Pa veprime, zjarret në pyjet evropiane do të rriten me 39% në skenarin më të mirë klimatik, zbulon studimi
Përmirësimi i mbikëqyrjes së zjarreve mund ta zbusë rritjen me më shumë se 70%, tregon studimi
The Giardian
21/08/2026 - 16:53
Zjarret në pyje pritet të përfshijnë një sipërfaqe 39% më të madhe të Evropës deri në fund të këtij shekulli, edhe në skenarin më të mirë për ndalimin e ngrohjes së planetit, nëse nuk merren masa për mbikëqyrjen më të mirë të tyre, ka gjetur një studim.
Rritja e motit të nxehtë, të thatë dhe me erë, që bën që zjarret e vogla të shndërrohen në zjarre të furishme, pritet të përfshijë një pjesë gjithnjë e më të madhe të Evropës, ndërsa ndotja nga karboni i shtyn temperaturat më lart. Në skenarin më të keq të hartuar nga studiuesit, ku ngrohja globale arrin 3,6°C mbi nivelet paraindustriale, sipërfaqja e djegur pothuajse do të trefishohej. Përmirësimet në mbikëqyrjen e zjarreve mund ta zbusin këtë rritje me më shumë se 70%, zbuloi studimi, por nuk do të mund ta zhduknin atë plotësisht.
“Investimet në drejtimin e zjarreve mund të ndihmojnë deri në një kufi të caktuar, por nëse vazhdojmë në një rrugë me shkarkime të larta [të gazeve serrë] … përsëri do të shohim rritje të forta të sipërfaqes së djegur”, tha Maik Billing, studiues i ekosistemeve në Institutin e Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK) dhe autori kryesor i studimit. “Mbikëqyrja e zjarreve nuk mund të zëvendësojë uljen e ndotjes që shkakton ndryshimin klimatik.”
Studimi publikohet në kohën kur zjarret vazhdojnë të godasin Evropën, me zjarre të mëdha që kanë përfshirë vende të Evropës veriore, si Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikën dhe Gjermaninë, pas javësh gjatë të cilave Franca, Spanja, Italia, Kroacia dhe Greqia u përballën me zjarre gjigante.
Në të gjithë BE-në, kjo periudhë e zjarreve pritet të bëhet e treta më e rëndë e shënuar, pas viteve 2025 dhe 2022, sipas të dhënave të botuara të enjten nga Shërbimi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje. Deri tani janë djegur më shumë se 600 mijë hektarë, ndërsa për këtë periudhë të vitit janë thyer rekorde në Belgjikë, Francë dhe Sllovaki.
Studiuesit krahasuan sipërfaqen vjetore të parashikuar të djegur për periudhën 2070–2100 me rezultatet e hartuara për periudhën 2000–2030 dhe gjetën se rritja e motit të përshtatshëm për zjarret ishte shkaku kryesor i ndryshimit.
Në skenarin e mirë, ku ngrohja globale kufizohet në 1,8°C, pak mbi nivelin e tanishëm prej rreth 1,4°C, disa rajone shfaqën rritje të zbutur të kushteve të përshtatshme për zjarret, ndërsa në të tjera ndryshimi ishte i vogël. Në skenarin e keq, me ngrohje prej 3,6°C deri në fund të shekullit, studiuesit gjetën përkeqësim të vazhdueshëm të kushteve të përshtatshme për zjarret në “pothuajse të gjithë Evropën”. Shkencëtarët presin që politikat e tanishme të çojnë në rreth 2,6°C ngrohje globale deri në fund të shekullit.
Duke përdorur një model të dytë, studiuesit zbuluan se përmirësimet e vazhdueshme në luftimin e zjarreve mund të zbusin ndikimin e përkeqësimit të kushteve atmosferike. Në skenarin më të freskët, sipërfaqja e djegur mund të ulet me 92% në krahasim me rastin kur përpjekjet për shuarjen e zjarreve do të mbeteshin në nivelet e sotme. Studiuesit përdorën Indeksin e Zhvillimit Njerëzor si tregues të aftësisë për të luftuar zjarret, por pranuan se rritja e zjarreve gjigante e bën të vështirë nxjerrjen e përfundimeve nga përvoja e së kaluarës.
Përmirësimet në shuarjen e zjarreve që nga vitet 1980 kanë ulur numrin e zjarreve dhe sipërfaqen e djegur në Evropën jugore, kishte gjetur një studim i publikuar në fillim të këtij muaji. Por shuarja e zjarreve në mënyrë të tepruar, madje edhe të atyre të vegjël, ka rritur në mënyrë paradoksale sasinë e lëndës djegëse të mbetur në natyrë. Kjo ka krijuar mundësinë që zjarret të zhvillohen në përmasa të skajshme kur kushtet janë të përshtatshme, duke sjellë më pak zjarre, por shumë më të fuqishme.
Zjarre të tilla gjigante goditën Francën dhe Spanjën në fund të korrikut të këtij viti, duke detyruar rreth 330 mijë njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa flakët përhapeshin me një forcë që zjarrfikësit nuk ishin në gjendje ta ndalonin. Víctor Resco de Dios, inxhinier pyjesh në Universitetin e Lleidas, i cili nuk mori pjesë në studim, tha se sezoni i zjarreve shoqërohej shpesh me një “lojë faji të pafrytshme”, duke veçuar vetëm njërin prej dy faktorëve kryesorë që, në ndërveprim me njëri-tjetrin, shkaktojnë zjarret në pyje. Sipas tij, studimi është një kujtesë për të kapërcyer fajësimet e njëanshme.
“Problemi i zjarreve në pyje nuk do të përkeqësohej nëse do të shkonim drejt një epoke akullnajore – në vend të ngrohjes globale”, tha ai. “Dhe do të ishte zbutur në masë të madhe nëse peizazhet tona do të ishin si një shekull më parë, me një sipërfaqe pyjore shumë më të vogël.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 6 reads



