Gjermania ndryshon politikë të jashtme: kërkon ushtri dhe “FBI” evropiane ndërsa kundërshtohet nga e majta evropiane
...është një faktor vendimtar që luan rol tejet të rëndësishëm në politikën e jashtme gjermane: “kultura politike që mbështet maturinë dhe konsesusin (miratimin e përgjithshëm) dhe një sistem qeverisës që është i aftë të ndryshojë drejtim vetëm ngadalë...[sistem] i rrethuar nga koalicione të rëndë përgjatë partive, udhëheqësit parapëlqejnë hapa të vegjël kundrejt vizioneve të mëdhenj dhe ndryshim gradual kundrejt reformës radikale”
Ylli Përmeti
05/05/2019 - 11:24
Ministri i jashtëm gjerman, Maas, pranon në “FT” se sfidat e politikës së jashtme gjermane janë të shumëllojshme dhe të ndërlikuara — nga përpjekjet kineze për të përçarë BE-në dhe ndërhyrjet ruse në Evropën lindore në konfliktet në Siri, Libi dhe Jemen. Por asnjëri, sidoqoftë, nuk duket më i madh se sa përçarja në thellim me Amerikën, garantorja e sigurisë gjermane që nga viti 1945: “atje ka patur gjithnjë kriza dhe konflikte mes Evropës dhe Amerikës por ato janë zgjidhur brenda marrëdhënies transatlantike. Tani ne duhet të rihartojmë vetë marrëdhënien transatlantike”, argumenton mes të tjerash Maas.
Që ditët e para të republikës federale, sqaron më tej “FT”, Berlini ka kërkuar të ndjekë interesat politike dhe ekonomike të vendit thuajse vetëm brenda organizatave shumëpalëshe dhe suprancionale. Për arsye të qarta historike, pak vende në perëndim kanë qenë ngurruese të vepronin vetëm—ose të përdornin fuqinë e vrazhdë të pushteti politik. Por në kohën kur organizatat gjenden nën sulm nga politikanët nacionalistë, Berlini s`po bën asgjë për t`i shpëtuar. Madje disa besojnë se politikat e fundit të Gjermanisë kanë bërë më shumë dëm se sa mirë në trupa si NATO-ja dhe BE-ja.
Anëtarë të partisë së Maas-it besojnë se Gjermania mund ta përdorë pushtetin e fortë (ushtarak) duke gjykuar nga prania e tankeve gjermane në Lituani dhe përfshirjen e forcave të saj ushtarake në VJTF (forcat e shpejta të NATO-s për të përfrikësuar Rusinë) ndryshe nga dhjetë vjetë më parë kur as që mund të mendohësh. Por atje është një faktor vendimtar që luan rol tejet të rëndësishëm në politikën e jashtme gjermane: “kultura politike që mbështet maturinë dhe konsesusin (miratimin e përgjithshëm) dhe një sistem qeverisës që është i aftë të ndryshojë drejtim vetëm ngadalë...[sistem] i rrethuar nga koalicione të rëndë përgjatë partive, udhëheqësit parapëlqejnë hapa të vegjël kundrejt vizioneve të mëdhenj dhe ndryshim gradual kundrejt reformës radikale”.[1]
‘Pabesia’ perëndimore ndaj Rusisë, përçarja e aleancës euroatlantike dhe e ardhmja e NATO-s
Ndërsa Gjermania është duke rikonceptuar politikën e saj të jashtme, ajo mori një vendim përmes të cilit rriti dyshimet dhe zhgënjimet në qarqet diplomatike dhe kapi plotë qeveri në befasi (“on the hop”) rreth qendrimit të Gjermanisë në të ardhmen dhe se çfarë do të thotë politika e saj për NATO-n: ajo përjashtoi nga konsiderata avionët luftarakë të padukshëm amerikanë F-35 të gjeneratës së pestë për të zëvendësuar flotën e saj të vjetër, Tornado, në kohën kur shumë vende të tjerë po investojnë dhe kur Gjermania gëzon buxhetin më të madh të mbrojtjes. “Vendimi gjerman shihet nga shumë studiues të mbrojtjes si sinjal i Berlinit se ai ndjek “sistemin franko-gjerman ajror luftarak të së ardhmes” (FCAS). Parisi para pak kohe shprehu frikëra se një urdhër gjerman për të blerë F-35, që shihet përgjithësisht si avioni më i përparuar në listën përfundimtare, mund ta kishte bërë projektin FCAS — që pritet të krijojë shtyllën e forcave ajrore të të dy vendeve pas vitit 2040 — të tepërt.
Me gjithë dyshimet dhe zhgënjimet, amerikanët e industrisë ushtarake (Lockheed) e shikojnë ende Gjermaninë si një vend të madh tregëtimi të armëve meqënse janë përfshirë në programe të rëndësishëm mbrojtjeje atje duke përfshirë helikopterët për pesha të rënda gjithashtu dhe raketa mbrojtëse ku Gjermania ka një rol udhëheqës në NATO. Amerikanët kanë krijuar marrëveshje ushtarake me Poloninë gjithashtu e cila do të jetë një qendër rajonale për grupin meqënse ajo është zotuar se do të shpenzojë 2 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto çdo vit për mbrojtjen si pjesë e një plani modernizimi 10 vjeçar që u hartua në vitin 2013.[2] Për këto arsye por dhe të tjera...Evropa është ende një zonë me interes për amerikanët.
Nga ana tjetër, vetë Merkeli mbështet idenë e krijimit të një fuqie të përhershme ushtarake shumëpalëshe evropiane të cilën e mbështet dhe Manfred Weber, konservatori gjerman i cili drejtoi fushatën për partinë popullore evropiane të qendrës së djathtë për zgjedhjet evropiane, bashkë me Guy Verhofstadt, drejtuesi i aleancës së liberalëve dhe demokratëve evropianë — një mbështetje që u kundërshtua nga dy kandidatët e tjerë (Frans Timmersmans, drejtues i partisë së socialistëve evropianë dhe Ska Keller, drejtuese e partisë se gjelbërt evropiane) në debatin që organizoi FT dhe Instituti i Universitetit Europian — karakteristika kryesore e të cilit ishte ndarja mes partive të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë. Argumenti që përdoret për të përligjur ushtrinë evropiane është se Trampi mendon, për herë të parë në histori, se një Evropë më e dobët është në interesin amerikan ndërsa mospajtimet në shumë çështje —të cilat i shqyrtoj më tej— plotësojnë argumentin.
Të tjerë besojnë se Evropa kërcënohet nga Rusia. Por siç do të tregoj në vazhdim Evropa nuk kërcënohet as nga Trampi as nga Rusia. Për të njëjtën arsye ‘kërcënimi’ përdoret kryesisht për të përligjur ushtrinë evropiane. Krahas ushtrisë evropiane, drejtuesit e partive të qendrës së djathtë propozuan krijimin e “FBI-së” evropiane — një propozim që u kundërshtua nga drejtuesit e qendrës së majtë. Por pavarësisht mospajtimeve me propozimet përkatëse ata pajtohen në disa qendrime veçanërisht lidhur me ndryshimet klimatike të cilat do t`i shqyrtoj në vazhdim.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 414 reads