...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Katër jodobitë e amnistisë fiskale dhe lufta e re e Ramës me ambasadorët

Pyetjes se nëse është në dobi të popullit amnistia fiskale mund t`i përgjigjemi me katër jo dhe me një po.

Ylli Përmeti

18/07/2022 - 17:10

Tregu jozyrtar dhe të ardhurat e pamjaftueshme të qeverive tona solli nevojën e përdorimit të amnistisë fiskale: si fillim qeveria “Berisha” (2011) dhe më pas qeveria “Rama” (2015). Por ngaqë kjo e fundit filloi të shtrëngohësh më shumë në buxhetin e saj të vitit 2020, kreu i saj premtoi një tjetër amnisti, të cilën e shpalosi gjatë korrikut (2022) dhe e “debatoi” në takimin e parë këshillimor ku foli ashpër kundrejt kundërshtarëve të saj. Për të treguar se ishte i vendosur se do ta përparonte atë ai përmendi dhe faktin se Shqipëria është një vend sovran ndërsa do të ishte i gatshëm të debatonte dhe pranonte këshilla.

Në takim, thuajse gjithë përfaqësuesit e biznesit e mbështetën atë ndërsa ambasadorët e SHBA-së, Francës, dhe Gjermanisë, Komisioni Evropian dhe disa dhoma tregtare, e kundërshtuan, duke braktisur takimin. Ambasadorja amerikane, në fakt, nuk ishte e pranishme në mbledhje pavarësisht se ishte ftuar nga qeveria. Madje, për të “sfiduar” dhomat tregtare dhe ambasadorët Rama akuzoi kryetarët e tyre se kishin “kryer transaksione të fshehta”, sipas tij, bazuar në fakte.

BE-ja shprehu “shqetësime serioze” përpara mbledhjes së Ramës (në fund të qershorit) dhe në fund të shtatorit tha se po “konsultohësh” me autoritet tona për të rishikuar ligjin. Në qershor ajo tha se nisma “do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave...[dhe] do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”. 

Rama bëri dhe një përpjekje tjetër në fund të shtatorit për të bindur ambasadorët dhe dhomat e tyre tregtare në Shqipëri për nismën e tij duke i ftuar ata në një takim por vetë nuk shkoi. Si pasojë, ambasadorja amerikane iu përgjigj Ramës në mbrëmje nga “Opinioni” i Fevziut pasi ky i fundit e pyeti duke parashtruar dy argumente që përdoren gjerësisht për të mbrojtur amnistinë fiskale (se ato vijnë nga vendet perëndimore dhe kur dihet se si Nju Jorku ashtu dhe Londra janë ndërtuar me para të pista) se ky argument është “i tmerrshëm” dhe futja e parave të krimit në Shqipëri “do të vinte në rrezik anëtarësimin në BE”. Ky është një kërcënim i hapur që nënkupton se ambasadorët do të bashkërendojnë përpjekjen për t`ia bërë më të vështirë Ramës ‘integrimin’ në BE.      

Amnistinë e tij e kundërshtoi dhe opozita (Berisha, Tabaku LSI etj.) por parashtruar ndonjë argument bindës. Ndaj le ta shqyrtojmë këtë çështje me qëllim që të kuptojmë se nëse është në dobi të vendit tonë dhe sa të drejtë kanë ata që e mbështesin dhe të tjerët që e kundërshtojnë.   

Vetë fjala “amnisti” ka kuptimin e “faljes” ose “uljes” së një dënimi dhe është një term që lidhet kryesisht me drejtësinë. Këtë koncept ligji “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” nuk e sqaron por e nënkupton në pjesën e parët të fjalisë së nenit 2, dhe qëllimit të ligjit, pika a): “për të mundësuar legalizimin e pasurive të padeklaruara, të regjistruara ose jo, tërësisht apo pjesërisht”. As sqaron termin shoqërues të politikës përkatëse: “fiskale”. Kjo e fundit buron nga fjala latine “fiscus” që në atë kohë kishte kuptimin e “thesarit të shtetit”. Përpara këtij kuptimi kishte kuptimin e qeses së parave, kuletës, shportës me thupra ku mbaheshin paratë. Në shqip, rrjedhimisht, mund ta quanim si “falje kursimesh”.

Por kur kuptojmë se çfarë nënkupton kjo politikë, ky shqipërim nuk mjafton.

Qeveria “Rama” ka dhe një qëllim tjetër, të pacituar qartë në qëllimin e ligjit: të rrisë të ardhurat e saj buxhetore dhe të ulë informalitetin në ekonomi, sepse ligji citon se ka për qëllim “rivlerësimin e pasqyrave financiare si dhe mbledhjen e tatimeve...përmes garantimit të procedurave transpatente”. Ky përcaktim e nënkupton qëllimin e saj kryesor: rritjen e të ardhurave.

Ligji garanton dhe ruajtjen e sekretit të informacioneve që lidhen me pasuritë e deklaruara dhe lidhur me mosfillimin e procedurave administrative dhe penale ndaj individëve që deklarojnë pasuritë e tyre. Ky “garantim” inkurajon njerëzit të deklarojnë pasuritë qoftë edhe nëse janë fituar në mënyrë kriminale. Ligji përjashton klasën politike, administratën shtetërore dhe disa shoqëri anonime, sepse e kanë detyrim deklarimin e pasurisë, ndërsa ia ngarkon detyrën e zbatimit të tij njësisë për mbikëqyrjen e deklarimit vullnetar të pasurive e cila është në varësi të drejtorit të përgjithshëm të tatimeve. Ndërsa ligji ka një afat zbatues deri në 9 muaj, individëve që deklarojnë pasuritë e tyre brenda këtij afati u falen gjobat, kamatëvonesat dhe penalitetet e parashikuara në të njëjtin ligj.

Lidhur me termin “pasuri” ligji sqaron se bëhet fjalë për “pasuritë e paluajtshme, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pasuritë e luajtshme të regjistrueshme në regjistrat publikë, shumat në të holla, monedhë shqiptare apo monedhë e huaj, monedhë virtuale, sende me vlerë, ar apo gurë të çmuar, vepra arti, tituj ose instrumente të tjera të tregjeve financiare” ndërsa nuk lejon të deklarohen më shumë se 2 milionë euro (Neni 6).

Përgjithësisht ligji është shkruajtur keq, me gabime drejtshkrimore dhe sintaksore ndërsa në koncept ndjek qëllimin e ligjit dhe procedurat e realizimit të tij. Sidoqoftë, çështja më e rëndësishme është qëllimi i qeverisë: rritja e të ardhurave të saj në kohë krize me synimin e saj për të “ligjësuar” pasuritë e padeklaruara. Këto të fundit dihet se si janë vënë: duke punuar në të zezë (Rama përmendi vetëm një kategori kur u mundua të mbronte nismën e qeverisë tij) dhe përmes veprimtarive kriminale (kryesisht përmes kultivimit dhe shitjes së kanabisit).

Në fakt, qoftë edhe puna e zezë ose puna në tregun e padeklaruar, në sytë e shtetit, është një veprimtari kriminale për sa kohë që nuk deklarohet as rroga e as veprimtaria e punëtorëve. Në vendin tonë ky treg është i madh; bujqësia kryeson sektorët e ndjekur nga sektori i ndërtimit. Por ndërsa si veprimtari denoncohet shumë pak nga punëtorët, pronarët dënohen vetëm me gjoba!

Por le ta lëmë mënjanë për një çast çështjen e “ligjësimit” të pasurive me natyrë kriminale dhe të shqyrtojmë efektin e aministive fiskale nga një këndvështrim empirik. Sipas një studimi të FMN-së, amnistitë fiskale kanë një histori të gjatë dhe mbeten popullore për qeveritë, sepse e shohin atë si një mjet efiçent që prodhon përfitime afat-shkurtra dhe afat-mesme. Në afat-shkurtër, aministitë prodhojnë të ardhura shtesë, megjithëse zakonisht jo sa ç`pritet. Të ardhurat “shtesë” janë më të dëshirueshme në kohë krize ekonomike kur të ardhurat janë nën trysni dhe shpenzimet rriten shpejtë. Në afat-mesmë, një amnisti fiskale e mbrothët pritet të rrisë taksën bazë, dhe rrjedhimisht, mbledhjen e të ardhurave të së ardhmes, meqë shmangësit e taksave përfshihen në rrjetin e taksave.

Në fjalë të tjera, amnistia pritet të përmirësojë përputhjen me taksat. Por përvoja ndërkombëtare tregon se dobitë e perceptuara të amnistive fiskale në rastin më të mirë zmadhohen dhe zakonisht nuk i tejkalojnë kostot e programeve―të administratës dhe të taksapaguesve të rinj―të cilat rrallë përllogariten. Pikëfillesa që përdorin politikëbërësit për të vlerësuar ndikimin e të ardhurave të një amnistie fiskale është e ardhura bruto afat-shkurtër dhe jo e ardhura neto. Përgjatë afatit të mesëm, kostua më e madhe dhe më e rëndësishme e një amnistie fiskale mund të jetë një zvogëlim i shmangies nga taksat.

Duke gjykuar nga përvoja amerikane, studimi nxjerr përfundim se “amnistitë e mbrothëta fiskale janë përjashtimi se sa norma meqë, me kalimin e kohës, mbledhja e të ardhurave neto dhe përputhja me taksat ndikohen negativisht nga amnistitë; problemet kryesore që amnistitë fiskale synojnë të zgjidhin, domethënë, kryerja e të ardhurave të dobëta dhe kundravajtja e lartë dhe përqindjet e papërputhshmërisë [me politikën e taksave], nuk zgjidhen pa një përmirësim të aftësisë së gjurmimit të administratës së taksave. Për të njëjtën arsye, FMN-ja këshillon strategji tjetër (ose alternative) që lufojnë problemet në zanafillë: përputhjen e dobët me taksat. Kjo e fundit buron nga disa faktorë: drejtimi ose administratë e dobët; sistem i dobët ligjor; dhe politikë e pamjaftueshme taksash. 

Dhe ngaqë këta faktorë kërkojnë kohë në afat-mesmë dhe afta-gjatë, FMN-ja këshillon masa afat-shkurtër duke fuqizuar kuadrin e administratës së taksave dhe procedurat bazë të taksave dhe drejtimin dhe thjeshtëzimin e politikës fiskale ndërsa në të njëjtën kohë zgjerohet baza e taksave dhe ulen përqindjet e taksave. FMN-ja këshillon dhe masa të tjera afat-shkurtër por nuk përmend nevojën e përdorimit të “ideologjisë së patriotizmit” lidhur me taksat, të cilën e kanë përdorur disa qeveri dhe kanë dalë faqebardhë. Efekti i kësaj “ideologjie” është se njerëzit kur paguajnë taksat i paguajnë ato për hir të patriotizmit dhe kënaqësisë; sepse kur ata e shohin pagimin e taksave si detyrë patriotike ata ndiejnë dhe kënaqësi.

Por si masat që këshillon FMN-ja ashtu dhe “ideologjia e patriotizmit” përparohen nga një qeveri e miredukuar lidhur me drejtimin e shtetit dhe qeveria “Rama” vetëm e tillë nuk është: asaj nuk i mungojnë vetëm ministrat por më kryesorja dhe “qyngjja” që rri në kryeministri. Masat e FMN-së, në fakt, mund të përdoren nga një qeveri që ka treguar aftësi kuptimore të lartë lidhur me drejtimin e shtetit dhe është zotuar për punësim të plotë. Në kushtet aktuale, kur ne kërcënohemi nga një luftë botërore, nga bomba me sahat e ndryshimeve klimatike dhe katastrofa ekologjike, nga pasiguria energjitike dhe ushqimore, ato masa janë thjesht sa për të “pirë kafen”. Ato janë masa të drejta kur qeveria përparon paralelisht zhvillimin e tërësisë së ekonomisë dhe kontribon në ndalimin e katastrofës ekologjike.

Politika në fjalë shkakton dhe një efekt të dëmshëm për investitorët perëndimorë: ajo fuqizon lekun, sepse pasuritë e deklaruara do të kthehen në lekë. Megjithëse ambasadorët nuk kanë mbajtur ndonjë qendrim publik (përveç ambasadores franceze e cila ka thënë se “çështja ngre shumë pikëpytje”) lidhur me kundërshtinë e tyre, arsyeja se pse e kundërshtojnë lidhet me interesa të ngushta ekonomike në dhomat e tyre tregtare. Këto të fundit dihet se përdorin kryesisht euron në shkëmbimet tregtare. Duke ditur se me amnistinë fiskale fuqizohet leku dhe dobësohet euroja, qoftë edhe përkohësisht, madje nuk përparon zgjerimi i euros në vendin tonë, dhe ambasadorët perëndimorë kanë për qëllim edhe zgjerimin e përdorimin të euros dhe jo të devizave kombëtare, ata e kundërshtojnë atë. 

Kanë, në fjalë të tjera, dy arsye: njëra lidhet me interesat e ngushta ekonomike të dhomave tregtare dhe tjetra me interesa më të gjera gjeopolitike: zgjerimin e euros! Dhe nëse i shtojmë këtij efekti dhe efektin tjetër, se drejtuesit e dhomave tregtare mund të ndalohen në transaksionet e tyre të fshehta, meqë e zbuloi Rama si veprimtari, bëhet e qartë se interesat e ngushta ekonomike por mbi të gjitha interesat e gjera gjeopolitike, nxisin ambasadorët të kundërshtojnë amnistinë dhe nuk mund të jetë shqetësimi i tyre për paratë e krimit për sa kohë krerët e dhomave të tyre kanë kryer transaksione të fshehta! 

Gjykuar nga ky efekt dhe nga qëllimi i Ramës, me shumë gjasa do të dëshmojmë përgjatë zbatimit të saj, përplasje më të fuqishme mes Ramës dhe ambasadorëve. Këta të fundit mund të hidhen dhe në “kundërsulm” duke minuar pushtetin e tij me mbështetjen e “forcave” politike “rezervë” si “nismashthurje” dhe shoqërinë civile. Me siguri këta do të jenë të gatshëm t`u përgjigjen kërkesave të ambasadorëve për sa kohë që nuk e kanë idenë nga amnistia në fjalë dhe paguhen nga ata.

Madje mund të bashkëpunojnë dhe me Berishën meqënse e kundërshton atë. Sipas tij, qëllimi i qeverisë është “legalizimi i parave të krimit” duke gjykuar nga shuma që lejon ligji për t`u deklaruar dhe godet biznesin e ndershëm, reputacionin dhe rendin e vendit tonë. Ky “harron” amnistinë e tij dhe nuk i përmbahet asnjë studimi; thjesht kundërshton për të bërë “opozitë”! Amerikanët dhe përgjithësisht perëndimorët, ndryshojnë mbështetje politike kur u preken interesat e ngushta ekonomike dhe interesat e gjera gjeopolitike, me rastin më të freskët kreun e shtetit amerikan, Bajdenit, i cili shkoi dhe takoi në Arabinë Saudite princin Mohammed bin Salman, njeriun shtetin e të cilit do ta kthente “paria”, sepse vrau gazetarin Kashogi, ngaqë ky i fundit shkruante kritika në shtypin amerikan.   

“Debatin” s`e ndihmojnë as “ekonomistët” me grada shkencore. Për shembull, dekani i fakultetit të ekonomisë, biznesit dhe zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës, prof.asoc.dr. Elvin Meka, jo vetëm që nuk i përmbahet ndonjë studimi lidhur me amnistinë fiskale të Ramës dhe spekulon në një artikull në “Monitor”, revista javore e ekonomisë sonë, por e mbështet atë duke shtuar se ekonomia jonë ka nevojë për terapi dhe jo thjesht për trajtim ambulator! Kur “doktorët” e ekonomisë paraqiten kështu, ç`mund të presim nga të tjerët?!

Pyetjes se nëse është në dobi të popullit amnistia fiskale mund t`i përgjigjemi me katër jo dhe me një po. Jo, nëse e shohim nga detyrat e qeverisë: sepse ajo e ka për detyrë të zyrtarizojë ekonominë dhe këtë detyrë duhet ta kishte realizuar që në mandatin e parë. Por ngaqë nuk e ka realizuar, madje ka krijuar kushtet për zhvillimin e ekonomisë jozyrtare lidhur me kultivimin dhe shitjen e hashashit, ajo synon ta zyrtarizojë atë përmes amnistisë. Në këtë mënyrë, sektori që ajo krijoi, fiton dy herë: një herë kur veproi “nën hundën” e qeverisë duke mos paguar asnjë taksë dhe një herë kur amnistohet. Jo, nëse e shohim në raport me efektin që ka mbi ata që nuk kanë vepruar në ekonominë jozyrtare, sepse ata do të inkurajohen të veprojnë si ata që amnistohen përderisa ata mund të amnistohen. Madje edhe ata që kanë vepruar në të do të vazhdojnë të veprojnë.

Jo, nëse e shohim me aftësinë që ka qeveria “Rama” për të realizuar amnistinë fiskale, sepse ajo nuk e ka aftësinë; nëse do ta kishte, do ta kishte treguar së pari në studime dhe së dyti në praktikë. Madje vetë qëllimi për të ligjësuar pasuritë e sektorit që ajo krijoi korrupton amnistinë, sepse ajo do të veprojë për hir të ligjësimit të tij dhe jo për hir të drejtësisë fiskale. Jo, nëse e shohim në raport me të gjithë ata që paguajnë taksa, sepse do të dekurajohen në pagimin e taksave përderisa të tjerët nuk paguajnë as taksa ndërsa ligjësojnë dhe pasuritë e paligjshme. Po, nëse e shohim me efektin që do të ketë në popull, sepse do të ketë pak efekt përderisa pasuritë ligjësohen dhe rritet kërkesa në treg. Por nga kjo lloj kërkese do të fitojnë më shumë kapitalistët ose pronarët e mjeteve të prodhimit dhe klasa politike se sa punëtorët!   

Përditësuar

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA