...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Për shtresat sociale në nevojë: lëmoshë apo përgjegjshmëri qeverisëse?

Humanizmi dhe bamirësia që përdoren ligjërisht në sektorin privat dhe publik si shfrytëzim i shtresave në nevojë duhet të jetë e ndaluar dhe si i tillë duhet të ndëshkohet si shfrytëzim i njeriut ndaj njeriut për sa kohë që nuk luftohen shkaqet e gjendjes së tyre nga qeveritë.

Genta Kaloçi

22/07/2019 - 12:08

Ka disa kohë e disa fundjava që po ndjekim një aktivizim të medias dhe rrjeteve sociale në sensibilizimin e publikut për akte humanitare ndaj njerëzve në nevojë. Personalisht nuk kam asgjë kundër akteve të tilla, por kam kundër hipokrizisë që ekziston te ne si shoqëri. 

Na pëlqen të tërheqim pak vëmendjen për veprimin/aktin tonë human ndaj dikujt në një situatë të vështirë të jetës, por nuk kemi aspak seriozitetin dhe përgjegjshmërinë të merremi me shkaqet, arsyet e kësaj gjendjeje të rrënuar, të degraduar deri në atë pikë që mbijetesa e një pjese të popullsisë të varet nga akte humanizmi. Ajo që më bën përshtypje është sesi pranohet kaq lehtë lëmosha ndërkohë që dinjiteti është zhdukur. Pranohet lëmosha si formë dhe si sjellje normale në një shoqëri që gjoja nuk drejtohet nga instinktet dhe nga vendime sipërfaqësore: një shoqëri që ka institucione, që ka struktura, që ka mjetet shtetërore për t`i kontrolluar fenomene të tilla—në një vend me një popullsi qesharake prej jo më shumë se tre milion, me administratë shtetërore, fonde, buxhete që fluturojnë në llogaritë jashtë vendit, me organizata e shoqata kundër varfërisë e mjerimit që thithin fonde nga bashkimi europian apo nga firma private gjoja për të ‘zbutur’ mjerimin e varfërinë. 

Një shoqëri që vjedh, që mashtron, që korrupton gjithë ditët e javës dhe në fundjavë vesh rrobat e bukura e të pastra të “humanitares” për të bërë një rubrikë televizive, një foto me lotët e mjerimit — për t`a postuar në rrjetet sociale duke treguar fytyrën antinjerëzore, por me etiketimin e “humanizmit”. 

Hipokrizia e kësaj shoqërie ka arritur deri aty sa të dyja palët (humanistët dhe mjeranët) ndiehen të kënaqur dhe të plotësuar me këtë pamje. Një gjendje të tillë unë personalisht nuk mund ta pranoj, është dëshpëruese, trishtuese, e dhimbshme, është një tregues i një shoqërie që të drejtat e saj bazë të njohura në kushtetutë i ka zëvendësuar nga nevoja për pak lëmoshë në të gjitha sektorët e jetës. Lëmoshë për punë nga deputeti, nga shefi, nga miku, nga komshiu i kushuririt, nga dashnori/ja, lëmoshë për gjithçka ndaj gjithkujt dhe nga të gjithë. 

Kjo gjendje do duhej të na dridhte, të na trondiste, të na bënte të kërkonim dinjitetin tonë përditë, duke kërkuar rritjen e rrogës minimale në sektorin shtetëror e privat, të kërkojmë pagesën e sigurimeve shoqërore nga punëdhënësi në vend të mjaftohemi nga frika me lëmoshën e shefit nën etiketimin e nderit apo borxhit...mirë që kemi punë dhe mos fol se ngelesh pa punë e pa rrogë fare, pëshpërisin punëtorët! 

Si mund të mos flasësh kur shikon një shoqëri që buzëqesh e zgërdhihet për dy qese miell e dy kuklla barbi? Si mund të rrish pa ngritur zërin kur vëren që të gjithë me vetëdije ose pavetëdije jemi bërë pjesë e kësaj parade qesharake që degradon vlerat njerëzore në një shoqëri që duhet të vepronte me program, ligje, rregulla e veprime racionale, dhe nuk duhet të varet nga sporaditeti, spontaniteti, instinktet dhe impulsiviteti? 

Në këtë gjendje shumë çështje më tërheqin vëmendjen dhe ngre pyetjen vetvetiu se si ka mundësi që politika prej çerek shekulli është majmur duke vrarë mendjen se ku do të kalojë pushimet stinore, sesi të vjedhë më shumë nga konçensioni i radhës? Por nga ana tjetër pa menduar aspak për politika sociale për të cilat dhe në bazë të tyre i kemi votuar dhe përkrahur politikisht. Politikat sociale mbase s`janë zgjidhja e dëshiruar, zgjidhja më e mirë për dikë ose më e favorshmja, por janë veprime të studiuara, të kalkuluara mirë e të mbartura nën kontroll e monitorim të vazhdueshëm në mënyrë që të minimalizojnë raste të tilla në shoqërinë tonë. 

Pa u përballur në mënyrë të rregullt dhe konstante duke luftuar shkaqet që prodhojnë fenomene të tilla nuk mund të çlirohet shoqëria—pa i dhënë vëmendjen e duhur dhe pa u marrë seriozisht me to. 

Vetëm me studime specifike, përballje serioze të ndërrmara nga pushteti qendror dhe lokal mund të përballemi me fenomene e raste të tilla, duke zbutur pasojat e degradimit ekonomikosocial që janë të ashtuquajturat sjellje defiçente e sjellje kriminale. Indiferentizmi ndaj tyre do të na kthehet në bumerang në jetën tonë. Të gjitha janë të lidhura në shoqëri, çdo vendim dhe veprim që marrim ose nuk ndërmarrim: ka kosto marramendëse në cilësinë e jetës, por dhe në afatgjatësinë e jetës së popullsisë, në të cilën bëjmë pjesë dhe ne. 

Nuk mund të mos përmendet edhe paradoksi se kapitalizmi përdor mjetet dhe veglat e punës së socializmit, siç janë veprimet dhe puna vullnetare. 

Vetëm një sqarim popullsisë me vetëdije tendencioze dhe asaj pa vetëdije se vullnetarizmi në një shoqëri të përbashkët ishte virtyt dhe motorri lëvizës i pronës së përbashkët bashkë me solidaritetit. Individi ishte aksioner në pronën e përbashkët dhe varfëria përpjestohej dhe ndahej në mënyrë të barabartë. 

Kurse sot vullnetarizmi përdoret, shpërdorohet, shfrytëzohet nga të gjithë sektorët e kapitalizmit, nga shteti, nga privati, nga organizatat për të përvetësuar fondet, ndërkohë që puna paraqitet me tabelën e reklamës dhe etiketimit të humanizmit dhe bamirësisë.

Humanizmi dhe bamirësia që përdoren ligjërisht në sektorin privat dhe publik si shfrytëzim i shtresave në nevojë duhet të jetë e ndaluar dhe si i tillë duhet të ndëshkohet si shfrytëzim i njeriut ndaj njeriut për sa kohë që nuk luftohen shkaqet e gjendjes së tyre nga qeveritë. 

Por nga kush do të dënohet kur kapitali (paraja) është kulti dhe idhulli i shoqërisë së sotme?

Solidariteti dhe bamirësia nuk duhen të ngatërrohen me lëmoshën, këtë dallim mund ta bëjë vetëm individi në një shoqëri të emancipuar, arsimuar, e kulturuar. 

Më kryesorja ndër të tjera është të mësojmë brezat e rinj të luftojnë të fitojnë vlera, të drejta, të njohin përgjegjësitë dhe të ndërgjegjësohen për detyrat e qeverive në mënyrë që të mos presin fundjavën dhe lëmoshën e radhës.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA