‘Pabesia’ perëndimore ndaj Rusisë, përçarja e aleancës euroatlantike dhe e ardhmja e NATO-s
Me këto premisa, por dhe të tjera, të karakterit politik dhe ekonomik, të cilat i shqyrtoj më tej në këtë studim, që kanë përfshirë dy kontinentet, Evropën dhe Amerikën, por dhe dëshirën tjetër të Trampit—të fuqizojë Amerikën përmes përqendrimit të veprimtarisë ekonomike brenda vendit se sa jashtë tij— një orientim që nënkupton braktisjen e globalizmit neoliberal, dhe dinamika e krijuar nga Trampi dhe parakushtet subjektive që janë krijuar në Amerikë, NATO-ja mund të braktiset nga Amerika mandatin e dytë të Trampit nëse rikandidon. Por edhe nëse ai nuk rikandidon, ai ka shkaktuar fillimin e një epoke të re, e cila, mund të zgjasë më shumë se 30 vjet.
Ylli Përmeti
17/04/2019 - 15:28
Në kohën kur Stoltenbergu, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, siguronte Rusinë nga Kongresi amerikan se “NATO-ja nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Evropë”, e njëjta ushtri u përball me përqendrimin ushtarak rus në detin e zi dhe po krijon kushtet për një luftë të vërtetë me Rusinë duke zbarkuar trupa, armë e municione në shtetet fqinje të saj! Siç tregon “The Times”, “kapja e tre anijeve ukrainase rriti tensionet në nëntor të vitit 2018-të, e cila u nxitë kur zyrtarët rusë pretenduan se bombarduesit strategjikë ‘Tupolev Tu-22M3’ u zbarkuan si përgjigje ndaj sistemit raketor amerikan të instaluar në Rumani”. NATO-ja si kundërpërgjigje po përgatitet të financojë një bazë të re armatimesh në Poloninë qendrore duke shkurtuar kohën që nevojitet për të zbarkuar përforcime në rast të ndonjë sulmi të befasishëm (inkursioni) rus. Prania e NATO-s në detin e zi përfshin “stërvitje ushtarake, pjesëmarrje inteligjente dhe prova ushtarake” me ushtrinë ukrainase në kohën kur ngushtica e Bosforit varet nga e ardhmja e marrëdhënieve Turqi-Amerikë dhe kur Rusia ka përqendruar flotën e saj në Krime si pjesë e përfshirjes së saj në luftën e Sirisë. Si pasojë, Ukraina akuzon Rusinë se ajo synon të zbarkojë armët e saj bërthamore në Krime. Si kundërpërgjigje, NATO-ja ka krijuar lidhje më të ngushta me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, një shtet tjetër i detit të zi, të cilit Rusia i aneksoi një pjesë të territorit në vitin 2008. Katër anije luftarake të NATO-s janë ankoruar në portin Poti të Gjeorgjisë pas një vizite të Stoltenbergut vitin e kaluar atje ndërkohë që vendi ka vendosur përparësi anëtarësimin në NATO. Kjo e fundit ka miratuar një paketë ndihme për Ukrainën në vitin 2016 për ta ndihmuar në përmirësimin e komunikimit dhe sigurisë kibernetike dhe vitin e kaluar Amerika zemëroi Rusinë për furnizimin e Ukrainës me raketa anti-tank “Javelin” ndërsa ushtritë amerikane dhe britanike sigurojnë trajinime ushtarake të ushtrisë ukrainase në kohën kur trupat ushtarake amerikane dhe shtatë shtete të tjerë të NATO-s morën pjesë në provat e shkallës së madhe ushtarake, Qiej të Pastër: 2018(Clear Skies: 2018) në Ukrainë.
Si kundërpërgjigje Rusia ka zbarkuar flotën e saj në Sevastopol –detin e zi- me rreth 20 fregata, nëndetëse dhe anije të tjera luftarake bashkë me aeroplanë luftarakë dhe njësi të sistemit mbrojtës anti-raketor S-400 ndërsa po ndërton një sistem tjetër radari për paralajmërime të hershme në Voronezh i cili pritet të fillojë punë këtë vit. Vendi i dobët i NATO-s në skajin verilindor evropian është mesorja e Suwalki-it, një rrip i gjerë toke prej 60 miljesh që lidh Poloninë lindore dhe shtetet e Balltikut. Një përparim vetëtim nga Rusia —nga Kalingradi, një enklavë ruse ku është rritur pranina ushtarake— përgjatë zonës mund të shkëpusë shtetet anëtare balltike të NATO-s nga pjesa tjetër e bllokut. NATO-ja tashmë ka rritur praninë e saj rreth Suwalki-t, duke dislokuar më shumë se 4,000 trupa. Përpjekjet janë në proces për të negociuar një marrëveshje të gjerë mes shteteve anëtare për të lehtësuar lëvizjet e NATO-s përgjatë Evropës. Polonia lindore është një rajon bujqësor me tokë liqenore ku pajisjet ushtarake duhet të lëvizin përgjatë rrugëve krahinore të vogla dhe urave. Për të çuar mekanikën dhe trupa nga shtetet e tjerë të NATO-s vendet do të shkaktojnë edhe më shumë dhimbje koke: kufizime ligjore për të çuar armatime përgjatë kufijëve do të thotë se aleanca duhet të negociojë çdo kalim me çdo vend…aleanca po përmirëson infrastrukturën, duke përfshirë linjat hekurudhore, tunelet dhe urat. Ky projekt është një pjesë e një tabloje më të madhe: rreth 2,3 miliard dollarë financime nga NATO-ja për projekte që lidhen me lëvizjen ushtarake gjatë katër viteve të fundit.[1]Gjykuar nga këto fakte dhe të tjerë, nuk do të ishte e çuditshme që sjellja e perëndimit në raport me Rusinë të quhet nga një analist i të njëjtës gazetë si e ‘pabesë’:
Planet e NATO-s për armatime në Poloni prej 260 miliard dollarë do të shihen nga Moska si një tjetër shenjë e bllokut që përpiqet të rrethojë Rusinë dhe topit përfrikësimin e saj. Moska është tashmë e zemëruar për vendosjen e një sistemi mbrojtës raketor amerikan në Poloni dhe Rumani, gjithashtu dhe zbarkimin qarkkthyes të trupave të NATO-s në Evropën lindore. Putini i përmend këto për të përligjur zhvillimin e një arsenali të ri bërthamor bashkë me armët konvencionale, duke përfshirë raketa hipersonike dhe një dron nënujor që mund të godasë objektiva bregdetar në Amerikë. Rusia do të bezdiset gjithashtu nga premtimi i Stoltenbergut…të shtojë mbështetjen për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, duke përfshirë “trajinim të forcave detare dhe rojet, vizita porti dhe ushtrime dhe ndarje të dhënash”. Këto dy vende tashmë shihen në Moskë si kokona të Amerikës, ndërsa tani do të fortifikohet më tej…NATO-ja pritet të paraqesë një paketë masash për të drejtuar “agresionin” rus në detin e zi. Si kundërpërgjigje Rusia mund të mbështesë flotën e saj dhe fuqinë ajrore në Krime dhe të përshpejtojë programet e armëve. Premtimet nga NATO-ja për të rritur praninë e saj në detin e zi dhe të mbështesë Ukrainën dhe Gjeorgjinë shihen nga Moska si pjesë e një përpjekje më të gjerë për të gërryer pushtetin e Rusisë…asnjë linjë e kuqe nuk ështe kaluar nga NATO-ja. As Kievit dhe as Tbilisit nuk i është kërkuar t`i bashkohen NATO-s. Por për Rusinë është një arsye më shumë të zmbrapset kundër një perëndimi të pabesë, në detin e zi dhe Balltik, në Siri dhe Venezuelë.[2]
Ndërsa autori harron marrëveshjen e Gorbaçovit dhe Bejkerit, ministrit të shtetit amerikan të viteve ‘90, përmes së cilës NATO-ja nuk do të zgjerohësh në ish-bllokun sovjet pas braktisjes së bllokut socialist lindor,[3] NATO-ja nuk mund të thuhet se i ka kaluar linjat e kuqe për shkak se vendet ish-socialiste po kërkojnë vetë të integrohen në rendin botëror të globalizmit neoliberal në të cilin është integruar pjesërisht dhe Rusia dhe integrimi në NATO është vetëm integrimi ushtarak kur dihet se integrimi kryesor është integrimi ekonomik dhe politik të cilin e shoqëron pashmangshmërisht integrimi ushtarak përsa kohë që vendet integrohen ekonomikisht dhe politikisht. Pabesia e perëndimit në raport me Rusinë rrjedhimisht lidhet pjesërisht me objektivin e tij —për të mbizotëruar në ish-bllokun socialist me pushtetin e tij, politik, ekonomik dhe ushtarak— dhe pjesërisht me orientimin e ish-vendeve të bllokut socialist. Si e tillë, ajo nuk është një ‘pabesi’ e plotë por kryesisht pasojë e procesit të integrimit të vendeve në rendin botëror të globalizmit neoliberal ku NATO-ja përfaqëson pushtetin ushtarak dhe shoqëron zgjerimin e pushteteve të tjerë të perëndimit, ekonomik dhe politik. Rusia këtë proces e ka shoqëruar dhe filloi ta kundërshtonte në vitin 2014 kur perëndimi kërkoi të diktonte politikën e tij në Ukrainë përkundër orientimit të saj drejt Moskës. ‘Pabesia’ e vetme që mund të kuptojmë në këtë përplasje është qendrimi shtirës i Stoltenbergut qendrimet e të cilit nuk përputhen me veprimet e NATO-s—të cilët, me radhë, miratohen nga blloku dhe nuk janë kryekëput të tij.
Përçarja e aleancës euroatlantike dhe e ardhmja e NATO-s
Kur globalizmi neoliberal kompletohësh në vitin 1999[4] dhe siç kujton FT, kur ‘NATO-ja festonte 50 vjetorin e saj në mbledhjen e Uashingtonit, presidenti Bill Klinton siguroi aleatët e Amerikës se fundi i luftës së ftohtë nuk do të zvogëlonte angazhimin e saj në rajon. Duke cituar Teodor Rusveltin, ai tha se s`kishte dyshim se Amerika do të vazhdojë të luajë një “pjesë të madhe në botë…e vetmja pyetje është se nëse ne do të luajmë mirë apo keq”. Në atë kohë, udhëheqësit europianë mund të buzëqeshnin me qendrimin e Klintonit’. Por në 70 vjetorin e saj ata e prisnin qendrimin e ftohtë të Trampit, një qendrim që u reflektua me mungesën e Amerikës në festë-mbledhjen e NATO-s dhe do të reflektohet, sipas Evropës, edhe pas presidencës së Trampit: për shkak të tensioneve në shumë nivele. Disa politikanë europianë besojnë, siç citon më tej FT qendrimet e disave prej tyre, “qendrimet e ashpra të presidentit amerikan për kontinentin nuk janë një sinjal por një refleksion i një venitje graduale i angazhimit të Uashingtonit në aleancë”. Zhvendosja e Uashingtonit lidhet me besimin e Trampit se Amerika nuk fiton asgjë nga aleanca ndërsa ai është përqendruar në Azi në kohën kur mbizotëron bindja e përgjithshme se përfshirja ushtarake e Amerikës çon në luftë të përhershme. Për të njëjtën arsye organizatorët e 70 vjetorit nuk e përfshin Trampin sepse kishin frikë nga qendrimet e tij, duke përfshirë vetëm sekretarin e jashtëm amerikan, Pompeon!
Kongresi amerikan, përmes një konsesusi të rrallë bipartizan, mbështeti NATO-n, pas raporteve se Trampi u kishte thënë ndihmësve dhe zyrtarëve të tij se “do të dëshironte të tërhiqësh nga aleanca”. Në janar të këtij viti, Dhoma kaloi një projektligj me 357 vota kundrejt 22 duke përsëritur mbështetjen amerikane për NATO-n dhe duke parandaluar fondet federale për t`u përdorur për ta lënë atë. Ndërsa Kongresi kundërshton Trampin lidhur me NATO-n, “për shumë politikanë dhe vrojtues europianë arnimi i Kongresit për NATO-n nuk mund të fshehë një përçarje më të thellë sigurie. Për disa europianë, vështirësitë aktuale shënojnë një zgjim të vonuar kundrejt realiteteve strategjike që kanë qenë të dukshme që në fund të luftës së ftohtë. Shumë nga kritikat e marrëdhënieve transatlantike të artikuluara nga Trampi nuk janë të reja—qoftë edhe nëse shtiremi se ato i shkojnë imazhit të tij. Presidentët e Amerikës nga të dyja partitë ka kohë që i kanë bërë thirrje Evropës të shpenzojë më shumë në ushtritë e saj — dhe shumë europianë e pranojnë se nevojitet të bëhet më shumë, duke ditur se vetëm gjashtë vende përveç Amerikës shpenzuan 2 për qind të PPB-së vitin e kaluar. Shpenzimet për mbrojtjen europiane filluan të rriteshin përpara se Trampi të vinte në Shtëpinë e Bardhë pjesërisht për shkak të trysnisë amerikane dhe pjesërisht për shkak të tronditjes së aneksimit të Krimesë nga Rusia. Amerika ka qenë dyshuese për planet e BE-së për inkurajimin e bashkëpunimit më të madh ushtarak. Megjithëse Amerika i ka thirrur Evropës të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, ajo i thartohet idesë se vendet përkatëse mund të zhvillojnë fuqitë e tyre ushtarake jashtë NATO-s dhe bëhen tejet të pavarura. Muaj përpara 50 vjetorit të aleancës në vitin 1999, Madeleine Albright, sekretarja e shtetit në administratën e Klintonit, hartoi “3D-të” e saj — linjat e kuqe se çfarë duhet të shmangin europianët — “jo zvogëlim të NATO-s, jo dallim dhe jo dyfishim (dublikim)” të fuqive ushtarake. Edhe një herë, vrazhdësia e Trampit — gjithashtu dhe lobimi i tij agresiv për interesat e biznesit amerikan — e ka bërë argumentin e kahershëm të Uashingtonit më të mprehtë. Vitin e kaluar, ai kritikoi rëndë Makronin për një sugjerim “fyerje” se BE-ja duhet të zhvillojë ushtrinë e saj. Gordon Sondland, ambasadori i Uashingtonit në BE, vitin e kaluar paralajmëroi bllokun se ai rrezikonte shpagimin amerikan nëse ai trysnonte me plane për të kufizuar përfshirjen e ndërmarrjeve amerikane në projekte pankoninentale ushtarake. Por trysnia amerikane për rritjen e shpenzimeve nënkupton blerjen e armëve nga ndërmarrjet amerikane dhe europianët janë në dijeni të këtij efekti siç janë në dijeni amerikanët se Amerika ka përfituar nga Evropa e qendrueshme edhe nëse paguajnë më shumë në ushtri. Por Trampi beson se njerëzit e pasur po zhvasin amerikanët në treg dhe po përfitojnë nga bujaria e tyre në mbrojtje dhe për pasojë kjo duhet të ndalojë. Ai e shikon NATO-n, siç pohon një zyrtar i lartë amerikan i administratës Obama, Philip Gordon, në mënyrë të qënësishme si një shamatë mbrojtëse. Aktualisht vendet e NATO-s nuk janë shpenzuesit më të mëdhenj të armëve amerikane: ata tejkalohen nga Arabia Saudite gati dyfish.
Uashingtoni ka zgjeruar Nismën Europiane të Përfrikësimit për të financuar ushtrime, ortakëri dhe zbarkime ushtarake amerikane. Projektet europiane janë në lëvizje për zhvillimin e aftësive duke lëvizur nga automjetet e blinduara te raketat.[5] Kina është bërë një “mollë” sherri për aleancën gjithashtu sidomos lidhur me sistemin e saj 5G të cilin Evropa kërkon ta përdorë në tregun e saj: në mbledhjen e 70 vjetorit të NATO-s në Uashington Pompeo paralajmëroi europianët se Amerika mund të mos jetë më në gjendje të ndajë informacion si më parë nëse do të kishte sisteme kineze brenda rrjeteve të tyre. Përçarja mes aleatëve kulmoi me braktisjen e mbledhjes së “G7” në Francë —organit kryesor të globalizmit neoliberal— nga Amerika: ajo dërgoi një përfaqësues në vend të Pompeos ndryshe nga mbledhja e një viti më parë në Kanada ku Trampi u “izolua” dhe mbledhja u quajt “G6 plus një” dhe ku Trampi kërkoi ripranimin e Rusisë në formatin G7+Rusia=G8. Nuk është e rastit që në takimin me Stoltenbergun, Trampi ripërsëriti qendrimin e tij optimist se NATO-ja mund të bashkëpunojë me Rusinë. Të gjitha këto në kohën kur mbështetja e NATO-s nga qytetarët amerikanë ka rënë ndjeshëm (rreth 44%).
Gjermania ndryshon politikë të jashtme: kërkon ushtri dhe “FBI” evropiane ndërsa kundërshtohet nga e majta evropiane
Me këto premisa, por dhe të tjera, të karakterit politik dhe ekonomik, të cilat i shqyrtoj më tej në këtë studim, që kanë përfshirë dy kontinentet, Evropën dhe Amerikën, por dhe dëshirën tjetër të Trampit—të fuqizojë Amerikën përmes përqendrimit të veprimtarisë ekonomike brenda vendit se sa jashtë tij— një orientim që nënkupton braktisjen e globalizmit neoliberal, dhe dinamika e krijuar nga Trampi dhe parakushtet subjektive që janë krijuar në Amerikë, NATO-ja mund të braktiset nga Amerika mandatin e dytë të Trampit nëse rikandidon. Por edhe nëse ai nuk rikandidon, ai ka shkaktuar fillimin e një epoke të re, e cila, siç argumenton me vend Rachman, mund të zgjasë më shumë se 30 vjet. Kjo epokë ndryshon nga dy epokat e fundit, të pas luftës, të cilat zgjatën po aq, 30 vjet: “nga viti 1945-1975, që njihet si les trente glorieues në Francë, një periudhë me rritje të fortë ekonomike përgjatë perëndimit, paralel me ndërtimin e shtetit të mirëqenies dhe kërkesë-administrimin keinsian—të gjithë bashkë u zhvilluan përkundër sfondit të luftës së ftohtë. Ky model u përball me telashe në mes të vitit 1970 në botën anglo-amerikane, me Britaninë të vuante nga “stagflacioni” ndërsa Amerika u përfshin në një “gjendje të sëmurë” siç e quajti presidenti Jimmy Carter. Një epokë e re (zakonisht e quajtur “neoliberale” nga kritikët e saj) filloi në vitin 1979 me zgjedhjen e Margaret Thaçerit në Britani, duke u ndjekur nga Ronald Reaganin në Amerikë në vitin 1980. Në prapavështrim, kjo ishte gjithashtu pjesë e një zhvendosje botërore...kjo “epokë neoliberale” zgjati gjithashtu rreth 30 vjet deri kur u diskretitua në krizën e vitit 2008. Si me fundin e trente gloreises, u nevojitën pak vjet pasiguri përpara se një lëvizje idelogjike të shfaqësh. Kjo ndodhi në vitin 2016, me zgjedhjen e Trampit dhe Brexit. Një sqarim i mundshëm se pse zgjasin rreth 30 vjet këto cikle në historinë moderne është se ideologjitë e suksesshme dhe lëvizjet politike që ato mbjellin kalojnë përmes cikleve rivaliteti të pasuar nga e kaluara. Nëse lëvizjet e reja ose politikanët zhvillojnë një aureolë suksesi, ato gjejnë imitues rreth botës. Kjo ndjesi e vrullit ideologjik më pas krijon një kërkesë për idetë origjinale pas lëvizjes për t`u shtyrë më tej dhe më shpejtë. Dhe kjo çon në tejkalimin e fazës së ciklit. Një shembull i tejkalimit ideologjik është mënyra përmes së cilës kërkesa Reganiste për taksa më të ulëta dhe më pak burokraci çoi në derregullimin e tepërt të financës, duke kulmuar në krizën financiare”.[6] Sidoqoftë, autori nuk përmend shkakun kryesor se pse u braktis rendi social-demokrat shekullit të kaluar: fuqizimi i klasës punëtore dhe kërcënimi i oligarkive nga ajo.[7]
Pjesë nga një studim më i gjerë i papublikuar.
...
[1]Nato confronts Russia with Black Sea build‑up, The Times, April 3 2019.Nato to spend $260m on new military site in eastern Poland, The Times, April 2 2019.
[2]Russia’s push against the perfidious West will continue, Tom Parfitt, The Times, April 3 2019.
[3]Newly declassified documents: Gorbachev told NATO wouldn`t move past east german border, The national interest, December 12, 2017
[4]Shih, për më shumë, Pushteti i kaosit dhe globalizmi neoliberal.
[5]Nato at 70: Europe fears tensions will outlastTrump, FT, 03 April 2019.
[6]The Trump era could last 30 years, Gideon Trump, FT, Feb 4, 2019.
[7]Shih, për më shumë, Nga kaosi i shkencave moderne në plaçkitjen dhe robërimin e popujve.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 109 reads