...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vajtimi i shtypit perëndimor për bisedimet e paqes në Shenzhen: një turp i vërtetë

E tillë është rënia dhe degjenerimi i medias kryesore, saqë përpjekjet për të ndërtuar një botë më paqësore priten me tronditje dhe neveri

Xhefri Sahs

23/11/2026 - 14:02

Më 19 nëntor, në Shenzhen, presidentët e Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara u takuan së bashku për herë të parë në histori dhe shpallën një qëndrim drejt paqes. Ata rivërtetuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë, u pajtuan të zhvillojnë një bashkëbisedim për pakësimin e rreziqeve bërthamore dhe u zotuan të rekrijojnë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që ajo të përmbushë misionin e saj për paqen dhe sigurinë.

Këto tri vende zotërojnë rreth nëntë të dhjetat e kokave bërthamore në botë dhe, që prej skadimit të traktatit New START më 5 shkurt, dy arsenalet më të mëdha bërthamore kanë mbetur pa asnjë kufizim traktator për herë të parë që nga viti 1972. Do të pritej që përpiluesit e gazetave në Nju-Jork, Uashington dhe Londër të merrnin frymë të lehtësuara. Por do të ishte gabim të mendohej kështu.

The New York Times, The Washington Post, The Wall Street Journal dhe Financial Times, të pasuara nga Reuters, kundërvepruan me përçmim dhe alarm. Tmerr, tmerr: paqja mund të jetë pranë. Rreziku për botën, siç na mësohet, nuk është gara bërthamore pa kufizime traktatore, as lufta në Gjirin Persik, e cila që prej shkurtit ka mbyllur në masë të madhe Ngushticën e Hormuzit, as lufta në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në vitin e saj të pestë. Rreziku qenka fakti se presidenti amerikan u ul në një tryezë të rrumbullakët me presidentët e Kinës dhe Rusisë dhe u tregua i sjellshëm me ta. Peter Baker, korrespondenti kryesor i The New York Times në Shtëpinë e Bardhë, raportoi me një pakënaqësi të dukshme se presidenti u ofroi «përqafime, prekje miqësore në krahë dhe buzëqeshje të gjera autokratëve».

Koleget e tij, Katie Rogers dhe David Sanger, u ankuan se takimi e nxori Putinin nga statusi i tij si i përjashtuar nga bashkësia ndërkombëtare, sikur luftërat të përfundonin më shpejt kur udhëheqësve të palëve ndërluftuese u ndalohet të flasin me njëri-tjetrin. Kur presidenti kinez bëri thirrje për çrrënjosjen e armëve bërthamore, gazeta The New York Times e hodhi poshtë këtë si «një synim utopik».

Por Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina janë të detyruara nga Neni VI i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore të bisedojnë me mirëbesim drejt çarmatimit bërthamor. Ajo që The New York Times e quan utopi është një detyrim ligjor i Shteteve të Bashkuara.

Bordi editorial i The Wall Street Journal, nën titullin «Paqe bërthamore në kohën tonë. Jo.», e hodhi poshtë deklaratën si «fjalë boshe diplomatike». Receta e vet për paqen bërthamore ishte një program i përshpejtuar për zhvillimin e një rakete lundruese bërthamore me fuqi të ulët, të lëshuar nga deti, ndërsa projekti i saj më i mirë për mospërhapjen e armëve bërthamore ishte fitorja bindëse e luftës kundër Iranit. Me pak fjalë, mënyra për të pakësuar rrezikun bërthamor qenka ndërtimi i më shumë armëve bërthamore, ndërsa mënyra për të parandaluar përhapjen e tyre qenka vazhdimi i bombardimit të një vendi që nuk i zotëron ato. Kjo është lufta që mbylli Ngushticën e Hormuzit dhe që votuesit amerikanë e hodhën poshtë në zgjedhjet e mes-mandatit të këtij muaji.

Hillary Clinton, në një shkrim për The New York Times, tha se një president i fortë do t'i kishte paraqitur Putinit kërkesa dhe do ta kishte paralajmëruar Shi-në. Ajo i bëri thirrje Kongresit të ndihmojë Ukrainën të përdorë sistemin Starlink për të shënjestruar lëshuesit e raketave balistike brenda Rusisë. Ajo e përfundoi shkrimin me formulën e njohur të luftërave amerikane: «Kjo është koha për veprim, jo për pajtim me agresorin». Regjistri i saj i veprimeve përfshin votën e saj në Senat më 2002 për të autorizuar pushtimin e Irakut dhe mbështetjen e saj, si sekretare e shtetit, për bombardimin e Libisë nga NATO-ja më 2011, i cili shkoi shumë përtej mandatit të OKB-së për mbrojtjen e qytetarëve dhe la pas një vend të shkatërruar. Në fjalorin e zonjës Klinton, ndihma për drejtimin e goditjeve brenda fuqisë më të madhe bërthamore në botë është strategji, ndërsa bisedimi me presidentin e saj është pajtim me agresorin.

The Washington Post i tejkaloi të gjithë. Në raportimin e saj kryesor thuhej se të tre udhëheqësit arritën një marrëveshje madhore: përpjekjen «për të çmontuar më tej sistemin ndërkombëtar të bashkëpunimit» të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në qendër të kësaj marrëveshjeje është zotimi për reformimin e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që ato të përmbushin Kartën e tyre. Ned Price, një ish-diplomat i qeverisë së Bajdenit, i tha gazetës se të tre udhëheqësit po hidhnin poshtë rregullat që u kishin shërbyer demokracive liberale për tetëdhjetë vjet.

Në këto rregulla përfshihen bombardimi i Serbisë nga NATO-ja më 1999 pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit, pushtimi i Irakut më 2003 mbi pretendime të rreme, përmbysja e Muammar Gaddafit më 2011, programi i fshehtë i CIA-s për armatosjen e kryengritësve me qëllim rrëzimin e qeverisë së Sirisë, njëzetë vjet luftë në Afganistan, vetot e përsëritura amerikane ndaj vendimeve të Këshillit të Sigurimit që kërkonin armëpushim në Gaza, ndërkohë që bombat amerikane binin mbi të, dhe tani lufta kundër Iranit, e nisur pa asnjë miratim nga Këshilli i Sigurimit. Gazeta The Washington Post pranoi, në një fjali të vetme, se kritikët kanë vënë prej kohësh në dukje se Uashingtoni ndërhyn në vende të tjera kur e sheh të arsyeshme. Kjo është një mënyrë për ta thënë.

Një shkrim i dytë i The Washington Post iu kushtua vendosjes së vendeve në tryezë. Xi ishte ulur në qendër, përballë kamerave, ndërsa Trampi dhe Putini ishin vendosur anash. Një ish-zyrtar i qeverisë së Bajdenit paralajmëroi për një rend botëror me Kinën në qendër. Pra, kërcënimi më i fundit ndaj qytetërimit perëndimor qenka fakti se mikpritësi i takimit u ul në vendin e mikpritësit. Artikulli nuk përmendi se ekonomia kineze është tashmë rreth një të tretën më e madhe se ajo amerikane, sipas barazisë së fuqisë blerëse, apo se prodhimi industrial i Kinës është afërsisht dyfishi i atij të Shteteve të Bashkuara. Problemi i vërtetë është bindja e Uashingtonit se duhet të ulet në krye të çdo tryeze.

Financial Times e dha gjykimin e saj para se takimi të zhvillohej. Nën titullin «Përfytyrimet e Putinit për një Jaltë të re», bordi editorial paralajmëroi se takimi dukej si shpërblim për agresionin dhe mund të përforconte idenë se «fuqitë e mëdha mund të shkëmbejnë sërish sovranitetin e vendeve të vogla». Në fakt, Shpallja e Shenzhenit nuk thoshte asnjë fjalë për shkëmbimin e sovranitetit të vendeve të vogla dhe Financial Times duhet ta dijë se Konferenca e Jaltës ishte vendi ku Ruzvelti, Çërçilli dhe Stalini u pajtuan për formulën e votimit në Këshillin e Sigurimit, e cila bëri të mundur krijimin e Kombeve të Bashkuara.

Financial Times përqesh kundërshtimin e Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s drejt lindjes, ndonëse Rusia nuk kërkon asgjë më shumë sesa atë që Shtetet e Bashkuara kanë shpallur në bazë të Doktrinës Monroe që prej vitit 1823: asnjë fuqi tjetër e madhe rivale nuk duhet të vendosë baza ushtarake dhe aleanca në pragun e saj. Katastrofa e vërtetë ka qenë projekti tridhjetëvjeçar amerikan për ta shtyrë NATO-n deri në kufijtë e Rusisë, projekt që i ka kushtuar Ukrainës paqen, një pjesë të madhe të hapësirës së saj dhe një brez të tërë të rinjsh. Ndërkohë, vetë Financial Times këshillon përgatitjen për një luftë të gjatë, ndërsa BE-ja përgatit një hua të re prej 45 miliardë eurosh për Kievin. Kjo është «mbrojtja» e Ukrainës sipas Financial Times: të luftohet deri në ukrainasin e fundit.

Udhëheqësit e Evropës u takuan në Berlin po atë ditë, si pjesë e të ashtuquajturit «Koalicion i të Gatshmëve», planet e të cilit përfshijnë dërgimin e forcave ushtarake në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje, çka Moska e kundërshton. Kancelari gjerman Friedrich Merz e hodhi poshtë takimin si një mundësi për fotografi, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk e përqeshi Trampin që e quajti Putinin mik. Reuters gjykoi se takimi zbuloi kufijtë e diplomacisë personale të Trampit dhe citoi udhëheqësin e demokratëve në Senat, Chuck Schumer, i cili e quajti atë «një turp historik».

Demokratët sapo kanë fituar kontrollin e Kongresit, mbi një valë zemërimi të votuesve ndaj luftës kundër Iranit. Në vend që të mirëpresë një hap prapa nga përplasja mes fuqive të mëdha, udhëheqësi i tyre e qorton presidentin se nuk arriti të nxirrte më shumë nga Pekini dhe Moska.

Në të gjithë këtë pasqyrim të medias kryesore përshkon një përrallë e thjeshtë morale: demokracitë me vlera perëndimore kundër autokratëve. The Washington Post vuri në dallim lehtësinë me të cilën udhëheqësit autoritarë në Shenzhen drejtojnë vendet e tyre me takimin e udhëheqësve në Berlin, të cilët duhet t'u përgjigjen votuesve. Por votuesit amerikanë e hodhën poshtë me vendosmëri luftën kundër Iranit, ashtu siç ndihmuan luftërat në Ukrainë dhe Gaza në humbjen e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Populli amerikan është lodhur nga luftërat, ashtu si edhe popujt e Evropës. Megjithatë, media kryesore, aq e dhënë pas «demokracisë», predikon më shumë luftë dhe e quan këtë vlera demokratike. Këto vlera, siç zbatohen nga Uashingtoni dhe aleatët e tij, kanë nënkuptuar luftëra dhe ndryshime regjimesh, nga Serbia deri në Iran, si dhe bomba amerikane e mbështetje diplomatike për gjenocidin në Gaza. Pjesa tjetër e botës e ka vënë re hipokrizinë, edhe nëse bordet editoriale në Nju-Jork, Uashington dhe Londër nuk e kanë bërë ende.

Shpallja drejt Paqes është vetëm fillimi. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të zbatojnë kufijtë e përcaktuar nga traktati New START, ndërkohë që bisedojnë një traktat pasues, ku Kina të përfshihet në kohën e duhur. Të tria fuqitë duhet të pajtohen që të mos ia delegojnë kurrë inteligjencës artificiale vendimmarrjen për lëshimin e armëve bërthamore. Trampi duhet të shpallë publikisht se Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështesin anëtarësimin e Ukrainës apo të Gjeorgjisë në NATO, çka do të hapte rrugën për një paqe të ndërmjetësuar dhe një Ukrainë neutrale, si Austria që prej vitit 1955. Takimi i G20-s në Doral të Floridës, më 14 dhe 15 dhjetor, është mundësia e radhës për të çuar përpara nismën e Shenzhenit dhe për të përfshirë Indinë në dialog. Një media serioze do t'i shpjegonte këto hapa dhe do t'i kërkonte udhëheqësve të mbanin fjalën. Në vend të kësaj, ajo vajton për përqafimet.

Në nëntor të vitit 1985, Ronald Reagan dhe Mihail Gorbaçov shpallën në Gjenevë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Dy vjet më vonë, ata nënshkruan Traktatin për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, i cili zhduku një kategori të tërë armësh bërthamore. Në Shenzhen, tre presidentët përsëritën fjalët e tyre. Më 1985, këto fjalë u quajtën burrështetësi. Më 2026, The Wall Street Journal i quan fjalë të zbrazëta. E tillë është rënia dhe degjenerimi i medias kryesore, nxitja e pandërprerë e së cilës për luftë nuk u shërben as lexuesve të saj, e as qytetarëve në përgjithësi.   

Shkrimi zanafillor mund të lexohet këtu:

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA