Aparteidi i punëtorëve dhe shkaqet sistemike

Puna shkakton më shumë viktima rreth botës se vetë lufta
Ylli Përmeti
30/04/2017 - 20:03
Sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO/2023) vdesin rreth 3 milion punëtorë çdo vit ndërsa lëndohen mbi 395 milionë të tjerë. Shifra shënon një rritje prej 5 për qind krahasuar me vitin 2015. Bujqësia, ndërtimi, pylltaria, peshkimi dhe manifaktura shënojnë numrin më të lartë të vdekjeve. Shqipëria (dhe Kosova) janë përfshirë në të njëjtën dinamikë prej vitesh.
Përgjatë vitit 2022 u gjetën pa kontrata pune dy herë më shumë punëtorë se sa një vit më parë ndërsa një nga shkaqet se pse mërgojnë punëtorët jashtë vendit është mungesa e kushteve në punë, trajtimi dhe rroga. Të njëjtin vit humbën jetën 31 punëtorë, më shumë se 2 çdo muaj dhe 10 ishin nga sektori` ndërtimit ndërsa pjesa tjetër ishte në miniera dhe sektorët e tjerë. Punëtorëve nuk u paguhen orët shtesë në të tre turnet dhe në fundjavë; nuk u paguhen ditët e festave; nuk u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, nuk u paguhen raportet mjekësore dhe nuk u paguhen as 7-10 ditë leje vjetore kur duhet të marrin 28 ditë pushimi të paguara.
Krahas këtyre padrejtësive, punëtorët mbikëqyren në vendin e punës si kurrë më parë, jo vetëm nga “syri”` drejtorëve por dhe nga kamerat. Panoptikoni mbi ta qendron si kamzhik. Gjendja e tyre, rrjedhimisht, nuk mund të përshkruhet thjesht si “aparteid” por dhe si skllavëri moderne e mveshur me fjalë të bukura si nga qeveria (“Rama” dhjetë vitet e fundit) ashtu dhe nga pronarët, megjithëse shumë prej tyre përdorin dhe dhunën psikologjike, sidomos kur i kërcënojnë punëtorët me papunësi.
Kosova shënon rritje (deri në trefish) të lëndimeve në punë ndërsa vdekjet luhaten dhjetë vitet e fundit. Si e tillë, gjendja është përkeqësuar. Sektori` ndërtimit shënon numrin më të madh të ngjarjeve. Një masë që po shqyrtohet janë “sigurimet shëndetësore”, sepse qeveritë e Kosovës nuk kanë zbatuar ligjin pavarësisht se e kanë miratuar atë që në vitin 2007, sepse rriste kostot buxhetore ndërsa qeveria “Kurti” po përparon zbatimin e një ligji të ri (deri në fillim të majit 2024 mbaroi këshillimet publike) dhe gjatë të njëjtit muaj pritet të miratohet në kuvend. Por sigurimet shëndetësore nuk mund të parandalojnë aksidentet në punë.
Kështu, hetimi i “The Observer”[1] se në vendet e Ballkanit këpucët cilësore dhe veshmbathje të tjera “made in Italy” apo “made in Germany”, por që punohen në Shqipëri e vende të tjerë të rajonit, nga punëtorët, për 49 qindarka në orë ose më pak se 121 euro në muaj, kur në disa vende të BE-së paga më e ulët është 7 euro në orë ose më shumë se 1 mijë euro në muaj, më shumë se 10 fish e rrogës në Shqipëri— apo hetimi i DW në Ballkan përmes të cilit tregon disa mënyra administrimi të punëtorëve nga pronarët e ndërmarrjeve kapitaliste, të cilët i quan “skllevërit modernë të Ballkanit”[2]...jo vetëm që është një pjesë e vogël e së vërtetës, sepse punëtorët e fabrikave në fjalë drejtohen vërtet nga përbindsha dhe njerëz pa virtyte, në bashkëpunim me të huajt (sepse këta të fundit gjoja shesin përvojën ndërsa të parët s’kanë as përvojën as teorinë), por janë pasojë e drejtëpërdrejtë e orientimit tonë si vend për t’u integruar në globalizmin neoliberal.
Domethënë, janë pasojë e braktisjes së klasës punëtore nga elitat kapitaliste, veçanërisht në bllokun ekonomik të BE-së, dhe përqafimin e politikave neoliberale dhe ekonomisë së marketingut dhe ekstroverte. Pikërisht për këtë arsye na duan shumë evropianët në përgjithësi dhe vendet fqinje (Greqi etj.) në veçanti: për të shfrytëzuar rrogat mjerane të punëtorëve, në njërën anë, dhe burimet tona ekonomike, në anën tjetër. Shqetësimi me hetimet në fjalë, si çdo hetim tjetër i gazetarëve të elitave kapitaliste, është se ata nuk tregojne shkaqet sistemike por vetëm faktet!
Masakra me punëtorët e minierave dhe puseve të naftës në Turqi dhe vende të tjerë të integruar plotësisht apo pjesërisht në tregun ndërkombëtar të marketingut të globalizmit neoliberal (G/N), është një masakër e përhershme meqënse këto burime janë privatizuar (dhe të tjerë janë në proces privatizimi) dhe ndërmarrjet, si gjithë ndërmarrjet e tjera private, në sektorë të tjerë të ekonomisë, dominohen nga dinamika e përfitimit dhe konkurrencës dhe administrohen nga individë që nuk përdorin dije sistemike por kryesisht taktika në raport me tregun dhe korrupsion në raport me elitat politike.
Kur ndërmarrjet dominohen nga këto dy dinamika — nuk do të ishte e çuditshme braktisja e shkencës dhe masakrimi i punëtorëve nëndhé, mbidhé dhe në ajër. As do të ishte e çuditshme braktisja e të drejtave të punëtorëve nga elitat borgjeze dhe zëvendësimi i tyre me të drejtat e homoseksualëve, grave dhe grupeve të tjerë shoqërore. Klasa punëtore, prej së cilës fryhet pasuria e elitave post-moderne, është hedhur poshtë si një relike “komuniste”. Elitat bogjeze, pa ndroje, dekorojnë me çmime nobel fëmijë dhe kriminelë lufte.[3]
Punëtorët i kanë lënë, disa në mëshirën e pronarëve të fabrikave, minierave dhe industrisë së turizmit, dhe disa në mëshirën e prodhimit primitiv: vetëm, duke luftuar për jetë a vdekje në arat dhe malet e braktisur! ‘Ndërsa martesa e homoseksualëve është përhapur gjithandej, klasa e punëtorëve në perëndim vazhdon të humbasë statusin e saj. Kjo reflekton kontrastin e dy ideve politike: “të djathtët” — për njerëzit homoseksualë, gratë dhe grupet e tjerë të shtypur — janë në ngritje. Në kontrast nga këta, nocioni i vjetër i ngritjes së klasës punëtore en masse ka vdekur. Kjo klasë tashmë shpërnjihet si një relike shqetësuese e epokës industriale, si një fabrikë e papërdorshme.[4]
Si pasojë e braktisjes së punësimit të plotë të punëtorëve në vendet anëtare të BE-së, themelimit të lëvizjes së lirë dhe luftës në Lindjen e Mesme, skllavëria moderne në perëndim, dhe veçanërisht në Britani, ka marrë përmasa dramatike: sipas një studimi, atje mund të jenë midis 10,000 dhe 13,000 viktima, mes tyre edhe shqiptarë, duke përfshirë femra të detyruara në prostitucion, personel vendor të “burgosur” dhe punëtorë në fusha, fabrika dhe anije peshkimi’.[5]
Por ne duhet ta lidhim konceptin e punëtorit jo vetëm me elitat aktuale, shkaqet se përse ato sillen barbarisht me punëtorët dhe kushtet e punës por edhe me prodhimin: se kur një shtet përmend rritje ekonomike, ne duhet të ngrejmë një pyetje të thjeshtë se ku shkon ajo: te punëtorët apo tek elitat? Në të vërtetë, masakrimi i punëtorëve me vdekje masive është vetëm maja e ajsbergut: sepse sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO),[6] puna shkakton më shumë viktima rreth botës se vetë lufta. Vetëm në BE, ushtrohet dhunë sistemike e përhershme në shifra marramendëse: nga administrata publike dhe ndërmarrjet kapitaliste mbi punëtorët deri te prindërit mbi fëmijët dhe mashkujt mbi femrat.[7]
Dhuna, rrjedhimisht, nuk mund të lidhet vetëm me individin dhe me disa anë sistemike (ndryshimi i klimës etj.) dhe administrative, siç mundohen të na bindin “ekspertët” e elitave kapitaliste. Por ajo është një dhunë e përhershme që ushtrohet nga lartë-poshtë dhe është pasojë e kuadrit modern institucional: “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut (tashmë të ndërkombëtarizuar), ku heteronomia, hierarkia dhe pabarazia e pushtetit politik dhe ekonomik të zotëruar nënkupton jo thjesht dominimin e njeriut nga njeriu por se dhuna është dhe do të jetë e përhershme.
Vendet perëndimore (Britania e Madhe etj.), për shembull, rritjen ekonomike nuk e kanë siguruar si pasojë e efiçencës së ndërmarrjeve private apo rritjes së konkurrencën mes tyre, siç pretendojnë disa mediatikë të rëndomtë. Por ajo është kryesisht pasojë e shkurtimit të punëtorëve nga puna dhe shtrydhja e pagave. Kjo arrihet përmes mekanizmit automatik të tregut: kërkesës. Sa më shumë të rritet kërkesa për punë në treg, aq më shumë shtrydhen punëtorët. Dhe sa më e madhe papunësia aq më shumë kërcënohen punëtorët e punësuar. Rritja e kërkesës për punë rritet përmes lirisë së punës. Domethënë, përmes lëvizjes së lirë të punëtorëve brenda një vendi ose blloku ekonomik siç është BE-ja. Britania është një vend që pavarësisht zhvillimit teknologjik, punëtorët e saj punojnë më shumë orë nga çdo vend tjetër.
Franca e globalizmit neoliberal, për shembull, së cilës ish-presidenti Hollande i premtoi rritje punësimi etj., jo vetëm që gjëndet ekonomikisht më keq se Gjermania dhe Britania dhe papunësia është rritur por premtimi i 35 orëve në punë, me drekë të gjatë dhe pushime bujare, shoqërohet me këputje fizike dhe intelektuale. Sipas një studimi, 3.2 milionë punëtorë — rreth një në tetë e forcës punëtore — punojnë aq shumë saqë ata rrezikojnë rrënim fizik dhe intelektual.[8]
Vendosja e përjetimit të një minatori të Marikanës në Afrikën e Jugut titull nga “The Independent”, lidhur me dhunën dhe masakrën që u ushtrua mbi minatorët e minierave nga policia, të cilët kontrollohen dhe shfrytëzohen nga kapitali amerikan dhe karakterizimi si ‘aparteid’, është dëftues për punëtorët: ‘ti ke punëdhënësin, qeverinë, policinë dhe qoftë edhe sindikatat të punojnë së bashku. Hamendësohet se ata duhet të kujdesen për ne, por ata janë kundër popullit - ky është aparteid’[9]...citoi një puntor!
Këtej nga Perëndimi, ndërkohë, bukur fort na duket jeta me celular në dorë por kurrë —ose, thuajse kurrë, nuk pysim se nga vjen lënda e parë që përdorin ndërmarrjet e elektronikës. Një ndër lëndët kryesore që përdorin dhe që e prekim sa herë që marrim në dorë celularin, lapo-topin etj., për shembull, është kallaji. Rreth 30% e prodhimit botëror të tij nxirret nga “Bangka” dhe “Belitung”, ishuj të Islandës. Mesatarisht një minator vdes në javë nga kushtet e mjerueshme që mbizotërojnë dhe pyje, kafshë dhe ujra të tërë po shkatërrohen!
Me vend, rrjedhimisht, Monbiot e ngre këtë dhimbje në “The Guardian”[10] ku kërkon transaparencë nga ndërmarrjet. Trilionerët e Katarit, për shembull, në vazhdën e përgatitjeve të Lojrave Olimpike të vitit 2022, dhe duke ndjekur marrëzinë e përgjithshme që karakterizon perëndimin e dekadave të fundit për shpenzimet marramendëse për stadiume etj., masakrojnë punëtorët në nevojë duke mos i paguar, lënë pa ujë dhe ushqim dhe, shpesh duke i vrarë. Mesatarisht vdes një punëtor në ditë.[11]
Masakra me punëtorën në Shqipëri është e pashembullt. Për shembull, 300 punonjësit e kompanisë së naftës “Stema&Oil” ishin tre muaj pa u paguar përgjatë vitit 2011![12] Punëtorët që shfrytëzohen më shumë janë në sektorin e naftënxjerrjes, mineraleve dhe manifakturës. Ndërmarrjet konçesionare nuk paguajnë as taksat ndërsa qeveria merr borxhe që të majmë administratën publike dhe të zhysë vendin në borxhe.
Njëlloj ndodhi edhe me Greqinë: ajo u kthye një “shoqëri konsumatore me grurë të zier nga jashtë” që nga koha që zhvillimi i saj nuk mbështetej tek ekspansioni dhe reformimi i strukturës së prodhimit, por tek ekspansioni i vazhdueshëm konsumerist përmes huave.[13] Të gjitha këto kur “ekonomistët” ortodoksë matin jo prodhimin e brendshëm por konsumin. Të njëjtën “masë” ia ofrojnë qeverive ‘hua-marrëse’ me qëllim që ta shfrytëzojnë për propagandë.
Treguesi i PBB-së daton që nga koha kur ekonomia Keinsiane donte të zgjidhte problemin e inflacionit të vitit 1929-të në Amerikë dhe u hartua nga Simon Kuznts, i cili e sajoi në vitin 1934, duke marrë në konsideratë konsumin, investimet dhe shpenzimet e qeverisë, me qëllim që të krijonte një masë për zhvillimin ekonomik. Por të gjitha këto në kuadër të shtetit modern dhe politiave social-demokrate të shekullit të kaluar. Qoftë edhe ujësjellsat gjendet në sulmin e privatizimeve.[14] Në Greqi shpesh diskutohet për të njëtën çështje. Vetëm së fundmi BE-ja, dhe pas presionit të partive të majta, ka filluar të marrë masa për mbrojtjen e punëtorëve.
Lexo dhe këtë:
Korporatat: “të bashkuar qendrojmë, të ndarë mbretërojmë” & minimi i të drejtave të punëtoreve
Kjo shqyrtesë është përditësuar në datën 2 maj, 2024.
[1]The expensive ‘Italian’ shoes made for a pittance in east European swearshops, The Observer, 21 August 2016.
[2]DW, 12. 11. 2017.
[3]Shih, për shembull, The Dirty Politics of the Nobel Peace Prize, Dr. Peter Baofu, Pravda, 23.10.2014.
[4]The working classes deserve respect, Simon Kuper, FT,October 17, 2014.
[5]Slavery levels in UK 'higher than thought', BBC, 29 November 2014.
[6]More chance of dying from work than going to war - Intl Labor Organization, RT,August 31, 2014.
[7]European Agency for safety and Health that Work, EUROPEAN RISK OBSERVATORY REPORT, 2010.
[8]Life easy in land of the 35-hour week, The Independent, 28 Janar 2014.Official statistics suggest the French (41.2 hours a week) work slightly less on average than the Germans (41.9 hours) or British (42.8 hours).
[9] Anger of the Marikana miners: 'Police are against us. That's apartheid’, The Independet, 04 September 2012.
[10]Why is Apple so shifty about how it makes the iPhone?George Monbiot, The Guardian, 23 September 2013.
[11]Revealed: Qatar's World Cup 'slaves, The Guardian, 25 September 2013.
[12]Futen në grevë mbi 300 naftëtarë . Shqip, 2011-10-14.
[13]Η ΕΛΛΑΔΑ ΩΣ ΠΡΟΤΕΚΤΟΡΑΤΟ ΤΗΣ ΥΠΕΡΕΘΝΙΚΗΣ ΕΛΙΤ, T. Fotopulos, f, 73.
[14]Dy të tretat e ujit të pijshëm vidhet, Shqip, 2011-10-20.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 171 reads



