...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse dështoi socializmi sovjet?

Ky studim tregon shkaqet e zhvillimit të socializmit sovjet, praktikat e përgjithshme të tij për të shkuar në komunizëm — në një shoqëri paklasa dhe, shkaqet e dështimit. Argumentohet se dy janë shkaqet kryesore të dështimit: (1) pamundësia e elitës politike sovjete për të gjeneruar efiçencë të përhershme ekonomike përmes planit qendror dhe papërputhshmëria e ideologjisë së rritjes ekonomike me sistemin dhe burimet natyrore; dhe (2) papërputhshmëria e edukimit me sintezën politiko-ekonomike.

Ylli Përmeti

14/08/2017 - 21:40

Revolucioni në Bashkimin Sovjetik ishte rezultat i jetës politike dhe filozofike e Marksit përgjatë shekullit të 19-të dhe marksistëve (Leninit etj.) dhe, vetë-mohimit të punëtorëve në luftën e tyre për të përmbysur politikat mjeruese të rendit kapitalist carist që ishte zhvilluar në fund në shekullit 19-të dhe fillim të shekullit 20-të në Rusi. Pa Marksin dhe pa marksistët revolucioni nuk do të kishte filluar dhe punëtorët nuk do të kishin fituar. Parë nga një perspektivë marksiste, se revolucioni buron në gjirin e punëtorëve dhe udhëhiqet nga udhëheqësit marksistë, revolucioni i gëzonte këto parakushte. Por pse dështoi projekti marksist dhe punëtorët sovjet? Në 25 vjetorin e rënies së socializmit sovjet, establishmenti rus, ia atribuoi dështimin puçit që organizuan komplotistët kundër nismës së Gorbaçovit.[1] Puçi kërkonte të anullonte traktatin e vjetër të hartuar nga katër delegatët e Deklaratës së Traktatit për Krijimin e Bashkimit Sovjetik, me një të ri, të propozuar nga Gorbaçovi. Traktati i ri do të qarkullonte me emrin: “Bashkimi i Shteteve Sovrane”. Ai synonte të frenonte rrënimin e Bashkimit Sovjetik. Por “puçi” në vend të frenonte nismën e Gorbaçovit solli në skenën politike Jelcinin. Ky i fundit u ndihmua...siç tregojnë dokumentat e deklasifikuar të CIA-s, nga agjencia amerikane për t`u paraprirë qëllimeve të puçistëve ose sovjetëve që kërkonin rivendosjen e rendit sovjet.

Gorbaçovi: shtetëtari` perëndimit dhe dezertori` sovjetëve

Gorbaçovi në perëndim lëvdohet si një shtetëtar që rrëzoi perden e hekurt, lejoi shoqërinë civile të Sorosit, lejoi rrënimin e Bashkimit Sovjetik dhe lejoi hegjemoninë amerikane të përhapësh kudo, ndërsa nga një pjesë e Rusisë paraqitet si një dezertor që nuk lejoi vetëm rrënimin e Bashkimit Sovjetik dhe kontriboi në rrënimin e gjithë bllokut socialist të Lindjes me mijëra për mos të thënë miliona viktima por gjatë “perdes së hekurt” vërtet popujt kishin “perde” por luftra të llojit që po dëshmojmë 30 vitet e fundit me hegjemoninë amerikane dhe mungesën e një kundërfuqie botërore, tregojnë nevojën e një kundër-fuqie, këtë herë, thonë mbështetësit e kësaj nevoje, ruse dhe kineze.

Gorbaçovi lindi në kohën e Stalinit (1930), u përfshi pak në luftën e dytë botërore, pati disa burgosje si ai ashtu dhe babai i tij pas luftës, dhe shkëlqeu me thyerjen e një rekordi në prodhimin e grurit në vitet `60. Pas vdekjes së Brezhnievit (1984) ai u ngrit në detyrë si sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BS. Ngaqë ekonimia sovjete ishte në amulli, Gorbaçovi filloi reformat: e para ishte Përshpejtimi (Uskorenie). Por ajo nuk zgjidhi problemet themelore të ekonomisë sovjete; në vend të saj ajo forcoi “zgjidhjet” nga lartë-poshtë me më shumë investime, mbikqyrje më të rreptë të punëtorëve dhe më pak humbje. Ligji i dytë i tij lidhet me kufizimin e përdorimit të alkoolit duke ulur prodhimin e tij. Ulja e prodhimit do të rriste çmimin dhe për pasojë dhe përdorimin. Por kjo masë i detyroi sovjetët të pinin pije të tjera industriale qoftë edhe alkoolin që përdorësh pas rrojes. Masa dëmtoi dhe buxhetin e qeverisë ndërsa një ekonomi në hije filloi të lulëzonte.

Reforma e tretë ishte perestrojka e famshme ose rindërtimi. Por jo në kuptimin e gjerë ekonomik dhe shoqëror por individual. Ajo zëvendësoi dy të tretat e Politbyrosë, më shumë se gjysmën e drejtorave rajonalë dhe 40 për qind të anëtarësisë së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste në emër të “demokracisë” ose glasnostit (diskutimit të hapur publik). “Ne kemi nevojë për kritikë dhe vetë-kritikë” thoshte ai në atë kohë, duke i dhënë jehonë thënies së Leninit. Ai lejoi transmetimin e filmave të çensuruar ndërsa KGB-ja ndaloi së gacmuari agjencitë e huaja të lajmeve (BBC, Voa); disidentët u liruan dhe arkivat e kohës së Stalinit u hapën. Këto ndryshime u mirëpritën nga disa ndërsa të tjerë u alarmuan.   

Lidhur me rivalen e BS, Amerikën, Gorbaçovi nënshkroi marrëveshjen INF: 1987, e cila ndalonte raketat balistike; traktatin (CFE) për uljen e pranisë ushtarake në Evropë; dhe traktatin START për zvogëlimin e përgjithshëm të armëve bërthamore. Tërheqjet e Gobaçovit u kuptuan si dobësi nga administrata e Reganit. Por ai u jepte kuptim tjetër: se nga çarmatimi të gjithë fitojnë. Kështu BS filloi të tërhiqte trupat ushtarake nga konfliktet rreth botës. Paralelisht tensionet sociale në BS po rriteshin ndërsa policia nuk dinte t`i kontrollonte ato. BS përbëhësh nga 15 republika kombëtare me një dyzinë kombesh që jetonin mes tyre. Gjuha zyrtare ishte rusishtja dhe ideologjia mbizotëruese ishte filozofia marksiste.

Kësaj strukture shoqërore Gorbaçovi i dha goditjen e parë në vitin 1988 kur tha se “çdo tokë socialiste ishte e lirë të zgjidhte sistemin e saj shoqëror”. Kjo deklaratë u kuptua si “sinjal” nga nacionalistët për shkëptuje. Si pasojë, pak ditë më pas shpërthyen tarzirat (Nagorno-Karabakh etj.). Kështu filluan dhe thirrjet “Poshtë Komunizmi”, “Poshtë Imperializmi Sovjet” etj. Gorbaçovi urdhëroi forcat ushtarake të ndalonin nacionalistët duke shtypur disa protesta. Kjo gjendje kulmoi në vitin 1990 kur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste votoi sistemin presidencial të pushtetit me Gorbaçovin presidentin e parë dhe të fundit të BS. Të njëjtën ditë u çmontua dhe monopoli i pushtetit të partisë komuniste nga mbledhja e Komitetit Qendror.

Si pasojë, dëshira për t`u shkëptur nga Bashkimi Sovjet u rrit me shpejtësi. Këto ngjarje dhe të tjera të ngjashme shtyn disa anëtarë të Politbyrosë të organizonin një grusht shteti kundër Gorbaçovit me qëllim që të rivendosnin rendi Sovjet. Por ata dështuan ndërsa Gorbaçovi, i izoluar në ndërtesën qeveritare të Krimesë, u kthye në Moskë për shkak të përleshjeve me Jelcinin. Kur ai arriti në Moskë, pushteti i tij ishte zhdukur dhe nuk mund të bënte asgjë për të parandaluar marrëveshjen “Belovezha” mes Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës, e cila i dha fund historisë se BS dhe solli Konfederatën e Shteteve të Pavarrur. Kështu të gjitha republikat ishin të pavarura pavarësisht se ishin apo jo gati.   

Përmblethtas, Gorbaçovi çmontoi një superfuqi botërore, Bashkimin Sovjetik, për katër vjet, në emër të amullisë ekonomike, disa lirive qytetare dhe paqes botërore por duke i dhënë çelsat rivales së tij, SHBA-së, të vepronte sipas dëshirës me popujt rreth botës. Parë nga këndvështrimi` ‘rolit’, se BS luante rolin e balancës (ose kundërpushtetit) mes dy superfuqive të kohës, me qëllim ruajtjen e paqes botërore dhe jetën e planetit, roli i Gorbaçovit në këtë drejtim ishte katastrofik: jo vetëm sepse shkaktoi miliona viktima gjatë shpërbërjes së BS dhe zhyti pupujt në krizë ekonomike, pabarazi dhe krizë ekologjike, por i la dorë të lirë SHBA-së të shkatërronte Lindjen e Mesme si kurrë më parë (Irak, Libi, Siri).      

Kështu plani i Gorbaçovit mbeti në duart e këtij të fundit dhe Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Dhimbshëm, pas njëzetë e gjashtë vjetëve të rrënimit të socializmit marksist asnjë studim nuk është kryer nga trashëgimtarët e tij — tashmë në një rend tjetër social-ekonomik: në “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut...të ndërkombëtarizuar. Cila është arsyeja? Paaftësia intelektuale e pinjollëve të socializmit apo ruajtja e pushtetit dhe e privilegjeve që burojnë nga ai? Në të vërtetë, të parët që duhet të kishin kryer ndonjë studim për shkaqet e rrënimit të socializmit janë të ashtuquajturit “komunistë” ose anëtarët e partive komuniste të bllokut socialist. Pas tyre, duhet të ishin anëtarët ose politikanët profesionistë të të ashtuquajturave parti “socialiste”. Kudo qofshin. Por asnjë studim s’kanë kryer! Dhe pavarësisht këtij fakti, vazhdojnë të propagandojnë “socializmin”! Kjo do të jetë tema kryesore e këtij studimi: të tregojë se si elitat moderne e kanë të pamundur të kuptojnë dhe të tregojnë shkaqet e dështimit të socializmit: pikërisht sepse pinjollët janë edhe të paaftë intelektualisht edhe bashkëfajtorë për rrënimin e socializmit.

Kështu, fitorja e ‘social-demokracisë’ keinsianiste në Perëndim kundrejt ‘socializmit’ marksist-leninist në Lindje, nuk ishte rezultat i shkëlqimit ekonomik të Perëndimit, në njërën anë, dhe mynxyrës ekonomike të Lindjes, në anën tjetër, siç mundohen të na e paraqesin “akademikët” e elitave borgjeze. Por ishte, së pari, shterimi i naftës në Amerikë i cili shtyu oligarkët amerikanë të ngrinin institucione mbikombëtare; dhe së dyti, amullia ekonomike e shoqërive kapitaliste perëndimore në njërën anë dhe kërcënimi nga fuqizimi i lëvizjeve punëtore në anën tjetër që krijuan premisat për minimin njëherësh, të lëvizjve punëtore dhe kuadrit institucional të social-demokracisë. Nga ana tjetër, siç do të shohim këtu, elita politike e socializmit sovjet, ishte e paaftë të gjeneronte efiçencë të përhershme ekonomike, për shkak të sistemit, të kuptonte kontradiktat sistemike dhe rëndësinë e përqendrimit të pushtetit. Shkurt, ajo ishte një “fitore” politike jo ekonomike. Keshtu, ndërsa për këta të fundit ishte ‘fitore’ politike, për elitat e vendeve ish-socialiste, ishte ‘hubje’ politike. Siç ishte humbje politike për popullin e Demokracisë Klasike të Athinës, i cili u manipulua nga oligarkët e kohës, që qendronin në hije, duke u thënë, se perandoria Perse dëshironte qeverisje oligarkike dhe jo demokratike.[2]

Pyetja që shtrohet këtu është se nëse i përforcon zgjedhja e ish-socialistëve prirjet për çlirim që synon thurjen e plotë të nevojave njerëzore për vetë-vendosje? Në mënyrë paradoksale, mbi këtë pyetje marrim përgjigje pozitive nga neoliberalët dhe kjo shfaqet fuqishëm te “fitorja” e fundit që u pasqyrua nga promotorët e kësaj dogme, të cilët ishin “ekonomistët” e shkollës së Çikagos - bashkë me shprehësit e saj politikë: Reagan dhe Thatcher.[3] Dekada e viteve 1960-të predominoi këtë doktrinë: kjo doktrinë erdhi si projekt neoliberal nga format e mëparshme shtetërore, të cilat, përmes intervencioneve ekonomike, kontrollonin shtetin modern. Në nivel akademik ajo u riprodhua nga disa “ekonomistë” të cilët i shërbenin shtetit modern dhe sot modernitetit neoliberal dhe elitës mbikombëtare. Për shembull, shpërthimin e neoliberalizmit politikanët dhe ekonomistët e shkollave perëndimore e justifikuan nga kriza ekonomike që u shfaq në vitet 1970-të në Amerikë nga rënia e Bretton Woods.[4] Në thelb të kësaj rënieje qëndronte ‘koncepti i konkurrencës dhe ideologjia e rritjes ekonomike - mbrojtur si fillim nga babai i kësaj doktrine, Adam Smith, i cili u pasua më vonë nga Deivid Rikardo,[5] dhe të tjerë, e që u adoptua si mekanizëm tregu dhe administrimi nga shteti modern dhe së fundmi, neoliberalizmi. Shteti modern, në fjalë të tjera, adoptoi konceptin ekspansionist dhe inflacionist në thuajse të gjithë nivelet: jo vetëm në nivel ekonomik, por edhe në nivel politik. Siç citon Mises:

Inflacionizmi... nuk është një dukuri e izoluar. Ai është vetëm një pjesë e kuadrit total të ideve politiko-ekonomike dhe socio-filozofike e kohëve tona. Njëlloj sikurse politikat e paráve të shëndetshme të standardit të arit u përcollën dora dorës me libaralizmin, tregun e lirë, kapitalizmit dhe paqes, ashtu është edhe inflacionizmi, pjesë dhe ngastër e imperializmit, militarizmit, proteksionizmit, statizmit dhe socializmit.[6]

Në nivel ekonomik dhe financiar, përveç koncepteve të zhvillimit, ideologjisë së rritjes ekonomike dhe konkurrencës, në nivel ndërmarrës, shteti modern përdori edhe konceptin inflacionist monetar i cili buron nga praktikat e mbretit Kroesus. Pas rënies së Perandorisë Romake (në Perëndim ra në vitet 476 të erës sonë dhe në Lindje ra në vitin 1453, për thuajse më shumë se një mijë vjet më vonë), deri në Mesjetën e pas-viteve 1100, Europa Qendrore gëzoi lulëzime të disa qyteteve autonome që ndodheshin në pjesën Qendrore të saj, si rezultat i mungesës së një Perandorie. Në pjesën tjetër të saj, d.m.th të Perandorisë Bizantino-Lindore, e njohur më vonë si Perandoria Otomane, vazhdonte e njëjta politikë monetare: in-ekspansioni monetar. Domethënë, ndalimin e bankave për përdorimin e politikave financiare. Kjo praktikë krijoi kriza të pakta ekonomike. Ndërkohë, në anën tjetër të Europës, ekonomia filloi të praktikohej në bazë të “ekonomisë së çeteles” (një shkop që shërbente për shkëmbimin e mallrave në nivel qytetar dhe ndër-qytetar). Regjimi i ekonomisë së “çeteles” zgjati thuajse shtatë qind vjet, duke pasur në qarkullim si mjet dytësorarin edhe argjendin. Ekonomia e çeteles si mjet shkëmbimi u shfaq më vonë edhe në pjesën Bizantine. Kjo praktikë u ndalua së qarkulluari kur u themelua banka e parë fraksioniste (krejtësisht në vitin 1826-të), në Britaninë e Madhe, nga Goldsmith-sat, në vitin 1694, e cila u shoqërua me ligjin e Gresham, i cili besonte “se parátë e këqija prodhojnë pará të mira”! Bankat e para filluan operimin duke deklaruar se kartëmonedhat që ekzistonin në treg mbështeteshin mbi arin që rezervonin bankat. Në të vërtetë, kjo praktikë asnjëherë nuk është përdorur, sepse bankat ishin të lira të ri-tregtonin të gjithë arin që akumulohej përmes depozitorëve. Kjo praktikë, më vonë, u kopjua edhe nga vende të tjerë. Gjysma e fund-shekullit të 18-të dhe fillimi i shekullit 19-të shënuan fillimin e prezantimit të shtetit modern. Në këtë mënyrë, kjo periudhë shënoi fillimin e marketizimit të ekonomisë dhe ndryshimin e marrëdhënieve sociale: nga një shoqëri që ‘ekonominë’ e kishte të integruar në jetën e saj dhe, rrjedhimisht, marrëdhënia me të ishte e ngushtë, e racionalizuar nga vetë individi — sepse varej nga zhvillimi i urtësisë së individit...në një shoqëri ku ekonomia (e cila kontrollohësh nga elitat) integronte shoqërinë në sektorët e saj.[7]

Ndryshe nga fillimi e shekullit 20-të, kur sovjetët mbronin sundimin e klasës punëtore dhe fshatarësisë kundër borgjezisë, dhe kur u përpoqën seriozisht për shkatërrimin e Asamblesë Kushtetuese, anëtarët e së cilës, ndryshe nga sovjetët, mbështesnin vazhdimin e kapitalizmit dhe përshtatjen me shtetin e Carit,[8]  Rusia e socializmit dhe e stalinizmit, duke ndjekur përmbysjen e marrëdhënieve sociale, ekonomike dhe politike, bashkë me vendet e tjera satelite të Lindjes, dështoi duke mos mbushur as edhe një shekull të plotë në projektin famë-madh marksist dhe të planit qendror. Sot partitë që vetëquhen “socialiste” ndjekin thjesht axhendën e kapitalistëve të mëdhenj. Siç citon Fotopoulos:

Qoftë liberalët dhe qoftë marksistët (përfshirë tendencën e lidhur dhe qasjet e rregullimeve), qartë ose heshtur, adoptojnë ideologjinë e rritjes ekonomike. Rruga, për shembull, që se si të gjitha këto qasje e përcaktojnë zhvillimin është dëftuese. Një përcaktim liberal tipik është dhënë nga I.M.D. Little, i cili e përcakton zhvillimin si “një ngritje në vlerën e tanishme të konsumit (të peshuar) mesatar për person. Marksistët e identifikojnë zhvillimin me zhvillimin e forcave prodhuese dhe përcaktojnë nën-zhvillimin si një rast dominimi të metodave para-kapitaliste të prodhimit, një rast prapambetjeje. Teoricienët e varësisë e identifikojnë nën-zhvillimin me varësinë, e cila, me radhë, është përcaktuar si “një situatë kushtëzuese”, në të cilën ekonomitë e një grupi vendesh janë të kushtëzuara nga zhvillimi i ekspansionit të të tjerëve. Së fundmi, shkolla e re e rregullimit përcakton “periferinë” si “pjesa e botës në të cilën regjimi i akumulimit, themeluar në pjesën më të madhe të vendeve kapitaliste të zhvilluara, nuk ka qenë e aftë për t’u rrënjosur”[9]

Ngritja e ‘ideologjisë së rritjes ekonomike’ ka ardhur si nevojë e nënkuptuar e shtetit modern dhe elitave korresponduese. Karakteristika e përbashkët në të gjithë përcaktimet e mësipërme është se mirëqenia humane është identifikuar me ekspansionin e konsumit individual ose, përgjithësisht, zhvillimin e pakufizuar të forcave prodhuese. Duke themeluar këtë synim të përbashkët, diferenca midis përcaktimit ortodoks dhe radikal të zhvillimit i referohet metodave të përshtatshme për ta arritur atë: përmes ekonomisë së marketingut (ekonomistët ortodoksë), dhe përmes ekonomisë së planifikuar disi të centralizuar (marksistët dhe teoricienët e varësisë) ose, së fundmi, përmes një regjimi “autonom” lokal politik (rregullatorët). Çështja kryesore lidhur me këto qasje është se ato shpërnjohin krejtësisht se nëse është i dëshirueshëm zhvillimi ekonomik në kuptimin e mësipërm. Pra, çështja është lënë tek elitat që kontrollojnë ekonominë (d.m.th. tek ata që e kontrollojnë atë drejpërdrejt përmes mekanizmit të planit ose tek ata që e kontrollojnë atë tërthorazi përmes tregut) për të marrë vendimet përfundimtare rreth rrugëve dhe instrumenteve për të arritur objektivin e zhvillimit.[10]

Për më shumë, qasjet e mësipërme, shpërnjohin zhvillimin shkencor të njeriut. Domethënë, se është urtësia shkencore që përcakton sasinë dhe cilësinë e prodhimit dhe konsumit dhe jo e kundërta: sepse ndërsa qasja perëndimore e zhvillon ekonominë për hir të konsumit, qasja lindore, për hir të zhvillimit të pakufizuar të forcave prodhuese, jo për hir të zhvillimit të urtësisë shkencore të njeriut. Ato përmbysin, në fjalë të tjera, rendin zhvillimor të njeriut: në vend të përqendrohen te zhvillimi i virtyteve të njeriut (etikë dhe intelektualë), dhe këta me rradhë të zhvillojnë dhe përcaktojnë ekonominë dhe konsumin, përqendrohen te konsumi për hir të konsumit! Pretendimi se njerëzit kanë urtësi të mjaftueshme për të përcaktuar sasinë dhe cilësinë e konsumit, në kushtet aktuale, kur gjithë dinamika shoqërore përqendrohet te konsumi, për hir të konsumit, nuk qendron: sepse tregu nxit konsumin për të krijuar kushtet për të përqendruar pushtetin ekonomik, dhe nuk krijon kushtet për përfitime intelektuale — për të zhvilluar urtësinë e të jetuarit: se, për shembull, ai që kënaqet me pak është më i pasuri, në urtësi, sepse kjo lloj ‘pasurie’ nënkupton se njeriu ka kuptuar se prodhimi buron nga shfrytëzimi racional i Natyrës — burimet e së cilës nuk janë gjithnjë linearë. Për të njëjtën aryse, prodhimi dhe konsumi duhet të shihen në raport me popullsinë e një shoqërie dhe duhet të synojë së pari shëndetin e Natyrës dhe së dyti të shoqërisë dhe njeriut.       

Përse, si dhe kur dështoi socializmi sovjet?     

Sot, numri në rritje i njerëzve që nuk kanë akses në procesin politik (përjashto rastin si votues), në procesin ekonomik (përjashto rastin si konsumator), dhe në mjedis (përjashto rolin e tyre të kushtëzuar në procesin politik dhe ekonomik, përcaktuar nga ekonomia e marketingut dhe sistemi parlamentar),[11] reflekton realitetin shoqëror post-modern. Siç analizon Fotopoulos, rënien e ish-socializmit, duke konsideruar të gjitha qasjet: traditën neoliberale (në të cilën përfshihen, me disa ndryshime, edhe analizat e social-demokratëve), e cila thekson rëndësinë e mekanizmit të tregut dhe traditën radikale (të gjelbrit, lëvizjet autonome etj.), e cila thekson rëndësinë e vetë-administrimit dhe demokracisë së drejtpërdrejtë dhe, së fundmi, hapësirën marksiste, ku arsyet përfshijnë një tezë të ndërmjetme: ana e djathtë e lëvizjes, në të cilën edhe udhëheqja sovjetike (me Gorbaçovin deri te Jelcini), gjenden më afër mendimit neoliberal, ndërsa ana e majtë (Trockistët etj.) i qasen mendimit radikal, kështu:

Kriza ekonomike [në Bashkimin Sovjetik] u shfaq kryesisht me prirjen afatgjatë të zhvillimit të dobët të forcave prodhuese dhe stanjacionit përfundimtar, i cili bëri të qartë dështimin e modelit socialist të zhvillimit ekonomik. Shprehimisht, ritmi i rritjes së prodhimit industrial në Bashkimin Sovjetik ra nga një përqindje mesatare vjetore prej 7% në vitet ’60, në 4% në dekadën ‘70 dhe 2% në fillim të dekadës ’80, ndërsa zhvillimi mesatar vjetor i PBB-së ra nga 7% në dekadën ‘60 në thuajse 5% në dekadën ‘70.[12]

Arsyeja kryesore, sipas Fotopoulos, i cili adopton tezën e Alec Nove-s, në humbjen e rezultateve rritëse, që çoi si përfundim qoftë në rrënimin e zhvillimit të lartë sasior fillestar qoftë edhe në cilësinë e ulët të prodhimit, vonesën teknologjike, nën-punësim dhe mungesën serioze të produkteve të konsumit, lidhet me çka quajmë “mundësia planifikuese” (“planability”), e cila është bashkëvarësia e vendimeve të ndërlidhura që merren në procesin e planifikimit. Kështu, tregu nuk mund të zëvendësohet vetëm me vendimet qendrore arbitrare dhe kundër-prodhuese sa i përket shpërndarjes së qindra produkteve. Detyrimisht, si pasojë, urdhrat e Planit janë të pakualifikuara, “mbledhëse”. Po ashtu, për sa kohë që rritet niveli i zhvillimit dhe përkatësisht ekonomia bëhet më e komplikuar, rritet dhe numri i metodave alternative të prodhimit dhe të produkteve, pra numri i vendimeve qendrore me pasoja tejet negative për mundësinë planifikuese.[13] Kjo çoi në in-efiçencën graduale të regjimit dhe rënien përfundimtare të planit shtetëror. Ndërkohë, sipas qasjes radikale e cila shprehet, për shembull, nga gjermano-lindori Rudolf Bahro, Kastoriadis etj., shkaku bazë i in-efiçencës së sistemit gjendet në mungesën e demokracisë politike dhe vetë-administrimin e njësive prodhuese, domethënë, në mungesën e përfshirjes së punëtorëve në procesin e vendimmarrjes. Kjo dukuri çon në asimilimin e prodhuesit imediat dhe në mungesën totale të motivacionit për punë prodhuese. Një fakt që bashkëshoqëron nevojën e përdorimit ideologjik dhe stimulit ekonomik, d.m.th stimuj që nga vetë përcaktimi ishin të dënuar të dështonin.[14]

Stimujt ideologjikë që përdori, Stalini, Mao, Enveri etj, sipas principeve marksiste, funksionuan përkohësisht, pasi dështimi i tyre final ishte çështje kohe. Ndërsa socializmi përmbysi principin e vendim-marrjes dhe të nxënësisë, d.m.th ai merrte vendime social-ekonomike larg publikut, vepronte dhe pastaj racionalizonte, ato mbështeteshin mbi metodologjinë markiste, i cili besonte se njeriu mund të udhëhiqet nga njerëz virtuozë sesa nga vetë virtytet. Papërputhshmëria, rrjedhimisht, lidhet jo vetëm lidhur me mundësitë planifikuese të qeverisë kumuniste dhe lirinë politike (në kuptimin e ushtrimit të pushtetit dhe jo të krijimit të partive) por dhe me moszhvillimin paralel të njeriut në virtyte. Dhe është pikërisht aspekti i fundit që luajti rolin kryesor në mbështetjen e rrënimit të socializmit nga shumica e popullit: sepse nga virtytet burojnë bindjet e qendrueshme. Kur mungojnë bindjet e qendrueshme – nuk do të ishte e çuditshme që të shkelmohet dhe shkatërrohet puna e një populli nga i njëjti popull. Nëse, në anën tjetër, do të ishin zhvilluar bindjet e qendrueshme (virtytet) paralel me prodhimin dhe veprat e kohës, popujt përkatës do t’i kishin mbrojtur ato.  

Në synimin e zhvillimit maksimal dhe efiçencës, elitat socialiste vurën kastat e burokracisë që kontrollonin mjetet e prodhimit para dilemës: ç’qendërzim demokratik me krijimin e strukturave të reja përmes vetë-administrimit socialist dhe luftës për krijimin e një komuniteti ndërkombëtar bazuar mbi principe bashkëpunimi dhe solidariteti, në vend të principeve të konkurrencës dhe të individualizmit ose ndryshe ç’qendërzim përmes mekanizmit të tregut dhe integrim të plotë në tregun kapitalist global. Zgjedhja e rrugës së parë do të thoshte vetë-shfuqizimin e elitës në pushtet (përveç ostracizmit të saj nga kapitali perëndimor, në të cilin shumë vende janë tashmë [1993] të zhytura në borxhe), dhe shkatërrimin e strukturave hierarkike që janë themeluar në këto vende. Në kundërshti, zgjedhja e dytë është e përputhshme me ruajtjen (me disa ndryshime në formë) të strukturave hierarkike dhe riprodhimin e pushtetit të elitës. Kriteret që u përdorën për zgjedhjen e formës së ç’qendërzimit nuk ishin ekonomike (siç i paraqesin analistët dhe politikanët perëndimorë), por të pastër politike.[15] Socialistët, në fjalë të tjera, braktisën ‘diktaturën e proletariatit’ dhe e zëvendësuan atë me ‘diktaturën financiare’ për hir të pushtetit. Ndryshe nga e kaluara, kur burokratët kontrollonin vetëm mjetet e prodhimit, tashmë, ata kontrollojnë, në bashkëpunim me oligarkët ekonomkë, vendor dhe të huaj, edhe dy boshtet e tjerë të ekonomisë: burimet e një vendi dhe bankat, bashkë me punëtorët. Me vend, rrjedhimisht, profecia e Trockit në fillim të shekullit të kaluar: ‘se burokratët e shtetit komunist mund të transformohen në kapitalistë’. Siç e përshkruan Fotopoulos më tej fazën e fundit të socializmit sovjet:

Në prill të vitit 1987-të në Moskë, në një bisedë të madhe publike u diskutuan katër skenarë të mundshëm për të ardhmen e vendit; skenarë të cilët përcaktuan vendimtarisht grushtin e shtetit të 19 gushtit, dhe që ishin: a) reforma radikale ekonomike të shoqëruara me demokratizim; b) vazhdim (me disa përmirësime) të një forme të planit qendror dhe të regjimit autarkik pro-Gorbaçovian; c) reforma rrënjësore pa demokratizim (modeli Kinez); ç) demokratizim pa reforma. Skenari i parë ishte ai që përparonte reparti nën kontrollin e elitës së Gorbaçovit (e cila përmblidhej me termin “perestrojkë”) me mbështetjen e reformave të Jelcinit, ku shumë prej tyre shikonin përtej perestrojkës dhe rivendosjen e kapitalizmit. Skenari i dytë dhe i treti kishin mbështetjen e shumë reparteve (të ndryshme) të rëndësishme të kompleksit të industrisë-ushtarake dhe janë skenarët që, pas bllofit të dështimit të grushtit të shtetit të 19 gushtit, u dënuan me eklipsë të plotë. Skenari i katërt nuk u diskutua kurrë seriozisht nga elita sovjetike. Një skenar tjetër që synonte një perestrojkë alternative, bazuar në vetë-administrim, u përthith shpejt nga të gjithë krahët e elitës sovjetike, megjithëse u propozua nga disa lëvizje punëtore dhe nga një repart i vogël rreth inteligjencës, kryesisht rreth Universitetit të Moskës.

Por cila ishte përmbajtja e perestrojkës që supozohet se triumfoi në gusht të ‘91 dhe përse grushti i shtetit ishte që në fillim i dënuar të dështonte? Duke filluar nga principi se perestrojka do të thoshte zëvendësimin e teorisë rreth interesave klasore me teorinë se vlerat universale njerëzore tejkalojnë interesat njerëzore, A. Jakovlef, një nga arkitektët e perestrojkës, që hoqi dorë nga partia dy ditë para grushtit të shtetit, përcaktoi në një intervistë të tij vlerat që vijojnë: ekonomi të përzier, konkurrencë e lirë, liri politike dhe fetare.[16] Përmbajtja e reformave mbi të cilat synonte pjesa që ishte nën kontrollin e Jelcinit të elitës ruse u duk qartë nga “Plani Satalin”, i cili synonte ç’shtetëzimin e 70% të ndërmarrjeve industriale brenda 500 ditëve duke dhënë aksionet shtetërore tek aksionerët privatë dhe te punëtorët e të njëjtave ndërmarrje. Sipas vlerësimeve të Institutit Plehanof të Moskës, materializimi i këtij plani do të shtonte edhe 31-38 milionë të papunë mbi 8 milionëshin ekzistues që ishin në vitin 1990-të - dhe kjo në kohën kur 70 milionë e popullsisë ruse ishte brenda “linjës së varfërisë”. Vlera e ndërmarrjeve në shitje sipas planit Stalin ishte rreth 3 trilionë rubla ndërsa sipas vlerësimeve të specialistëve gjendeshin vetëm 250 bilion rubla në vitin 1991 në qarkullim që ishin në dispozicion për blerjen e këtyre ndërmarrjeve. Cilët, atëherë, kishin kapitalet që të blinin aksionet e këtyre ndërmarrjeve në shitje? Natyrisht që jo 70 milionëshi që ishte në linjën e varfërisë, as edhe 30 milionëshi tjetër i papunë që llogariten se do të shtohen tek të parët, as edhe shumica dërrmuese e popullatës tjetër që gjendet shumë pranë linjës së varfërisë. Të gjithë këta mund të shpresonin te shpërndarja e disa aksioneve falas tek e gjithë popullata, falë krijimit të një “kapitalizmi popullor”. Ishte fakt që një pjesë e mirë e këtyre aksioneve do të blihej nga nomenklatura dhe një tjetër —më e madhja— nga kapitalistët e huaj. Siç vrojtonte atëherë Orlando Figes i Universitetit të Kembrixhit se “në Bashkimin Sovjetik gumëzhijnë kohët e fundit menaxherët dhe teknokratët të cilët, duke përdorur pasurinë dhe ndërlidhjet, themelojnë ndërmarrje private”. Me këto principe, në nivel ndërkombëtar, perestrojka donte të sinjalizonte braktisjen e përplasjes së socializmit me kapitalizmin, që në praktikë donte të thoshte një perestrojkë pa shkëmbime. D.m.th:

·         De-stalinizimi politik dhe ekonomik dhe i autokritikës, ndërsa Perëndimi festonte triumfin e kapitalizmit, duke harruar pabarazinë e tij në fryrje dhe papunësinë masive;

·         Shndërrimin e dogmës së mbrojtjes ushtarake, ndërsa Perëndimi mbante dogmën sulmuese sa i përket forcave jo konvencionale në Europë;

·         Propozimin e eliminimit të plotë të armëve bërthamore dhe të ushtrive sovjetike deri në vitin 1995-96 dhe gjithashtu të gjithë bazave në vende të huaja deri në vitin 2000, ndërsa Perëndimi kundër-propozonte rritje të prodhimit të armëve bërthamore me rreze të shkurtër dhe ruajtjen e 195.000 ushtarëve amerikanë në Europën qendrore dhe 30.000 në Europën Jugore, por gjithashtu dhe të bazave amerikane;

·         Propozimin e ndryshimit të NATO-s dhe marrëveshjes së Varshavës nga politiko-ushtarake, në aleancë politike, ndërsa Perëndimi prezantoi plane për zgjerimin e NATO-s që të përfshinte edhe bashkimin gjerman;

·         Propozimin e “shtëpisë së përbashkët Europiane” që do të bazohej në barazinë e vendeve anëtare, ndërsa Perëndimi kundër-propozonte kuptime asimetrike perendimoro-europiane të Europës;

·         Shndërrimin e super-fuqisë së dytë në “përplotësuese” të SHBA-së në luftën e Lindjes së Mesme dhe, përgjithësisht, në rendin e ri botëror; dhe, së fundmi,

·         Shkrirjen e Këshillit të Ndihmës së Ndërsjellë në vitin 1991 (CMEA), që nuk u zëvendësua me ndonjë formë tjetër të shkëmbimeve të barabarta midis vendeve të të njëjtit nivel zhvillimi, por u zëvendësua me hapjen e tregjeve lindorë kundrejt sulmit perëndimor.[17]

Ndërsa Perëndimi zgjeronte veprimtarinë tregëtare të korporatave dhe bankave të tij në Lindje dhe ndihmonte këta të fundit, aq sa të justifikonte hyrjen e kapitalit Perëndimor me grante dhe ndihma, ndërsa privatizonte pasuritë shtetërore, Lindja kalonte gjendjen më depresive që kishte përjetuar qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore, me prodhimin e përgjithshëm të shënojë rënie më shumë se 30% dhe papunësia të shkatërrojë gjithë administratën publike. Si pasojë, ekonomia ruse e vitit 1990-2000, ra në nivelin e vitit 1955, dhe vetëm pas vitit 2005 ajo filloi të rritësh.[18] Paralel me këtë proces, në Rusi ishin krijuar kushtet për grusht shteti.[19] Ishte Gorbaçovi ai që filloi luftën kundër establishmentin politik dhe privilegjeve që kishte krijuar socializmi që në vitin 1987-të,[20] luftë të cilën e përvetësoi Jelcini. Lidhur me zgjerimin e NATO-s Gorbaçovi mashtroi në atë kohë se gjoja i mori James Baker-it premtimin se do të tërhiqësh nga Europa qendrore sovjete - vetëm nëse juridiksioni i NATO-s nuk do të shtyhësh drejt saj. Përkundrazi, Gorbaçovi kërkoi të bashkëpunonte me NATO-n dhe BE-në e kohës.[21] Gjithashtu, kjo fazë u parapri nga shpërthimi bërthamor i Çërnobillit, bashkimi i Gjermanisë dhe lufta e gjatë në Afganistan: të dyja këto të fundit luajtën rol vendimtar në lëvizjet politike të Gorbaçovit. Për të parën, Gorbaçovi u mashtrua nga Kohl, sepse ky i fundit i kishte premtuar se nuk do të procedonte në bashkimin e dy gjermanive ndërsa presioni i Byrosë Politike në Kremlin, për shembjen e murit, nuk mungonte; për të dytën, humbjet e mëdha në luftë. Ai donte të mundte sistemin totalitar të Stalinit dhe çmontonte shtetin furnizues për hir të efeçencës ekonomike.

Si pasojë, Rusia u pushtua në nivel ekonomik, përmes korporatave perëndimore; në nivel financiar dhe monetar, përmes politikave monetare të bankës qendrore dhe borxheve në tregun ndërgun ndërkombëtar të marketingut; dhe në nivel ushtarak, përmes bashkëpunimit, me përulje, në luftrat e NATO-s. Ajo ndryshoi kurs, pas vitit 2005, dhe veçanërisht, pas vitit 2014-të, kur Putin filloi të përparonte interesat ekonomike të Rusisë se re dhe të forconte ushtrinë. Tashmë Rusia gjendet në fazën e krijimit të kushteve për pavarësi ekonomike (dhe politike) dhe krijimit të një blloku alternativë social-ekonomik.[22]

Përmblethtas, Rusia moderne mund të ndahet në tre faza kryesore:

·         faza e parë është periudha para-socialiste, me sundimin e dinastëve (filloi me car Aleksandrin e parë, vazhdoi me vëllain e tij, Nikollën, pas të cilit në pushtet u ngjit Aleksandri i dytë, të cilin e ekzekutuan anarkistët rusë dhe, për pasojë, e trashëgoi Aleksandri i tretë, duke përfunduar me djalin e tij, Nikollën, në vitin 1917-të), me autokracinë, regresin e përgjithshëm social dhe bujkrobërinë — duke përfunduar një shtet imperialist, aleate me Francën, dhe më vonë me Japoninë dhe SHBA-në, duke sfiduar aleancën anglogjermane, në Kinë, në kohën kur Perëndimi përshpejtoi zhvillimin me revolucionin industrial përmes, energjisë me avull, tregut dhe kolonializmit.[23] Ishte pikërisht kjo periudhë që krijoi kushtet për revolucionin socialist në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të;

·         faza e dytë përcaktohet nga elita politike e socializmit sovjet, e cila në fillim u udhëhoq nga Bolshevikët radikalë me Leninin në krye. Kjo trashëgoi tre klasa: fshatarët, elitën borgjeze dhe romanovët dhe, një shumicë borxhi të trashëguar nga autokratët. Pas marrjes së pushtetit, me revolucion, partia bolshevike shtetëzoi gjithë pasuritë private (toka, fabrika, mullinj, hekurudha, banka etj., pa kompensim). Katër vitet e parë, e cila përshkruhet si “Lufta Komuniste” në praktikë ose si periudha e tranzicionit të drejtë nga Imperializmi në Komunizëm, Lenini shtroi binarët e ekonomisë socialiste dhe principet udhëheqëse social-administrative. Gabime u bënë veçanërisht lidhur me kombinimin e mënyrave të prodhimit.[24] Me vdekjen e Leninit, pushtetin e sovjetëve e udhëhoqi Stalini. Me planifikimet e tij pesë vjeçare dhe si pasojë e mungesës së drithit, ai filloi luftën kundër fshatarëve (“kulakëve”) më të pasur se punëtoria: sepse ata kontrollonin çmimin e drithit dhe fitonin në kurriz të punëtorëve. Qëllimi ishte të siguronte çmim të përballushëm për bukën e punëtorëve. Më vonë Stalini bashkoi fermat e vogla dhe krijoi ferma të mëdha (“kolkhozet”). Paralelisht me këtë proces Stalini zhvilloi edukimin dhe industrinë e rëndë. Për pasojë, deri në vitin 1941, ai krijoi kushtet për të rritur mirëqenien e përgjithshme të popullit. Por kulmi i mirëqenies ishte në vitin 1970-të. Përqindja e edukimit, për shembull, u rritë në shifra rekord për pesëdhjetë vjet: nga 24.8% që ishte në vitin 1897-të, dhe 56% në vitin 1916-të dhe, 25% në vitin 1920-të, kur komunistët ishin pushtet, një rënie që u shkaktua si pasojë e luftës së dytë botërore, arriti në 99.7% në vitin 1970-të.[25] Por megjithëse edukimi synonte të krijonte familjen autentike socialiste, me edukim në punë, dashuri prindërore, kërkesa të larta, shoqërizim, besim, principe të lartë dhe drejtësi dhe, shkollat shiheshin si simbole për të krijuar punëtorë dhe qytetarë të së ardhmes, një rend të ri moral, ndërgjegjje shekullariste dhe barazi të plotë dhe, kontribuoi vendimtarisht në mbarëvajtjen e familjeve dhe shoqërive heterogjene sovjete,[26] hierarkia institucionale dhe e sektorëve ekonomikë, d.m.th. mungesa e demokracisë, jo në kuptimin e lejimit të shumë partive por në kuptimin e përfshirjes në vendimarrje të gjithë shoqërisë dhe punëtorëve, pengonte zhvillimin e drejtësisë dhe krijoi kushtet për inefiçencë, burokraci dhe korrupsion. Me përfshirjen e Rusisë në Luftën e Dytë Botërore dhe fitoren e ushtrisë së kuqe kundër nazistëve gjermanë, Stalini vazhdoi politikat e tij deri kur u pasua nga Malenkov, në vitin 1953 dhe ky fundit nga Hrushovi. Brezhnievi, Adropovi dhe Çernenko vazhduan politikat e Stalinit. Por Gorbaçovi, si pasojë e rënies së efiçencës ekonomike, burokracisë dhe korrupsionit, filloi ndryshimet “nga lartë”. Përveç edukimit, zhvillimit të forcave prodhuese dhe industrializmit, Stalini zhvilloi forcën ushtarake, si asnjë herë më parë dhe të denjë për t’u përballur me çdo forcë ushtarake botërore; dhe

·         faza e tretë lidhet me rënien e socializmit dhe rithemelimin e kapitalizmit. Ndryshe nga koha pararevolucionare, kur populli rus trashëgoi borxhe nga dinastitë, aktualisht Rusia ka borxhin më të ulët në vendet më të fuqishme botërore dhe një teknologji që do ta dëshironte çdo shtet. Dhe ndryshe nga koha e revolucionit sovjet, kur shumë popuj të Europës Lindore iu bashkuan atij dhe pas luftës krijuan bllokun socialist, Rusia sot ka vetëm një aleate: Kinën, e cila, siç do të tregoj në vijim, ka ndryshime të mëdha krahasur me Rusinë në administrimin e shtetit dhe orientimin e saj.        

...


[1]Who was to blame for the collapse of the Soviet Union? Pravda. Ru, 19.08.2016. 25 years on: failed coup that ended the Soviet Union (Part 1), RT, 19 Aug, 2016. (Part 2) 20 Aug, 2016.

[2]Siç citon Aristoteli: ‘për sa kohë që mbarësia e luftës vazhdoi qetë, athinasit ruajtën demokracinë; por pas rrënimit në Siçili, kur Lacedemonët kishin fitur epërsi përmes aleancës së tyre me mbretin e Persëve, ata u bindën për të ndaluar demokracinë dhe themeluan, në vendin e saj, kushtetutën e Katër Qindëve. Ligjërata që sugjeroi këtë kurs përpara votimeve u bë nga Meliobius, dhe mocioni u propozua nga Pythodorus-i i Anaphlistus-it; por argumenti i vërtetë që bindi shumicën ishte besimi se mbreti i Persisë kishte shumë mundësi që të formonte një aleancë me ta, nëse kushtetuta ishte mbi baza oligarkike’. Aristotle, The Constitution of Athens, f, 28.

[3]Kjo është një periudhë historike për globalizmin neoliberal.

[4]Noam Chomsky, “Dy orë kthjelltësi”, nga Shtëpia Botuese Livani, Athinë 2006, f, 85, ku Chomsky përmes një interviste të gjerë tregon origjinën e neo-liberalizmit dhe përcakton se Adam Smith është babai i kësaj dogme (1723-1790). Ai e tregon këtë sipas Studimit për Natyrën dhe Shkaqet e Pasurisë së Kombeve (1776), ku Smith thotë se “qarkullimi e lirë i rregullave të tregut dhe konkurrenca janë në dobi të zhvillimit të ekonomisë”.

[5]Po aty, ekonomisti anglez, Deivid Rikardo (1772-1823) e zhvilloi më shumë arsyetimin e Adam Smith-it. Rikardo sqaron kundërshtimin e tij ndaj protestantizmit në bazë të teorisë krahasuese të avantazhit, në të cilën merr si shembull prodhimin e verës dhe pëlhurës në Angli dhe në Portugali për të arsyetuar rezultatin e specializimit kombëtar.

[6]Ludwig von Mises(1881-1973), Austrian economist, On the Manipulation of Money and Credit, p. 48.

[7]Shih, për më shumë, Miti i progresit dhe themelet e njohurisë.

[8]What do we mean by revolution? The Socialist Workers Party, November 1996, The Dictatorship of the proletariat and democracy, Mark O’Brein. pp, 18-25.

[9]Development or Democracy, T. Fotopoulos.SOCIETY & NATURE, Vol. 3, No. 1 (issue 7), 1995.

[10]Po aty.

[11]Po aty.

[13]Po aty.

[14]Po aty.

[15]Po aty.

[16]Po aty.

[17]Po aty.

[18]Russia’s national income in war and revolution, 1913 to 1928, Mark HarrisonAndrei Markevich, Vox, 11 May 2012.

[19]The Soviet coup: day one, Simon Marks, World Monitor, August 19th 1991.

[20]The Kremlin Minutes: diary of a collapring superpower, Christian Neef, Spiegel, November 22, 2006.

[21]Revealed: the Kremlin files which prove that Nato never betrayed Russia, Pavel Stroilov, Spectator, 6 September 2014.

[22]Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe liria e popujve.

[23]The history of Russia: the road to the revolutions, Julien Paolantoni, Global Research, December 11, 2014.

[24]Lenini’s new economic policy: what it was and how it changes the Soviet Unionin, Helene M. Glaza, 2009, VOL. 1 NO. 11.

[25]Russia CIA World Factbook, updated 6 March 2008.

[26]Shih për më shumë, Nga keqedukim në arsim demokratik.

[27]Shih për më shumë, Administrimi publik dhe i ndërmarrjeve...

[28]Is sustainble development compatible with prezent globalization? The Chinese Case, Takis Fotopoulos, The International Journal of Inclusive Democracy, Vol. 4, No. 4. (Obtober 2008).

[29]Cuba National Assembly approves economic reforms, BBC, 2 August 2011.

[30]Pritje të mëdha për vizitën e Papës në Kubë, DW, 24.03.2012.

[31]Venezuela’s economic woes send a chill over closest ally Cuba, FT, 27 July 2016.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA