...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Veprimi “djallëzor” i virusit në qelizat tona dhe nevoja për të besuar në shkencë

Ky virus kaq i tmerrshëm, që është kryefjala e çdo lajmi mediatik këto ditë, sepse shkakton COVID-19, është një virus që materialin gjenetik e ka prej ARN-së dhe të gjatë rreth 30,000 baza te azotuara

Rigers Bakiu

19/03/2020 - 20:25

Këto ditë tema më e nxehtë në media dhe shqetësimi i pjesës më të madhe të njerëzimit mbarëbotëror është kjo “qënie” me karakteristika arkaike por në të njëjtën kohë me një dinakëri djallëzore. Duke qenë se ruaj ende pasionin e një biologu molekular (që fatkeqësisht nuk munda ta kultivoj në Shqipëri, ku kërkimi shkencor përmëndet vetëm kur duhet përgatitur ndonjë raport për Bashkimin Evropian, pavarësisht drejtimit të qeverive, majtas apo djathtas) fokus i disa studimeve të mia (që i vazhdoj me kolegë jashtë trevave shqipëtare) është trajtimi i problematikave që lidhen me sindromat apo infeksionet për nga pikëpamja e evolucionit molekular.

Për të arritur në zgjidhjen e problemit sipas logjikës shkencore duhet të shkojmë në origjinën e problemit, që duke qenë se përfaqësohet si problem i shkencave biologjike, i tillë problem fillon të formësohet nëse i përmbahemi Teorisë së Evolucionit (edhe pse kohët e fundit ështe paraqitur në disa variante).

Gjithësesi, tashmë e pranuar nga nje komunitet i gjerë shkencor, origjina e jetës në tokë patjetër ka ardhur nga Acidi Ribonukleik (ARN-ja), që më pas u konvertua në ADN. Sëbashku me këtë dhanë proteinat (ku gjithësesi ka ende të panjohura), të cilat më pas duke bashkëvepruar me njëra-tjetrën (e molekula të tjera) krijuan një organizëm të ngjashëm me atë që ne e quajmë “të gjallë”. Ky organizëm gjate evolucionit i dha origjinën organizmave prokariot (si psh. bakteret) e me pas atyre eukariot (algat), të cilat më pas u dhanë origjinë organizmave shumëqelizor, duke arritur tek njeriu.

Pikërisht ky virus kaq i tmerrshëm, që është kryefjala e çdo lajmi mediatik këto ditë, sepse shkakton COVID-19, është një virus që materialin gjenetik e ka prej ARN-së dhe të gjatë rreth 30,000 baza te azotuara (apo “germa gjenetike” që kanë një kuptim sipas kodit gjenetik që përdoret). Pra ky virus është një prej viruseve me materialin gjenetik më të gjatë, ku ndodhen të pakten 6 ORF (open reading frames), të cilat japin informacionin e nevojshëm për të krijuar proteinat virale në brendësi të qelizës së infektuar.

Kujdes! Ajo që e bën këtë virus vërtet të rrezikshëm është strategjia që ndjek ai i kategorisë Virus ARN me polaritet +, sepse ndryshe nga viruset me polaritet – (si Ebola, i konsideruar virusi më i tmerrshëm në botë, të pakten për simptomat), viruset me polaritet + sillen menjëherë si ARN-ja kumtuese duke dhënë informacionin për të “shtypuar” proteina virale dhe duke shfrytëzuar dinakerisht “shtypshkronjën e qelizës se infektuar” të përfaqsuar nga ARN-ja polimeraza. Kjo makineri proteinike përkthen informacionin e ARN-së kumtuese në sekuenca amino-acidesh. Këto i japin origjinë peptideve e më pas proteinave. Në këtë rast vetë qeliza pa e ditur prodhon proteina virale: një pjesë e tyre shkojnë për të paralizuar sistemin imunitar të pacientit, një pjesë mashtrojnë formatoret (proteina që shërbejnë për t`u dhënë formën funksionale proteinave qelizore) dhe arrijnë deri aty sa me dinakeri të mashtrojnë qelizën e infektuar, duke e detyruar të prodhojë proteaza (proteina me veprimtari katalitike që shërbejnë si gërshërë për të bërë në copëza të ndryshme proteinat e vete qelizës) duke e nxjerrë mbrojtjen brëndaqelizore dhe ndërqelizore jashtë funksionit.

Gjithashtu, në të njëjtën kohë prodhohen edhe proteinat spike, që marrin trajtën e glikoproteinave (tepër të rëndësishme për të lejuar hyrjen e viruseve në qeliza të tjera). Një tjetër informacion i rëndësishëm është që në të njëjtën kohë ndodh edhe shumëfishimi i ARN-ës së dyfishtë të sapokrijuar sipas stampës së ARN + (që tenton të fshihet në poret e rrjetit endoplasmatik) për të shpëtuar nga mekanizmat e mbrojtes në stadet fillestare.

Pra në një kohë relativisht të shkurtër kemi një numër ekstremisht të madh virusesh, që pasi kanë shfrytëzuar gjithë burimet e qelizës, atëherë e shkatërrojnë atë duke dalë jashtë (si çdo virus) për të infektuar qeliza të tjera. Mbase kjo ndodh duke marrë me vehte edhe një pjesë të lipideve të membranës qelizore (mbi kapsulën virale).

Duket si një skenar fantastik ky që paraqitet në këtë proces të ndjekur për mbijetesë nga kjo “inteligjencë”, që qëndron midis asaj artificiales dhe natyrores, por është e vërtetë bazuar në publikimet e shumta mbi virologjinë dhe proceset molekulare, të nxjerra në dritë nga përkushtimi i komunitetit shkencor mbarëbotëror (të përfaqësuar shpesh edhe nga Nobelistë).

Dinakëria e këtij virusi arrin deri aty sa të krijojë një stuhi citokinash (cytokines storms) kundrejt qelizave të mushkërive në stadet e përparuara, duke mos u marrë më me qelizat individualisht. Kjo stuhi citokinash e mbulon një pjesë të mirë të mushkërive duke e paraqitur këtë organ si diçka të huaj për sistemin tonë mbrojtës (që për moshat e reja e jo vetëm është tepër i fortë). Pra arrin të detyrojë organizmin e pacientit për të filluar një proces vetëshkatërimi.

Në fakt, prej kohësh e kam vërtitur në mëndje, në ato pak momente meditimi se viruset mund të ishin shkatërrimi i vetëm me këtë kontroll të krijuar mbi botën për shkak të zhvillimit teknologjik që pasoi zhvillimin kulturor për njerëzimin. Kjo lidhet me leksionet e Virologjisë që kisha ndjekur dikur në Universitetin e Padovës, ku nga profesori i asaj kohe u vu theksi tek shpërthimi i pakontrolluar i pandemive për shkak të numrit relativisht të lartë të mutacioneve dhe zhvillimi i shpejtë i teknologjisë së transportit. Fatkeqësisht ndodhi dhe pikërisht atëherë kur po përgatiteshim për të shkuar në Mars, apo kur po bëhej gati vaksina e Ebolës. Mendoj se ky është mesazh i një qënie nga e cila ne marrim jetën e ku jemi të destinuar të kthehemi një ditë pasi jetojmë një jetë të mbushur me emocione “negative” e “pozitive”, Toka. Kjo qënie, e cila ka edhe banorë të tjerë përveç nesh, por që ne megjithëse e keqtrajtojmë, e gjymtojmë dhe e shfarosim, përsëri me shumë dashuri e vetëmohim, përsëri na fal dashuri duke u sakrifikuar për ne.

Kujdes! Vetëmohimi dhe altruizmi janë të vetmet sjellje që Teoria e Evolucionit nuk ka arritur të japë shpjegime, por të tillë sjellje ky planet i gjallë nuk mund ta bënte edhe këtë herë, kur akujt e poleve po shkrijnë, pyjet e Amazonës po digjen, ishuj plastik janë krijuar në oqeane e dete, efekti serrë vazhdon të bëhet i pranishëm përherë e më shumë (sëbashku me smogun e metropoleve), lumenjtë janë të mbingarkuar nga mbetjet urbane (përfshirë ato spitalore) dhe janë duke krijuar përbindëshat e kësaj kohe të kobshme. Si një Nënë e mirë kjo Tokë, di edhe të na japë dënimet e merituara, për të sjellë në vëmendjen tonë se egocentrizmi ynë duhet të ketë një kufi e mos të vazhdojë i shfrenuar nga kotësi, veset dhe mania e pakontrollueshme për më shumë pushtet e famë. Shikoni qiellin se sa i kaltër është këto ditë pranvere dhe ku mbi të gjitha mungojnë vijat kimike të aeroplanëve! Shikoni se si shihen në distancë kodrat e malet! Një miku im sapo më dërgoi foto nga kanalet e Venecias ku dallohen peshqit dhe fundi i kanaleve!

Normalisht dikush mund të thotë se për çfarë do të na duhet kjo ripërtëritje e ekosistemit kur njerëzimi po bën pak “pushim”?! Përgjigja ime është se do të duhet ta shijojmë sëbashku me familjet tona, kur i gjithë ky makth të jetë zhdukur nga zemrat tona. Pra reflektoni e mundohuni të qëndroni të përgjegjshëm kur të mbarojë kjo histori, pavarësisht tundimeve që sjell makutëria e mendjeve njerëzore të kohëve moderne. Ende ka shpresë për mendimin tim dhe këtë kam vendosur mos ta publikoj në ndonjë revistë shkencor, por dëshiroj ta ndaj me popullin tim, se e dua vendin tim, popullin tim!

Ky virus si çdo virus (që shumë epidemiologë dhe mjekë e anashkalojnë me të drejtë pasi tjetër është fokusi i punës së tyre) pëson një numër relativisht të lartë mutacionesh (10-4 për çdo bazë, ku vetëm viroidet mund ta kalojnë/10-3) në çdo gjeneratë.

Imagjinoni që në çdo virus që do të prodhohet në rastin e virusit të COVID-19 do të kemi të paktën 3 mutacione, por në rastin e shumëfishimit të viruseve bëjini vetë llogaritë se sa do të ishte numri i mutacioneve kur përgjithësisht gjenerohen 10,000,000 viruse në 24 orë.

Duke u bazuar në Teorinë Neutrale të Evolucionit Molekular të propozuar nga Motoo Kimura, mendoj se pjesa më e madhe e mutacioneve nuk e ndryshojnë kuptimin e ARN-së virale, megjithëse një pjesë do të jenë mutacione të tipit negativ dhe një pjesë do të përfaqësohet nga mutacionet pozitive.

Mutacionet pozitive si në çdo gjen (përfshirë edhe tonat) janë ato që krijojnë një karakteristikë avantazhuese tek proteinat që i bartin duke e bërë atë më efiçiente në funksionin e saj, ndërsa mutacionet negative i bëjnë proteinat (në këtë rast proteinat virale) të humbasin funksionin ose të jenë më pak efiçiente në funksionin e tyre. Për shkak se deri më tani (nga literatura shkencore, por bazuar edhe ne përvojën time) në gjithë organizmat që njohim (përfshirë edhe viruset), numri i mutacioneve neutral (që nuk e ndryshojnë funksionin) sëbashku me ato negative është shumë herë më i madh se numri i mutacioneve pozitive, ky virus do të arrijë kulmin e shpërthimit viral herët a vonë dhe më pas do të fillojë të vetëshkatërrohet për shkak të numrit relativisht të lartë të mutacioneve që ai pëson.

Cili duhet të jetë reagimi ynë?

Ne duhet të tregohemi më inteligjentë se virusi! Nuk duhet t`i japim atij mundësine që ai të shfrytezojë qelizat tona për të shumuar, duke ndjekuar masat prandaluese me rigorozitet të lartë, sepse në të tillë mënyrë kjo kurbë do të realizohet me shumë më pak viktima. Nisur gjithashtu nga fakti se vetë materiali gjenetik i ARN-së është shumë më i brishtë në temperaturat e larta, le të presim qershorin apo korrikun duke u kujdesur për higjenen personale e duke qëndruar larg familjarëve dhe miqve. Në të njëjtën kohë mendjet e ndritura janë duke u përballur me sfidën tepër të vështirë për të krijuar vaksinën specifike (kryesisht të bazuar në bllokimin e polimerazës së ARN-së). Ne patjetër që do të dalim fitimtar nëse përdorim arsyen e inteligjencën duke u bërë më të mirë me ekosistemin për vehten dhe brezat e ardhshëm.

Më vjen keq ta pranoj që mund të përsëritet ky skenar edhe në të ardhmen (apo diçka më e tmerrshme do të na vijë përsëri të na japë “mesazhe”). Kjo do të ndodhë pasi vetë ne jemi duke vepruar si viruset (por në shkallën “makro”), sikundër ata edhe ne dëshirojmë më shumë, kur kemi arritur një sukses, qeveritë e vendeve të fuqishme dëshirojnë më shumë ekspansion kur arrijnë të administrojne territore të reja, apo dëshirojmë më shumë pallate, parkime e vila luksoze, duke shpyllëzuar e shkatërruar ekosistemin, ashtu si ky virus shkatërron mushkeritë dhe organizmat njerëzor.

Prania e këtij virusi na tregoi se ne dimë të sillemi jo vetëm si kjo qënie arkaike me “inteligjencë gjeniale”, duke u treguar arrogantë e të pashpirtë me planetin, njëri-tjetrin e gjithë qëniet e tij, por dimë të rilindim mbi këtë tmerr botëror për të ndërtuar shpirtin e njeriut të ri, sepse ne besojmë tek mjekët, infermierët, farmacistët, biologët, kimistët e shkenca në përgjithësi. Ne patjetër do të jemi më të mirë duke u mbuluar nga altruizmi në zbatimin e masave jo vetëm për vehten, por për të shpëtuar jetët e njerëzve që na rrethojnë (qofshin këta të njohur apo të panjohur).

*Biolog Molekuar dhe Evolucionist   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA