...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Një mbështetës i LGBT-së i përgjigjet idiotësisë së Fugës për “prindi 1 dhe 2”

Komuniteti LGBT që përbëhet nga njerëz që janë bij e bija, nëna e baballarë, vëllezër e motra, të afërm, miq e mikesha, nuk kërkojnë të zhdukin as nënën as babain

Kristi Pinderi

06/01/2023 - 16:21

Si t’ia themi profesor Fugës idiotësinë e tij?

Përgjigje Artan Fugës

Ka një problem interesant te dilema nëse duhet t’i përgjigjesh Artan Fugës për gjërat konfuze që ai thotë në lidhje me seksin, biologjinë, ligjet, Kushtetutën.

Problemi është ky: ç’mënyrë mund të ndjekë njeriu për t’ia mësuar një profesori universiteti disa gjëra që ai duhet t`i kishte mësuar vite më parë, e që sot duhet më së paku të ishte duke ua mësuar studentëve në auditorët e universiteteve?

Për shembull, si t’ia kumtosh një profesori i cili është anëtar i Akademisë së Shkencave, lajmin se seksi ndryshon nga gjinia? Apo se biologjia nuk është determinantja absolute në përcaktimin e gjinisë, se ka rol të madh sidomos kultura, mënyra si ne i shoqërizojmë fëmijët, lodrat që u japim për t`u rritur, veshjet, ngjyrat që përdorim për të lyer dhomat e tyre, toni i zërit me të cilin u drejtohemi, tolerimi, ose mostolerimi që u bëjmë disa sjelljeve apo disa të tjerave, mesazhet përsëritëse (shpesh në mënyrë shtrënguese e mekanike) me të cilat rriten ndryshe djemtë e ndryshe vajzat, pritshmëritë kulturore që e kufizojnë po ndryshe rolin e një vajze e ndryshe rolin e një djali.

Pra, si t'ia kumtojmë lektorit të teorive të komunikimit idenë që është shoqëria, kultura ku njerëzit lindin ajo që ua komunikon dhe ua policon rolet njerëzve që ditën e parë kur lindin (madje që pa lindur akoma) [...]?

Me kulturë nënkuptojmë jo vetëm këngët e Irmës dhe Erandës, jo vetëm xhubletat, as vetëm zërin e Irini Qirjakos, as vetëm çiftelinë, qilimat, recetat e ushqimit, as vetëm spektaklet e Vera Grabockës, apo skicat a çitjanet e Edi Ramës, por sidomos familjen dhe karakterin e saj, që më shumë se njësi biologjike është, siç e përcakton Martin Packer, “një mjedis i organizuar kulturalisht”, pra një kulturë brenda së cilës ne, secili prej nesh lind, ku marrim pjesë e me të cilën shkrihemi (e me raste edhe e ndryshojmë) [...].

Pra, si t’ia tërheqim vëmendjen prof. Fugës që të merret me kulturën më mirë, se sa me biologjinë?

Si t’ia themi, në një mënyrë që të mos jetë fyese, një lektori që jep lëndën e komunikimit ndërkulturor se grua (por edhe burrë) nuk lind, por bëhesh [...]? Se, cicat, a kofshët, a krahët e fryrë, faqet me qime, këmbët e depiluara, apo siç thotë vetë profesori “diçkaja e fryrë poshtë mbathjeve”, këto të gjitha nuk mjaftojnë për të na bërë grua a burrë?

Meqë jemi te Simone De Beauvoir, si mund t’ja themi shkurt e pastër atë që De Beauvoir e ka thënë mjaftueshëm pastër? E që është: “Trupi i gruas është një nga elementët esencialë të gjendjes që ajo zë në këtë botë. Por trupi i saj nuk mjafton për ta përkufizuar atë; vetëm biologjia nuk na jep dot një përgjigje për pyetjen që na shqetëson: pse është gruaja Tjetra?”

Pra, si t’ia themi pa e lënduar se mes asaj që burrë a grua të bën “diçkaja brenda pantallonave” dhe asaj që thotë Simone De Beauvoir, sipas së cilës grua nuk lind, por bëhesh, ka të drejtë pikërisht De Beauvoir dhe jo Fuga?

Si t’ia shpjegojmë pastaj kontributin themelor të Margaret Mead që na e ka thënë disa dekada më parë se nuk është biologjia që përcakton tiparet e njeriut, por kultura [...]?

Që një profesor të ketë interes ndaj një ideje, duhen disa fakte empirike, si për shembull, t’ia paraqesim atij, pa e fyer, se në kulturën e Mundugumorëve që zbuloi Mead, rolet gjinore nuk ekzistonin, sidomos se të dyja sekset ushtronin role që profesori do i konsideronte sot si role ekskluzive për burrat?

Apo se në shoqërinë Tchambuli kishte vërtet role gjinore, por këto ishin krejt të kundërta nga ato që njeh prof. Fuga - pra atë që Fuga mendon se bëjnë burrat për shkak të biologjisë së tyre e bënin gratë - dhe atë që sipas Fugës duhet ta bëjnë gratë për shkak të biologjisë, në fakt e bënin burrat - e që ishin të përcaktuara jo nga biologjia por nga kultura dhe historia e tyre?

“Je bashkëshort 1 ose 2, ose 3, kur paguan taksat e bashkisë sado të kripura të jenë”, shkruan Fuga, “por kur merr leje barre je grua se burrë nuk mbetesh dot shtatzanë”.

Po si t’ia thuash profesorit që në vitin 2023 në vendet perëndimore por edhe në vende si Shqipëria lejen e lindjes nuk e merr vetëm gruaja por edhe burri? Lejet prindërore ‘maternity’, ‘paternity’ dhe/ose ‘paternal leave’, jepen sot për prindërit që lindin por edhe për ata që adoptojnë një apo më shumë fëmijë, si dhe për partnerët e tyre që nuk lindin.

Në Shqipëri këtë leje të lindjes e përfitojnë edhe burrat mjaft të kenë paguar sigurimet, që nga viti 2014. Se prindër, nënë e baba, nuk të bën as sperma e as veza, as mitra e as penisi (të paktën jo vetëm ato), por sidomos koha e përkushtimit pa kushte ndaj fëmijës, jeta që jeton me fëmijën, kujtimet që formon me të, qoftë kjo fëmija biologjik apo jo.

Megjithatë, paniku i profesor Fugës nuk ishte vetëm për çështjet e gjinisë, rolet gjinore, rolin përcaktues të biologjisë në to. Ishte një shkrim që denonconte atë që ai e quan “eksperiment social me zarar, për të zëvendësuar terminologjinë “baba”, “nënë” me termat, Prindi 1 dhe Prindi 2.”

Mendova se mos kishte dalë ndonjë informacion i ri dhe më trembi sidomos ajo fjala “eksperiment”.

Po ç’të jenë këta që bëjnë eksperimente të tilla?! Po si ka mundësi që bordet e etikës së insitucionit shkencor u kanë dhënë lejen për të vazhduar eksperimentet me jetët e njerëzve, pa i informuar njerëzit më parë? Ç’bord etike na qënka ai? Nëse s’ka leje, ç’eksperiment social na qenkërka ky pa leje?

[profesor Fuga në fakt, thotë e kishte të dëgjuar. Kritikoi, në fjalë të tjeta, një pretendim pa e hetuar. Kush? Profesori që kualifikon gazetarët! SHJ]

Tani, dikush që nuk e di dallimin mes seksit dhe gjinisë, rrezik nuk e di as që seksi nuk përcaktohet dot vetëm nga penisi apo vagina, se mund t`i kesh të dyja, të dukshme ose të padukshme deri në një moshë të caktuar, e as vetëm nga kromozomet se mund të kesh kromozome XX edhe XY, por mund t’i kesh edhe të dyja në një gjëndje natyrore siç ndodh me shumë individë interseks, e nuk përcaktohet as nga karakteristikat dytësore seksuale siç mund të jenë qimet në fytyrë, zëri, apo gjoksi, sepse secila prej tyre, ose të gjitha bashkë mund të kenë variacione në moshë të ndryshme që ekzistojnë natyralisht në personat interseks. Vallë të mos e dijë as edhe që eksperimentet bëhen pasi kalojnë në sitën e bordeve të etikës?

Po nëse s’janë kolegë akademikë të profesorit, ç’të jenë vallë këta që na bëkërkan eksperimente sociale në Shqipëri? Të jenë vallë humanoidët Na’vi në planetin imagjinar Pandora të Avatarit?

Në fakt nuk ka asnjë eksperiment, por vetëm një debat i ndërtuar mbi të pavërteta që synon të ngjallë panik në shoqëri, e që përmes këtij paniku të skajojë një komunitet të tërë dhe të mbajë të ngrirë nevojën e Shqipërisë për të ecur përpara drejt standarteve të Europës.

Komuniteti LGBT në Shqipëri të cilin një masë dërrmuese e njerëzve e shikojnë si autor të këtyre eksperimenteve sociale që përmend Fuga, nuk kërkon të ndryshojë mënyrën si fëmijët i njohin prindërit e tyre dhe as mënyrën si ndërveprojnë me ta. Komuniteti LGBT që përbëhet nga njerëz që janë bij e bija, nëna e baballarë, vëllezër e motra, të afërm, miq e mikesha, nuk kërkojnë të zhdukin as nënën as babain (po si mundet t’u japësh njerëzve pushtetin që në të njëjtin shkrim ia ke dhënë natyrës determinante të biologjisë?), e as të ndërtojnë role të reja. Ata kërkojnë që të njihen para ligjit dhe para shtetit për rolin që ata/ato kanë në familjet e tyre.

Për shembull, dy nëna lezbike që rrisin dy vajzat e tyre në Shqipëri duan që të figurojnë në çertifikatat e binjakeve të tyre. Kjo është një e drejtë themelore e njeriut. A mundet t`i thuash një nëne apo edhe një babai apo dy prindërve çfarëdo që ata nuk kanë të drejtë të figurojnë në çertifikatat e fëmijëve të tyre?! A mundet ne të jemi një shoqëri që nuk ua lejojmë fëmijëve tanë të jenë fëmijët tanë?!

Prof. Fuga i kishte alergji ato që i duken “paradokse logjike”, ndaj e kam të pamundur mos ia kujtoj që të gjithë këtë panik që ka konstruktuar në Facebook-un e tij e ka të palogjikshëm.

Po si more profesor e zhbëre gjithë atë argument për rëndësinë e biologjisë dhe e shndërrove në hi e pluhur me vetëm një çertifikatë imagjinare?!

Po pse more, çertifikata e lindjes që lëshon Gjendja Civile paska pushtet të ndryshojë “dy gjinjtë e nënës që baba nuk i ka”, apo “diçkanë e fryrë poshtë mbathjeve” të babës?!

Po pse more profesor, marrëdhenien që ne kemi me prindërit tanë, ndërveprimet që ne kemi me ta i mësojmë te Gjendja Civile apo në shtëpi? Po ata qindra mijëra shqiptarë të diasporës që jetojnë në një nga vendet perëndimore që e mbron të drejtën e familjeve LGBT për të patur jetë familjare, shteti ua mëson kulturën e shtëpisë ku kanë lindur?!

“Eshtë antiligjor” shkruan më tej Fuga, “sepse bie ndesh me Kodin e Familjes, pra indirekt edhe me Kushtetutën ku ky ligj bazohet”.

Pra, sipas kësaj logjike që të biesh ndesh me Kushtetutën, duhet më së pari të biesh ndesh me Kodin që është një shkallë më poshtë, ose e thënë ndryshe, që të shkelësh Kushtetutën duhet të shkelësh më parë Kodin!

Po sa flagrantërisht i paditur duhet të jesh për të mos e kuptuar që mund të shkelësh Kushtetutën edhe pa e shkelur Kodin?! Po sa i paditur duhet të jesh që të mos e kuptosh se vetë Kodi i Familjes mund të jetë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës që kërkon mbrojtjen e së drejtës së gjithsecilit për të patur jetë familjare, ndërsa Kodi i Familjes e garanton këtë të drejtë vetëm për disa?! Në një rast të tillë duhet ngushtuar Kushtetuta meqë Kodi është i ngushtë, apo zgjeruar Kodi që t’i ngjajë Kushtetutës?

[Pretendimi i Fugës, në fakt, shkel kodin familjar por jo kushtetutën]

“Historia Ime”, që është zëri kryesor në Shqipëri për të drejtat e komunitetit LGBT, i ka bërë një pyetje prof. Fugës. Pyetja është, a kanë të drejtë prindërit LGBT që të jenë në çertifikatat e lindjes së fëmijëve të tyre?

Ja disa shembuj nga bota:

50 shtetet amerikane u japin mundësinë të gjithë prindërve që të shënohen në çertifikatat e fëmijëve të tyre. Dy nëna apo dy baballarë që rrisin fëmijët e tyre kanë të drejtë të kenë emrat e tyre në çerfikatat e lindjes. Janë dy nëna, apo një nënë e një baba, apo dy baballarë, ata kanë njësoj të drejtë për t`u mbrojtur gjatë kohës që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore ndaj fëmijëve të tyre.

Kanadaja po ashtu. Në British Columbia emërtimet nënë e baba nuk figurojnë në çertifikatë jo pse fëmijët nuk kanë nënë ose baba por sepse çertifikata është një mjet ligjor që ndërton një kornizë brenda së cilës fëmija nis të ndërtojë marrëdhëniet me shtetin, jo me nënën e as me babain.

Aty nuk shkruhet Prindi 1 apo prindi 2, por vetëm emrat e dy prindërve, pavarësisht gjinisë a seksit të tyre. E nëse ka ndonjë shqetësim se kush emër shkruhet më parë, edhe këtë shqetësim e kanë zgjidhur kanadezët. Ka provinca që i shkruajnë emrat paralelisht në një kolonë horizontale, duke e zgjidhur (në një mënyrë alla labçe do thoshte dikush) atë mediokritet dhe dembeli mendore që përpiqeni të ushqeni ju.

Nga 27 vende të BE, 16 prej tyre e garantojnë këtë të drejtë. Prindërit zgjedhin si do figurojnë në çertifikatat e fëmijëve të tyre.

Pra, nuk është çështja të arrestojmë të drejtat e atyre që tashmë i gëzojnë këto të drejta, por t’u garantojmë atyre që nuk i kanë këto të drejta që t`i gëzojnë ato. Pra nuk është çështja si të përjashtojmë ca, që të shtojmë ca të tjerë, por si të mos përjashtojmë asnjë nga mbrojtja ligjore.

11 vendet e tjera të BE kanë dhe ato një vizion të qartë përpara: Një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut kundër Bullgarisë ka përcaktuar se fëmijët e prindërve të së njëjtit seks duhen njohur si familje, edhe nëse kodet nacionale të familjes e përkufizojnë martesën si një marrëdhenie mes një burri dhe gruaje.

Ndërkohë që vendet mund të ruajnë natyrën tradicionale të atij përkufizimi, kjo nuk do të thotë se format e tjera të familjes (ajo birësuese për shembull, apo familjet e krijuara përmes bashkëjetesës) të mos gëzojnë mbrojtjen ligjore, përfshirë të drejtën e prindërve për të patur emrat në çërtifikatat e fëmijëve.

Aty do të shkojë edhe Shqipëria. Do apo nuk do profesor Fuga.

Dhe meqë ra fjala, profesor, kjo nuk është temë e lirisë seksuale, siç qëllimisht (ose për shkak të padijes) e zvogëlonit ju çështjen politike të komunitetit LGBT për t’i bërë ligjet e vendit të tyre më të drejta.

Zvogëlimi i temave të drejtësisë sociale në çështje të seksit, do e bënte edhe Michel Foucault të përpëlitej në varr. Ai e ka argumentuar në mënyrë brilante se ky proçes për ta burgosur njeriun në një diskur [ligjërim] seksual, pra për t`i dhënë diskurit të seksit rolin për ta përkufizuar njeriun, ndodh për shkak të marrëdhënies fluide që seksi ka me pushtetin dhe njohurinë.

Në momentin që seksi shndërrohet në një diskur publik pra është bërë “njohuri” (matter of discussion, a matter of knowledge), është shndëruar kështu edhe në burim pushteti që buron nga njohuria:

Kush flet për seksin? Kush di për të? Kush ka të drejtë ta interpretojë? Kush e ka informacionin për të? Kush është “ekspert” i seksit? Kush e përcakton se çfarë është normale e çfarë jo? Çfarë është homoseksuali? A është përvers, a është "personage"?

A t’i japim lirinë të bëjë seks? Po si ta bëjë seksin? E kështu me rradhë.

Ironikisht, jeni i vetmi njeri që flet për lirinë seksuale, në një mënyrë që pastaj e merr si argument dhe e mbështet kryepolici shqiptar i seksit, Akil Pano!

Absolutisht “Fukojane” kjo situatë kur ju i jepni komunitetit LGBT ‘të drejtën’ apo ‘aprovimin’ për liri seksuale e në të njëjtin postim ju përgëzon ‘seks-polici’ shqiptar Akil Pano.

Bëheni kështu dy individë që kanë aty nevojë për seksin – ose më saktë për seksin si objekt bisede, si diskurs publik – që të marrin prej saj pushtet.

Siç Foucault do argumentonte, komplimentimet tuaja (tuajat dhe të Akil Panos) të ndërsjellta, menjëherë sapo ju na ‘jepni leje’ që “le të ketë qejf burri me burrin dhe gruaja me gruan”, pra “secili në qejf të vet”, janë prova më e gjallë empirike në daçi, se si e folura për seksin nuk bëhet për të na ndriçuar mbi ndonjë të vërtetë a mbi diçka që nuk e dimë, por bëhet që t’ju japë juve pushtet, si medemek forca disiplinuese, siç do thoshte prape Foucalt, paçka se disiplinimi juaj funksionon përmes Facebook e shtrihet te një masë e madhe e paditur, e jo përmes institucioneve si burgu, spitali, a shkolla.

Ju pra, forca disiplinuese që ju jep ky fuzion kitsch mes jo-tamam-priftit e jo-edhe-aq-filozofit dhe solidariteti i ndërsjelltë në publik, ju duhet diskuri publik për seksin, si mjet për të ushtruar pushtet, një pushtet që ju legjitimon përsiatjet në Facebook (në rastin tuaj prof. Fuga) ose shton relevancën publike (në rastin e seks-policit Akil).

Një fuzion pushteti që gazetari Ervin Qafmolla e satirizoi në mënyrën më origjinale dhe brilante të mundshme, kur ju komentoi: “U laga duke dëshmuar shkëmbimin me kaq dashuri mes ju të dyve”.

*Shkrimi është ndrequr nga redaksia si lidhur me drejtëshkrimin ashtu dhe lidhur me një nga parimet tona: se fjalët e huaja zëvendësohen me fjalë shqipe pavarësisht se disa fjalë të huaja i kemi lënë. Shkrimi ka dhe shumë pasaktësi. Por e publikuam si opinion për të nxitur si Fugën që të edukojë veten ashtu dhe mbështetësist e LGBT-ve që të jenë më të drejtë në kritikë. Për shembull, autori mundohet të tregojë se është kultura që e përcakton karakterin e gjinisë tek njerëzit dhe jo biologjia apo kodi gjenetik. Ky është një argument i padrejtë pavarësisht se autori përmend disa raste. Arsyet i tregon Ylli Përmeti në një studim. Ndaj dhe kudo ku janë shtuar kllapa katrore, tregohet se autori ka qendrime të gabuara dhe ftohet t`i qartësojë ata. SHJ   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA