por sidoqoftë, gjuha e tij nuk është armiqësore ndaj popullit rus pavarësisht se paralelisht mundohet të “mposht” Putinin dhe pavarësisht se doktrina e re amerikane e quan Rusinë shtet armik.
Rusia ndërkohë po përpiqet të jetë më e drejtë me Amerikën kryesisht sepse është më e dobët në nivel ekonomik dhe gjeopolitik; ‘ekonomik’, sepse pa ekonomi të fuqishme ajo nuk mund të propagandojë qendrimet e saj siç i propagandon amerika në veçanti dhe perëndimin në përgjithësi përmes medias me orientim botëror; dhe ‘gjeopolitik’ sepse aktualisht Amerika ka “kapur” përqindjen më të madhe të shteteve përmes qasjes së saj të pushtetit të butë. Dhe kryesisht për shkak të arsyes së dytë Amerika është më efektive me propagandën e saj―në kuptimin e krijimit të realiteteve dhe besimeve që nuk janë të vërtetë. Për shumbull, media jonë kombëtare riprodhon kryesisht qendrimet amerikane. Pse? Sepse është ‘kapur’ elita jonë nga Uashingtoni dhe kur kapet elita e një vendi ajo s`ka rrugë tjetër veç të përputhet me hegjemonin. Në këtë mënyrë pështjellojnë popujt duke përsëritur jo vetëm “qëllimin” e Rusisë ―“pushtimin”― por u thonë atyre se “nuk e dinë se ç`kërkon Putini” kur ky i fundit e përsërit thuajse çdo ditë se kërkon rishikimin e sigurisë evropiane duke nënkuptuar dhe sigurinë ruse!
Ndryshe nga Bajdeni, i cili mban thuajse çdo ditë qendrime publike lidhur me Rusinë, Putini ka zgjedhur të mbajë qendrime më rrallë. Kjo taktikë ka një avantazh por dhe një dizavantazh: avantazhi është se Putini bëhet i paparashikueshëm dhe shpesh ―me heshtjen e tij― krijon një lloj “misteri” në mendjet e elitave perëndimore ndërsa dizavantazhi është se ai nuk përsëritet nga media. Mospërsëritja e qendrimeve të Moskës dhe përsëritja e qendrimeve të Uashingtonit, rrjedhimisht, krijon realitetin e dëshirueshëm për këtë të fundit dhe të padëshirueshëm për të parën.
Efekti i propagandës amerikane po ndiqet me mjaft vëmendje nga media perëndimore. Madje komentatori i “FT” këshillon përdorimin e “flamurit të rremë” për të fituar ndaj Rusisë. Siç citon ai:
“Me vetëm 46 për qind të gjermanëve, 44 për qind të britanikëve dhe 43 për qind të amerikanëve të besojnë qeveritë e tyre...përpjekja e SHBA-së për të përdorur inteligjencën për të krijuar opinionin botëror duhet të përqendrohet tek lufta e Irakut. Përpjekja amerikane për të ndërtuar një “koalicion të gatshëm” në vitin 2003 bazohësh në publikimin e pretendimeve të inteligjencës se Sadam Huseini kishte “armë të shkatërrimit masiv”...lufta e propagandës aktualisht po zhvillohet rreth çështjes së qëllimit. Rusia e mohon se ajo do të pushtojë dhe ka akuzuar perëndimin se hiperbolizon kërcënimin. Qendrimi rus është se trupat e saj do të reagojnë vetëm nëse ata provokohen nga Ukraina. Sugjerimet e shpeshta perëndimore se Rusia po planifikon një operacion të “flamurit të rremë”, për të sajuar thjesht këtë provokim, është vendimtar në këtë përplasje rrëfenjash. Mund të hamendësohet me vetëkënaqje nga disa qeveri perëndimore se të fitosh një luftë propagande me Kremlinin nuk duhet të jetë e vështirë”.
Rreth një javë më parë i njëjti autor këshilloi qeverinë amerikane dhe perëndimin në përgjithësi të përdorte “teorinë diplomatike të njeriut të çmendur”―domethënë, ta paraqesin Putinin si të çmendur në sytë e popullit amerikan me qëllim që të ndihet i kërcënuar nga armët bërthamore që mund të përdorë kundër tyre dhe rrjedhimisht të miratojë politikat e qeverisë amerikane kundër Rusisë. Ajo buron nga Riçard Niksoni kur ky u tha ndihmësve të tij ta portretizonin si mjaft të çmendur për të përdorur armët bërthamore kundër armiqve! Këtë teori e përdori establishmenti amerikan (neoliberali) kundër Trampit gjithashtu por jo për të kërcënuar armiqt e Amerikës por kryesisht sepse kërcënonte “rendin” e globalizmit neoliberal.
Shqetësimi perëndimor tani është rritur aq sa dy autorë ngrenë pyetje “po sikur të fitojë Rusia?” kundrejt perëndimit duke kontrolluar Ukrainën! Kjo pyetje ngrihet në “Foreign Affairs” pikërisht ditën kur filloi të rritësh tensioni në lindje të Ukrainës. Artikulli fillon duke kujtuar propagandën e Obamës kur Rusia u përfshi në Siri. Ai pretendonte se Siria do të ishte një “moçal” për Rusinë dhe Putinin; do të ishte Vietnami i Rusisë; ose Afganistani i Putinit. Por asnjë nga këta pretendime nuk u vërtetua. Madje zëvendës drejtori i Këshillit të Atlantikut në qendrën e Këshillit të Scowcroft për strategji dhe siguri, Matthew Kroenig, këshillon Uashingtonin përmes një artikulli në të njëjtën revistë, të bëhet gati për luftë kundër Kinës dhe Rusisë dhe për këtë, citon ai, nevojitet hartimi i “një strategjie mbrojtjeje të aftë për të përfrikësuar dhe, nëse nevojitet, të mundë si Rusinë ashtu dhe Kinën në korniza kohore përkuese”! Ai këshillon rritjen e shpenzimeve në armatime duke përfshirë dhe aleatët evropianë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 195 reads



