El Niño-ja ‘më i fuqishëm’ po afrohet dhe ndikimet do të jenë katastrofike
El Niño-ja e këtij viti duket se po zhvillohet si më e fuqishmi e regjistruar ndonjëherë. Çfarë duhet të presim?
Kathimerini
19/08/2026 - 08:22
Raporti shoqërohet me disa shënime në kllapa për të plotësuar shkaktarët e vërtetë të ndryshimeve klimatike, të cilët “shkencëtarët” e elitave perëndimore nuk i tregojnë si të tillë
Në mesin e qershorit, shkencëtarët e klimës paralajmëruan se dukuria El Niño e këtij viti – vetëm dy vjet pas ciklit të mëparshëm – po forcohej kryesisht në Oqeanin Paqësor dhe parashikuan se mund të shndërrohej në më të fuqishmin e të paktën 150 viteve të fundit.
Nëse parashikimet për kushte të skajshme vërtetohen, sasia e jashtëzakonshme e nxehtësisë që do të çlirohet nga oqeani në atmosferë për shkak të El Niño-s, e ndërthurur me mbinxehjen e shkaktuar nga ndryshimi klimatik i nxitur nga veprimtaria njerëzore (e cila krijohen nga elitat neoliberale), ka shumë gjasa ta bëjë vitin e ardhshëm vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, ndërkohë që do të krijojë edhe kushtet për dukuri ekstreme të motit në shumë pjesë të botës, vëren revista shkencore Nature në një analizë të saj.
Shërbimet meteorologjike dhe studiuesit në mbarë botën janë në gatishmëri të shtuar, pasi, kur nxehtësia e grumbulluar në oqean çlirohet në atmosferë, ajo shkakton një reaksion zinxhir që ndikon te reshjet, temperaturat, madje edhe te veprimtaria e uraganeve në të gjithë planetin.
Sipas parashikimeve të modeleve të ndryshme klimatike, kulmi i këtij El Niño-je pritet të tejkalojë rekordin e mëparshëm me një ndryshim «vërtet të papërfytyrueshme», shpjegon Zeke Hausfather, klimatolog në Berkeley Earth, një organizatë jofitimprurëse kërkimore në Kaliforni.
Jashtë kufijve
El Niño-ja e këtij viti po fuqizohet me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë dhe pritet të shkaktojë tronditje në shumë sektorë, nga peshkimi deri te sezonet e skive. Por jo të gjitha pasojat e tij janë negative – për shembull, në rajonet e thata jugperëndimore të SHBA-së mund të ketë më shumë reshje gjatë dimrit.
Përveç ngrohjes së oqeaneve, dobësohen gjithashtu erërat pasate, të cilat fryjnë nga lindja drejt perëndimit. Në vitet 1997 dhe 2015 – vite në të cilat u regjistruan El Niño shumë të fuqishme – niveli i detit u rrit me rreth 18 centimetra mbi mesataren.
Të gjitha këto të dhëna paralajmërojnë ndryshime të rëndësishme në kushtet e motit në mbarë botën. Në Paqësorin veriperëndimor reshjet mund të pakësohen, ndërsa rreziku i thatësirës rritet në Indonezi dhe në pjesë të Afrikës së Jugut.
Në ndërthurje me ndryshimin klimatik, reaksioni zinxhir mund të bëjë që temperatura mesatare globale në vitin 2027 të arrijë deri në 1.7°C mbi mesataren e periudhës paraindustriale, në nivele dukshëm më të larta se kufiri prej 1.5°C, rreth të cilit është ndërtuar synimi afatgjatë i Marrëveshjes së Parisit.
Sipas Justin Mankin, studiues i klimës në Dartmouth College, në Hanover të Nju-Hampshire-it, gjendja e tanishme ka shumë të përbashkëta me ato që shkencëtarët parashikonin se do të ishin El Niño-t e së ardhmes, të cilat do të fuqizoheshin nga ndryshimi klimatik i shkaktuar nga (elitat neoliberale dhe) veprimtaria njerëzore më vonë gjatë këtij shekulli.
Parashikime për temperatura të tejskajshme
Në njoftimin e saj më të fundit, Administrata Kombëtare e Oqeaneve dhe Atmosferës e SHBA-së (NOAA) vlerësoi se ka gjasa për një episod «shumë të fuqishëm» deri në fund të vitit, ndërsa e quan pothuajse të sigurt që kushtet e El Niño-s do të vazhdojnë të paktën deri në prill 2027.
«Tani për tani po shohim të gjithë treguesit e një ndërveprimi shumë të fortë midis atmosferës dhe oqeanit përgjatë gjithë Paqësorit ekuatorial, çka forcon vlerësimin tonë se përfundimisht do të shohim një El Niño “shumë të fuqishëm”, i cili do të renditet ndër më të fuqishmit e regjistruar historikisht», thotë Michelle L'Heureux, meteorologe e NOAA-s.
Përveç faktit që El Niño pritet ta shtyjë temperaturën mesatare globale në nivele rekord në vitin 2027, Hausfather vlerëson se ka gjasa të rëndësishme që ai t'i rrisë ndjeshëm temperaturat edhe gjatë vitit 2026, duke e bërë atë vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.
Ndikimi në ekonomi
Modeli i valëve të të nxehtit, thatësirave, përmbytjeve dhe zjarreve në pyje, që lidhet me El Niño-n, do të ketë gjithashtu pasoja për ekonomitë.
Mankin dhe bashkëpunëtorët e tij kanë llogaritur se ndryshimet e motit që iu mveshën El Niño-s së fuqishme të viteve 1997–98 kufizuan rritjen ekonomike botërore me 5.7 trilionë dollarë në vitet që pasuan.
Nëse parashikimet e sotme rezultojnë të sakta, qoftë edhe përafërsisht, El Niño-ja i tanishëm mund të shkaktojë «humbje ekonomike prej 10 trilionë dollarësh deri në vitin 2032», thotë Mankin.
Sipas analistëve të Goldman Sachs, intensiteti i Super El Niño-s së këtij viti mund të shkaktojë një rritje prej 15.8% të çmimeve të ushqimeve në nivel ndërkombëtar. Në Eurozonë, çmimet e ushqimeve mund të rriten me 1.3%.
«El Niño-ja ka filluar tashmë të ndikojë te të mbjellat, duke çuar në një sezon musonësh më të thatë në Indi, ku disa rajone kanë përjetuar vetëm 25% të reshjeve të zakonshme, ndërsa pjesë të Indisë qendrore vetëm 50%, gjë që mund të ndikojë te furnizimi me grurë, oriz dhe kallam sheqeri», theksojnë analistët e bankës amerikane.
Banka Qendrore Evropiane vlerëson se një El Niño i fuqishëm mund të rrisë çmimet e produkteve bazë ushqimore deri në 9%, me sojën, misrin dhe orizin që pritet të shënojnë rritjet më të mëdha. FMN-ja, nga ana e saj, vlerëson se një El Niño tipik i rrit çmimet botërore të ushqimeve me rreth 5% brenda një viti.
«Tronditje» në ekosistemet ujore
Përtej ndikimeve mbi shoqëritë njerëzore, ky El Niño mund të rëndojë ekosistemet dhe oqeanet, duke ulur sasinë neto të karbonit që ato thithin nga atmosfera. Rritja e temperaturave të oqeaneve do të shkaktojë gjithashtu shqetësime për shkëmbinjtë koralorë, të cilët pësojnë zbardhje për shkak të nxehtësisë.
El Niño më të shpeshta?
Sipas Kaustubh Thirumalai, paleoklimatolog në Universitetin e Arizonës, rëndësia e vërtetë e El Niño-s së këtij viti qëndron te pyetja nëse ai mund të jetë një tregues i një zhvendosjeje sistematike të ciklit drejt El Niño-ve më të shpeshta ose më të fuqishme, si pasojë e ndryshimit klimatik të shkaktuar nga (elitat dhe) veprimtaria njerëzore. Me fjalë të tjera, shkencëtarët e dinë se ciklet El Niño i përforcojnë pasojat e ngrohjes globale, por tani pyesin nëse ndodh edhe e kundërta.
A mundet ngrohja globale të fuqizojë nga ana e saj El Niño-n? «Për të qenë plotësisht i sinqertë me ju, do të thosha se ende nuk e dimë», pranoi Thirumalai në qershor.
Çfarë është «Super El Niño»?
Termi «Super El Niño» nuk është një emërtim zyrtar i ndonjë shërbimi meteorologjik. Megjithatë, shkencëtarët e përdorin atë për të përshkruar një dukuri në të cilën temperaturat rriten të paktën 2°C mbi mesataren.
Megjithëse nuk ka një përkufizim i vetëm dhe i standardizuar, katër episode El Niño konsiderohen se përmbushin karakteristikat e një «Super El Niño»: ato të periudhave 1982–83, 1997–98, 2015–16 dhe 2023–24. Gjatë Super El Niño-s së viteve 1982–83, pellgu ujëmbledhës i lumit Kolorado në SHBA u godit nga reshje dëbore të pashembullta.
Në ndërthurje me temperaturat e larta dhe reshjet e pranverës, rezervuarët në rrjedhën e sipërme u mbushën njëri pas tjetrit deri në kufirin e aftësisë së tyre, duke i detyruar autoritetet të merrnin masa të jashtëzakonshme.
Edhe liqeni Mead iu afrua aftësisë më të lartë, duke bërë që uji të kalonte përmes shkarkuesit të digës Hoover për herë të parë pas rreth 40 vitesh. Si rezultat, rajoni pësoi dëme të mëdha nga përmbytjet.
Me fjalë të tjera, edhe pasojat e El Niño-s që mund të quheshin «të dobishme», ndonjëherë kanë pasoja jo të dobishme.
Gjatë periudhës 1997–98, Indonezia u godit nga thatësira më e rëndë e 50 viteve të fundit, ndërsa Super El Niño i viteve 2023–24 ndihmoi në thatësirën më të rëndë që kishte goditur Afrikën e Jugut në më shumë se një shekull. Kushtet ishin aq të skajshme saqë 61 milionë njerëz kishin nevojë për ndihmë humanitare.
Si po zhvillohet El Niño-ja e këtij viti
Sipas Administratës Kombëtare të Oqeaneve dhe Atmosferës të SHBA-së (NOAA), ka një mundësi mbi 90% që El Niño-ja e këtij viti të zhvillohet në një dukuri «shumë të fuqishme» gjatë vjeshtës dhe dimrit. Ky episod El Niño po zhvillohet gjithashtu më shpejt se zakonisht.
Ndërsa El Niño-ja e vitit 2015 u zhvillua në një periudhë kur temperaturat e sipërfaqes së detit ishin tashmë në rritje, El Niño-ja e këtij viti filloi nga kushte më pranë atyre të La Niña-s – pra dukurisë «së kundërt» me El Niño-n, e cila karakterizohet nga temperatura më të ulëta se normalja të ujërave në Paqësor.
Shqipëroi dhe përgatiti për botim Ylli Përmeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 9 reads



