Shpërthimi në rafinerinë e Ballshit vret një punëtor
11/11/2016 - 13:26
Një shpërthim i fortë i shoqëruar me flakë të mëdha zjarri ndodhi mbrëmjen e djeshme në Uzinën e Përpunimit të Naftës. Një punonjës humbi jetën, ndërsa të paktën 6 të tjerë sipas burimeve nga spitali i Ballshit mbetën të plagosur. Disa prej tyre, në gjendje më të rëndë u dërguan drejt spitaleve të Tiranës.
Shkak i shpërthimit vlerësohet paraprakisht, një avari në repartin e përpunimit të naftës së depozituar, në njërën ga valvolat e hidrogjenit. Banorët pranë zonës ku ndodhet Uzina dëshmuan për një gjëmim të fuqishëm dhe flakë të tilla që ndriçuan të gjithë zonën përreth. Repartet e zjarrëfikëseve ndërhynë brenda një kohe të shkurtër duke bërë të mundur izolimin e flakëve e duke evituar në këtë mënyrë përhapjen e tyre, në një terren me rrezikshmëri të lartë.
Uzina, e cila është pjesë e kompanisë Armo që zotëron dhe rafinerinë në Fier, u vu pak kohë më parë në funksionim pas më shumë se një viti bllokimesh dhe falimentimi të kompanisë e cila qëe pas privatizimit, ka ndryshuar disa herë pronar.
Burimi: VOA
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse



