...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Është Turqia vendi tjetër i një “lufte të ndërmjetme dhe të gjatë” për Elitën Mbikombëtare?*

Ylli Përmeti

01/08/2017 - 20:03

Ndërsa Rusia e ndihmoi Ankaranë ‘pa kushte’ përgjatë grushtit — një zjarr masiv shpërtheu pranë bazës ushtarake të NATO-s në bazën ajrore të Incirlikut – ku, bashkë me bazën e Izmirit, janë stacionuar më shumë se 90 armë bërthamore taktike, më shumë se në çdo vend tjetër! Autoritetet turke dyshuan se ishte sabotazh anti-amerikan. Sidoqoftë, përplasjet e Erdoganit me perëndimin në përgjithësi dhe me Amerikën në veçanti, kryesisht lidhur me mbështetjen e kësaj fundit të Kurdëve, sollën tërheqjen e trupave ushtarake gjermane nga Incirliku dhe më pas blerjen e raketave ruse (S400) nga Turqia. Kundrejt kësaj blerje amerikanët iu përgjëruan Turqisë që të qendronte një aleate (dhe ‘kliente’, sigurisht) e besueshme për mbrojtjen ajrore të NATO-s. Blerjet arrijnë 3 miliard dollarë. Ndërsa armët ruse do të manifakturohen në Turqi si pjesë e një marrëveshje për “transferimin e teknologjisë” ruse. Kjo zhvendosje ushtarake vjen për herë të parë pas 65 vjetësh të anëtarësisë së saj në NATO. Përgjatë kësaj faze, sistemi aktual mbrojtës i NATO-s zbuloi një dizavantazh: ai është tejet i ngadaltë dhe turqit po e përdorin si argument kundrejt amerikanëve. Amerikanët lëvizën menjëherë për të lobuar kundër blerjes së mundshme të sistemit rus (S400) dhe për të siguruar blerjen e aeroplanëve luftarak (100 F35A) nga manifakturuesit e SHBA-së.[1] Por në fund, Turqia i bleu ato dhe shpërnjohu amerikanët.  

Ndërsa Erdogani gjendet me një këmbë në NATO dhe me një tjetër në Rusi...pas një pauze një javore dhe pas përplasjeve politike mes Erdoganit dhe Gjermanisë, kjo e fundit ndaloi projektet (kryesore) të armatimeve me Turqinë. Paralel me këtë ngjarje, Turqia përgatiti operacione ushtarake me milicë sirianë për t’i dërguar në Alepo dhe për të rimarrë qytete dhe fshatra arabe të pushtuara në vitin 2015-të nga njësitë kurde. Njëkohësisht, vetë kurdët e Irakut kanë deklarur datën e zhvillimit të referendumit për pavarësi (25 shtator 2017). Nëse zhvillohet dhe votohet për pavarësi – kurdët e Turqisë do të kërkojnë të njëjtin referendum. Por ngaqë Turqia e Erdoganit nuk do ta pranojë këtë kërkesë – lufta guerrile e kurdëve do të vazhdojë në Turqi. Sidomos nëse Erdogani përparon objektivin e tij për të dalë nga NATO-ja dhe integron vendin në Euroazi: sepse ky objektiv është i padëshirueshëm për elitën mbikombëtare në përgjithësi dhe NATO-n në veçanti. Kështu Erdogani në vend të përgatiste vendin e tij në të gjithë nivelet për këtë zhvendosje gjeopolitike, po luan në dy porta dhe në njëjtën kohë është “portë pazari” për dy portat e mëdha. Ai po luan edhe në një portë të tretë —me Gjeorgjinë dhe Azerbajxhanin— vende me të cilët kërkon të zhvillojë hekurudha, linja gazi dhe sigurisht dhe bashkëpunim ushtarak duke izoluar Armeninë — vendin ku Rusia po investon ushtarakisht dhe ka krijuar një ushtri të bashkuar.[2]

Në të vërtetë, të gjithë këta vende furnizohen me armë kryesisht nga Rusia. Si të tillë, ata janë të varur nga Rusia. Një portë tjetër, është përpjekja e Erdoganit për të krijuar në burim tjetër energjie (furnizim e gas) me Izraelin dhe Katarin, i cili do të rrjedhë në Europë përmes Linjës së Gazit Azerbajxhan-Turqi Trans-Anatolik (TANAP). Ky projekt synon të rivalizojë Rusinë në Europë dhe nuk lidhet me interesat amerikane. Por ai mund, sidoqoftë, shkaktojë dëm në synimet amerikane në Europë: konkurrojë monopolin e gazit që ajo kërkon të themelojë! 

Sidoqoftë, në këto kushte, largimi i Turqisë nga NATO-ja do të intesifikonte luftën e ndërmjetme dhe të gjatë mes Turqisë dhe Kurdëve. Në këtë luftë elita mbikombëtare do të merrte pjesë tërthorazi duke mbështetur popullin kurd dhe Rusia do të vrojtonte “teatrin” e ri nga Moska — dhe në të njëjtën kohë, siç duhet, Rusia mbështet luftën kurde. Populli kurd, në anën tjetër, e di mjaft mirë se ata po përdoren nga amerikanët në veçanti dhe nga vendet perëndimore në përgjithësi. Por ata shpresojnë se do t’i tejkalojnë ata në proces. Paralel me këtë proces perëndimi do të fillonte luftën ekonomike me Turqinë dhe do ta gjunjëzonte shumë shpejt.

Nëse, në anën tjetër, Erdogani tërhiqet nga objektivi i tij për t’u integruar në bllokun euroaziatik dhe qendron në bllokun euro-atlantik, është e sigurtë se do të zëvendësohet shumë shpejt me ndonjë ‘gylenist’ dhe do të hetohet nga gjyqatrët e rinj. Dhe ai e di këtë mjaft mirë dhe për të njëjtën arsye do të këmbëngulë në orientimin e tij për t’u integruar në Euro-azi ose ai do të përpiqet të përdorë principin e “distancave të barabarta” me fuqitë perëndimore dhe Rusinë. Por ky objektiv do të ishte i pamundur meqënse Kurdët do të shtyjnë planet e tyre. Dhe ndërsa ata shtyjnë, dhe reagimi i Erdoganit do të ishte shtypja e tyre dhe të shkojë edhe më të tej në integrimin rajonal...çarja mes Turqisë dhe perëndimit do të jetë më e madhe. Gjykuar nga objektivi i Elitës Mbikombëtare —ta mbajë Turqinë nën diktatin e saj— lufta e ndërmjetme dhe e gjatë— duke përfshirë në proces një luftë ekonomike, bëhet e pashmangshme!

Erdogani, rrjedhimisht, nuk do të përballet vetëm me rezistencën e klasës së ‘shekullaristëve’. Por edhe me nënklasën dhe klasën e mesme: sepse ato do të dëmtohen më shumë nga lufta ekonomike që mund të përdorë elita mbikombëtare...Dëftues është fakti që pas puçit ushtarak lira turke u zhvlerësua brenda pak orësh. Ajo u zhlerësua edhe një herë për shkak të deklaratës së kryeministrit turk se kushtetuta e re do të forcojë edhe më shumë pushtetin e presidentit. Për të njëjtën arsye, Erdogani i bëri thirrje popullit të këmbejë dollarët dhe eurot me lira turke, dhe institucioneve, të mbështesin devizën turke duke transferuar asetet e tyre nga devizat e huaja në lira dhe ar. Njëkohësisht, Turqia do të braktisë tregëtinë duke përdorur dollarë dhe euro. Në vend të tyre do të përdorë juanin dhe rublën meqënse Kina dhe Rusia janë partnerët e saj kryesorë. Pastaj vjen Gjermania.

Ajo deklaroi, gjithashtu, se do të tregëtojë me Iranin në rials. Por spastrimi i administratës publike nga mbështetësit e Gylenit dhe terrorizmi ka krijuar një klimë frike për investitorët dhe i ka lënë bizenset të paralizuara nga pasiguria. Në të vërtetë, pa grushtit Erdogani kishte një plan: të mbante bashkë ekonominë ndërsa do të kapte kushtetutën dhe pastaj do të përdorte qendrueshmërinë politike të premtuar me një rrogoz mirëpritës për investitorët. Por lira shkriu: pas rënies prej 12 për qind në dy javë tregëtare të vitit 2017-të, deviza, më shumë se çdo aspekt tjetër ekonomik, ekspozoi dobësitë më të mëdha të ekonomisë turke — narkotizimin e saj me importet dhe mbështetjen e saj në pará të huaja në kohën e pasigurive tejet të mëdha. Qeveria e Erdoganit fajësoi spekulatorët e devizave dhe agjencitë e vlerësimit për shqetësimin. Paniku i shkrepur nga efekti anësor i devizës së zgërlaqur përkeqësoi zymtësinë e sjellë nga spastrimi që duket se kurrë nuk do të mbarojë dhe që ka hyrë thuajse në çdo sektor të shoqërisë. Për bizeneset, rreziku më i madh është i padeklaruari — se ortakët e tyre sot mund të burgosen nesër, furnizuesit e tyre mund të mbyllen, bankierët e tyre mund të denigrohen dhe ekzekutivët e tyre të burgosen.

Qindra biznesmenë janë rrethuar dhe 10 miliard dollarë në asete nga më shumë se 600 ndërmarrje janë konfiskuar. Për nënpunësit e qeverisë, dhjetra mijëra e të cilëve janë paraburgosur ose pushuar nga puna, lëshimi i lejeve ose miratimi i tenderave bart të njëjtët rreziqe — pasiguria lidhur me padijen se nëse aplikanti yt ka lidhje gyleniste, ose do të akuzohet së shpejti për të qenë i tillë. Atmosfera në komunitetin e biznesit është përpirë në ankth dhe frikë. Tërmeti ka mbuluar me re realizimet e fundit të Turqisë: hapjen e tunelit euroziatik prej 1.3 miliard dollarë, i cili kalon poshtë Bosforit dhe kështu, tuneli euroaziatik nuk përbën ngjarje, dhe as diskutohen ndikimet në buxhet për një investim tejet të madh infrastrukturor. Pasiguria ndjehet përgjatë sektorit korporativ.

Ngjarjet po ndryshojnë aq shpejtë dhe me aq paparashikueshmëri saqë komuniteti më mirë pret për t’u qetësuar pluhuri se sa lëviz. Dhe ndërsa lira rrokulliset, mospërputhja mes huave të denominuara në deviza të huaja që zotërohet nga korporatat turke dhe asetet e tyre, është zgjeruar në 213 miliard dollarë. Dridhja ka goditur tashmë prodhimin ekonomik — rritja u tkurr me 1.8 për qind në çerekun e tretë të vitit të kaluar.[3]     

*Ky shkrim u publikua si fillim (31 korrik 2017) në Pravda International në anglisht. Varianti shqip është pak më i zgjeruar dhe është shkëputur nga një studim për gjendjen social-ekonomike dhe gjeopolitike të Turqisë me titull: 

Turqia: drejt diktaturës islamiko-neoliberale dhe luftës së ndërmjetme dhe të gjatë të Elitës Mbikombëtare?


[1]Turkey edges towards missile deal with Russia despite US plea, FT, July 14, 2017.

[2]Turkish military cooperation prompts Russian military moves in the Caucasus, Stratfor, Jul 11, 2015.

[3]Lira’s fall imperils Erdogan’s grand designs in Turkey, FT, 13 January 2017.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA