...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Big Brother apo Big Totalitarizëm?

Elitat ”liberale” shekullin e kaluar propagandonin mungesën e autoritetit represiv në regjimet e tyre ndërsa tregonin si autoritet represiv kundërshtarët e tyre: regjimet komuniste. Këtë shekull vazhdojnë të propgandojnë të njëjtën ‘mungesë’, por, paralelisht ato propagandojnë fuqishëm “sundimin e ligjit” ndërsa kanë zhvilluar teknologji që synojnë përfrikësimin e njeriut dhe themelojnë një diktaturë të re. Njeriu tashmë vrojtohet në tre nivele: në organizëm (përmes çipave); në qytet (përmes kamerave); dhe në ajër (përmes aeroplanëve të programuar). Ai, për më shumë, vrojtohet dhe përgjohet, në internet, telefon dhe kudo. Për të njëjtën arsye, ky është shekulli totalitarizmit me mjete të tjerë...Kjo do të jetë tema e këtij studimi: të dëftojë mekanizmat e totalitarizmit të globalizmit neoliberal që po zhvillohet pára nesh dhe të paraqesë sfidat e popujve që luftojnë për liri politike dhe vetë-vendosje.

Ylli Përmeti

11/03/2017 - 11:46

Tirani për të ruajtur pushtetin, shtyp çdo spikatje, largon njerëzit e mirë, ndalon edukimin dhe dritën, mbikëqyr çdo lëvizje të qytetarëve dhe, duke i mbajtur nën shërbim të përhershëm, i do ata të rriten duke i mësuar me poshtërsi dhe frikë, ka kudo spiunët e tij për të dëgjuar se çfarë thuhet në takime, dhe përshpejton përçarjet dhe përplasjet mes qytetarëve dhe i varfëron ata, dhe është i detyruar të shkaktojë luftë për të mbajtur të nënshtruarit e tij të pushtuar dhe të detyrojë mbi ta nevojën e përhershme të një shefi. —Aristoteli       

Psikologët dhe sociologët ndihmojnë elitat për të bigbradhërizuar shoqëritë

Çdo gjë e gjallë që lëviz mbart fuqi. Fuqia është thelbi i lëvizjeve fizike. Përmes saj organizmat jetojnë, ndryshojnë dhe riprodhojnë. Sigurimi i energjisë dhe fuqisë është thelbi e pushtetit; madje energjia është thelbi i materies: sepse pa energji nuk mund të krijohet asnjë lëndë në univers. Për organizmat e gjallë ajo sigurohet vetëm në planete të gjallë; aty ku jeta gjallon. Toka është një prej tyre.

Fuqia dhe pushteti kanë shpesh kuptime të njëjtë: pushteti i elitave, për shembull, është njëherësh burim energjie dhe skllavërie: ‘energjie’ sepse elitat janë të ‘lira’ në veprimtarinë e tyre për shkak të shfrytëzimit të shoqërive; ‘skllavërie’ sepse pavarësisht shkallës së lartë të lëvizshmërisë që sigurojnë nga shoqëritë – ato sërish janë të skllavëruara, meqënse liria buron nga virtytet dhe shpaloset me veprimtari, krijimtari dhe në shoqëri. Elitat as zhvillojnë ndonjë virtyt as mund të zhvillojnë ndonjë të plotë—pikërisht për shkak të përqendrimit të pushtetit: sepse nëse do të kishin zhvilluar ndonjë virtyt, nuk do të përdornin oportunizmin dhe makivalizmin, taktikat dhe strategjitë, për të “drejtuar” shtetin modern por virtytet. Ndryshe, për shembull, nga koha e Demokracisë Klasike të Athinës, ku pushteti politik baras-ndahej mes qytetarëve (të cilësuar). Në mijëvjeçarin e tretë është uzurpuar thuajse gjithë ‘pushteti’ i popujve të planetit dhe atij i imponohet çdo lloj praktike dhe mekanizmi për ta ruajtur dhe riprodhuar atë; dhe si oportunistë që janë, nuk ngurrojnë të “përvjedhin” pratika nga novelat që shkruajnë autorë të ndryshëm.

Xhorxh Oruell, për shembull, shkruajti novelën e quajtur ‘Nineteen Eighty-Four (Një Mijë e Njëqind e Tetëdhjetë e Katër)’. Novela u publikua për herë të parë në vitin 1949-të. Ajo parashikonte kushtet e sotme sociale thuajse me përpikmëri. Kjo e shtyu Majk Dajsin (Mike Dice), autor i Big Brother: The orwellian nightmare comes true (Big Brother: makthi oruallian kthehet i vërtetë), të rishkruante realizimin e kësaj “novele” profetike. Dajsi hedh dritë mbi makinat që lexojnë trurin, programet dhe armët qeveritare oruelliane, gërmime informacioni përmes rrjeteve sociale (facebook, twiter etj.), psikotronikë (sipas emrit që autori quajti një zhanër filmash të çuditshëm dhe obskurë), kamera njohëse të fytyrave, organizma kibernetikë, ndërfytyra neurale, inteligjencë artificiale, RFID (teknologji e cila përdor radiovalë për të transferuar informacion nga një thek ose etiketë, e vendosur mbi një objekt, përmes një lexuesi me qëllim që të identifikojë dhe gjurmojë objektin, të cilët janë në përdorim masiv në metropolet globale elektronikke), Shtet Dadot dhe, së fundmi, aeroplanët e radio-telekomanduar dhe pa ekuipazh,[1] të cilët synojnë të mbikëqyrin dhe përfrikësojnë nga lart popujt (syri magjik!), por edhe të godasin, një nismë që ndiqet ngushtë dhe në koherencë nga Franca dhe Britania,[2] të quajtur ‘eurodrones’, me sulme nga ajri që zhvillohen në Pakistan dhe Afganistan, por edhe një plan tjetër për një qendër kontrolli dhe komandë të përbashkët për operime ushtarake në të ardhmen, për deterrént (përfrikësues) bërthamor.[3]

Për shembull, në Britani janë instaluar 4.2 milionë CCTV kamera, një për çdo 14 vetë, ndërsa në Kinë, e cila është në proces të krijimit të kushteve për një shoqëri të vrojtuar, janë instaluar 2,75 milionë kamera, një për çdo 472 mijë banorë.[4] Britania ka bërë plane për të vendosur kamera edhe brenda shtëpive të familjeve britanike, nën justifikimin e ofrimit të ndihmës së shpejtë nëse fëmijët janë në rrezik. Teknologjia po i përshtatet kësaj prirje: reklamat e televizioneve, për shumbull, kanë mundësi të mbërthejnë tinguj të padëgjueshëm, duke çliruar sinjale me frekuencë të lartë, të cilët mund të kapen nga celularët ose aparate të tjerë që instalohen në një aplikacion që përmban një program “SilverPush”. Ky “çiftim” – i cili po eksperimentohet aktualisht mbi konsumatorët Indian — identikon gjithashtu aparatet e përdoruesve të afërt dhe lejon ndërmarrjet të monitorojnë se çfarë bëjnë njerëzit.[5] Kjo teknologji gjurmuese ndër-aparatore, është eksploruar edhe nga ndërmarrje të tjera teknologjike dhe është “emblema” e epokës së re që po lind për të gjithë ne.

Traktati i Lisbonës adoptoi survejimin më të ngushtë të popujve. Domethënë, ndërtimin e sistemit më të madh në botë për shenjat e gishtave; kartat biometrike janë pjesë e këtij objektivi. Gjermania e bëri më të lehtë vrojtimin e qyteteve —pas krizës së sigurisë që u krijua nga emigrantët— duke amenduar ligjin e sigurisë së informacionit.[6] Ligji ‘lehtëson’ pronarët e ndërmarrjeve private dhe administratorët e institucioneve publike për të rritur shkallën e ‘sigurisë’. 

Ndryshe nga ligji gjerman dhe paralel me zhvillime të ngjashme në nivel ndërkombëtar, qeveria “Rama1” i ‘detyroi’ ndërmarrjet private dhe institucionet publike (shkolla etj.) të instalonin kamera deri në fund të vitit 2017-të! Madje në vitin 2021 lëshoi një “ultimatum” duke paralajmëruar qytetarët se kishin 100 ditë kohë për vendosjen e kamerave, duke i shtuar diktaturës së tij sistemin e kamerave të trupit për policët (çka nënkupton dështimin e tij për të rekrutuar policë me etikë të lartë shoqërore), dronët “superinteligjentë për monitorim” siç tha, “në çdo cep të territorit”, dhe “komisariatin digjital”. Të gjitha këto për të parandaluar krimin (me mbjelljen e kanabisit, ndërtimet pa leje etj.) dhe rritur sigurinë.

Si pasojë, në fund të vitit 2022, Shqipëria kishte mbi 1 milionë kamera të instaluara (në hapësira publike dhe private) ose një kamer për rreth dy banorë; dhe ndryshe nga Gjermania, ku ligji u kritikua nga opozita e atjeshme se cënonte liritë e qytetarëve (“intruzion ose ndërhyrje masive” tha ajo), në Shqipëri nuk u kritikua as nga opozita Basha-Meta as nga të ashtuquajturit ‘veprimtarë’ të ‘shoqërisë civile’ (sorosistë etj.). Opozita e kohës mungoi sepse ishte ajo e para që filloi ‘bigbradhërizimin’ e Tiranës (Basha kur ishte kryebashkiak!). Rama njoftoi një “mësymje” tjetër në emisionin e më pak se gjysmë “gazetarit” të oligarkisë, Fevziut, ditët e para të shtatorit, se do të shtonte mbikëqyrjen e popullit përmes të ashtuquajturve “smart-cities” (në shkolla dhe institucione) por duke shtuar mbikëqyrjen gjatë rrugëve për të “parandaluar” siç tha, ndotjen e mjedisit me mbetje. Kështu ndërsa elitat evropiane po shfrytëzojnë pasigurinë që krijojnë ato vetë me “lojrat” e tyre gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe më tej (Afrikë, Ukrainë etj.) dhe refugjatët dhe emigrantët që krijohen nga “lojrat” në fjalë, Rama shfrytëzon pasigurinë (që krijon qeverisja e tij, në nivel juridik dhe ekonomik ose përmes politikave neoliberale) dhe mungesën e virtytit të pastërtisë në popull (që nuk e zhvillon qeveria e tij siç ia kërkon kushtetuta përmes arsimit).    

Në Gjermani, në të vërtetë, kritikët shkuan edhe një hap më tej: gjykuar nga rrjedhja e fundit e veprimtarisë përgjuese të CIA-s nga “Wikileaks”, se shërbimet inteligjente mund të kontrollojnë çdo sistem elektronik, mbrojtën argumentin se bigbradhërizimi i qyteteve jo vetëm që nuk e parandalon krimin, duke gjykuar nga qytetet që janë bigbradhërizuar por kamerat mund të shërbejnë si vegla për terroristët që t’i përdorin kundër një populli. Gjykuar dhe nga aftësia elektronike e policisë sonë, e cila krahasuar me mjeshtrat e organizuar të elektronikës, jo të shteteve kryesore, sigurisht (SHBA-së, Kinës, Rusisë etj.), por të mjeshtrave që kërkojnë të dëmtojnë një popull, kjo mundësi në anët tona rritet edhe më shumë![7]

Oruell e kishte parashikuar edhe këtë praktikë: telelvizorin që tabulon në mënyrë konstante shikuesit. Domethënë, qeveritë do të përdornin teknologjinë për të kapërcyer pragun e jetës private. Wikileaks tregoi se CIA tashmë e ka kapërcyer këtë prag pa u miratuar nga qeveria amerikane. Kushdo që sheh televiziorin, youtube apo netflix, përgjohet në dhomën e tij qoftë edhe nëse aparaturat fiken. Parashikohet se deri në vitin 2020-të do të ketë më shumë se 20 miliard aparate elektronike. Prodhuesit e elektronikës shpesh bashkëpunojnë me prokurorët dhe komisionet qeveritare për të mbledhur informacion mbi shikuesit dhe informacionin ua shesin reklamuesve pa lejen e qytetarëve!

Në Amerikë janë shënuar disa raste. Për të njëjtën arsye, autoritetet amerikane kanë hartuar udhëzime se si të ruhen veçanërisht aparatet mjekësore ndërsa komisioni evropian po shtyn një sistem për çertifikimin e aparateve.[8] Nga ana tjetër, Amerika po përparon përdorimin e kartave biometrike (“ID cards”). Domethënë, përmes tyre do të mbikqyrin gjithë veprimtarinë e një qytetari, sjelljen dhe karakteristikat. Gjithë këto të dhëna do të përpunohet nga njerëz të panjohur, të cilët do të punojnë për klasifikimin e të dhënave dhe do të dërgohen në Bazën e të dhënave, se nëse, për shembull, ata përputhen me “standardet” e ‘mbretërisë së korpokratave’.[9]

Nuk mungojnë edhe përdorimet e chip-ave elektromagnetikë. Kjo praktikë tashmë ka filluar. Në Greqi, për shembull, ngaqë populli gjendet përpara një lufte të vërtetë për mbijetesë, ndërmarrjet vendore u imponojnë punëtorëve injektimin e çipit në fjalë.[10]Si pasojë e luftës së shpallur kundër terrorizmit monopolet e aeroporteve në Amerikë kanë filluar të praktikojnë skanim të të gjithë trupit me rreze radioaktive.[11] Aktivistë të ndryshëm e kundërshtojnë këtë praktikë nën arsyetimin se ajo shkakton probleme shëndetësore, probleme në lëkurë dhe dëme në sistemin neurologjike të njeriut, përtej kufizimit dhe cenimit të intimitetit qytetar. Gratë shtatzënë shqetësohen më shumë se grupet e aktivistëve për efektet anësorë që mund të shkaktojë kjo praktikë.

Ndërkohë që asnjë gjykatë amerikane nuk ishte informuar për cënimin e intimitetit; as ishin informuar anëtarët e kongresit amerikan: ajo ushtrohej krejtësisht në sekret! Si pasojë, OKB-ja urdhëroi Uashingtonin të hetojë dhe të dënojë të gjithë ata që kanë shkelur ligjet dhe kanë torturuar njerëz të pafajshëm.[12] Këtë zhvillim, kritikët e sulmojnë thjesht mbi argumentin e ‘dëmtimit kolateral’ ndërkohë qeveritë argumentojnë se ky zhvillim do të ofrojë siguri te qytetarët. Në anën tjetër, qeveritë perëndimore propagandojnë mikroçipat e injektuar në trupin e njeriut.[13] Ato tregojnë se si një “mikroçip” mund t’i shërbejë njeriut dhe shoqërisë. Por nuk tregojnë se çfarë tjetër ‘mund’ të bëhet me të!

Në të vërtetë kjo histori e dhimbshme filloi me një eksperiment në vitin 1976-të: në një natë Halloween-i, kur disa psikologë eksperimentuan me 360 fëmijë, pa dijeninë e tyre.[14] Që nga ajo kohë janë zhvilluar edhe eksperimente të tjerë. Përfundimi i eksperimenteve, sipas psikologëve të establishmentit, ishte se ne ndryshojmë sjellje kur vrojtohemi dhe meqënse ndryshojmë sjellje, mirë është të vrojtohemi të gjithë me qëllim që të zvogëlojmë vjedhjet, të sillemi mirë etj. Për të njëjtë arsye psikologët këshillojnë përshtatshmërinë e njeriut në kushte të sajuara.

Nga këto veprime kuptojmë se shteti modern ka dështuar me arsimimin e njerëzve: në vend të synojë të zhvillojë veprime që burojnë nga ndërgjegjja dhe virtytet, kërkon vrojtimin e tyre. Kur mungojnë veprimet e ndërgjegjshëm dhe virtuozë, nuk do të ishte e çuditshme që njerëzit të zhvillojnë veprime jovirtuoze dhe të këshillohen vrojtimet në fjalë për të racionalizuar njerëzit. Psikologët, në fjalë të tjera, nuk e kërkojnë veprimin të burojë nga vetë virtytet (nga brenda) por nga vrojtimi (nga jashtë) duke braktisur arsimimin e njerëzve dhe duke mos zhvilluar virtytet ndërsa mbrojnë idenë e vrojtimit për të racionalizuar veprimet e tyre! Në të vërtetë, psikologët nuk i kuptojnë virtytet, as se nga burojnë dhe as se si zhvillohen. Për të njëjtë arsye, ata detyrohen të gjejnë zgjidhje te mbikqyrja.

Gjykuar nga kjo padije, nuk do të ishte e çuditshme që Oruelli të vlerësonte rrjedhën e tregut të viteve ’50-të dhe të shihte të ardhmen e njerëzimit — se si teknologjia dhe novacionet e saj do të përdoreshin nga qeveritë moderne kundër popujve. Oruelli e quajti novelën e tij ‘Big Brother’ ku qytetarët kanë humbur privatësinë. Për të njëjtën arsye, Dajsi paraqet se si ‘Big Brother’ është duke na vrojtuar dhe asnjëri nuk e frenon dot: sepse ai është shumë më i fuqishëm sesa mund ta imagjinojmë. Teknika është e thjeshtë: njëlloj siç reagonin qentë e Pavlofit,[15] në eksperimentin e tij, që e bëri në fillim të shekullit të kaluar, të cilëve autori u kultivonte instinktin (desensualizëm sistemik), me ushqimin që u hidhte për ditë dhe në të njëjtën orë, ashtu edhe Big Brother: ai shërben si pararendës për ‘big-brother-izimin’ e qyteteve rreth botës dhe për ‘desensualizmin’ e njeriut. Ky desensualizëm ka filluar që në bankat e shkollës: aty fëmija mësohet se si të vrojtohet. Qëllimi është mësimi i njeriut me ‘syrin magjik’ në çdo hapësirë të jetës sociale.

Nga ‘përça dhe sundo’ në konkurrencë, “sukses” imagjinar dhe frikë

Megjithëse mund të justifikohet lehtë vrojtimi i njerëzve nga politikanët profesionistë, duke përdorur argumentin psikologëve dhe “sigurisë” sociale, objektivi është i qartë: kontrolli i popujve. Përveç aplikimit të konceptit të ‘konkurrencës’ në treg, që shërben për të krijuar konflikte të heshtura midis qytetarëve sesa për zhvillim, një tjetër dinamikë zhvillohet para syve tanë: kultivimi i instinktit social për “sukses” imagjinar —i cili varet nga “aktrimi” i mirë i dikujt, përmes “Big Brother-it”. Në thelb, elitat ekonomike në bashkëpunim me elitat politike dhe mediatike, synojnë kultivimin e “suksesit” imagjinar, frikës dhe pasigurisë për të ardhmen. Ndryshe nga koncepti i konkurrencës, që tashmë konsiderohet nga popujt i natyrshëm dhe i nevojshëm për “zhvillim” ekonomik, koncepti i dytë, d.m.th kultivimi i ‘instinktit’ për sukses imagjinar, lakmohet nga pjesa më e madhe e shoqërisë: nga ithtarët e “moralit” social deri tek ithtarët e “moralit” familjar. Nuk mungojnë edhe sociologët e establishmentit të cilët merren me interpretimin e pjesëmarrësve ose ‘kavieve’.[16]

Njëlloj si koncepti i konkurrencës, suksesi imagjinar që kultivohet nga masmedia, parafabrikon ‘dëshirat’ e qytetarëve —politikisht pasivë— ndërkohë që siguron ‘sukses’ për pronarët e kanaleve televizive. Sa më shumë të përsëriten ‘reality-show’ të ngjashëm me “Big Brother”, aq më shumë do të konsiderohet vrojtimi i shoqërisë i natyrshëm. Dhe sa më shumë “Vipa” (për rripa!) do të dalin nga kafazet e medias, aq më shumë shoqëria do të lakmojë fitimin e lehtë. Për shembull, pop-stari amerikan, Majkëll Xhakson, pasi u transformua në idhull dhe pasanik nga industria e muzikës (botërore), nuk dinte të lumturonte veten e tij ndryshe, veç me narkomanizëm, sjellje narciste dhe plot vése, deri sa vrau veten. Ndërsa industria e muzikës parafabrikon monstra - vëtë industria është në luftë të përhershme. Siç konkuldon një analizë në FT:

Në kacafytjen e tyre për pjesën e tregut, korporata të mirë-financuara po administrojnë humbje të mëdha për t’u sjellë përdoruesve pikërisht atë që dëshirojnë, ndërsa paguajnë artistët një copë rroge. Nga perspektiva e konsumatorëve, kjo është e frikshme, qoftë edhe nga kulmi i piratisë në internet. Por gjendja është e paqendrueshme, dhe në fund të fundit teknologjistët, etiketimet e regjistrimeve, dhe ndoshta dhe muzikantët duhet të paguhen. Se si mund të duket gjendja e të ardhmes mund të hamendësohet nga çdo njëri, por për momentin shërbimet e rrymës (streaming) kanë arritur të bëjnë për vete të rinj, duke përfshirë edhe shumë piratë serialë, për të paguar për muzikën edhe një herë. Kjo në vetë-vete është një arritje e jashtëzakonshme.[17]

Që nuk kanë zhvilluar asnjë virtyt të qendrueshëm artistët e kapitalizmit dhe veçanërisht ata të këngës, duket kur mashtrohen nga ‘menaxherët’ që punësojnë: u thonë këta të fundit, se përveç zërit shet edhe zbulimi i trupit, vithjeve, gjoksit etj! Madje, sipas “menaxherëve”, më shumë se gjithçka tjetër, shet aktrimi pornografik në skenë. Dhe këta, pa e mendur fare (fundja, mendje s’kanë), hidhen në skenë dhe nga këngëtarë dhe muzikologë kthehen në pornografë. Dhe në vend të “kërcejnë” shpirtin dhe emocionet, ‘kërcejnë’ organet seksuale. Kështu këngëtarët “kërcejnë” organet seksuale të publikut sesa shpirtin dhe emocionet e tij. Emocionet dhe shpirti nuk përdoren. Në vend të tyre përdoren shqisat. Drejtorët e programacioneve —si ndërmjetës mes publikut dhe përçudnimit të ‘menaxherëve’— nuk ndërhyjnë: jo vetëm sepse do të cënonin lirinë e “shprehjes” artistike të këngëtarëve por kryesisht sepse kur rriten fitimet e artistit rriten edhe të administratorëve të masmedias. Kështu të gjithë bashkë “dehen” në përçudnimin e “menaxherëve” të artistëve. Njëlloj u shkatërrua edhe stari i futbollit, Maradona, nga “menaxherët” e industrisë botërore të sportit.

Fashionistët, pjesë e diktaturës konsumeriste

Njëlloj paraqiten edhe industritë e tjera: nga moda, fashion apo/ose konsumi i atelieve i një apo/ose më shumë dizenjatorëve, të cilët kërkojnë terren në mbretërinë e publikut dhe konsumit botëror, duke shfrytëzuar koston (djersën) e lirë të punëtorëve në botën e tretë. Kjo industri, tashmë, me rreze globale, parafabrikon përftimet dhe pasivizon artet origjinal. Për këtë arsye, kjo industri është një tjetër diktaturë botërore. ‘Diktaturë’ sepse ajo ‘dikton’ —duke parafabrikuar— dëshirat e popujve. Pa u çuditur, shumë pronarë kanë bashkëpunuar me elitat kapitaliste. Madje shumë prej tyre kanë bashkëpunuar me nazizmin e shekullit të kaluar.

Hugo Boss,[18] për shembull, pasi kërkoi falje për bashkë-punimin e familjes së tij me nazizmin gjermanë, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, harroi të konsideronte shfrytëzimin e punëtorëve në rrobaqepësitë e vendeve të varfra. Modelet, në anën tjetër, vuajnë siluetën e shumë-kërkuar nga stilisti dhe industria e modelingut botëror. Dhe siç ato krijohen dhe imagjinohen nga industria përkatëse, ashtu parafabrikojnë objektivin e popujve. Bukuria e dëlirë e modeleve, shfrytëzohet duke premtuar ‘shkëlqim’. Kur ato “s’shkojnë” në tregun e marketingut, hidhen në rrugë nën justifikimin e mospërmbushjes së “standardeve” të industrisë! Qartësisht, problemi këtu është se ‘modelet’, njëlloj si sportistët, nuk zhvillojnë paralelisht virtyte dhe urtësi me qëllim që kur të tërhiqen nga bota e modelingut dhe sportit, të mund të balancojnë gjëndjen e përgjithshme shëndetësore.

Torovelizmi: aksioma e shoqërisë mondane

‘Forca e aksiomës së pavdekshme e një toroveli, pas të cilit mijëra ndjekin, predisponon se torovelët do t’i iniciojnë interesat e tyre dhe do të kthehen në baharajá në dëm të mendarëve. Mesa duket, kjo dukuri përbën bazilikë sociale. Është e vërtetë që të gjitha shoqëritë kanë për ‘detyrë’ jo vetëm t’i dëgjojnë torovelët, por edhe t’i ushqejnë në kurriz të tyre; edhe të tolerojnë ose të falin shkeljet, abuzimet dhe ekzibicionizmat kanonistikë që rezultojnë nga torovelizmi i abuzuesve. Është fakt se asnjë shoqëri apo grup shoqëror nuk u përpoq të themelojë ‘drejtësi torovelësh’, me qëllim që të bëjë të famshëm pjesëtarët e saj. Kështu, çdonjëri ka të drejtë të flasë, të veprojë të komunikojë dhe të rivendikojë, duke ekspozuar me baras-forcë absolute të drejtën e tij të pandryshueshme në torovelizmin personal. Eventualisht, detyrimi në racionalizëm do të baras-vlerësohet me totalitarizmin më të ashpër që do të ekzistonte. Çështja e torovelizimit nuk do të kishte përzgjerim të mëtejshëm nëse ‘precipitatet’ e llojit ‘jek-yll and hyde’, që shfaqen ‘thuajse’ në të gjithë mjetet e komunikimit masiv, buronin nga intelekti i dobët i atyre që i emetojnë apo ideojnë. Por, ajo që shohim është krejt e kundërta. Nëse jemi gllabëruar nga irracionalizmi, disdemonia apo marrëzia, kjo s’do të thotë që po shumëzohen injorantët, por ngaqë shumohen përvetësuesit e shfrytëzimit të torovelëve’.[19] Naiviteti ofron lëndën e parë më të shtrenjtë në ‘dinamikën’ e “progresit” social. Sipas këtij përkufizimi, aksioma e torovelëve vërtetohet kryekëput përmes keqfunksionimit të tregut të lirë. Që nga momenti që konfirmohet ‘purgatorizmi torovelik’, i cili shet dhe rrit ligj-themelisht ‘arrogacionin’ i tij, mund të themi pa dyshim se kohët e racionalizmit do të shfaqen përherë e më shumë më të mundimshme.

Kështu, që ta përcaktojmë dhe ta përzgjerojmë konceptin e naivitetit, dialektika moderne të çon në të ashtuquajturit ‘precipitate’ të horoskopëve; të magjive të zeza dhe të bardha; të ndajshpirtëzimit dhe të tele-shfaqjeve; të vetëshpallurve profetë; të mediumeve të llojeve të ndryshme; të magjistarëve dhe heretikëve; të rekrutëve në struktura të ndryshme fetare; gjithashtu, edhe përfaqësuesit e tyre, të cilët nuk është se janë vetëm protagonistë të emisioneve të veçanta, por ata kanë filluar të shfaqen edhe në buletine lajmesh, duke përbërë lajm ‘sharlatanizmin jeremiadik’, por, edhe duke ‘zbukuruar’ gazeta gjoja serioze apo periodikë të ndryshëm. Shembull në kësisoj rastesh do të ishin ofertat e ndryshme, të ashtuquajtura okazione/konvinienca në shtypin e përditshëm, të cilat përshkohen nga shërbime irracionale, kundër-produktive —që rriten me ritëm galopant në çdo kënd të botës. Gjithandej, bashkë me ringjalljen hiderike (e keqe e vazhdueshme) të sekteve fetare, lulëzojnë edhe lëvizjet e reja mitridante fetare, me broshura të tejbotshme, me redaktim profesional, me citate konstitucionale dhe maksima persuazive. 

Eventualisht, arsyet variojnë: duke ditur që zvogëlimi i irracionalizmit është i pamundur, dhe, për më shumë, i qëllimshëm, duken kryekëput logjike operacionet dëshpëruese titanike të grupeve apo/ose individëve të veçantë që synojnë zhvillimin e veprimeve të përkorta/racionale. Kështu, në mënyrë analoge, torovelizmi si subjekt përshtatet vertikalisht në mjedisin e sipërpërmendur, me konsekuenca tandalike (qerthull vicioz) mbi shoqëritë moderne. Këto janë arsyet që shumë filozofë fraksionistë, të mesit të shekullit IXX, farsaizmin, dyshimin, hipokrizinë fetare —të cilët u metamorfozuan në filozofë teologjikë— i çuan çuditërisht në agnosticizëm dhe shpallën fushatën e re sociale —e cila vazhdon edhe sot dhe do të vazhdojë edhe nesër— në ‘dekonspirimin’, krijimin dhe sajimin e perëndive imagjinare. Dhe meqenëse, ‘shpëtimi njerëzor’ kushtëzon përkushtim, shumë janë ata që e konsiderojnë veten se mund ‘të fekondojnë kozmoteorinë magjike’, dhe se posedojnë apo bastojnë, siç bëjnë në lojërat e fatit, për ‘shpëtimin’ e plebésë, jashtë pushtetit të themeluar. Në këto kushte —dhe që nga koha e iluminizmit të fundit— racionalizmi abstrakt, teolistikë apo/ose agnostistikë, duket se bind më shumë njerëz sot se në të kaluarën, në krahasim me ‘disdemoninë shqisore’ (materializmin dhe dialektikën mendore, fizike dhe shpirtërore). Kjo dukuri është më se e natyrshme: dogma e individualizmit ekstrem dhe konkurrencës, jashtë ushtrimit të pushtetit politik, gjeneron çdolloj marrëzie.

“Dumbing down” synon venitjen e vigjilencës

Dhe këto dukuri nuk zhvillohen në pavarësi të klasës politike, po të mos ‘lubrifikohet’ grigja apo kopshti pjellor — aty ku kultivohet dionisticizmi dhe entuziazmi sivaritik. Siç ndodh me të gjitha mallrat që vërshojnë në treg, ashtu gllabërojnë edhe diçidurat apokaliptike dhe “shpëtimtare”, të cilat janë tejet të shitura dhe komerciale, meqënse bazohen në gjuhën e komunikimit masiv —e thënë ndryshe, rrezja propaganduese kthehet automatikisht në ‘indoktrinë’, një element, që, siç duket, është eo ipso libidinal. Audienca e pakufishme e të rinjve sot varet shumë nga premtimi i mirë-formuar  —e thënë ndryshe, në një term perëndimor dhe mjaft të suksesshëm: nga ‘marketingu’. Për më shumë, meqënse të gjithë kanë për objektiv përfitimin dhe plotësimin e kënaqësive përmes tregut, do të ishte e natyrshme që vigjilenca për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave më të larta shoqërore nga një popull, të binte në nivele dëshpërues. Dhe kjo prirje ndihmohet edhe nga një koncept të tjetër: ‘dumbing down’. Ai nënkupton ‘si të bësh dikë më pak vigjilent’ i cili kur ndërthuret me një konceptin e ‘melting pot’ ose ‘përzierjen e racave’, që praktikohet në perëndim dyqind vitet e fundit, krijohen kushtet për kontroll absolut të popujve.

Në këtë kuadër, nevojitet ‘këshilla’ e medias, d.m.th nevoja për përçimin e mesazheve komercial rreth irracionalizmit dhe disdemonisë individuale, ”Big Brother-it”, duke ofruar hapësirë për “ekspertët” e establishmentit, të cilët parafabrikojnë përfitimin e shpejtë —jo në bazë të virtyteve dhe punës, por në bazë të aftësisë së “aktrimit”. Fundja, situata është degjeneruar edhe në nivelin e aktorëve profesionistë: aktorët e teatrit alternativ, për shembull, që luajnë në TV-të alternative/private, jo vetëm që shëmtojnë veten kur luajnë çdo lloj numri —sensual dhe seksual— ndërsa shihen edhe nga fëmijët, por harrojnë se teatri nuk synon vetëm ‘qeshjen’ por kryesisht edukimin, ndergjegjësimin dhe ndoshta, mobilizmin e një populli, ndaj rreziqeve që i kanosen. Sigurisht, të gjitha këto krijohen për të zgërdhirë audiencën, qytetarët e kredhur në botën e kënaqësive dhe dëshirave të parafabrikuara, të paaftë për kritikë teatrale, ndërsa shëmtojnë veten, njeriun dhe bukurinë e tij. Nuk do të ishte e çuditshme që pjesëmarrësit të përfshiheshin në skena seksuale dhe “ekspertët” e masmedias të “analizojnë” veprimet duke vënë në dukje se cila ose cili është pretendenti kryesor për të fituar “trofenë” e shumë-lakmuar. Në këtë mënyrë, kultivohet fetishizmi, supersticionizmi apo/ose besëtytnia ndërsa ‘pashallarët’ e mjeteve e të komunikimit masiv, funksionojnë si sekserë të torovelizmit, ‘duke rrëmirë’ në hapësira të tjera “shkencore”.

Në “madhështinë” e mendimit kundërthënës botëror, teknologjisë dhe vrojtimit totalitar— politikanët profesionistë nuk ndryshojnë shumë nga ky efekt. Ndërsa për lëvizjet e përditshme kulturore horoskopi përbën lehtësim dhe shpresë, që pas tij vjen një fjalëkryq, kërkimi i paralogjizmave hedonistikë do të ishte rruga e vetme, sesa mund të ishte kultivimi i fjalës, mendimit apo veprimit racional. Kështu, mjetet e komunikimit masiv jo vetëm që pasqyrojnë voluntarizëm imanent, por edhe parafabrikojnë audiencën e shumë-dëshiruar, nën pretekstin e tregut të marketingut, nga emisione pa kurrfarë etike dhe qëllimi, duke përçuar paralogjizma donkishoteskë. Në këtë kuadër, edhe politikanët profesionistë janë “profetë”, pasi shpesh herë ata pyeten se ‘çfarë shenje janë në horoskop’, për të gjykuar se nëse vendi ku kandidojnë do të ketë begati!

Përfundime

Përmbledhtas, qoftë kapitalizmi, qoftë sistemi financiaro-monetar, qoftë praktikat vrojtuese, që janë shpikur dhe do të shpiken në të ardhmen, janë kopjuar nga autorë të ndryshëm dhe i shërbejnë përqendrimit të pushtetit, politik dhe ekonomik: i pari, nga Kroesus, i cili synonte shfrytëzimin e bashkëkohësve; dhe i dyti nga Orwell-i, i cili parashikoi të ardhmen e njerëzimit në nivel privacie. Të gjitha këto veprime burojnë nga kuadri modern institucional: sepse është kuadri në fjalë që rekruton “ekspertë” dhe ata me radhë parafabrikojnë konsesusin e dëshiruar.

Big Brother, si tillë, nuk është “lojë” dhe as synon të spikasë njerëzit virtuozë: por synon të “mësojë” shoqërinë se mbikqyrja e saj është e domosdoshme. Për ta realizuar atë, programet televizive të llojit “Big Brother” kontribojnë në “mësimin” e shoqërisë me mbikqyrje ndërsa nuk përmendet dështimet e sistemit, si në nivel politik (në kuptimin se elitat neoliberale krijojnë kushtet për papunësi dhe kriminalitet dhe nevojën për policimin e shoqërisë) ashtu dhe në nivel arsimor (në kuptimin që arsimi ka dështuar të edukojë shoqërinë për ta bërë atë racionale ose të virtytshme).

Njerëzit që marrin pjesë në Big Brother dhe ndjekësit e tyre, që në vendin tonë kanë thyer rekorde, nuk janë në dijeni të qëllimit në fjalë por përfshihen në to kryesisht për t`u bërë të “famshëm” dhe për t`u pasuruar shpejtë dhe pa shumë mundime. Ky qëllim në vetvete është i dënueshëm: jo vetëm sepse nuk përputhet me punën e ndershme dhe virtuoze por shumica e pjesëmarrësve dëmtohet në shëndetin mendor, sepse pak janë ata që realizojnë qëllimet e tyre. Por shoqëritë ose ndjekësit e programeve në fjalë nuk mendojnë kaq gjatë; ndaj dhe regjizorët e programeve televizive nuk shqetësohen për pasojat mendore të pjesëmarrësve pasi të largohen nga “loja”: sepse shoqëria nuk do të reagojë kundër tyre.

Përkundrazi, shoqëria i lakmon programet në fjalë dhe e nxit pjesëmarrjen në to, sidomos kur në të marrin pjesë “VIP-a”. Ndryshimi mes Big Brother-it të zakonshëm dhe Big Brother-it VIP është se i pari nxit qytetarin e zakonshëm të marrë pjesë në të ndërsa VIP-i, i cili filloi në Holandë në vitin 2000 dhe më pas filluan ta kopjonin dhe shtete të tjerë evropianë, nxit të “famshmit” ose kryesisht artistët.

Një ndryshim tjetër është ndikimi që ka në popull pjesëmarrja e tyre. Fakti që ata ndiqen nga mijëra njerëz – ashtu do të ndiqen dhe në programe të tillë. Këtë efekt e kuptuan pronarët e televizioneve private dhe meqënse synojnë rritjen e teleshikueshmërisë, ndryshuan qasje: zhvillojnë “Big Brother VIP”. Por efekti është i njëjtë: të “mësojë” shoqërinë si të nxisë shkatërrimin e jetës së tjetrit se sa ta “mësojë” atë si ta ndihmojë jetën e tjetrit.

Për këtë efektin e fundit nuk janë në dijeni as regjizorët e programeve televizive: sepse unë jam në dijeni se sa në dijeni janë ata për efektin e programeve që realizojnë në televizione. Regjizorët janë gazetarë që përshtaten në shoqëri dhe si gjithë të tjerët kërkojnë të pasurohen shpejtë dhe pa shumë mund. Ndaj dhe për ta, programet që rrisin teleshikueshmërinë, janë të dëshirueshëm.         

Ky studim është përditësuar më 9/09/2025


[1]ORWELLIAN DRONES: "Eye in the Sky" Spying on Americans, Stephen Lendman, Global Research, February 13, 2012.

[2]UK to take major role in making new ‘eurodrones’, The Independent, 17 February 2012.

[3]UK-France war centre speeded up, The Independent, 17 February 2012.

[4]Shih Andrew Gavin Marshall, The Transnational Homeland Security State and the Decline of Democracy, When Empire Hits Home, Part 4.

[5]Beware the electronic gossips eavsdropping in our homes, FT, December 23, 2015.

[6]Germany pushes for greater video surveillance with newly-adopted regulation, RT, 10 Mar, 2017.

[7]Shih, për më shumë, Demokraci apo barbarizëm?

[8]The internet of things: home is where the hackers are, FT, 10 March, 2017.

[9]E-VerifyWill Be More Detrimental To Freedom Than National I.D. Card - Freedom Watch, August 19, 2011.

[10]Çip për të kontrolluar punonjësit, Top Channel, 11 Shta 2011.

[11]And Body scanners, pat-downs violate law and privacy, Marc, Rotenberg, Special to CNN, November 18, 2010.Gjithashtu, Are planned airport scanners just a scam?Jane Merrick.

[12]UN urges full US torture investigation.http://www.presstv.ir/detail/151336.html.

[13]Why I want a microchip implant, BBC, 10 February 2014.

[14]How being watched changes you – without you knowing, BBC,10 February 2014.

[15]Procesi quhet desensualizëm sistematik sepse ky proces shfrytëzohet në marketing për të manipuluar përgjigjen te një stimulant (si të shohësh emrin e një produkti) që nuk provokon si fillim ndonjë ndjenjë. Objektivi është trajnimi i njerëzve për të bërë lidhjen e “gabuar” midis emocioneve pozitive (p.sh., lumturi ose të ndjehesh tërheqës) me qëllim që marka e veçantë e mallrave për konsum të reklamohet.

[16]Ky koment lidhet me ‘sociologët’ e ftuar në studiot e medias vizive.

[17]Who will win the streaming wars? FT, June 12, 2015.

[18]Fashion powerhouse Hugo Boss issues formal apology for its Nazi past,HAARETZ, November 21, 2011.

[19]Profetët e Tregut, Kostandinos Çukalas, Sociolog, në Universitetin e Athinës, To BHMA, 8 Janar 2006. Në këtë kritikë autori bën një kritikë të shkëlqyer, mbi massmedian.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA