...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Sokol Haliti turpëroi Kurtin dhe tani po mashtron shqiptarët e Zvicrës për “parkun industrial” në Viti

Sokol Haliti dhe zëdhënësit e tij e mohojnë projektin brenda komunës së Vitisë, por e nxisin atë jashtë saj. Tani e quajnë “gabim” brenda dhe “mbrothësi” jashtë!

Labinot Gjini*

19/03/2024 - 15:12

Javën e kaluar “Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër” mbajti një konferencë ku të ftuar ishin edhe tre kryetarë komunash nga Kosova. Ndër ta aty ishte edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Në “ekspozenë” e tij, Sokol Haliti tha se në Viti janë krijuar kushte të dobishme për investitorët duke thirrur në vënien në punë të “Parkut Industrial” në Budrikë. Por çka nuk tha është se ai “Park Industrial” është i vendosur në vendin ku natyra ka udhërrëfyer krijimin e një liqeni.

Pra, në “ekspozenë” e tij ai nuk e kishte përmendur faktin se aty ku është bërë “Parku Industrial” është pika më e ulët në komunën e Vitisë dhe aty mblidhen të gjitha ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore të gjithë pellgut. Nuk iu tregoi se një projekt i tillë mund të cilësohet, pa asnjë mëdyshje, si marrëzia më e madhe e shekullit në mbarë botën e civilizuar. Apo, thënë ndryshe, një skandal politiko-ekonomik që do të mbahet mend brez pas brezi.

Dy vite më parë eksponentët e Sokol Halitit, së bashku me të, lavdëroheshin për atë projekt duke i marrë të gjitha meritat për vete. Pas denoncimit vijues që ka bërë Aleanca- Dega Viti të atij projekti skandaloz, tani, po këta eksponentë trumpetojnë poshtë e lart se Sokol Haliti s`ka të bëjë me të.

Ishte projekt i ministrisë, na thonë tani! Besa, për t`u distancuar nga ky projekt, Sokol Haliti, duke pasur kontroll të tërësishëm mbi Kryesinë e LVV në Viti, arriti t`ia “lidh këmbët arushës” Albinit në fillim të dhjetorit të kaluar. Ky i fundit, axhami e i izoluar siç ishte, kishte ardhur për ta lavdëruar atë projekt pa pasur asnjë lidhje me të dhe pa u njoftuar fare me të vërtetën e tij, çka e rivërtetoi për qytetarët edhe një herë se në krye të vendit kemi një Kryeministër që mendon dhe vepron sipas llafeve të kooridoreve; dhe jo sipas dijes shkencore.

Pra, Sokol Haliti dhe zëdhënësit e tij e mohojnë projektin brenda komunës së Vitisë, por e nxisin atë jashtë saj. Tani e quajnë “gabim” brenda dhe “mbrothësi” jashtë! Pasi ia shiti ”marrëzinë” e tij Albinit, i fituar dhe në vetëbesim, tentoi t`ua shiste edhe biznesmenëve shqiptarë të Zvicrës!

Ajo zonë është për t`u bërë liqen artificial ashtu siç e kërkon nëna natyrë dhe ashtu siç e kërkon interesi turistik i Vitisë. Ato 1.7 milion zhavor që ka hedhur në ujë Sokol Haliti, ne do t`i ripërdorim për rregullimin e liqenit me qëllim që të minimizojmë humbjet e atij investimi, i cili s`mund të cilësohet ndryshe përpos se “skandaloz”.

*Autori është kandidat i AAK-së në Viti

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA