Ylli Përmeti: mas-indoktrinimi i popujve dhe masmedia
Ky studim synon të tregojë natyrën e masmedias dhe mekanizmat e administrimit të saj në të gjitha paradigmat dhe nënparadigmat e modernitetit. Në pjesën e parë diskutohet paradigma dominante sociale dhe kultura; në të dytën, paraqitet realiteti i masmedias për të tre blloqet social-ekonomik të modernitetit: social-demokracinë e Perëndimit; socializmin e Lindjes; dhe neoliberalizmin aktual; në të tretën diskutohen mekanizmat e kontrollit të masmedias dhe paraqitet një koncept i ri demokratik i masmedias; dhe në të katërtën, strategjia dhe parakushtet për të shkuar nga këtu – atje.
Ylli Përmeti
28/10/2017 - 15:26
Shoqëria është si organizmi i njeriut: nëse i jep gjithnjë të njëjtin ushqim - ai do të topisë anti-trupat (ushtarët); nëse ia ndryshon ushqimin çdo ditë dhe çdo vakt, ushtarët do të jenë gjithnjë gati për t’u përballur me rreziqet jashtë-organike. Perandoritë dhe pushtetet dogmatike bëjnë pikërisht të kundërtën: i ushqejnë popujt me të njëjtin ushqim!
1. Paradigma dominante sociale dhe kulturore
Krahas kërcënimeve që burojnë nga terrorizmi mbikombëtar, lufta e tretë botërore, makthi ekologjik dhe identiteti social, popujt kërcënohen edhe nga masmedia: sepse ajo kontrollohet tashmë nga oligargët e tregut (ndër)kombëtar, të cilët, në emër të riprodhimit të pushtetit që zotërojnë, ‘parafabrikojnë’ në mënyrë të organizuar mendësinë e popujve post-modernë ndërsa kolonizojnë dhe homogjenizojnë kulturat. Parafabrikimi i mendësisë së popujve fillon me programet e fëmjëve ku propagandohen vlerat e tregut dhe me programet e të rriturve përmes të cilëve krijohet iluzioni i lirisë politike dhe ekonomike; ku ndërsa përsëriten faktet dhe krijohet opinioni publik, anashkalohen shkaqet sistemikë; ku parafabrikohet suksesi imagjinar dhe injektohet frika, angthi dhe depresioni; dhe ku skajohen dhe njollosen zërat e disidentëve. Masmedia ka efekt indoktrinues më të madh se shkolla: sepse masmedia është njëherësh “çertifikata” e mësuesve të shkollave për punët e tyre shkencore dhe monitoruesja e punës së tyre në shkolla, ndërsa dominohet nga masmedia qoftë lidhur me lajmet që transmetojnë, qoftë lidhur me debatet publike dhe programet “edukative”. Si e tillë, masmedia, dhe veçanërisht televizioni, është “mësonjëtorja” e madhe e popujve, krijuesja e besimeve dhe ëndërrave, përdoruesja e emocioneve dhe shkatërruesja e arsyetimit shkencor, zbavitësja e imagjinatës dhe vdjerrësja e veprimtarisë fizike të njeriut.
Por përpara se të shqyrtoj zhvillimin e masmedias ne duhet të kuptojmë zhvillimin e kulturës në raport me shtetin modern: sepse masmedia, në mënyrën se si është konceptuar nga shteti modern, kontribuon vendimtarisht në krijimin e kulturës së një kombi. Kultura, në kuptimin e saj të ngushtë, buron nga njohuria dhe besimet (ose fetare ose shkencore) që një njeri zhvillon në një shoqëri. Besimet, me rradhë, krijojnë gjendjen psikologjike që kam përshkruar në vend tjetër.[1] Por në kuptimin e saj të gjerë, kultura është një sistem besimesh, idesh dhe vlerash korresponduese, të cilat janë dominante në një shoqëri dhe në një kohë të veçantë të historisë së saj. Të dyja, kultura dhe paradigma sociale, janë të varura nga koha dhe hapësira.[2] Ky përcaktim është i mjaftueshëm për të analizuar paradigmat dhe nën-paradigmat sociale që kanë prodhuar dhe riprodhuar shoqëritë dhe elitat përgjatë shekujve të mijëvjeçarëve të fundit dhe veçanërisht tre-katër dekadat e fundit me Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal: sepse ky rend ka globalizuar politikën, ekonominë dhe vlerat shoqërore të vendeve që e dominojnë. Globalizimi politik dhe ekonomik, me rradhë, janë pashmangshmërisht të shoqëruar me një lloj globalizimi ideologjik, një ideologji ndërkombëtare që i ligjëson ato. Një ideologji që të justifikojë minimizimin e kontrollit të shtetit në ekonomi - i cili, në një ekonomi marketizuese, nënkupton një maksimizim korrespondues të rolit të tregut dhe kapitalit privat dhe reduktim paralel të sovranitetit kombëtar, i cili plotëson reduktimin korrespondues të sovranitetit ekonomik nënkuptuar nga globalizimi ekonomik. Bërthama e globalizimit ideologjik përbëhet nga dy “dogma” bazike: dogma e sovranitetit të kufizuar ekonomik dhe dogma e sovranitetit të kufizuar kombëtar.
Sipas dogmës së parë, globalizimi neoliberal kapitalist i imponuar nga organizatat ndërkombëtare ekonomike (FMN, Banka Botërore, Organizata Botërore e Tregut) mbi gjithë anëtarët e tyre - duke i shtrënguar ata drejtpërdrejt apo tërthorazi për të ‘liberalizuar’ të mirat e tyre materiale, tregun e kapitalit dhe punës - është, hamendësisht, në të mirë të të gjithëve, sepse ai çon në rritje më efiçente, të mira materiale më të lira dhe shërbime etj. ‘Liberalizimi’ i tregut, në kushte të pabarazisë ekonomike, nënkupton gjithashtu një përqendrim më të madh të pushtetit ekonomik në pak duar, duke u paguar nga shuma e përgjithshme. Ajo nënkupton një përqendrim më të madh të të ardhurave dhe pasurive në pak duar, duke rrezikuar mbijetesën ekonomike, madje edhe mbijetesën fizike, të miliarda njerëzve rreth globit. Ende, kjo është konsideruar si ‘dëm kolateral’ i globalizimit!
Njëlloj, sipas dogmës së dytë, atje janë disa vlera universale, të cilat duhet të kenë përparësi mbi sovranitetin kombëtar. Kur në perceptimin e elitës mbikombëtare, vlera universale si ajo e ‘demokracisë’ (siç u përcaktua nga e njëjta elitë - e cila s’ka asnjë lidhje me konceptin klasik të saj!) janë dhunuar, atëherë, organizata ndërkombëtare (Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, NATO etj.) të cilët shprehin dëshirën e ‘komunitetit ndërkombëtar’ - lexuar elitë mbikombëtare - ose, nëse paraqitet e nevojshme vetë elitën ndërkombëtare e udhëhequr nga elita e SHBA-së, duhet t’i imponojë ato me çdo lloj mjeti të disponueshëm, pa marrë parasysh konsiderata të sovranitetit kombëtar.[3] Nga kjo sintezë e krijuar dhe pushtet të përqendruar në nivel mbikombëtar, masmedia merr një karakter global gjithashtu: sepse vendimet politike dhe ekonomike, që merren nga elita mbikombëtare, ndikojnë jetët e miliona njerëzve rreth botës.
Homogjenizimi kulturor
Ndërkombëtarizimi i ekonomisë dhe përqendrimi i vendim-marrjeve politike në pak duar nënkupton dhe imponon ideologjinë dominante dhe homogjenizimin kulturor të popujve. Nuk do të ishte e çuditshme të shohim - me shfaqjen e Rendit të Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal (G/N)- lëvizje “nacionaliste” (“Aleanca Kuq-e-Zi” etj.), të cilat i bien këmbanës së alarmit se popujt po humbasin identitetin kulturor përballë ‘homogjenizimit kulturor’ që imponon G/N. Por lëvizjet “nacionaliste“, ndërsa nuk kuptojnë shkaqet (sepse nuk na i tregojnë) nuk propozojnë as edhe ndonjë rrugëzgjidhje!
Globalizimi i tregut përmes korporatave, bankave tregëtare dhe kuadrit institucional të G/N, siç citon me vend Fotopoulos, jo vetëm që çon në njëjtësimin e kulturave (veshje, ushqim njëlloj etj.), por krijon një kulturë ku ideologjia dominante merret si e vetmja ideologji e vërtetë. Në fjalë të tjera, imperializmi kulturor nuk ka më nevojë, si në të kaluarën, për një diplomaci kanoniere për të integruar dhe absorbuar kultura diversive. Marketizimi i rrjedhës së komunikimit ka themeluar tashmë parakushtet e rënies së diversistetit kulturor në një lloj diferencimi sipërfaqësor të ngjashëm me një tip folklorist. Për më shumë, është dëftuese se ‘lëvizjet identitare’ si ato të Europës Perëndimore (nga Flemishët deri te Lombardët dhe nga Skocezët, deri te Katalanët) të cilët kërkojnë autonomi si rruga më e mirë për të ruajtur identitetin kulturor; në fakt, shprehin kërkesën e tyre për autonomi individuale dhe sociale në një mënyrë të shtrembëruar. Shtrembërimi shfaqet nga fakti se marketizimi i shoqërisë ka minuar vlerat e komunitetit dhe reciprocitetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit në favor të vlerave të tregut, të konkurrencës dhe individualizmit.
Si rezultat, kërkesa për autonomi kulturore nuk është themeluar sot mbi vlerat e komunitetit, të cilat nxjerrin në pah bashkëpunim me komunitete të tjerë kulturorë, por, në vend të saj, në vlerat e tregut i cili inkurajon tensione dhe konflikte me ta. Shpërthimet e fundit nacionaliste në Europë janë të lidhur direk te minimi efektiv i vlerave të komunitetit nga neoliberalizmi, si dhe te rritja e pabarazisë dhe varfërisë duke ndjekur ngritjen e konsensusit neoliberal. Nuk mund të nënvlerësojmë implikacionet politike të komercializimit dhe homogjenizimit të kulturës. Roli shmangës që luajtën tradicionalisht filmat e Hollywood-it ka fituar një dimension universal, përmes ekspansionit masiv të kulturës TV dhe i thuajse gjithë monopolizimit nga nën-kultura hollivudiane. Çdo shikues në Nigeri, Indi, Kinë ose Rusi ëndërron mënyrën e jetesës amerikane, siç shihet në serialët e TV-ve (të cilët, duke qenë relativisht jo të shtrenjtë dhe glamurozë, mbushin programet e TV-ve të të gjithë kanaleve të tjerë rreth botës) dhe elementët e vlerave konkurruese që mbrujnë nga ato.[4]
2. Është masmedia zëdhënëse e të ‘vërtetës’?
Fakti që masmedia përqendrohet kryesisht tek përemri ‘çfarë’ ka ndodhur në një ngjarje, me qëllim që të ‘cingërisë’ audiencën ose të tërheqë vëmendjen e saj, sesa tek ‘shkaqet’ (pse-të), mund të themi se ajo nuk i ndriçon mjaftueshëm dhimbjet social-ekologjike. Si e tillë, ajo është bashkëfajtore. Për shembull, masmedia përshkruan vendimin politik që merr një qeveri por nuk tregon as shkaqet as pasojat e tij. Kësisoj, masmedia në bllokun socialist, ku dominonte një parti politike dhe zhvillimi shkencor i prodhimit, pasqyronte vlerat politike që buronin nga institucionet që kishin themeluar politikisht lindorët, siç pasqyron masmedia perëndimore vlerat politike që burojnë nga qeveria përfaqësuese në “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut. Me të vetmin ndryshim se në të parin vlerat përcaktoheshin politikisht ndërsa në të dytin, njëherësh, “nga poshtë”, tregu, dhe “nga lartë”, institucionet. Realiteti, rrjedhimisht, në të dyja paradigmat, shtrembërohet në raport me shkaqet dhe pasojat e një vendimi. Edhe nëse në një vendim politik dëftoheshin shkaqet dhe pasojat nga aktorët kryesorë të tij dhe përshkruheshin nga masmedia, sërish, ‘shkaqet’ dhe ‘pasojat’ do të ishin, siç janë, të përqendruar tek individët e veshur me pushtet sesa te sistemi. Siç citon, për më shumë, Fotopoulos:
Merr si fillim realitetin politik: masmedia, në një kuptim, nuk përçon një këndvështrim mashtrues të tij. Duke marrë në konsideratë se çfarë konsiderohet si politikë sot, d.m.th aktivitetin e politikanëve profesionistë që ‘përfaqësojnë’ popullin, dikush mund të argumentojë se është vetë politika që është mashtruese, dhe masmedia thjesht e riprodhon këtë realitet. Çështja nuk është se masmedia manipulon demokracinë, duke ditur që vetë demokracia është mashtruese, dhe jo tabloja e masmedias, e cila reflekton realitetin e ‘demokracisë’ prezente. Por, njëherësh, nëse ne japim një tjetër përcaktim për realitetin politik, massmedia përçon një tablo të shtrembër të tij. Në fjalë të tjera, nëse ne përcaktojmë si politikë reale aktivitetin politik të vetë popullit (për shembull, betejat kolektive të shumë sektorëve të popullatës rreth çështjeve politike, ekonomike ose sociale), sesa ato të politikanëve profesionistë, atëherë, masmedia e shtrembëron tablonë që ajo prezanton si realitet politik. Ato bëjnë kështu, duke minimizuar domethënien e këtij tipi aktiviteti, duke shtrembëruar kuptimin e tij, duke e skajuar atë, ose duke e injoruar atë krejtësisht. Për më tepër, ajo përçon një tablo të shtrembër të realitetit politik kur ato vijnë që të raportojnë shkaqet e krizës ose të konflikteve që përfshijnë disa seksione të elitave. Në raste të tilla, ato reflektojnë besnikërisht tablonë që seksionet e elitave kontrollojnë dhe dëshirojnë që të riprodhojnë. Shembulli më i fundit i këtij shtrembërimi ishte mënyra në të cilën media anglo-amerikane, në veçanti, shtrembëroi kuptimin e vërtetë të bombardimit kriminal të popullit irakian në fund të vitit 1998-të. Sikurse në raportet e tyre përgjatë luftës në Golf, shkaku real i konfliktit, (d.m.th se cili kontrollon naftën e botës, pavarësisht se ku janë lokalizuar rezervat e naftës – elitat e Veriut kundër atyre në Jug), u shtrembërua si një konflikt midis regjimeve dasha-paqe në Veri kundër regjimeve zuzare të Jugut, ose, në versione më të sofistikuara që mbështetet nga intelektualët social-demokratë, si një konflikt midis ‘demokracive’ të Veriut kundër ‘regjimeve despotike’ në Jug rreth kontrollit të naftës.[5]
Në të njëjtin kuptim, mund të argumentohet për vlerat e tregut ndërkombëtar të marketingut: ato janë ndërkombëtare dhe burojnë nga institucionet globale. Ekonomia e marketingut është përshtatur mbi dinamikën ‘rritu-ose-vdis’, e mbushur me energji nga ‘konkurrenca’, e cila është e detyruar të çojë në përqendrim të mëtejshëm të pushtetit ekonomik. Pasqyrimi i realitetit politik është i pjesshëm, sepse ai përjashton, ashtu siç përjashton masmedia ndërkombëtare, dyshimin e regjimit. Nëse realiteti politik dhe ekonomik ofruar nga masmedia është i përzierë, kjo nuk ndodh me realitetin ekologjik. Aq sa asnjë raport i plotë i krizës ekologjike nuk është i mundur për t’u paraqitur, përveç rastit se ajo i referohet shkaqeve sistemike të saj, të cilët në esencë janë përjashtuar nga diskursi në masmedian e rrjedhës kryesore. Rezultati është një keq-informim total ose thjesht përshkrime të drejtpërdrejta të simptomave të krizës. Masmedia është e përmbytur nga Gjelbërtarët ‘realistë’, të cilët mbushin mbrëmjet e ndryshme ekologjike dhe fajësojnë teknologjinë, vlerat konsumeriste, legjislacionet etj - çdo gjë - por jo shkaqet kryesore të krizës, d.m.th vetë sistemin e ekonomisë së marketingut.
Njëlloj, raportet e krizave sociale kurrë nuk lidhin shpërthimet e krimeve dhe abuzimeve me drogën, për shembull, me shkakun e tyre rrënjësor, d.m.th përqendrimin në rritje të pushtetit politik, ekonomik dhe social në pak duar. Në vend të tyre, simptomat e krizave sociale raportohen në mënyrë të shtrembëruar, aq sa shkaqet e tij dhe fajësimet e medias, duke ndjekur këshillat e ‘ekspertëve’ të establishmentit, çarjen e familjes tradicionale ose të shkollës si shkaktaren e krimit. Njëlloj, intelektualë të ndryshëm ‘progresivë’ (si p.sh., euro-parlamentari Con Bendit, ish-‘revolucionarët’ keq-ardhës dhe tani të mirë-promovuar nga media e rrymës kryesore) fajësojnë legjislacionet ndaluese mbi drogat për shpërthimin masiv të abuzimit mbi drogën! Dhe atje është një qasje tjetër që është promovuar së fundmi nga teoricienët e sistemeve, sipas të cilëve masmedia nuk reflekton thjesht ose shtrembëron realitetin, por gjithashtu e fabrikon atë. Kjo nuk thuhet në kuptimin e zakonshëm të fabrikimit të konsensusit përshkruar nga Chomsky dhe Herman ose, ndryshe, nga Bourdieu, që është kryesisht një proces një-rrugor, me anë të të cilit elitat kontrollojnë masmedian duke filtruar informacionin përmes një mori mekanizmash kontrolluese, me qëllim që të krijojnë një konsensus rreth axhendës së tyre. Në vend të saj, teoricienët sistemikë flasin rreth procesit dy-rrugor me anë të të cilit realiteti social dhe masmedia shihen si nivele të ndërvarur, njëri detyrohet te tjetri. Kjo bazohet te hipoteza e vlerësueshme se realiteti nuk është thjesht diçka e jashtme në rrugën që është perceptuar. Shikimi i televizionit është një çast përbërës i realitetit, meqënse informacioni ynë për realitetin përbëhet nga koncepte që përbëjnë vetë realitetin. Koncepti i realitetit kushtëzohet nga funksionimi i medias, e cila është diferencuar në lidhje me sistemet e tjerë social (politik, ekonomik etj.). Në problematikën e analizës së sistemeve nuk është sistemi ekonomik ose politik i cili kontrollon funksionin e medias. Se çfarë përcakton funksionimin e tyre, gjithashtu edhe aftësinë e tyre komunikative, është aftësia të gjenerojnë cingërisje - një fakt që mund të shkojë gjatë e të sqarojë përqindjet e larta të ngacmimit ose cingërisjet e programeve televizive. Funksionimi i larmishëm i masmedias krijon kushtet për një dinamikë sociale, e cila, në një mënyrë vetë-reflektuese dhe komunikative, riprodhon dhe krijon shoqërinë. Ndërsa forma e hershme e shoqërisë është krijuar përmes një subjektiviteti transhendental dhe një forme materiale prodhuese, riprodhimi shoqëror prezent post-modern varet mbi procesin e racionalitetit komunikativ. Masmedia është pjesë integrale dhe funksionale e procesit komunikativ të shoqërisë post-moderne.[6] Por kjo s’do të thotë se bordet qendrore të masmedias nuk ‘kontrollohen’ nga pushteti politik. Siç citon një autor amerikan lidhjen e ngushtë midis masmedias, politikës qendrore dhe korporatave në Amerikë:
Masmedia mbështet verbërisht ideologjinë e kapitalizmit korporativ. Ata lavdërojnë dhe promovojnë mitin e demokracisë Amerikane— qoftë edhe nëse zhvishemi nga liritë civile dhe parátë zëvendësojnë votat. Ata paguajnë nderim për udhëheqësit e Wall Street-it dhe Uashingtonit dhe në Uashington, pavarësisht krimeve të tyre të pabesë. Ata si skllevër nderojnë shpalljet e ushtrisë dhe shpalljet ligjore në emër të patriotizmit. Ata përzgjedhin specialistët dhe ekspertët — thuajse gjithnjë të hartuar nga pushteti qendror— për të interpretuar realitetin dhe sqaruar politikën. Ata zakonisht mbështeten në raporte shtypi, të shkruar nga korporatat, për lajmet e tyre. Dhe ata mbushin vrimat e tyre të lajmeve me thashetheme të njerëzve të dëgjuar, lajme “lifestyle”, sporte dhe banalitete. Roli i masmedias është argëtojë ose të papagallizojë propagandën zyrtare te masat. Korporatat, të cilat pronësojnë shtypin, punësojnë gazetarë që dëshirojnë të bëhen oborrtarë të elitave, dhe ata i promovojnë ata si të shquar. Këta oborrtarë gazetarë, që mund të fitojnë miliona dollarë, ftohen në rrethet e brendshme të pushtetit. Ata janë...hedonistë të pushtetit.[7]
Masmedia, si pjesa tjetër e establishmentit liberal, kërkon të kredhë veten në lustrën morale të ndjekjes së të vërtetës dhe drejtësisë së pafrikshme. Por për ta ruajtur këtë mit ajo duhet të shkatërrojë besueshmërinë e gazetarëve...të cilët hedhin dritë në punët e brendshme të kobshme të perandorisë...Masmedia...varet nga burimet zyrtare për pjesën më të madhe të lajmeve dhe rrjedhimisht ajo është peng kundrejt këtyre burimeve, siç lakmohet vajzë-shërbëtorja e pushtetit. Masmediat janë veglat thelbësore të konformitetit. Ato krijojnë tek lexuesit dhe shikuesit kuptimin e vetes së tyre. Ata i thonë atyre se cilët janë. Ata i thonë atyre se çfarë duhet të jenë aspiratat e tyre. Ata u premtojnë atyre t’i realizojnë aspiratat në fjalë. Ata ofrojnë një shumëllojshmëri teknikash, këshilla dhe skema që premtojnë sukses personal dhe profesional. Masmedia ekziston kryesisht për të ndihmuar qytetarët që të ndihen se janë plotë sukses dhe se ata i kanë realizuar aspiratat e tyre qoftë edhe nëse ata nuk i kanë realizuar. Ata përdorin gjuhë dhe imazhe për të manipuluar dhe për të formuar opinione, jo për të ushqyer debat dhe bisedë autentike demokratike ose për të hapur hapësirën publike për veprimtari të lirë politike dhe kundrim publik. Si rezultat, ne jemi transformuar në spektatorë pasivë të pushtetit nga masmedia, e cila vendon për ne se çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është, çfarë është e drejtë e çfarë nuk është. Të vërtetën e zbulojmë nga të tjerët: ajo është urdhëruar nga organet e maskomunikimit. Në zemër të kësaj pseudo-bote qendron miti se institucionet tona kombëtare, duke përfshirë dhe ato të qeverisë, ushtrisë dhe financës, janë efiçente dhe virtuoze, se ne mund t’i besojmë ata dhe se qëllimet e tyre janë të mirë. Këto institucione mund të kritikohen për tepëritë dhe abuzimet, por ata nuk mund të sulmohen si armiq të demokracisë dhe të mirës së përbashkët. Ata nuk mund të ekspozohen si ndërmarrje kriminale...[8]
Globalizimi përfshin masmedian (veçanërisht TV-në), i cili pasi u ‘liberalizua’ nga kontrolli i shtetit, ra nën kontrollin e tregut që është më i keq se i pari. Pasoja e pashmangshme ishte përqendrimi i stërmadh i masmedias në duart e korporatave gjigande. Për shembull, në SHBA gjashtë korporata gjigande dominojnë tregun e lajmeve,[9] nga 50-të që ishin në vitin 1982.[10] Ndërsa pushteti ekonomik dhe politik përqendrohet në pak duar - ashtu do të përqendrohet edhe masmedia. Nuk është, rrjedhimisht, se elitat kapitaliste kanë ndonjë plan për masmedian. Por janë kushtet, kryesisht ekonomike dhe institucionale, që diktojnë përqendrimin e masmedias në pak duar. Përqendrimi i masmedias, me rradhë, krijon kushtet për homogjenizimin e kulturave botërore meqënse pushteti përqendrohet në nivel mbikombëtar. Përqendrimi i pushtetit në nivel mbikombëtar në vetë-vete uniformizon masmedian qoftë lidhur me orientimin e saj qoftë lidhur paraqitjen e lajmit. Ende kjo dukuri konsiderohet një tjetër tip i ‘dëmit kolateral’ që rezulton nga globalizmi! Efekti tjetër që ushtron globalizimi i masmedias në rradhët e gazetarëve është ‘vetë-çensurimi’. Sot, sikurse Serge Halimi citon, vetë-çensurimi —që i shërben interesit individual dhe pronarëve të medias korporative dhe vetë-promovimi i intelektualëve— ka zëvendësuar censurën e qeverisë në TV.[11] Por në raport me publikun, roli i medias korporative, siç konkludon Monbiot në një analizë për median amerikane, është i njëjtë me regjimin e një shteti represiv: sepse janë anëtarët e qeverive që vendojnë se çfarë do të lejohet dhe nuk do të lejohet të dëgjojë puliku, ose do të dënojë ose do të rekrutojë devijuesit të cilët këmbngulin për të thënë një lajm ndryshe. Gazetarët që ata punësojnë veprojnë njëlloj siç veprojnë gazetarët e regjimeve represive: ata përvetësojnë kërkesat e çensurës, dhe kuptojnë, përpara se t’u komunikojë ndonjëri se çfarë është e lejueshme dhe çfarë jo.[12]Ata që supozohet se do të hetojnë elitën financiare dhe politike, ngulen në të. Shumë gazetarë i përkasin një shërbim-sektori aristokratik, të shkrirë metaforikisht (ndonjë herë në kuptimin e mirëfilltë) me financën. Zakonisht pa dashje, ata amplifikojnë zërat e elitave, ndërsa shurdhojnë zërat kundër tyre.[13] Me çlirimin dhe liberalizimin e tregjeve, u çlirua dhe u liberalizua dhe masmedia në Perëndim: si rezultat, televizioni kabllor dhe satelitor, që u zhvillua pas vitit ’80-të, po zëvendësohet me televizionin që transmetohet në internet. Në një fjalë: “telenetin”:
Një grup i ri kanalesh në internet po ushtron presion mbi televizionin kabllor dhe paketat e transetimit të gjerë...ndërkohë që videot në internet po shpërthejnë...rrjetet udhëheqëse të televizionit linear botëror, siç është HBO, ESPN, Canal Plus dhe BBC, po lëvizin drejt televizionit internetor...në fund të fundit, ndërsa televizioni linear shihet më pak, spektri që ai përdor në kabllor, fibra, dhe në transmetim, do të rishpërndahet për të zgjeruar transmetimin në internet. Abonentët e televizionit satelitor do të jenë më pak dhe kryesisht periferikë. Vlera e internetit me shpejtësi të lartë do të rritet...konsumi i videove në rrjet është më i madh nga të rinjtë, me afërsisht tre të katërtat e familjeve...të njëjtët konsumatorë që kanë më pak mundësi për të paguar TV...Për ndërmarrjet më të mëdha mediatike...të kapësh gjeneratën tjetër do të thotë t’u japësh mundësi të shohin përmbajtje kur, ku dhe si dëshirojnë ta shohin. Penetrimi i televizionit është më i ulët në Europë — më pak se 60 për qind e familjeve krahasuar me 85 për qind në SHBA.[14]Download
Sidoqoftë, është e mirë-ditur se kjo mesatare e veçantë është sot burimi i vetëm i informacionit për pjesën më të madhe të popullatës. Rruga në të cilën tregime lajmesh përzgjidhen dhe paraqiten - dizenjuar me kujdes, që të reflektojnë axhendën e ekonomisë kapitaliste, politike dhe globalizimit kulturor, luan një rol vendimtar në formimin e ‘opinionit publik...Në fjalë të tjera, është e mjaftueshme për kanalet televizive të përzgjedhin prezantues të ‘mendimit të përshtatshëm’, me qëllim që roli i këtyre programeve si organe ideologjike të rendit të Ri të sigurohet. Kjo është arsyeja që prezantuesit e këtyre programeve, si rregull, vijnë nga hapësira ideologjike e neoliberalizmit, social-liberalizmit ose Majtistëve reformistë dhe, si të tillë, ata nuk e ndryshojnë sistemin e tregut të marketingut dhe plotësuesin e tij politikë: “demokracinë” përfaqësuese. Një lloj ‘pseudo’-debati është themeluar në media, në të cilën çdo ‘tezë’ është hamendësisht prezantuar bashkë me ‘anti-tezën’ e saj - e cila vetëm dyshon disa politika ose implikacione të globalizimit por kurrë vetë sistemin i cili e prodhon dhe riprodhon atë - me qëllim që një ‘sintezë’ e pa dhimbshme (për sistemin) të krijohet në fund.[15]
Në të vërtetë, elitat perëndimore kanë krijuar kushtet për represion mediatik vetëm lidhur me sintezën politiko-ekonomike të vendeve të integruar në globalizmin neoliberal. Ky lloj represioni mbulohet me lirinë për të hulumtuar dhimbjet sociale. Domethënë, për të treguar në publik faktet por jo shkaqet sistemike. Kina, për shembull, ushtronte represion mediatik, në të dy nivelet, qoftë lidhur me sintezën qoftë lidhur me faktet. Por me hapjen dhe liberalizimin e tregjeve, Kina është në proces të lejimit të masmedias për të treguar ‘faktet’. Por me një ndryshim thelbësor krahasuar me “lirinë” masmediatike perëndimore: në Kinë ajo operon duke patur në mendje “mësimet” dhe ‘direktivat’ e partisë:
Media e Kinës duhet të dashurojë partinë, ruajë partinë dhe nga afër të rradhisë veten me mendimin e udhëheqjes së partisë, politikën dhe veprimet e saj. Por në rrezik është një marrëveshje delikate e arritur pas periudhës reformiste të Maos, ku shtypi ka çarë një vend të rrethuar me kujdes nga disidentët. Kjo hapësirë i ka dhënë Beixhingut një “valvul avulli” — një mënyrë për debat publik për t’u zhvilluar pa dalë jashtë kontrollit. Është më se e qartë se ideologjia është kthyer pas...ky ndryshim duket në formën e kontrollit të medias dhe përfrikësimit të gazetarëve. Por kryesisht është politika që po ndryshon...në propagandën e aparatit të partisë, kuadrot mund të debatojnë politika dhe media shërben si një mekanizëm kontrollues ose reagim mbi diktatn qendror...media kineze ka ndryshuar shumë nga ditët kur gjithë pikëshitjet flisnin me një zë. Ndërsa fondet shtetërore janë shteruar, ata duhet të joshin lexuesit me reportazhe ekskluzivë (“original scoops”), tituj të bujshëm dhe lajme zulmëmëdhenjsh.[16]
Përgjatë viteve 1927-49-të të luftës civile kineze, siç citon më tej e njëjta analizë, reporterët që punonin për gazeta Komuniste ishin zakonisht anëtarë partie që ndienin një detyrim të bënin thirrje në emër të saj. Por dëshira për të raportuar sesa për të propaganduar kishte lëshuar rrënjë me vitin 1989-të, kur gazetarët në Sheshin Tiananmen u bashkuan me demonstruesit e studentëtve nën një flamur që shkruante: “ne duam të themi të vërtetën”...Ne mund të flasim për problemet por ne nuk mund të flasim për shkaqet sistemike të problemeve...kjo do të thotë se ndërsa media nuk lejohet të përmendë demokracinë, lirinë ose ndonjë reformë politike, ata mund të raportojnë rreth skandaleve rutinë, siç janë lajmet e fundit rreth vaksinave të skaduara ose prishura të rishitura në spitale dhe klinika. Shumë ditëlindje të ngjarjeve të ndjeshme politike siç është revolucioni kulturor duhet të balancohen me kujdes për të shmangur arrakatje nga historia zyrtare e partisë. Direktiva të zbuluara nga autoritetet e propagandës, të quajtura “Ministria e të Vërtetës” ose “Mini-Vërtetë” nga qytetarnetë (netizens) të informuar për novelën e Xhorxh Orull 1984, tregon një tension të vazhdueshëm ndërsa çensorët mundohen të kalibrojnë ndikimin se çfarë ata kanë lejuar të publikohet. Ndërsa zhbirimi i skandaleve (“muckraking”) mendohet se stabilizon partinë Komuniste nga abuzimet me pushtetin, gazetarët ndjehen të kërcënuar më shumë se çdo herë që nga koha e përgjigjes në demonstratat e Sheshit Tiananmen [lexoje, “sheshit të paqes qiellore”]. Media ka pranuar me pahir rolin e saj të ri, qoftë edhe më të plogët.[17]
Kina, në fjalë të tjera, është në proces të liberalizimit të masmedias gjithashtu, meqënse është integruar në tregun ndërkombëtar të marketingut dhe është përqendruar në eksporte, sesa në porpagandimin e ndonjë ideologjie tjetër. Masmedia kineze, rrjedhimisht, do të privatizohet pjesërisht dhe do të adoptojë qasjen e përgjithshme të masmedias perëndimore: ndërsa do të kërkojë sponsorë privatë, e ‘vërteta’, do të jetë e njëjtë: fakte, reportazhe dhe “zbulime” skandalesh! Sepse siç citon një kritik i masmedias britanike ‘çdo gazetarí me humbje është në mëshirë të sponsorëve të saj, qoftë ai shtet, treg, filantrop ose individ. Gazetat më të këqija administrohen nga qeveritë, qofshin ato organe të regjimeve autoritare ose buletinet e çalë të botuar nga këshillat lokale duke ndjekur rrënimin e shtypit lokal (të ndihmuar nga radioja lokale e BBC-s).
Por nëse pronësia shtetërore gazetarisht është shterpë, pronësia private është një rrëmujë. Është një treg i dominuar nga parája sesa pushteti, influenca dhe shkëlqimi. Pjesa më e madhe e publikimeve për gjysmë shekulli kanë qenë të varur nga subvencionet, i cili i lë ato në mëshirë të bordeve dhe përfituesve të tyre. Gazeta “Independent” mundohet të punojë nën bujarinë e një oligarku. Gazeta “The Times” varet nga ca njerëz të pasur të cilët lakmojnë pronësinë e saj. Gazeta “Telegraph” mbijeton përmes shkurtimeve të punëtorëve dhe marrëveshjeve me reklamuesit. Siguria e gazetës “The Guardian” është blerë në dëm të mbylljeve vjetore dhe humbjeve të vendeve të punës në filialet e saj mediatike’.[18] Kjo gjendje bëhet veçanërisht e vështirë kur masmedia bije në duart e kasnecëve që punësojnë vetë qeveritë moderne: të ashtuquajturit “PR” (“public relations”):
...ndërsa gazetarët ankohen për pengesat e kasnecëve për marrëdhëniet me publikun, ata rrallë pranojnë një fakt të rëndësishëm: se kasnecët për marrëdhëniet me publikun po fitojnë [betejën]. Punësimi në dhomat e lajmeve ka rënë me një të tretën që nga viti 2006-të...por përqindja e kasnecëve për marrëdhënie me publikun po rritet. Të ardhurat globale të kasnecëve u rritën me 11 për qind vitin e kaluar në afërsisht $12.5 miliard...për çdo gazetar në Amerikë, tani janë 4.6 kasnecë për marrëdhëniet me publikun, nga 3.2 që ishin një dakadë më parë. Dhe gazetarët fitojnë mesatarisht 65 për qind të shumës që marrin kasnecët e marrëdhënieve me publikun. Në vitin 2006-të, 41 për qind e artikujve të shtypit të Britanisë u udhëhoqën nga kasnecët e marrëdhënieve me publikun, një dukuri që njihet si “churnalism” (trazim në gazetari). Por kasnecët e marrëdhënieve me pulikun tani po luajnë me industrinë e lajmeve për veten e tyre. Ata po zbulojnë se si të punojnë rreth gazetarëve, duke fituar lajmet e tyre të rrjedhshme, videot dhe grafiqet drejtpërdrejt në audiencën e synuar – zakonisht me ndihmën e organizatave të lajmeve me të cilat ata sabotojnë [të vërtetën]. Nëse ata mund të prodhojnë përmbajtje mjaftueshëm të angazhuar emocionalisht dhe të dobishme, adhuruesit do ta shpërndajnë në median sociale...strategjia pas marketizimit të përmbajtjes është e njëjtë me mendimin e Mishelinit që prodhoi udhëzimet e tij të pára për shoferët e vitit 1900 ose prodhuesit e makinerive të revistës së Xhon Dir në vitin 1895 për fermerët, “The Furrow”, por shkalla është dramatikisht e ndryshme. Epoka shifrare e Kokës ndërsa synon “gazetarinë marketizuese” ose “marketizimit të përmbajtjes”, fitoi më shumë se 13 milion vizitorë vitin e kaluar. Tregjet flasin për “media të paguar” (reklama që ata duhet blejnë), “media të fituar” (nga mbulimi i shtypit te thashethemet gojore) dhe një kategori në rritje e quajtur “media e pronësuar” (faqet e tyre elektronike, blogjet dhe vjegëzat e medias sociale). Tërheqja e “medias së pronësuar”, për shkak të natyrës së saj, është se markat as duhet të paguajnë një treg mediash për të as e fitojnë atë duke bindur një reporter se lajmi ia vlen të raportohet. Ky është një problem për grupet e shitjeve të reklamave të industrisë dhe dhomave të lajmeve...në zemër të debatit është se nëse “gazetaria marketizuese” llogaritet si gazetari. Është ajo lajm? Në fund të ditës, konsumatori e përcakton...61 për qind e të anketuarve në 25 vende besojnë median tradicionale, krahasuar me 43 për qind që besojnë “median e pronësuar”.[19]
Në të vërtetë, kasnecët e marrëdhënieve me publikun përfshihen intensivisht në ndërmarrjet që miratojnë qeveritë përkatëse: ata pengojnë gazetarët dhe editorët të publikojnë punët shkencore të autorëve të ndryshëm me interes publik, ose i instruktojnë ata për t’i minuar ato...ku tregohen mashtrimet administrative, veçanërisht lidhur me kostot dhe rreziqet e investimeve.[20] Kasnecët e qeverive kanë përmbytur masmedian dhe janë të aftë të ‘paraprogramojnë’ përmbajtjen e lajmeve.
Kasnecët punësohen nga qeveritë dhe efektivisht ata parapërgatisin kushtet propagandistike të ministrive për të realizuar ‘konsesusin social’: domethënë, të bindin popujt se “puna” e ministrave është e dobishme për popujt dhe më e “mirë” se “puna” e pararendësve. Ata as zgjidhen nga popujt as llogarijapin tek ata. Aftësia kryesore e tyre është të aktrojnë ministrat në sytë e publikut për të krijuar “lidhjen publike”, siç edhe titulli i tyre nënkupton: “PR” (“Public Relation”)!
Në këtë kuptim, ata janë “skenaristët” e pushteti politik dhe nuk veprojnë vetëm duke diktuar përmbajtjen e lajmeve në raport me gazetarët por edhe duke diktuar përmbajtjen e “fjalës” së ministrave në raport e publikun. Kasnecët e qeverive, si të tillë, luajnë një rol “tregëtarizues” të politikanëve: sepse efektivisht ata marketizojnë ose zbukurojnë ‘politikat’ e qeverive në sytë e popujve. Kështu në vend të ‘objektivizohet’ (ose të gjykohet drejtë në raport me dobitë që ka ajo për popujt) politika e një qeverie ajo përçudnohet nga kasnecët me pasojë të rëndohen edhe më shumë popujt ekonomikisht për të mbuluar rrogat e administratës së qeverive, kasnecëve dhe gazetarëve të oligarkisë. Pronarët e masmedias tashmë e kanë kuptuar se përballen vetëm me dy zgjedhje: ose të hanë rivalët ose të presin t’i hanë.
Emisionet e debateve “publike” ku ftohen disa “ekspertë” dhe “shqyrtojnë” çështjen kryesore të javës, janë një tjetër shtrembërim meditiak i realitetit. Për shembull, TVSH-ja zhvillon një emision javor për të “analizuar” ngjarjet kryesore të javës ku ftohen thuajse të njëjtët individë që ftohen në kanalet private. Në të vërtetë, drejtuesit e emisionit në fjalë, janë protagonistë thujase në çdo emision në televizionet private (Top Channel, Klan etj.). Top Channel zhvillon një emision “të paekspozuarit” ku fton të njëjtët dhe hetimi i çështjes që paraqet nuk është kurrë shterues — në kuptimin e dëftimit të shkaqeve të vërtetë të çështjes që shqyrtohet. Për shembull, në një emision u shqyrtua çështja e kullave dhe u tregua hipokrizia e politikanëve, dhe veçanërisht e Bashës (si kryebashkiak e Tiranës), Ramës dhe Veliajt. Mirëpo, ai nuk tregoi shkaqet e vërtetë se pse ata janë hipokritë — se pse ndryshojnë qendrime politike kur marrin pushtetin! Argumenti se sektori i ndërtimit dikton politikën bashkiake apo politikën qendrore, për shembull, nuk mjafton për të treguar shkaqet e vërtetë se pse pushtetarët ndryshojnë qendrime. Emisioni në fjalë është hipokrit, gjithashtu, kur këto çështje ne të shtypit shkrimor —pa fuqinë e radiotelevizioneve— i kemi hetuar dhe shqyrtuar dhe ata janë në dijeni (meqënse na lexojnë) të shkaqeve të krizave sociale.
Hipokrizia vazhdon me skajimin e studiuesve të krizave sociale. Domethënë, me mospërmendjen e studiuesve në debate. Apo me moskonsiderimin e studiuesve. Kujtoj se një nga detyrat kryesore të masmedias dhe gazetarëve është të qëmtojnë punë studimore dhe t’ia paraqesin publikut. Në Shqipëri kjo ‘detyrë’ mungon. Personalisht jam autor i disa dhjetra studimeve të fushave të ndryshme. Shkruaj në shtypin ndërkombëtar shpesh. Pavarësisht kontributeve të mija - shtypi vendor më çensuron! Kujtoj se emisioni në fjalë paraqitet si ‘autentik’ i Ylli Rakipit.
Në të vërtetë, emisioni është në skenografi, gërmë dhe fjalë, prodhim i Bushatit. Rakipi thjesht e paraqet dhe shton dozat e tij. Bushati dihet se nuk e ka kaluar kurrë pragun e gazetarit ‘opinionist’. Kujtoj se ‘opinionitët’ konsiderojnë ‘faktet’ që perceptohen nga publiku dhe nuk tregojnë shkaqet e krizave. Jo sepse nuk duan por sepse nuk kanë përvetësuar vegla teorike për ta zbërthyer realitetin. Duhet thënë se emisioni në fjalë i ka shtuar dozat e kritikës kundrejt qeverisë “Rama” kryesisht sepse kanali ka punësuar Blushin - pikërisht për të njëjtën arsye: të godasë më fortë pushtetin me një nga anëtarët e të njëjtës parti. Kjo është një taktikë e mirënjohur dhe përdoret shpesh nga pushtetet: ajo synon —meqënse debatet “publike” në rastin në fjalë nuk janë as demokratike as shkencore— të ruajë pushtetin e saj ekonomik (sepse masmedia përkatëse ka krijuar një bazë ekonomike, kafe etj.) dhe mediatik. Nuk i shërben, në fjalë të tjera, të vërtetës dhe popullit: sepse ai që i shërben të vërtetës (shkaqeve të vërtetë të krizave) i shërben dhe popullit.
Shkelja e ligjit nga mediat dhe gazetarët dhe nevoja e mbështetjes së drejtësisë
Tridhjetë vitet e fundit media jonë përgjithësisht është ndarë mes “socialistëve” dhe “demokratëve”, në vend të mbështesë të vërtetën dhe popullin apo parimet e Ligjit Nr. 97/2013 për mediat audiovizive. Njëri nga parimet e tij citon se “veprimtaria e transmetimeve audiovizive siguron informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit”.
Ky parim është braktisur nga mediat kryesore dhe asnjë masë ligjore nuk është marrë kundër tyre, pikërisht sepse ekziston një “pakt” politik mes partive kryesore që parimet e ligjit përkatës të shkelen nga të gjitha palët. Kryesisht si pasojë e këtij “pakti” ushtrohet çensura kundrejt atyre që janë kritikë ndaj partive kryesore politike dhe nomenklaturës në përgjithësi.
Nga ana tjetër, vetë media vepron njëanshmërisht sepse ka interesa të ngushta (ekonomike) dhe të gjera (ideologjike). Por ngaqë ndryshimet ideologjike mes partive kryesore në pushtet janë të pakta, ato kanë përdorur pushtetin e tyre mediatik kryesisht për interesa të ngushta ekonomike. Paralelisht media është përqendruar në pak duar dhe kontrollohet nga pusheti politik në përqindje të madhe.
Sipas një studimi të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri dhe Reporterëve Pa Kufij, 2018, audienca në tregun e madias në Shqipëri është përqendruar në katër pronarë kryesorë. Ata kanë fituar gati gjysmën e audiencës: mes 48.93 dhe 58.60 për qind. Në radio përqendrimi është më i lartë, ku katër pronarë kontrollojnë thuajse dy të tretat e saj (63.69%). Përqendrimi i tyre bie për shtypin me 43.29%. Por kur përfshihen televizionet, shtypi, radioja dhe interneti, atje janë “tetë pronarë kryesorë” që kontrollojnë mes 72.1% dhe 80.1%. Por katër botuesit kryesorë kontrollojnë bashkarisht 86.5% të shtypit ndërsa kontrolli politik i medias është i lartë: ai luhatet mes 65.18% në 75.68%.
Por do të ishte e dobishme të shqyrtojmë, gjithashtu, dhe “politikën editoriale” të medias sonë. Në rend të parë është RTSH-ja, me rreth 58 mijë ndjekës në Facebook: sepse ai është televizion kombëtar dhe për të paguajmë të gjithë taksa. Ai ka mbajtur gjithnjë një qendrim të butë ndaj qeverisë ndërsa mediat private kanë qenë më të ashpra. Por fakti që ato ndahen në “kampe”, ato nuk i shërbejnë të vërtetës dhe popullit dhe nuk janë të besueshme, dhe si pasojë, rrezikojnë të damkosen nga populli i ndershëm dhe të hetohen nga drejtësia e re për lidhje të ngushta pushtetore me partitë politike.
Aktualisht PS-ja gëzon më pak mbështetje mediatike se PD-ja. Dy nga mediat kryesore që mbështesin PD-në janë Klani (mbi 1 milionë) dhe Syrinet (269 mijë). Pjesë e këtyre televizioneve është dhe Oranews. Por ai anon nga Meta. Hamendësisht, sepse kontributi i tij (financiar) ka qenë dhe është vendimtar në ngritjen dhe veprimtarinë e tij mediatike.
Një media tjetër që mbështet PD-në është News24 (me rreth 600 mijë ndjekës) dhe Panorama. Kjo e fundit është në procesin e zhvillimit të televizionit kombëtar krahas gazetës. Këtyre u është shtuar dhe Voa: sepse përgjithësisht ajo ndjek politikën e jashtme të Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH) dhe të ambasadës amerikane në Shqipëri. Ajo ka filluar t`i rrisë dozat e kritikës ndaj qeverisë “Rama” që tetorin e vitit 2022 kur SHBA-ja vendosi ta braktiste Ramën, kryesisht sepse ka penguar hetimin e krerëve të opozitës dhe hetimet e drejtësisë në përgjithësi.
Madje dhe Topi, por ky jo se mbështet PD-në por ka braktisur mbështetjen e Ramës dhe po godet korrupsionin e qeverisë së tij. Vetë goditja e qeverisë “Rama” çon ujë dhe në mullirin e PD-së. Braktisja e Ramës nga Topi lidhet me mosdhënien e një fondi nga AZHBR-ja. Ajo kulmoi me akuza të ndësjellta gjatë ditëve të para të nëntorit të vitit 2022.
Si fillim “sulmoi” Topi me disa kronika. Më pas Rama u kundërpërgjigj duke përdorur një faqe nga projekti i Topit përmes të cilit, tha Rama, synon të “grabisë fondet publike” dhe të shantazhojë qeverinë...me kronika. Topi iu përgjigj se reagimi i tij erdhi si pasojë e “transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun (shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe naftës, largimi i të rinjve, taksimi i bizneseve etj.) duke sqaruar se faqja që publikoi Rama në kuvend është pjesë e projekteve të fondacionit “Dritan Hoxha” përmes të cilëve kërkon fonde nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare për “promovimin, advokimin e vlerave të vendit dhe vityteve të shoqërisë sonë” dhe duke shtuar se:
“Kjo ka ndodhur në dhjetra projekte që ka zbatuar Fondacionin “Dritan Hoxha”, duke nisur nga Ministria e Kulturës, DPSHTRR, Bashkimi Europian, Bashkia Tiranë dhe bashki të tjera në vend etj. Së fundmi Top Media po zhvillon promovimin e bizneseve Start-up, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Dhe ky projekt nuk po transmetohet nën efektet e shantazhit, por po i jepet hapësirë të rinjve që të aplikojnë në iniciativa të reja biznesi”.
Sipas televizionit në fjalë, “asnjë nga fondet e aplikuara në institucione nuk përdoret për financim nga Top Channel por ato shpenzohen vetëm për realizimin e programit dhe promovimin e vlerave”. Për të treguar se ai mbështet dhe institucionet dhe politikat e qeverisë “Rama” që i shërbejnë interesit publik, televizioni përmend mbështetjen e Ministrisë së Energjisë me spote për kursimin e energjisë.
Por këto spote nuk e kanë penguar atë të tregojë dhe shqetësimin e publikut për shtrenjtimin e energjisë. Më tej Topi përmend kërkesën e parashtruar në AZHBR (Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) për të promovuar produktet bio shqiptare, reklamimin e fermave shqiptare, dhe rritjen e turizmit rural, përmes projektit “Bio Albania”. Ky projekt, sipas Topit, nuk është për t`i bërë marketing AZHBR-së siç pretendon kryeministri “por për bizneset shqiptare në mënyrë që të thithen sa më shumë investime në sektorin bujqësor”.
Projekti i Topit përfshinte dhe transparencën e fondeve të AZHBR-së, bashkë me të cilën, kjo e fundit e publikoi dhe kërkesën e Topit, sipas ligjit. Si pasojë, Topi reagoi me “Inside Story-in” ku tregoi se fondet e AZHBR-së ishin shpërdoruar dhe shpesh u janë dhënë njerëzve me lidhje politike, duke përmendur disa prej tyre.
Megjithëse nevojitet hetim i mëtejshëm për këto pretendime, nga rrëfimi i Topit kuptohet se AZHBR-ja ka shkrepur reagimin e Topit me një hetim gazetaresk për AZHBR-në dhe më pas Topi shkrepi reagimin e Ramës. Ky i fundit, në fjalë të tjera, ka të drejtë në denoncimin e tij por nuk tregon arsyet se pse i është refuzuar fondi Topit nga AZHBR-ja.
Nga kjo “luftë” ose përplasje kuptojmë dhe faktin se pse Topi ka mbështetur propagandën e Ramës vitet e fundit dhe pse kanë munguar kritikat. Topi, në fjalë të tjera, nuk i është përmbajtur ligjit për mediat dhe detyrës që ka si televizion: të kontribojë në mirëqenien e popullit me lajmet dhe kritikat e tij. Por kuptojmë, gjithashtu, dhe faktin se Rama e ka përdorur televizionin përkatës prej shumë vitesh duke e ushqyer atë me fonde (sepse nuk e dimë se sa fonde ka marrë më parë) dhe me shpresa për fonde të tjerë.
Një media tjetër që mbështet PD-në është “gazeta Mapo”; një tjetër është “Koha Jonë” dhe disa portale të tjerë si “Dosja” e të tjerë, por ata janë të dorës së dytë, sepse kanë ndjekshmëri tejet të ulët.
Rama ka vetëm një televizion që e mbështesin aktualisht: Vizion plus, me rreth 300 mijë ndjekës ndërsa ABCnews, me rreth 380 mijë ndjekës, është në ngjizje e sipër. Rama ka mbështetje dhe nga “Tema”, “Gazeta Shqiptare” etj. Por ato janë me ndjekshmëri të ulët.
Epërsia mediatike e PD-së tregon se propaganda e Berishës kundër Ramës do të ketë efekt në popull. Nuk jemi larg dinamikës së krijuar në vitin 2013, kur Rama dhe media që e mbështeste atë, tregonte si shkaktarin e vetëm të krizës shumëpërmasore që kishte pushtuar Shqipërinë, dhe vazhdon ta mbajë të pushtuar, madje në një shkallë më të madhe, vetëm Berishën!
Por viti 2013 me vitin 2023 nuk është i njëjtë: sepse në atë kohë mungonte SPAK-u dhe mungonin “damkat” dhe synimet amerikane lidhur me klasën tonë politike. Kështuqë mbështetja e Berishës dhe Ramës nga media përkatëse është pa të ardhme; sepse nuk do të fitojnë nga ata siç kanë fituar në të kaluarën.
Disa nga gazetarët që mbështesin Berishën ose PD-në janë Bushati (ky shpesh bën sikur e kritikon atë), Zheji, Peka, Krasta etj. Ndërsa Ramën e mbështesin Çupi, Bazja, S. Balla etj. Edhe këta kanë kuptim të pjesshëm nga realiteti politik: sepse po ta kishin kuptuar, do të kishin hequr dorë nga mbështetja e tyre pavarësisht se për ta është e vështirë për sa kohë që kanë përfituar nga pushtetet politike.
Ka dhe gazetarë të tjerë që mundohen të mbajnë një rol asnjanës. Ata shfaqen kryesisht tek Euronews, sepse ai ka një pronar që nuk ka lidhje të ngushta me Shqipërinë por ndihmon në integrimin e vendit tonë në BE dhe Eurozonë me propagandën e tij (duke spikatur dobitë e BE-së por pa përmendur jodobitë), sepse interesat e tij ekonomike lidhen kryesisht me BE-në.
Një televizion tjetër që mundohet të mbajë një qendrim asnjanës, jokombëtar, është MCN-ja; madje ai ka punësuar disa nga “figurat” kryesore të gazetarisë shqiptare, si Nanon, Kikia, Rakipi etj. Por si televizioni përkatës ashtu dhe gazetarët në fjalë kanë ndjekshmëri të ulët; madje disa prejt tyre janë vetë-diskretituar shpesh herë me qendrimet e tyre për çështje të ndryshme.
Ndaj vendit tonë i nevojitet një media demokratike dhe e drejtë, sepse vetëm demokracia dhe drejtësia do t`i shërbente të vërtetës dhe popullit. Sa më parë ta kuptojnë këtë nevojë të domosdoshme njerëzit e medias aq më shumë do të nderohen nga populli i ndershëm dhe sa më shumë të vonojnë aq më keq për ta.
Është e qartë se masmedia perëndimore gjendet në procesin e pashmangshëm të “marketizimit të përmbajtjes” jo vetëm nga vetë masmedia por kryesisht nga aktorët që punojnë pranë qeverive për marrëdhëniet me publikun. Përmbajtja, me rradhë, dihet se si ‘qendiset’: qëllimi është të parafabrikohet opinioni i publikut ose konsesusi lidhur me politikat e adoptuara nga qeveria përfaqësuese. Domethënë, të bindet publiku se politikat e qeverisë në pushtet (duke përfshirë dhe qeverisjen mbikombëtare) janë më të mirat të mundshme.
Realiteti, rrjedhimisht, shtrembërohet, në shkallë të ndryshme, në të gjitha nënparadigmat moderne por më shumë në rendin aktual. Në socializmin marksist, për shembull, gazetarët paraqesnin realizimet në prodhim por nuk paraqesnin shpërndarjen e drejtë të tij. Ndërsa në kapitalizmin neoliberal gazetarët paraqesin “lajmin”, duke ndjekur veprimtarinë politike të qeverive —vendimin e një qeverie apo ‘faktin’ e shkaktuar nga ajo, domethënë “çfarë”— por nuk paraqesin shkaqet dhe pasojat e vendimit (pse-të dhe si-të): jo sepse e bëjnë me qëllim por sepse gazetarët “edukohen” kryesisht për të raportuar një lajm (ndonjë herë as për te raportuar nuk dinë) se sa për ta shqyrtuar atë.
Krahas keqedukimit të tyre në institutet e gazetarisë ata punojnë në struktura mediatike herarkike dhe ‘porosia’ e drejtorit ndikon venditarisht në përshkrimin e realiteti. Sulmet ndaj tyre, rrjedhimisht, janë sa të padrejta aq dhe të drejta: ‘të padrejta’ sepse sulmohen shkaqet e vërtetë se pse gazetarët bëhen jo-objketivë; dhe ‘të drejta’ sepse supozohet se gazetarët do të luftojnë më shumë se çdo njësi tjetër sociel për t’u çliruar. Por s’veprojnë kështu: i përshtaten kuadrit intitucional dhe shijojnë –mes dhimbjesh- privilegjet. Si të tillë, gazetarët i nënshtrohen diktatit të pushtetit qendror në të dyja nënparadigmat moderne. Por ata bëhen më konformistë në rendin aktual: sepse varen vendimtarisht nga sponsorizimet e elitave kapitaliste të cilat mund të jenë vendore dhe të huaja. Përjashto këtu masmedian që vetë-financohet dhe ka për objektiv të kontribuojë në ruajtjen e jetës së planetit.
Nëse gjykojmë nga mënyra se si administrohen korporatat kapitaliste dhe nga edukimi i përgjithshëm dhe i veçantë pronarëve të tyre,[21] dhe nga natyra imituese e pronarëve të masmedias sesa nga aftësia për të gjeneruar programe origjinalë, mund të nxjerrim lehtësisht përfundime se ato jo vetëm që nuk janë demokratike dhe nuk synojnë të edukojnë popullatën rreth këtij procesi, sa në nivel shoqëror aq edhe në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve dhe, familjes (sepse kjo e fundit dominohet nga dinamika tërësore e shoqërisë), por as edhe shkencore, në kuptimin e dyfishtë të saj. Një herë, kur nuk përfshijnë në programet e ashtuquajtur “demokratikë” antiteza serioze dhe këndvështrime vërtetë shkencore, jo në kuptimin Sokratik por në kuptimin ‘taksinomik’ Aristotelian,[22] se gazetari (ose biseda) duhet të përqendrohet njëherësh në “diskutim dialektik” (duke zbuluar argumente) dhe “hetim dialektik” (kriticizëm për të ‘siguruar provën e premisave’ që janë në dyshim), i cili bazohet në ligjin e kontradiktave, ku supozohet se debatohen çështjet më të nxhehta, dhe një herë tjetër, kur nuk mund të krijojnë kushtet për autonomi administrative, në aspektin financiar, dhe nuk dinë të administrojnë masmedian demokratikisht. Domethënë, kur nuk hapen kundrejt publikut, duke e bërë bashkaksionar, por e administrojnë atë përmes një rrethi të ngushtë njerëzish.
Përfshirja e psikologëve, sociologëve, kriminologëve, për ngjarjet e dhimshme sociale, dhe përfshirja e financierëve, ekonomistëve ortodoksë dhe “ekspertëve”, për krizat social-ekonomike, nuk i bën programet shkencore: sepse të gjithë këta nuk konsiderojnë sistemin dhe tërësinë e politikave që adoptojnë qeveritë në pushtet. Psikologët, për shembull, përqendrohen te shkaqet e sjelljes së njeriut nga një këndvështrim “psikologjik” dhe “social”. ‘Psikologjik’ në kuptimin se një njeri, ndryshe nga një tjetër, është “i prirur” për të fituar një ‘lloj’ sjellje. Dhe ‘social’ në kuptimin e orientimit social. Ata shpërnjohin, rrjedhimisht, jo vetëm dështimin e edukimit të përgjithshëm të njeriut, të cilin supozohet se do ta kryejë shteti, por dhe natyrën klasore të shtetit, i cili, krijon kushtet për moszhvillimin e virtyteve të qytetarëve: sepse virtytet (etikë dhe intelektualë) zhvillohen vetëm kur kuptohet rëndësia e tyre në sjelljen e njeriut, se nga burojnë dhe si mund të edukohen.
Nuk është e rastit që “shkencëtarët” që marrin pjesë në debate “edukative”, veçanërisht në televizion, kur nuk kanë përgjigje lidhur me shkaqet e një dukurie ‘ekonomike’, mbrohen me argumentin se kjo është një çështje që lidhet me ‘ekonomistët’ dhe anasjelltas! Dhe nuk është e rastit që masmedia në Shqipëri, kopjon shabllon “platforma” të ‘suksesshme’ perëndimore dhe ia përshtat një publiku tjetër, pavarësisht se idosinkrazia (ose botëkuptimi) ndryshon me vendin e origjinës. Përtej faktit që platformat ‘qendisen’ nga individë që virtytin e estetikës e kanë të pazhvilluar: sepse nëse do ta kishin të zhvilluar nuk do të ishin eksesivë dhe ekstravagantë, por mesatarë dhe të përkortë. Mungon, rrjedhimisht, jo vetëm demokracia dhe mendimi shkencor, por edhe virtyti mediatik dhe gjithë virtytet e tjerë që nënkupton ky fundit (virtytin e drejtësisë etj.). Por cilët janë mekanizmat e administrimit të gazetarëve në raport me “pronarët” e rinj?
Synimet dhe mekanizmat e kontrollit në masmedia
Synimi i masmedias përcaktohet nga ata që i pronësojnë dhe i kontrollojnë ato, të cilët, zakonisht, janë anëtarë të elitës ekonomike që kontrollojnë vetë ekonominë e tregut. Duke i dhënë rolin vendimtar që media mund të luajë në ndërkombëtarizimin e paradigmës dominante sociale dhe riprodhimin e kuadrit institucional, i cili siguron përqendrimin e pushtetit në duart e elitave, është e qartë se ata që pronësojnë dhe kontrollojnë masmedian kanë synime të gjera ideologjike, sesa synimet e zakonshme që ndiqen nga ata që pronësojnë dhe kontrollojnë institucione të tjerë ekonomik, d.m.th maksimizimin e fitimit. Një analizë që do të orvatej për të nxjerrë konkluzione mbi natyrën dhe domethënien e institucioneve mediatike vetëm mbi bazën e dimensionit të fitimit [profit], (d.m.th se ata ndajnë një synim të përbashkët dhe një strukturë të ngjashme hierarkike me të gjithë institucionet e tjera ekonomike dhe jo se ata shesin një produkt, i vetmi ndryshim me institucionet e tjerë ekonomik është se ajo çfarë është produkti për massmedian është audienca), është një-dimensionale.
Maksimizimi i fitimit [profit] është vetëm një parametër, zakonisht jo vendimtar, i cili kushtëzon rolin e masmedias në një ekonomi marketizuese. Në të vërtetë, dikush mund të përmendë disa çaste ku pronarët kapitalistë zgjedhin të shkaktojnë humbje domethënëse (të cilat ata i mbulojnë nga aktivitetet fitimprurëse), me qëllim që të ruajnë influencën sociale (dhe prestigjin), që pronësimi i një të përditshmeje këtë mundësi ua ofron (Murdoch dheThe Times i Londrës është një shembull, i cili, në vitin 2011-të u mbyll, pas 168 vite publikime, sepse përgjonte telefonat, mail-et, etj.,[23] të shumë-famshëmve në elitën mbikombëtare dhe shiste historitë e tyre te News International apo aksionerët e dy TV-ve kryesorë në Shqipëri, “Top-Klan”, bashkë me gazetat dhe revistat e tyre, të cilët mundohen të minojnë njëri-tjetrin!). Duke i dhënë synimin ideologjikë final masmedias, rrugët kryesore që ata mundohen të arrijnë këtë objektiv janë:
· së pari, duke këmbëngulur në ndërkombëtarizimin e paradigmës sociale dominante dhe,
· së dyti, duke skajuar dhe përjashtuar të gjithë konceptet e realitetit të cilët nuk përputhen me paradigmën dominante.
Por, cilët janë mekanizmat përmes të cilëve media mund të arrijë qëllimet e saj? Për të dhënë një përgjigje te kjo pyetje ne duhet të ekzaminojmë një seri mekanizmash, shumë prej tyre janë mekanizma të brendshëm ‘automatik’, të cilët sigurojnë arritje efektive të këtyre synimeve. Do të ishte mirë të ndanim midis mekanizmave kontrollues të ‘brendshëm’ dhe të ‘jashtëm’, të cilët funksionojnë respektivisht si shtrëngime të brendshme dhe të jashtme mbi lirinë e punëtorëve të medias me qëllim që të riprodhojnë realitetin. Të dy mekanizmat e brendshëm dhe të jashtëm funksionojnë përmes konkurrencës e cila siguron homogjenizimin në respekt të synimit kryesor të medias. Konkurrenca është principi fondamental organizues i ekonomisë së marketingut; por ajo luan një rol të veçantë në respekt të medias. Siç citon Bourdieu: konkurrenca ‘në vent të gjenerojë automatikisht origjinalitet dhe diversitet ka për prirje që të favorizojë uniformitet’. [Një shembull konkret janë platformat konkurruese të adoptuara nga Top-Channel etj., që zbatohen në kundërshti nga origjinaliteti dhe dëshira publike, ekzaktësisht njëlloj si në vendin e lindjes!]. Ende, konkurrenca nuk është e vetmja forcë që siguron homogjenizimin. Në një rrugë të njëjtë, sikurse me vetë ekonominë e marketingut, konkurrenca sjellë vetëm mekanizmin e dinamikës së homogjenizmit. Është fakt që pronarët e masmedias, gjithashtu dhe menaxherët dhe gazetarët e shumë-paguar, ndajnë të njëjtat interesa në riprodhimin e kuadrit ekzistues institucional i cili përbën ‘bazën’ mbi të cilin ky koncept është zhvilluar.
Por, le të konsiderojmë këtu shkurtimisht domethënien e shumë mekanizmave kontrollues. Mekanizmat kryesorë të ‘kontrollit të brendshëm’ janë pronësime dhe strukturat hierarkike, të cilët janë, të dy, vendimtarë në krijimin e kushteve për konkurrencë të brendshme midis gazetarëve, ndërsa mekanizmi i ‘përqindjes’ (rating) luan një rol të njëjtë në krijimin e kushteve për konkurrencë të jashtme midis mediash. Duke filluar me pronësinë, ajo ka pak rëndësi, sa i përket synimeve të përgjithshme përcaktuar më lart, nëse ato pronësohen dhe kontrollohen nga shteti dhe/ose institucionet shtet-kontrolluese ose nëse, në vend të tyre, ato janë pronësuar dhe kontrolluar nga kapitali privat. Atje janë disa diferenca sekondare që ngrihen nga strukturat e pronësimeve të ndryshme që mund të përmenden. Këto diferenca sekondare bartin implikacione domethënëse, veçanërisht për sa i përket strukturës së elitave që kontrollojnë median, strukturat e tyre organizative dhe ‘imazhin’ e tyre në respekt të rolit gjoja ‘objektiv’ në paraqitjen e informacionit. Sa i përket strukturës së elitës, ndërsa nën një sistem të pronësisë shtetërore ku kontrolli i masmediave është nën kontroll të drejtpërdrejt të elitës politike dhe kontrollit të tërthortë të elitave ekonomike, nën sistemin e pronësisë private dhe kontrollit, mediat janë thjesht nën kontrollin e drejtpërdrejt të elitave ekonomike. Ky fakt bart disa implikacione, nëse filtrimi i informacionit ndërmerret direkt përmes kontrollit të shtetit ose indirekt përmes shumë mekanizmave ekonomik (p.sh., përqindjet). Sa i përket strukturës organizative mediatike, ndërsa media e pronësuar nga shteti karakterizohet nga ngurtësime burokratike dhe inefiçencë, mediat e pronësuara nga privati janë të karakterizuara nga një fleksibilitet më i madh dhe efiçencë ekonomike.
Së fundmi, imazhi ‘objektiv’ i masmedias vuan më pak në rastin e pronësisë private krahasuar me rastin e pronësisë shtetërore. Kjo është kështu, sepse në rastin e dytë kontrolli i informacionit është më direkt dhe rrjedhimisht më i qartë sesa në të parin. Një mekanizëm tjetër i brendshëm i rëndësishëm është struktura hierarkike, e cila karakterizon të gjithë institucionet mediatike (siç karakterizon të gjithë institucionet ekonomike në një ekonomi marketingu), që nënkupton se të gjithë vendimet e rëndësishëm merren nga një grup i vogël menaxherial brenda tyre, të cilët janë përgjegjës direkt te pronarët. Struktura hierarkike krijon një konkurrencë konstante të brendshme midis gazetarëve se kush do të jetë më shumë i dakorduar te grupi menaxherial (mbi të cilët karriera dhe rroga e tyre varet). Njëlloj, njerëzit në grupin menaxherial janë në konkurrencë konstante se cili do të jetë më dakordues te pronarët (mbi të cilët pozicioni i tyre i lartë varet). Çdonjëri në këtë strukturë hierarkike di mirë (ose shpejt mëson) se çfarë është dhe se çfarë nuk është dakorduar dhe vepron analogjikisht. Filtrimi i informacionit vepron përmes vetë-censurimit, sesa përmes ndonjë ‘urdhri nga lart’. Efekti i strukturës hierarkike është të imponojë, përmes konkurrencës së brendshme që ajo krijon, një lloj homogjenizimi në shfaqjen e gazetarit. Por, sa përjashton kjo mundësinë që disa punëtorë të medias mund të bartin nxitje ndryshe nga ato që përcaktohen nga ambiciet e karrierës? Natyrisht, jo. Por, këta njerëz, sikurse Chomsky citon, kurrë nuk do të gjejnë një vend në korridoret e pushtetit të medias dhe, në një rrugë apo në një tjetër, do të skajohen:
Ata (gazetarët) thonë, mjaft saktë, “asnjëri nuk më thotë mua se çfarë të shkruaj. Unë shkruaj çdo gjë që më pëlqen. I gjithë tregu rreth presioneve dhe shtypjeve është i pakuptimtë, sepse unë s’jam kurrë nën ndonjë presion”. Gjë e cila është krejtësisht e vërtetë, por pika e rëndësishme është se ata nuk do të ishin atje, përveç rastit që ata kishin tashmë shfaqur se asnjëri nuk duhet t’u thotë atyre se çfarë të shkruajë, sepse ata do të thonë gjënë e saktë... nuk është censurë e paramenduar. Ajo është se ti nuk e bën punën te ato pozicione. Kjo përfshinë të majtën (çfarë është quajtur e majtë), gjithashtu edhe të djathtën. Përveç faktit që ti je shoqërizuar dhe trajnuar përshtatshëm, me qëllim që atje të jenë disa mendime që ti thjesht nuk i ke, sepse nëse i kishe, ti nuk do ishe atje.
Por, si është përcaktuar se çfarë është e pranueshme? Këtu është ku mekanizmat e kontrollit të ‘jashtëm’ vijnë në lojë. Është konkurrenca midis shumë organizatash mediatike, e cila homogjenizon sjelljen e gazetarëve. Kjo konkurrencë merr formën e një beteje që të përmirësojë përqindjet (sa i përket kanaleve TV) ose tirazhit (sa i përket gazetave, revistave etj. Përqindjet ose tirazhi janë të rëndësishëm, jo në vetvete, por sepse të ardhurat e reklamave të masmediave private (të cilat janë të ardhura plotësuese që përcaktojnë mbijetesën ose vdekjen e tyre) varet mbi ato. Rezultati është, siç citon Pierre Bourdieu, se:
Përqindjet (rating) janë kthyer në Gjykimin e Fundit të gazetarëve (...) Kudo që të shohësh, njerëzit mendojnë në terma të suksesit tregtar. Vetëm tridhjetë vjet më parë, që nga mesi i shekullit XIX - që nga koha e Boudelaire dhe Flaubert dhe të tjerë në avangardë qarqet e shkrimtarëve’ shkrimtarëve, shkrimtarë të njohur nga shkrimtarë të tjerë ose edhe artistë të njohur nga artistë të tjerë - suksesi i menjëhershëm i tregut ishte i dyshimtë. Ai ishte marrë si një shenjë kompromisi me kohën, me pará (...) Sot, në të kundërt, tregu është pranuar shumë dhe më shumë si një mjet i ligjësuar nga ligjësimi.
Presionet e krijuar nga mekanizmat e përqindjeve, sikurse Buourdieu citon, nuk kanë asnjë lidhje me shprehjen vendore të opinionit ndriçues kolektiv ose racionalitetit publik, pavarësisht se çfarë ideologët e medias mbrojnë. Sikurse i njëjti autor citon, mekanizmi i përqindjes është sanksioni i tregut dhe i ekonomisë, që është i një ligj i pastër i jashtëm tregu. ‘Opinioni publik’ është formuar brenda procesit të shoqërizimit dhe ndërkombëtarizimit të paradigmës dominante sociale, dhe është me të vërtetë e paarsyeshme të karakterizosh mekanizmat e përqindjeve si diçka që shprehin dëshirën vendore të popullit. Përqindjet, gjithashtu dhe votimet në përgjithësi, janë ‘demokracia e uniformitetit’. Ato reflektojnë injorancën, gjysmë të vërtetat ose shtrembërimet direkte të së vërtetës, të cilat janë asimiluar nga një publik i uniformuar i cili, përmes mekanizmave të përqindjes, përforcon rolin e masmedias në riprodhimin e paradigmës dominante sociale.[24]
Dikush mund të arrijë në përfundimin se roli i medias sot nuk është të bëjë një sistem më demokratik. Sepse në mënyrë se si operon, funksioni bazë i medias është të ndihmojë të mbajë popullsinë e përgjithshme jashtë arenës publike, sepse ‘nëse ata përfshihen, ata do të bëjnë thjesht rrëmujë. Puna e tyre është të jenë “spektatorë”, jo “përfshirës”. Media mund të luajë një rol vendimtar në shqendërzimin e të drejtave dhe lirive demokratike të fituara pas shumë betejave të gjata. Kjo ka qenë thuajse gjithnjë kur atje kishte një përplasje midis elitave dhe unioneve tregtare ose lëvizjeve popullore në përgjithësi. Walter Lippmann, gazetari i nderuar amerikan, ishte i qartë rreth kësaj, siç citon Chomsky:
Për Lippmann-in, atje është një art i ri në metodën e demokracisë, e quajtur “konsensus i fabrikuar”. Me konsensus të fabrikuar, ti mund të tejkalosh faktin se formalisht shumë njerëz kanë të drejtën për të votuar. Ne mund ta bëjmë atë të papërfillshëm, sepse ne mund të fabrikojmë konsensusin dhe sigurojmë se zgjedhjet e tyre dhe sjelljet do të strukturohen në një mënyrë të tillë që ata do të bëjnë gjithnjë atë që ne do t’u themi, qoftë edhe nëse ata kanë një rrugë formale për të marrë pjesë. Kështu, ne do të kemi një demokraci të vërtetë. Ajo do të punojë përshtatshëm. Këto janë leksionet e agjencive propaganduese.
Brenda këtij kuadri analitik ne mund të eksplorojmë me duk rrugët e veçanta përmes të cilave filtrimi i informacionit është arritur, sikurse, për shembull, është përshkruar nga Chomsky dhe Herman në ‘modelin e tyre propagandues’.[25] Njëlloj, Bourdieu tregon në një mënyrë grafike sesi filtrimi i informacionit ndërmerret në televizion, përmes ndërtimit të debateve televizive, kufizimet kohore, metodat e fshehjes dhe tregimit etj. Veçanërisht e rëndësishme është mënyra në të cilën media, televizioni, kontrollon jo vetëm rrjedhën e informacionit, por edhe prodhimin e kulturës, duke kontrolluar aksesin e akademikëve, të prodhuesve kulturorë, të cilët, si rezultat i njohjes si figura publike, fitojnë njohje në fushat e tyre. Kështu, fusha gazetareske, e cila është strukturalisht nënshtruar shumë fort në presionet e tregut dhe si e tillë ajo është një fushë shumë heteronomike, ushtron trysni në të gjithë fushat e tjera. Një zbatim ilustrativ i kuadrit të mësipërm analitik është [gjithashtu] kontributi vendimtar i masmedias në krijimin e kushteve subjektive për konsensusin neoliberal. Masmedia ka luajtur një rol të dyfishtë ideologjik për sa i përket konsensusit neoliberal. Ata kanë promovuar direkt axhendën neoliberale:
· duke degraduar rolin ekonomik të shtetit,
· duke sulmuar ‘varjen’ mbi shtetin, që shteti i asistencës sociale gjoja krijonte,
· duke identifikuar lirinë me lirinë e zgjedhjes, e cila arrihet gjoja duke liberalizuar tregjet etj. (biseda radiosh dhe shfaqje të njëjta televizive luajnë një rol të rëndësishëm në lidhje me këtë).[26]
Media është orvatur të diversionojë përqendrimin nga pasojat e konsensusit neoliberal (në terma të rritjes së pabarazisë dhe varfërisë, shpërthimin e krimit dhe abuzimeve mbi lëndët narkotike dhe kështu me radhë):
· duke promovuar besime irracionale të të gjithë llojeve (fe, besime mistike, astrologji etj.). Shpërthimin e filmit dhe videos mbi temat e çështjes, pushteteve të mbinatyrshme etj., (induktuar kryesisht nga Hollywood-i) kanë luajtur një rol të rëndësishëm në diversifikimin e përqendrimit nga djajtë e neoliberalizmit.
· duke fabrikuar ‘tregime të reja’ pa lidhje dhe/ose të parëndësishëm (p.sh., çështja Monica Lewinsky, [apo çështja e lakuriqësisë së Ramës nga Berisha apo Berisha si djall i të gjitha gjëmave në vend, nga Rama!]), të cilat merren nga politikanë opozitarë që janë të etshëm që të gjejnë rrugë hipokrite (për arsye të mungesës së ndryshimeve reale politike brenda konsensusit neoliberal) që të diferencojnë veten e tyre nga ata që janë në pushtet.
· duke krijuar një pseudo-interes të përgjithshëm (për shembull rreth një shkaku nacionalist ose shovinist), me qëllim që të bashkojnë popullin rreth një ‘kauze’ dhe ta bëjnë atë të harrojë plotësisht aspektet ndarëse të neoliberalizmit. [gjithashtu...]
· duke krijuar analistë që kurrë nuk sulmojnë sistemin dhe principet e tij, por veç njeriun dhe “terroristët” apo duke krijuar gazetarë që ndjekin lajmin, por jo shkak-pasojën e tij, dhe duke u konsumuar energjitikisht dhe fizikisht te “lajmi”, por jo te përmbajtja e tij objektive etj.
Krijimi i kushteve neoliberale në nivelin institucional, [siç po mundohen sot euro-komisionerët në Shqipëri, të cilët intervistohen dhe nderohen nga elita dhe gazetarët vendorë si apologjetët e vërtetë të “demokracisë”], kanë gjeneruar kushtet objektive për masmedian që të luajë rolin e përmendur më lart. Kjo ishte kështu sepse de-rregullimi dhe liberalizimi e tregjeve dhe privatizimi i televizioneve shtetërore në shumë vende europiane kishin krijuar kushtet për homogjenizim përmes konkurrencës së brendshme dhe të jashtme, të cilat u përmendën më lart. Nuk është aksidentale se tajkun të mëdhenj madiash si Murdoch në botën anglo-saksone, Kirsch në Gjermani ose Berlusconi në Itali kanë qenë midis eksponentëve kryesorë të axhendës së konsensusit neoliberal.
3. Media dhe kultura në një shoqëri demokratike
· Kultura dhe një koncept demokratik qytetarie
Vlerat e një shoqërie krijohen, riprodhohen dhe transmetohen përmes masmedias, veçanërisht përmes televizioneve. Uniformiteti është rezultati përfundimtar. Kjo dinamikë pengon zhvillimin e praktikave origjinale të komuniteteve dhe kombeve dhe i zëvendëson ato me praktikat që zhvillojnë dhe promovojnë korporatat. Por si mund ta pengojmë këtë proces pa krijuar një koncept të ri qytetarie? Domethënë, një qytetar që angazhohet në katër nivele: politik, ekonomik, social dhe ekologjik, i cili, me rradhë, krijon dhe zhvillon një kulturë tjetër. Ky duhet të jetë, fundja, roli i demokracisë: të krijojë kushtet për zhvillimin e njeriut në të gjithë nivelet. Siç citon Fotopoulos:
Pika fillestare është se kushtet për demokraci nënkuptojnë një koncept të ri qytetarie: ekonomik, politik, social dhe kulturor. Qytetaria politike përfshin struktura të reja politike dhe kthimin te konceptet klasikë të politikës (demokraci direkte). Qytetaria ekonomike përfshin struktura të reja ekonomike të pronës së komunitetit dhe kontrollin e burimeve ekonomike (demokraci ekonomike). Qytetaria sociale përfshin struktura vetë-administrimi në vendin e punës, demokraci në kullandrisje dhe struktura sociale të reja ku të gjitha nevojat bazë (që përcaktohen demokratikisht) janë mbuluar nga burimet e komunitetit, nëse ato janë për të kënaqur në nivel kullandrisjeje ose në nivel komunitar. Së fundmi, qytetaria kulturore përfshin struktura të reja demokratike shpërhapjeje të kontrollit të informacionit dhe kulturës (massmedia, art etj.), e cila lejon çdo anëtar të komunitetit të marrë pjesë në proces dhe të zhvillojë potencialet e tij/saj intelektuale dhe kulturore. (Theksi në origjinal)
Ndryshe nga periudha statiste dhe kohët e sotme – neoliberale - ky regjim kërkon mbi të gjitha ndryshimin e konceptit të qytetarisë. Koncepti i mësipërm ka pak lidhje me përcaktimet liberale dhe socialiste të qytetarisë, të cilët janë të lidhur me konceptet liberale dhe socialiste të të drejtave njerëzore respektivisht. Për liberalët, qytetari është thjesht bartësi individual i disa lirive dhe të drejtave politike të njohura nga ligji, i cili, gjoja, siguron shpërndarje të barabartë të pushtetit politikë. Njëlloj, për socialistët, qytetari është bartësi jo vetëm i të drejtave politike dhe lirive por, gjithashtu, të disa të drejtave sociale dhe ekonomike, ndërsa për marksistët qytetaria është konceptuar me pronën kolektive të mjeteve prodhuese. Koncepti i qytetarisë adoptuar këtu nuk lidhet te diskursi aktual social-demokratik mbi subjektet, i cili, në të vërtetë, fokusohet mbi kushtet institucionale për krijimin e një tregu ndërkombëtar marketingu me ‘një fytyrë njeriu’. Propozimi, për shembull, për përcaktimin e një qytetarie brenda kuadrit të një “kapitalizmi bankar” (“stakeholder capitalism”) i përket kësaj kategorie.[27] Ky propozim përfshin një qytetari ‘aktive’, ku qytetarët bartin ‘interesa’ në ndërmarrje, ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi, dhe drejtorët duhet të marrin në konsideratë këto interesa në drejtimin e një tregu dhe institucionet sociale kundrejt të cilëve ata janë përgjegjës. Koncepti i adoptuar këtu, i cili mund të quhet një koncept demokratik, është bazuar në përcaktimin tonë të demokracisë gjithëpërfshirëse dhe presupozon një koncept ‘pjesëmarrës’ të qytetarisë aktive, si ajo që nënkuptoi puna e Hannah Arendt. Në këtë koncept, “veprimtaria politike nuk është një mjet që synon një fund, por një fund në vetvete; dikush nuk mund të angazhohet në aksion politik thjesht për të promovuar mirëqenien e dikujt por të kuptojë principet e brendshëm të jetës politike, siç është liria, barazia, drejtësia, solidariteti, kuraja dhe përkryerja”.
Është e qartë se ky koncept i qytetarisë është cilësisht i ndryshëm nga konceptet liberal dhe social-demokratik, të cilët adoptojnë një këndvështrim ‘instrumental’ të qytetarisë, d.m.th një këndvështrim që nënkupton se qytetaria u jep qytetarëve disa të drejta që ata mund të ushtrojnë si mjete për fundin e mirëqenies së individit.[28] Megjithëse koncepti i mësipërm, siç citon më tej, Fotopoulos, nënkupton një kuptim gjeografik të komunitetit, i cili është njësia bazë e jetës politike, ekonomike dhe sociale, ende është supozuar si ai lidh komunitetet e tjerë të ndryshëm (kulturore, profesionale, ideologjike etj.). Rregullimet e komunitetit dhe qytetarisë nuk sundojnë ndryshimet tona kulturore duke u bazuar në gjini, moshë, kombësi dhe kështu me radhë; ata thjesht sjellin një hapësirë publike ku këto ndryshime mund të shprehen. Për më shumë, këto rregullime institucionalizojnë valvula të ndryshme sigurie, që synojnë të rrokullisin jashtë skajimin e këtyre ndryshimeve nga shumica. Se çfarë i bashkon njerëzit në një komunitet politik ose në një konfederatë komunitare nuk është një tërësi vlerash të përbashkëta imponuar nga një ideologji nacionaliste, një dogmë fetare, një besim mistik ose një interpretim ‘objektiv’ i natyrës ose ‘evolucionit’ social, por institucionet demokratike dhe praktikat, të cilët janë ndërtuar nga vetë qytetarët. Ky pluralitet kulturor nuk do të thotë një lloj relativizmi kulturor, ku ‘çdo gjë shkon dhe vjen’.
Në fjalë të tjera, ajo është e mundur që të gjenerojë një sistem etikë dhe një tërësi vlerash kulturore e cila s’është as ‘objektive’ (në kuptimin që ajo është e varur nga një interpretim gjoja objektiv i evolucionit social- Marksi ose evolucionit natyral - Bookchin), as edhe një çështje e zgjedhjes individuale. Atje mund të jenë një tërësi kriteresh të përbashkëta ose të përgjithshme me të cilët aktivitetet individuale mund të gjykohen, d.m.th një kod etikë demokratik, i cili do të bazohet mbi principin fondamental të organizimit të një shoqërie demokratike rreth një demokraci konfederale gjithëpërfshirëse (d.m.th një demokraci e bazuar mbi një konfederatë demos-esh ose komuniteteve demokratike). Organizimi demokratik i një shoqërie krijon kushtet për krijimin e tërësisë së vlerave ndërgjegjësore dhe etike të një komuniteti; ai është njëherësh esenca përbërëse e individit dhe komunitetit. Kjo esencë prodhon dhe kodet etikë të shoqërisë. Këto kode, siç thekson i njëjti autor, të etikës demokratike, mund të burojnë nga dy principe fondamentale të organizimit të një Demokracie konfederale gjithëpërfshirëse, d.m.th principi i autonomisë dhe principi i komunitetit. Nga principi fondamental i autonomisë, dikush mund të gjenerojë një tërësi vlerash kulturore rreth barazisë dhe respektit për personalitetin e çdo qytetari, në pavarësi nga gjinia, raca, identitetit etnik etj. Nga i njëjti princip fondamental dikush mund të gjenerojë principin e ruajtjes së cilësisë së jetës të çdo qytetari individual - diçka që të nënkuptonte një marrëdhënie harmonike me natyrën. Njëlloj, nga principi fondamental i jetës së komunitetit dikush mund të gjenerojë një tërësi vlerash që përfshijnë solidaritet dhe ndihmë të ndërsjellë, përkujdesje dhe pjesëmarrje. Këto vlera duhet të përbëjnë pjesën integrale të paradigmës dominante sociale, me qëllim që demokracia të riprodhojë vetveten. Kjo nuk përjashton mundësinë ose, më mirë gjasën, e ekzistencës së vlerave alternative kulturore ose ndoshta edhe një konflikti midis vlerave personale dhe kolektive - veçanërisht në respekt të qytetarëve të cilët nuk mund të pajtojnë veten e tyre me të vërtetën tragjike, se jemi netë cilët përcaktojmë të vërtetat tona dhe mund ende të aderojmë në kode moral të derivuar nga sisteme besimi iracionalë (fe, besime mistik etj.).
Sidoqoftë, duke ditur se këta njerëz janë një pakicë (me shpresën se janë në rrëgjim, përmes Paedeia-s [Arsimit] të një shoqërie demokratike), konflikti në vlerat e tyre personale me vlerat kolektive të përcaktuara nuk duhet të jenë një problem për komunitetin si të tërë.[29] Demokracia, në fund të fundit, duhet të garantojë ekzistencën e konfliktit.[30] Por ‘konflikti’ duhet të kuptohet si “përplasje bindjesh” dhe nuk duhet t’i përmbahet “opinioneve” që shpalosin ‘opinionistët’ e atashuar pranë masmediave, të cilët bëjnë thjesht vlerësime, bazuar në disa fakte, ndërsa shpërnjohin marrëdhëniet pushtetore që janë krijuar dhe sistemin, por tezave dhe kundërtezave studimore, siç u citua më lartë. Tezat, rrjedhimisht, duhet të shoqërohen me ‘konflikt’ — me kundërteza dhe natyrën e pushtetit që është krijuar në një vend. Sepse pa konsideruar natyrën e pushtetit, se si krijohet ai, përse dhe kush e zotëron dhe si e ushtron, gjithashtu, “marrëdhëniet pushtetore” ose “pikat e tensionit” (Flyvbjeg) që mund të preken, ose “thyerjet virtuale” (Foucault), konflikti do të jetë pa bazë shkencore. Ky tip i marrëdhënieve pushtetore është veçanërisht i ndjeshëm kundrejt problemeve dhe ndryshimeve, sepse ai është i mbushur me praktika të dyshimta, njohuri të kundërshtueshme, dhe konflikte të mundshëm. Këtë rol mund ta kryejë mjaft mirë masmedia: sepse ajo më shumë se çdo faktor tjetër e strukturon dhe dominon hapësirën publike, ose duke e përkeqësuar ose duke e përmirësuar atë.[31]
Veçanërisht kur punët akademike nuk ekspozohen në publik dhe kur vetë akademikët sistemikë pengojnë studiues jashtë-universitarë anti-sistemikë të shpalosin punët e tyre në hapësirën universitare, siç ndodh me nënshkruesin e këtij studimi në raport me Universitetet në Shqipëri (publik dhe privat). Nuk do të ishte e çuditshme që shumë punë akademike kanë pak ndikim në hapësirën publike, jo vetëm në vendet despotike por edhe në vendet që supozohet se gëzojnë një farë demokracie, siç tregon, për shembull, rasti i Bent Flyvbjerg, studies, i cili u pengua dhe u kërcënua nga pushtarët danezë për komunikimin e punës së tij studimore lidhur me megaprojektet e ndërmarrë në publik (masmedia)![32] Kërkimet shkencore, rrjedhimisht, duhet të shpalosen në publik: sepse publiku, nga një këndvështrim fronetik, shihet si përhapësi i veprimtarisë sociale dhe politike. Ndërveprimi mes studiuesve dhe publikut është i domosdoshëm dhe duhet të jetë i përhershëm: sepse të parët supozohet se zotërojnë njohurinë teorike, të dytët, njohurinë empirike. Por marrëdhëniet pushtetore që janë krijuar, të cilat është shumë e vështirë të ‘çahen’, përjashto zhvillimin e ndonjë revolucioni, i cili në kushtet aktuale është shumë i vështirë të zhvillohet, sepse armiku i popujve të integruar në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal është ‘ekonomik’ dhe jo ‘ushtarak’, siç ishte shekullin e kaluar, dhe si i tillë, nuk kuptohet si ‘armik’, dhe me sistemin që është krijuar, i cili riprodhon marrëdhëniet ekzistuese pushtetore pavarësisht se krijon edhe të reja...e kthen masmedian në ‘bërthamë’ të komunitetit dhe pengon zhvillimin e kundërt: komunitetin si ‘bërthamë’ të masmedias. Kuptimi i këtij procesi ose rendi, dhe përmbysja e tij, rrjedhimisht, mund të na çojë në ‘media demokratike’.
Madia demokratike
Kushtet e mjaftueshme të cilët duhet të përputhen me qëllim që demokracia të mos degjenerojë në “demagog-kraci”, ku demos-i manipulohet nga një soj i ri politikanësh ‘profesionistë’, kushtëzohet nga niveli qytetar i ndërgjegjes demokratike. Kjo kushtëzohet nga Paedeia. Është e qartë se institucionet kulturore, veçanërisht media, luajnë një rol vendimtar në një demokraci, duke u dhënë rolin e tyre në krijimin e Paedeia-s. Kjo presupozon se media buron nga organizimi demokratik i një komuniteti. Anëtarët e komunitetit duhet ta kenë të qartë se media duhet të përbëjë elementin e saj përmbushës, por jo bërthamën në vetvete. Media, në një demokraci direkte është gjymtyra e një komuniteti, dhe si e tillë, ajo është e varur nga vendimet e tij politike, që një komunitet ndërmerr në kuadrin demokratik organizativ. Nëse media varet nga ky kuadër, ajo s’ka se si të mos jetë objektive; transmetimi i saj do të pasqyrojë ekzaktësisht aktivitetin social. Kjo nuk nënkupton se anëtarët e një komuniteti duhet të jenë gazetarë që të përcaktojnë larminë, programin etj., të një media, por media duhet të pajiset me principet kryesore, që vetë kuadri demokratik promovon. Kuadri që propozojmë më lart, por dhe në vazhdim, është ajo çka media do të promovojë. Gazetarët apo drejtorët e mediave demokratike janë pjesë integrale e vendim-marrjes politike; ata përvetësojnë virtytin dhe principet komunitare dhe, me aftësinë e tyre profesionale, e riprodhojnë atë në shërbim të njeriut, komunitetit dhe natyrës. Organizimi i saj duhet të jetë horizontal, njëlloj si vetë shoqëria. Për shembull, të jesh drejtor në një media demokratike, nuk do të thotë aspak se vendimet organizative do të merren nga drejtori; ato duhet të merren bashkërisht me stafin e medias, me qëllim që gazetarët dhe gjithë spektri tjetër përbërës të jenë pjesë vendimmarrëse organizative e medias. Në një media demokratike, ku pushteti buron nga populli, principet kryesore dhe mirëqenia e medias, burojnë nga vendimmarrja bazë e komunitetit; ajo që mbetet është përkryerja e saj në shërbim të së mirës publike. Nuk ka vend brenda këtij kuadri për dyshime. Siç citon Fotopoulos:
Nuk ka asnjë arsye që masmedia në një shoqëri demokratike të shtrembërojë sesa të reflektojë realitetin. Duke ditur se pushteti politik dhe ekonomik do të baras-ndahet midis qytetarësh dhe ekzistenca e elitave të institucionalizuara do të përjashtohet, media nuk do të ndeshet me asnjë dilemë si aktualisht - nëse duhet të reflektojë realitetin e elitës ose seksione të veçantë të saj, përkundrejt realitetit të pjesës tjetër të popullatës.[33]
Ende, edhe në një demokraci gjithëpërfshirëse, atje do të jetë problemi i shfaqjes së elitave informale, të cilat mund të përpiqen për të ushtruar një farë kontrolli mbi rrjedhën e informacionit. Është e qartë se asnjë demokraci nuk është e mundur nëse qytetarët e saj nuk janë informuar totalisht mbi gjithçka që afekton jetën e tyre. Një rrugë duhet të gjendet për organizimin e procesit të vendimmarrjes, me qëllim që qytetarët janë të informuar kryekëput dhe media është nën kontrollin real të komunitetit. Është e qartë se qytetarët si qytetarë, përmes asambleve të tyre, duhet të përcaktojnë operimin total të masmedias dhe t’i mbikëqyrin ata. Ky funksion nuk mund të caktohet thjesht te këshillat e punëtorëve të medias, sepse në këtë rast shoqëria demokratike do të shfaqë rrezikun e dyfishtë të medias që nuk do të shprehë interesin e përgjithshëm, gjithashtu dhe shfaqjen e mundshme të elitave të reja mediatike brenda, të paktën, disa prej tyre. Kjo nuk do të thotë se asambletë do të përcaktojnë çdo ditë se çfarë do të jetë përmbajtja e buletinit të lajmeve në TV ose se çfarë do të thonë gazetat ditën tjetër. Se çfarë do të thotë kjo është se asambletë duhet të vendosin norma strikte se si diversiteti i plotë dhe përgjegjshmëria mund të arrihet dhe pastaj mbikëqyrja e zbatimit të këtyre principeve në praktikën e medias. Diversiteti nënkupton se të gjitha qasjet duhet të kenë akses të plotë në media, duke siguruar se ato janë miratuar nga komuniteti dhe punëtorët e asambleve të medias. Duke supozuar se këto asamble kanë brendësuar paradigmën demokratike dominante sociale, dikush mund të presë se ata nuk do të japin akses të lehtë te qasjet të cilat kontradiktohen te vlerat demokratike (p.sh., qasjet që promovojnë racizëm, seksizëm, vlera të grupeve fetare etj.). Vendimi do të qëndrojë gjithnjë tek asambletë dhe, nëse ata nuk shohin asnjë kontradiktë të përfshirë duke dhënë akses të plotë te këto qasje, kjo do të lajmërojë thjesht degradimin dhe rrënimin eventual të vetë shoqërisë demokratike. Përgjegjshmëria nënkupton se punëtorët e medias do të jenë përgjegjës për vendimet e tyre drejt asambleve të punëtorëve të medias dhe tek asambletë e komunitetit. Kjo strukturë përgjegjshmërie do të jetë e përputhshme me mungesën e strukturave hierarkike në media dhe fakti që do të jetë vetë komuniteti që do të ‘pronësojnë’ institucionin e medias. Kështu, ky sistem i dyfisht vendimmarrës, sipas të cilit vendimmarrja e përgjithshme dhe mbikëqyrja qëndron mbi asambletë e komunitetit, ndërsa përcaktimi i operimit të detajeve funksionale mbi median dhe është lënë mbi asambletë e punëtorëve të medias, garanton jo vetëm interesin e përgjithshëm që është marrë nën konsideratë përputhshëm, por gjithashtu dhe se vendimet e përditshme janë marrë demokratikisht nga vetë punëtorët e medias.[34]
Ndryshimi duhet të fillojë nga vlerat dominante sociale që promovon sistemi prezent: heteronomia, konkurrenca, individualizmi dhe konsumerizmi duhet të zëvendësohen me autonominë individuale dhe kolektive, bashkëpunim, ndihmën e ndërsjellë, solidaritet dhe bashkë-ndarje. Sipas këtyre principeve, masmedia do të reflektojë realitetin, jo nga këndvështrimi i elitave, por nga këndvështrimi demokratik, d.m.th do të bazohet mbi strukturat demokratike dhe jo hierarkike. Pronësia e tyre nuk duhet kurrsesi të jetë pronë elitash, por pronë publike që kontrollohet demokratikisht mbi informacionin e saj. Shkaku fondamental i krizës shumë-dimensionale që ne ndeshim sot (ekonomik, ekologjik, social, politik), siç citon Fotopoulos, është përqendrimi i pushtetit në duart e elitave të ndryshme (ekonomike, politike etj.) dhe e vetmja rrugë që të dalim jashtë kësaj krize është abolicioni (heqja) i strukturave dhe marrëdhënieve pushtetore, d.m.th krijimi i kushteve të baras-ndarjes së pushtetit midis qytetarëve. Elitat, jo vetëm që janë shkaktare të krizave aktuale me principet dhe instrumentet që ato i kanë imponuar modernitetit, por ato janë kundër-prodhuese; një prodhim që reflektohet në të gjithë përmasat e tij, duke bllokuar demokracinë politike dhe dobitë që ajo sjell. Një rrugë që mund të sjellë këtë shoqëri është propozimi i Demokracisë Gjithëpërfshirëse, e cila përfshin krijimin e strukturave politike, ekonomike dhe sociale që sigurojnë demokraci direkte, demokraci ekonomike, demokraci ekologjike dhe demokraci në botën sociale. Ajo përfshin edhe krijimin e një paradigme të re sociale (bazuar në vlerat e mësipërme), të cilat për riprodhimin dhe sigurinë e demokracisë gjithëpërfshirëse, duhet të jetë dominante. Duke hamendësuar se objektivi është sjellja e ndryshimit sistemik social, nga aktivistë larg-pamës dhe solidarë, në një rrugë dominante, për krijimin e kushteve për liri dhe demokraci politike, por kryesisht për krijimin e kushteve për baras-ndarjen e pushtetit midis qytetarësh, atje janë, skematikisht, katër qasje kryesore të cilat pretendojnë se ato mund ta sjellin këtë rezultat: reforma (nga ‘lart’ ose nga ‘poshtë’), revolucion (nga ‘lart’ apo nga ‘poshtë’), ‘strategjitë life-style’ dhe qasja e Demokracisë Gjithëpërfshirëse (Inclusive Democracy).
Në kapjen e masmedias nga interesat e oligarkive të popujve modernë kontribuojnë vendimtarisht edhe institutet gazetareske. Gjykuar nga përvoja ime gazetareske —në gazetarinë kombëtare greke dhe në gazetarinë ndërkombëtare britanike— mund të them se gazetarët keqedukohen në të dy rastet: sepse ata edukohen vetëm në raport me lajmin, mënyrën e shkrimit dhe interpretimit të tij. Nuk edukohen, rrjedhimisht, për dallimet midis masmedias private dhe shtetërore, avantazhet dhe disavantazhet dhe shkaqet se përse ato strukturohen dhe administrohen ashtu. Virtyti gazetaresk, në fjalë të tjera, për dëftimin dhe spikatjen e të ‘vërtetës’, zhvillohet tejet pak. Pa përmendur faktin se pedagogët e gazetarisë nuk përfshijnë në përgatitjen e gazetarëve qasjen ‘dialektike’ lidhur me një problematikë, duke proceduar nga “diskutimi dialektik”, përmes të cilit zbulohen argumentet, te “hetimi dialektik”, përmes të cilit zbulohen kontradiktat e argumenteve. Dhe pa përmendur faktin që gazetarët, më shumë se çdokush tjetër, duhet të kenë zhvilluar “virtytin e drejtësisë”: sepse shkenca gazetareske përshkruan kryesisht ngjarje të së kaluarës. Si e tillë, ajo përfshin më shumë se çdo virtyt tjetër, virtytin e drejtësisë,[35] në vlerësimin e një ngjarje. Kjo është arsyeja kryesore se përse gazetarët “tradhëtojnë” të vërtetën. Dhe kjo është një ndër arsyet kryesore se përse e bëra këtë studim: për të ndihmuar jo vetëm në kuptimin e masmedias por edhe në paraqitjen e një masmedia demokratike, shkencore, vetë-organizative dhe në shërbim të jetës së Planetit.
4. Revolucion “nga lart” apo “nga poshtë”?
1. Qasja reformiste: social-demokrate dhe soçietale
Qasja reformiste pretendon se mund të sjellë ndryshim sistemik përmes ose pushtimit të pushtetit shtetëror (reforma ‘nga lartë’), ose përmes krijimit të autonomisë nga bazat e pushtetit shtetëror, të cilat shtyjnë shtetin për reforma (‘nga poshtë’). Shembulli kryesor i strategjisë së parë është qasja social-demokratike, ndërsa shembulli kryesor i dytë është qasja soçietale (societarians) civile.
Qasja social-demokratike arriti kulmin e saj përgjatë periudhës statiste dhe veçanërisht në 30 vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur konsensusi social-demokratik ishte dominues në të gjithë botën perëndimore. Ndërkombëtarizimi i ekonomisë së marketingut, që nga mesi i viteve ’70, solli fundin e këtij konsensusi dhe ngritjen e konsensusit neoliberal - i cili në këndvështrimin e Fotopoulos është i pa përmbysshëm, për sa kohë që ekonomia e marketingut është e ndërkombëtarizuar; në fjalë të tjera, për sa kohë që ekonomia e marketingut riprodhon vetveten. Ky është një fakt i pamohueshëm, duke ditur se elita dominuese sociale (politike dhe ekonomike), përmes instrumenteve që ajo i ka imponuar sistemit, prodhon dhe riprodhon status-quo-në e saj. Fshirja e fundit nga programi i Partisë Laburiste Britanike (e cila ishte partia e fundit social-demokratike me gjithë angazhimin e socializimit të plotë të mjeteve të prodhimit) i ‘klauzolës katër’, e cila e angazhonte atë në shoqërizimin e plotë të tyre, shënoi fundin formal të pretendimit social-demokrat drejt ndryshimit real sistemik. Axhenda neoliberale për tregje pune të epshëm (flexible), minimizimin e kontrolleve sociale mbi tregjet, zëvendësimin e shtetit të asistencës sociale nga një rrjet sigurie etj., tashmë është bërë axhenda e çdo partie social-demokrate në pushtet ose në opozitë. Degradimi paralel i demokracisë sociale dhe përmbysja e pushtimeve të saj më të mëdha (shtet të asistencës së plotë sociale, angazhim shtetëror në punësim të plotë, përmirësim domethënës në shpërndarjen e të ardhurave) ka treguar qartë se mbështetësit e qasjes revolucionare kishin gjithnjë të drejtë mbi pamundësinë e sjelljes së ndryshimit sistemik përmes reformave.
Sa i përket qasjes soçietale civile, strategjia këtu është ngritja e ‘shoqërisë civile’, domethënë forcimi i rrjeteve të ndryshme që janë autonome nga kontrolli i shtetit (unione, kisha, lëvizje qytetare, ko-operativa, fqinjësitë, shkollat e mendimit etj.), me qëllim që të imponojnë këto kufizime (d.m.th kontrolle sociale) mbi tregjet dhe shtetin, me qëllim që një lloj ndryshimi sistemik të dalë në skenë. Kjo qasje të cilën e hedh lehtë poshtë i njëjti autor, është e bazuar mbi disa hamendësime jorealiste. Kështu, së pari, ajo hamendëson nënkuptueshëm një statizëm të lartë, ku shteti luan ende një rol ekonomik që ai luante gjatë konsensusit social-demokratik. Së dyti, ajo hamendëson një ekonomi marketingu thuajse të mbyllur, ku shteti mund të shpërfillë lëvizjen e menjëhershme të kapitalit në rast se qeveria tenton të pajtojë kërkesat e soçietarëve civilë e cila kërcënon interesin e kapitalit. Soçietarët civilë mohojnë (ose mundohen të minimizojnë) rëndësinë e ndërkombëtarizimit të ekonomisë aktuale të marketingut. Gjithashtu, është dëftuese se kur soçietarët civilë orvaten të institucionalizojnë qasjen e tyre, kufizimet e vetme mbi ekonominë e ndërkombëtarizuar të marketingut, i shohin si të mundshëm mbi disa ‘kontrolle rregullues’. Por, këto kontrolle kanë shumë pak elementë të përbashkët me kontrollet e përgjithshme sociale që ata kanë në mendje kur ata diskutojnë, duke abstraktuar nga ekonomia aktuale e ndërkombëtarizuar, kufizimet që rrjetet e shoqërisë civile duhet të imponojnë mbi tregjet (reduktime drastike të pabarazisë, krijime masive pune etj.). Por qasja e soçietarëve, kritikon Fotopulos, është sa a-historike, poaq edhe utopike. Ajo është një qasje a-historike sepse ajo shpërnjeh ndryshimet strukturore, të cilat kanë çuar në konsensusin aktual neoliberal dhe ekonominë ndërkombëtare të marketingut. Dhe, është utopike sepse ajo është në tension me ekonominë aktuale ndërkombëtare të marketingut dhe me shtetin. Duke ditur se soçietarët civilë nuk shohin rezultatin e këtij tensioni të pashmangshëm në terma të zëvendësimit të ekonomisë së marketingut dhe shtetin nga shoqëria civile, nuk është e vështirë të parashikosh që çdo spikatje e shoqërisë civile nuk do të duhet të jetë e përputhshme me procesin e ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të ekonomisë së marketingut dhe rolin e nënkuptuar të shtetit. ‘Spikatja’ e shoqërisë civile, nën kushtet aktuale, do të thoshte thjesht se elitat sunduese ekonomike dhe politike do të lihen pa u shqetësuar për të vazhduar dominimin e shoqërisë, ndërsa, kohë pas kohe, ata duhet të përpiqen të adresojnë kërkesat e soçietarëve civilë - duke siguruar se këto kërkesa nuk janë në konflikt të drejtpërdrejt me interesat e tyre dhe kërkesat e prodhimit oligopolist.
Si e tillë, spikatja e institucioneve të shoqërisë civile nuk ka asnjë mundësi të çdo lloji qofshin ato, për vendosjen e një fundi të përqendrimit të pushtetit, ose tejkalimin e krizës aktuale shumë-dimensionale. Përfundimi mund të deduktohet nga fakti se qëllimi i nënkuptuar, megjithëse jo gjithnjë i qartë, i soçietarëve është përmirësimi i funksionimit të institucioneve ekzistuese (shtetit, partitë, tregun), me qëllim që t’i bëjnë ato më përgjegjëse nga presionet që ushtrohen nga poshtë kur kriza gjendet mbi vetë institucionet dhe jo mbi keq-funksionimin e tyre!
Në tregun aktual ndërkombëtar të marketingut nevoja për të minimizuar rolin socio-kulturor të shtetit nuk është më një çështje zgjedhjeje për ata që kontrollojnë prodhimin. Ai është [pikërisht] një kusht i nevojshëm për të mbijetuar. Kjo është veçanërisht kështu për kapitalin evropian, i cili duhet të konkurrojë me blloqet kapitaliste [NAFTA etj.], të cilët operojnë nga bazat ku tradita social-demokratike e statizmit nuk ishte kurrë e fortë (SHBA, Lindja e Largët.). Por, edhe në nivel planetar, dikush mund të dyshojë mjaft seriozisht se, nëse është ende e mundshme që institucionet e shoqërisë civile, brenda kontekstit të ekonomisë së marketingut, të sjellin ndryshimin. Duke vendosur synimin fondamental të prodhimit në një ekonomi marketingu, fitimin individual, efiçencën dhe rritjen, çdo përpjekje për të përputhur këto synime, me një ‘kontroll social’ efektiv nga shoqëria civile është e destinuar të dështojë, duke ditur, sikurse përvoja historike në fazën statiste ka treguar, se kontrollet sociale dhe efiçenca e tregjeve janë objektiva të papërputhshëm. Në të njëjtin kuptim, dikush mund të argumentojë me arsye se kontradikta qendrore e ekonomisë së marketingut sot është ajo që ngrihet nga fakti që çdo kontroll efektiv i implikacioneve ekologjike të rritjes është i papërputhshëm me kërkesat e konkurrencës që imponohet nga procesi i fazës aktuale të ekonomisë së marketingut.[36]
2. Qasja life-style (anarkiste)
Tipi i qasjes së dytë, e cila pretendon aftësi për të sjellë ndryshime sistemike, është moda e fundit, veçanërisht midis anarkistëve Anglo-Saksonë, e ashtuquajtura strategjia ‘life-style’ (stil jete). Atje janë disa variante të kësaj strategjie. Disa herë, kjo qasje nuk përfshin ndërhyrje në arenën politike dhe as edhe në arenën sociale - veç në betejat e veçanta mbi çështjet ‘Green’, si të drejtat e kafshëve etj. Ndryshe, kjo qasje mund të përfshijë një proces i cili, duke filluar nga individi dhe duke punuar me grupe të afërta, synojnë ngritjen e një shembulli life-style-i në nivel individual dhe social: media alternative, projekte Zhvillimi Ekonomik Komunitar, ‘zona të lira’ dhe institucione alternative (shkolla të lira, fabrika vetë-menaxhuese, shoqëri banesash, Punësim Lokal dhe Sisteme Tregtare (LETS), komuna, ferma menaxhuese e kështu me radhë).
Kjo qasje, në të gjithë variantet e mësipërme, citon me të drejtë i njëjti autor, është nga vetvetja, krejtësisht inefektive për të sjellë një ndryshim sistemik social. Megjithëse është i gjindshëm për të krijuar një kulturë alternative midis seksioneve të vogla të popullatës dhe, në të njëjtën kohë, moral-nxitëse për aktivistët të cilët dëshirojnë një ndryshim të menjëhershëm në jetën e tyre, kjo qasje nuk ka asnjë mundësi për sukses - në kontekstin e sotëm të përqendrimit të pushtetit masiv - për të ndërtuar shumicën demokratike të nevojshme për ndryshime sistemike sociale. Projektet e sugjeruara nga kjo strategji mund të skajohen shumë lehtë ose të absorbohen në strukturat ekzistuese pushtetore (sikurse ka ndodhur shumë herë në të kaluarën), ndërsa efekti i tyre në procesin social është minimal - për mos të thënë nul. Për më tepër, strategjitë life-style, duke u përqendruar në çështje të vetme të cilat nuk janë pjesë e një programi politik të plotë për transformime sociale, krijojnë një oportunitet të artë për elitat sunduese për të përdorur taktikën e tyre tradicionale divide ut regnes (elitat Britanike, për shembull, shpesh përdorin gardianë sigurie të cilët rekrutohen nga nënklasa për të luftuar aktivistët sesa të ‘ekspozojnë’ policinë në këtë rol!).
Ndryshime sistemike sociale kurrë nuk mund të arrihen jashtë arenës kryesore politike dhe sociale. Eliminimi i strukturave dhe marrëdhënieve pushtetore aktuale nuk mund të arrihet as duke “krijuar një shembull”, as përmes edukimit dhe bindjes. Një bazë pushteti është nevojshme që të shkatërrojë pushtetin. Por, rruga e vetme e një qasjeje me synim bazën e pushtetit, e cila do të ishte konsistente me synimet e një projekti demokratik, do të ishte përmes një zhvillimi të një programi të plotë për transformim radikal për strukturat lokale politike dhe ekonomike.
Një mospërputhje e strategjisë life-style, e cila ka elementë të qasjes së soçietarëve është strategjia e propozuar nga Noam Chomsky, Michael Albert dhe grupi rreth revistës Znet. Alberti, e cila shikon se krijimi i mediave alternative është ‘si një pjesë e një projekti për të themeluar rrugë të reja për të organizuar media dhe aktivitete sociale’, pa përmendur edhe nevojën e inkorporimit të tyre në një program politik të plotë për ndryshim sistemik.[37] Megjithëse Chomsky ka bërë mjaft zhurmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe më tej, ai kurrë nuk ka prekur thelbin e problemit, as nuk ka ravijëzuar diçka konkrete, një Manifest apo Projekt politik, për ta vendosur përballë pushtetit të korpokratave të post-modernitetit, me qëllim që t’i sfidonte ata gradualisht, duke krijuar bazën e ‘pushtetit’ alternativ, i cili të adoptohej nga ndonjë grup politik dhe, më vonë, përmes kuadrit neoliberal dhe “demokracisë” parlamentare, të ngjitej në pushtet dhe të krijonte kushtet për një demokraci direkte, atë që Chomsky dhe të gjithë ata që e ndjekin pretendojnë kaq vite. Chomsky ka mbetur në stadin e zbulimit të korrupsionit amerikan dhe kurrë nuk pretendon pushtetin amerikan për ta përmbysur atë. Ai mbetet, sikurse gjithë anarkistët amerikanë, jashtë arenës politike. Kjo shihet qartë edhe në shpërthimet e revoltave të vitit 2011 (Occupy), të cilat vazhdojnë edhe sot, siç edhe pritej me më pak intensitet.
3. Qasja revolucionare
Qasja revolucionare e cila pretendon ndryshim sistemik ‘nga lart’ përmes pushtimit të pushtetit shtetëror, duke ndjekur sugjerimet marksiste-leniniste, është një strategji tipike klasike. Kjo qasje nënkupton se ndryshimi në paradigmën sociale midis një minoriteti të popullatës, avangarda e proletariatit, (e organizuar në partinë komuniste dhe pajisur me ‘shkencën’ e socializmit, d.m.th marksizmin), mund të funksionojë si një katalit për të sjellë një revolucion socialist. Revolucioni socialist do të çonte në pushtimin e pushtetit shtetëror nga proletarët (efektivisht nga avangardët e saj, d.m.th nga partia komuniste) e cila do të sillte një ndryshim në kuadrin institucional dhe në paradigmën sociale dominante. Shoqëria socialiste do të jepte hapësirë te një shoqëri komuniste vetëm atëherë kur zhvillimi i shpejtë i forcave prodhuese, përmes marrëdhënieve të shoqërizimit të prodhimit, do të çonte në heqjen e pamjaftueshmërisë dhe ndarjen e punës dhe venitjen e shtetit.
Historia ka treguar se kjo strategji mund të çojë në struktura të reja hierarkike, sepse avangardët e klasës punëtore në fund kthehen [sikurse janë kthyer] elita e re sunduese. Ky ishte mësimi kryesor i rrënimit të ‘socializmit ekzistues’, i cili ka treguar qartë se, nëse revolucioni është organizuar dhe programi i tij vazhdohet përmes një minoriteti, ai është i detyruar të përfundojë me struktura të reja hierarkike sesa me një shoqëri ku përqendrimi i pushtetit është zhdukur.
‘Revolucion nga poshtë’, një strategji e cila synon ndryshim sistemik përmes zhdukjes së pushtetit shtetëror dhe krijimin e federatave të komunave ose të shoqërive punëtore, që ngjan me strategjinë e soçietarëve, por edhe me strategjinë e anarkistëve, ka dështuar dhimbshëm. Me ‘revolucion nga poshtë’ autori do të thotë strategjinë e cila synon ndryshimin sistemik përmes heqjes së pushtetit shtetëror dhe krijimin e federatave të komunave ose të shoqërive punëtore. Rrymat e ndryshme brenda lëvizjes anarkiste (komunitar-orientues vs. punëtor-orientues) synojnë në revolucion me qëllim që të heqin pushtetin shtetëror dhe të transformojnë shoqërinë ‘nga poshtë’, sesa të pushtojnë pushtetin e shtetit dhe të transformojnë shoqërinë ‘nga lart’. Por, përpjekjet për revolucione nga poshtë në histori kanë përfunduar zakonisht ose si kryengritje, të cilat kanë dështuar që të çonin në një ndryshim sistemik (shembulli e fundit i madh është kryengritja në Francë në Maj të vitit ‘68) ose në luftëra civile, ku mjetet sipërore, organizata dhe efiçenca e armiqve të tyre (ose ushtria shtetërore dhe/ose socialistët statist) çoi në shtypjen e revolucioneve (shembulli i fundit madhor është lufta civile në Spanjë në vitin 1936-të).
Historia ka treguar se të dyja rrugët (nga poshtë apo/ose lartë) kanë dështuar të paktën përgjatë gjithë shekullit të XX. Madje, edhe kryengritjet aktuale që kanë shpërthyer në çdo kënd të botës kërkojnë shkatërrimin e pushteteve shtetëror, por pa asnjë program politik. Vendet në Lindjen e mesme, për shembull, duke pasur parasysh se ato vuajnë nga despotizmi oriental, kërkojnë të themelojnë “demokracinë” parlamentare. Rasti i Libisë, ku individë të nxitur nga agjencitë e spiunazhit perëndimor (CIA etj.) të cilët kërkonin të eliminonin dinastinë e Gaddafit dhe të themelonin “demokracinë” perëndimore është tipik. Libia tashmë, me rënien e Gaddafit dhe masakrimin e tij brutal nga ‘NATOrevolucionarët’, është bërë pjesë e “Rendit të Ri Botëror”, që elita ndërkombëtare kërkon me ngulm dhe dhunë të themelojë në planetin e mijëvjeçarit të tretë.
Problemi për elitën mbikombëtare është i dyfishtë: ajo duhet të paqëtojë revoltat popullore brenda vendeve të integruar në “Rendin e Ri Botëror”, me gjoja reforma dhe propagandë, duke nxjerrë në skenë së fundmi ‘taksën progresive’, që është praktikuar përgjatë gjithë perandorive dhe që i shërben pikërisht demagogëve si instrument për të treguar “keqardhje” kundrejt taksa-paguesve dhe skllevërve modernë në ligjëratat e udhëheqësve në pushtet, si në rastin e Obamës, i cili foli për barazi dhe taksë analoge për oligarkët, por nuk tha se si (!), me qëllim që të zbusë zemërimin e taksa-paguesve në Amerikë; apo rasti i Edi Ramës në Shqipëri, i cili fliste fort dhe tërë pasion për taksën progresive, madje edhe Ed Miliband në Britani, udhëheqësi i Laburistëve, fliste për të njëjtën taksë, dhe, në anën tjetër, të përparojnë pushtimin dhe kolonizimin e popujve! Kjo përbën një farë “kthese” strategjike të koordinuar nga elita mbikombëtare, jo për të përmirësuar situatën aktuale, sepse kuadri aktual – neoliberal - me “demokracinë” parlamentare si komplementare dhe gjithë mekanizmat e tjerë që janë prezantuar në sistemin kapitalist global nuk kanë asnjë shans që ta përmirësojnë situatën. Kjo është një strategji e mirë-koordinuar nga elita mbikombëtare, e cila përmes pinjollëve (politikanëve profesionistë) të saj kërkon të ruajë kuadrin prezent - ekspansionist dhe kolonizues dhe, gjoja të taksojë disi veten e saj nga pasuritë marramendëse që ka krijuar në kurriz të taksapaguesve dhe punëtorëve.
Problemi kryesor për çdo strategji revolucionare, siç citon në të njëjtin vendFotopoulos, qoftë nga lartë dhe qoftë nga poshtë, është zhvillimi i pabarabartë i ndërgjegjes midis popullit; në fjalë të tjera, fakti që një revolucion i cili hamendëson një shkëputje me të kaluarën në nivelin subjektiv të ndërgjegjes dhe në nivelin institucional ndërmerret në një mjedis kur vetëm një minoritet i popullatës është shkëputur nga paradigma sociale dominuese. Atëherë, nëse ai është një revolucion nga lart, ai ka një mundësi të mirë për të arritur synimin e tij të parë: të heqë pushtetin shtetëror dhe të themelojë pushtetin e tij. Por, pikërisht sepse është një revolucion nga lart me strukturat e tij hierarkike etj., ai nuk ka asnjë mundësi të ndryshojë paradigmën dominuese sociale, por vetëm formalisht, d.m.th në nivelin e ideologjisë zyrtare. Megjithëse revolucioni nga poshtë është qasja korrekte që të konvertojë njerëzit demokratikisht në paradigmën e re sociale, ajo vuan nga fakti që zhvillimi i pabarabartë i ndërgjegjes mes popullit nuk mund të lejojë revolucione për të arritur synimin e tyre të parë - të heqjes së pushtetit shtetëror. Problemi ende i pazgjidhur me ndryshimin sistemik është se si mund të sillet në skenë nga poshtë, por nga një shumicë njerëzish, me qëllim që një heqje demokratike e strukturave pushtetore të mundësohet.
4. Qasja e demokracisë gjithëpërfshirëse (“Inclusive Democracy”)
Projekti i Demokracisë Gjithëpërfshirëse (ID) ofron një strategji i cila synon të zgjidhë këtë problem. Ai fillon me hamendësimin se ndryshimi radikal sistemik kurrë nuk do të vijë përmes reformave ose strategjive life-style. Kjo është kështu sepse ndryshimi sistemik kërkon një shkëputje me të kaluarën, i cili shtrihet në nivelin institucional dhe subjektiv. Kjo shkëputje është e mundshme vetëm përmes zhvillimit të një organizate politike dhe një programi të ri të plotë për ndryshimin sistemik. Kjo do të thotë se aktivitetet e ndryshme për të ndërtuar komuna, kooperativa, institucione alternative mediatike etj., janë pa asnjë efekt për ndryshim sistemik --- përveç rasteve kur ato janë pjesë integrale e qartë për një program politik të plotë.[38] Në këtë kuptim, dikush mund të argumentojë se dy strategjitë nuk janë plotësuese sikurse Chomsky argumenton, por ndërsjelltas përjashtuese. Strategjia e ID përmbledh përfshirjen graduale të një numri në rritje njerëzish në një lloj tjetër politike dhe ndryshimin paralel të burimeve ekonomike (punës, kapitalit, pronës) larg ekonomisë së tregut. Kjo strategjie kalimtare duhet të krijojë ndryshime në kuadrin institucional, gjithashtu edhe në vlerat e sistemit, të cilat pas një periudhe tensioni midis institucioneve të reja dhe shtetërore do të zëvendësojnë ekonominë e marketingut, demokracinë statiste dhe paradigmën sociale që i “justifikon” ato, me një demokraci gjithëpërfshirëse dhe një paradigmë të re respektive.
Objektivi i menjëhershëm duhet të jetë krijimi nga poshtë i ‘bazave popullore të pushtetit politik dhe ekonomik’, që është themelimi i botëve publike lokale të demokracisë direkte dhe ekonomike, të cilat do të konfederohen, me qëllim që të krijojnë kushtet për themelimin e një shoqërie të re. Duke kundërshtuar zgjedhjet lokale (e vetmja formë zgjedhjesh e cila nuk është e papajtueshme me synimet e projektit ID) mund të sjellë mundësinë për të vendosur në realitet një program të tillë në një shkallë sociale masive, megjithëse forma të tjera themelimi të organizimeve sociale nuk duhet të braktisen, duke ditur se ato janë pjesë e një programi të cilat synojnë qartë për ndryshim sistemik. Menjëherë sa institucionet e demokracisë gjithëpërfshirëse fillojnë të instalohen dhe njerëzit, për herë të parë në jetën e tyre, fillojnë të zotërojnë pushtet të vërtetë përmes të cilit të përcaktojnë fatin e tyre, atëherë gërryerja graduale e paradigmës dominante sociale dhe i kuadrit aktual institucional do të jetë vendosur në lëvizje. Një bazë e re popullore do të krijohet. Qytezë pas qyteze, qytet pas qyteti, rajon pas rajoni, do të largon nga kontrolli efektiv i ekonomisë së marketingut dhe të komb-shtetit dhe strukturave të tij politike dhe ekonomike, duke u zëvendësuar me konfedertat e komuniteteve të organizuara demokratikisht. Një pushtet i dyfishtë (dual) në tension me shtetin do të krijohet, një paradigmë alternative do të bëhet hegjemonike dhe çarja në procesin e shoqërizimit -parakusht për një ndryshim në institucionin e shoqërisë - do të ketë ndodhur. Legjitimiteti i ‘demokracisë aktuale do të ketë humbur.
Zbatimi i strategjisë së ravijëzuar më sipër kërkon një tip të ri organizatash politike, të cilat do të pasqyrojnë strukturat e dëshiruara të shoqërisë. Kjo nuk do të jetë partia e zakonshme politike, por një formë ‘demokracie në veprim’, e cila do të ndërmerrte forma të ndryshme kolektive për ndërhyrje në:
1. nivelin politik (krijimin e një institucioni politik ‘hije’ bazuar në demokracinë direkte, asambleve fqinjësore, etj.),
2. nivelin ekonomik (themelimin e njësive të komunitetit në nivelin e prodhimit dhe shpërndarjen të cilat pronësohen dhe kontrollohen bashkërisht),[39]
3. nivelin social (demokraci në vendin e punës, universitet etj.), dhe
4. nivelin kulturor (kontrollim-komunitar të veprimtarive artistike dhe mediatike).
Sidoqoftë, thekson autori, të gjitha këto forma ndërhyrjesh duhet të jenë pjesë e një programi të plotë për transformim social që synon ndryshimin eventual të çdo bashkie që fiton në zgjedhjet lokale në demokraci gjithëpërfshirëse. Media alternative, e themeluar si pjesë e këtij programi, do të luante një rol vendimtar që të zhvillonte një ndërgjegje alternative nga ajo e tanishmja sa i përket metodave të zgjidhjeve të problemeve ekonomike dhe ekologjike në një rrugë demokratike. Ata duhet të lidhin ekonominë e sotme dhe krizat ekonomike të sistemit prezent socio-ekonomik dhe të bëjnë propozime se si të fillojnë ndërtimin e një shoqërie të re. Për shembull: duke ndërtuar një sektor ekonomik demotik, (d.m.th një sektor të pronësuar nga demos); duke krijuar një mekanizëm demokratik për të ndërmarrë vendime ekonomike që afektojnë sektorin demotik të komunitetit; duke ‘lokalizuar’ vendimet që afektojnë jetën e komunitetit si të tërë (prodhimin lokal, shpenzimet lokale, taksat lokale etj.). Pa kuptuar vështirësitë që përfshijnë kontekstin e metodave të të gjithë pushteteve aktuale rreth kontrollit trunor dhe dhunës ekonomike, të cilat mund të sjellin metoda më efektive sesa dhunë të pastër shtetërore për të shtypur një lëvizje për demokraci gjithëpërfshirëse, autori beson, se strategjia e propozuar është reale në rrugën për një shoqëri të re.[40]
[1]Fëmija: në pështjellimin e elitave moderne.
[2]Përcaktimi këtu është përpunuar nga autori i këtij teksti duke marrë konceptin bazë nga Massmedia, Culture and Democracy, Takis Fotopoulos, International Journal of Inclusive Democracy,vol.5, no.1 (March 1999). Shih për më shumë: Transitional strategies and the Inclusive Democracy project, DEMOCRACY & NATURE: The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, vol.8, no.1, (March 2002), TAKIS FOTOPOULOS.
[3]Mass media and ideological globalisation, TAKIS FOTOPOULOS,The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, vol. 2, no.4 (November 2006).
[4]Po aty.
[5]Po aty.
[6]Po aty.
[7]The Myth of the Free Press, Chris Hedges, Truthdig, Oct 26, 2014.
[8]Po aty.
[9]Atje janë 6 ndërmarrje që kontrollojnë median amerikane, ndryshe nga viti 1983 kur media amerikane pronësohësh nga 50 ndërmarrje! These 6 Corporations Control 90% Of The Media In America, Business Insider, Jun. 14, 2012.
[10]Empires of the neseless, New Internationalist magazine, April 2001.
[11]France: his master’s voice, Le Monde Diplomatique, August 2001.
[12]Media fairyland, The Guardian, 18th January 2006.
[13]Messenger of the Gods, George Monbiot, The Guardian, 21st January 2015.
[14]Media: Comcast’s next act, FT,April 28, 2015.
[15]Mass media and ideological globalisation, TAKIS FOTOPOULOS,The International Journal of INCLUSIVE DEMOCRACY, vol. 2, no.4 (November 2006).
[16]China media: Pressed into service, FT,April 1, 2016.
[17]Po aty.
[18]Messenger of the Gods, George Monbiot, The Guardian, 21st January 2015.
[19]The invasion of corporate news,FT, September 19, 2014.
[20]Përvoja e Bent Flyvbjerg në Danimarkë tregon më së miri këtë përpjekje. Why mass media matter to planning research: the case of megaprojects, Bent Flyvjerg, University of Oxford, vol. 32, no. 2, June 2012. f, 11.
[21]Shih, Administrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne në rend demokratik.
[22]Aristotle, Topics.
[23]We hacked emails too – News International, The Independent, 20 January 2012.
[24]Po aty.
[25]Shih, Edward S. Herman and Noam Chomsky, Manufacturing Consent, Ch 1.
[26]Shih Fotopoulos ‘13’.
[27]Shh Will Hutton, The State We’re In, (London: Jonathan Cape, 1995).
[28]Mass media, Culture and Democracy, Takis Fotopoulos, International Journal of Inclusive Democracy.
[29]Shih Nga keqedukim në arsim demokratik.
[30]Making social science matter, Bent Flyvbjerg, 2001, f, 109.
[31]Why mass media matter to planning research: the case of megaprojects, Bent Flyvjerg, University of Oxford, vol. 32, no. 2, June 2012.
[32]Po aty.
[33]Mass media, Culture and Democracy, Takis Fotopoulos, Democracy & Nature, International Journal of Inclusive Democracy, Vol. 5, No. 1 (March 1999).
[34]Po aty.
[35]Shih për më shumë, Administrimi publik dhe i ndërmarrjeve: nga kaosi i elitave moderne në rend demokratik
[36]Po aty.
[37]Po aty.
[38]Murray Bookchin gjithashtu bie dakord lidhur me këtë problematikë: propozime të veçanta për decentralizim, komunitete të shkallës së vogël, autonomi lokale, ndihmë e ndërsjellë dhe komunalizëm… nuk janë në vetvete ekologjike ose emancipuese. Ky rezultat varet kryesisht në kontekstin social dhe filozofik, në të cilin një program i tillë vendoset. (Murray Bookchin & Dave Foreman, Defending the Earth, A Debate Between Murray Bookchin and Dave Foreman, Montreal: Black Rose, 1991, pp. 61-62.
[39]Shih p.sh., konceptin e ri të pronësisë në ‘Drejt demokracisë virtuoze’.
[40]Po aty, T. Fotopoulos, referenca numër ‘1’.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 215 reads