...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti: Propaganda gri e Britanisë me Rusinë, sekreti financiar i oligarkive botërore dhe lufta e ‘nxehtë’ mes superfuqive*

Çfarë e shtyu në të vërtetë Mejin, kryeministren britanike, të përkeqësonte marrëdhëniet me Rusinë? Ishte vetëm fakti se ajo kërkonte të dëmtonte Rusinë dhe të përkeqësonte marrëdhëniet dhe ndoshta të krijonte kushtet për një luftë të “ftohtë” apo vinte si pasojë e ndonjë dëmtimi tjetër?

25/03/2018 - 12:14

Propaganda gri (e cila shprehet kryesisht duke propaganduar ‘dyshimet’ si ‘fakte’) filloi përgjatë fushatës elektorale në Amerikë dhe vazhdoi përgjatë vitit të parë të presidencës “Tramp”.[1] Gjithçka që përmendësh ishte e karakterit ‘dyshues’ dhe jo e provuar nga hetimet e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare. Pas lëkundjeve të Trampit, për të luajtur me vendin e tij një rol hegjemonist në botë, propaganda gri kundër Rusisë vazhdoi me Britaninë: me akuzën e Britanisë se Rusia kishte helmuar dy agjentë në tokën Britanike dhe si e tillë ajo kishte cënur rëndë sovranitetin e vendit. Si pasojë, brenda 24 orëve kryeministrja britanike Mej njoftoi sanksione kundër Rusisë —duke ndjekur diplomatët rusë— ndërsa Rusia iu kundërpërgjigj njëlloj: duke ndjekur diplomatët britanikë nga Rusia. Paralelisht me këto ‘ndjekje’ Britania argumentonte se Rusia nuk pranoi të bashkëpunonte për hetimin e çështjes ndërsa Rusia –mes ironive— këmbngulte se ajo ishte e gatshme të bashkëpunonte me Britaninë për çështjen përkatëse dhe çështje të tjera ekonomike. Kujtoj se për çështje të kësaj natyre ekziston një kuadër ligjor në OKB, të cilin Britania nuk e përdori, pavarësisht se ia përmendi opozita atje! Pas këtyre veprimeve vërshuan qendrimet e protagonistëve duke akuzuar se Britania kishte “fakte” se Rusia ka krijuar helmin përkatës ndërsa Rusia kundërargumentoi se Rusia kishte “fakte” se helmin përkatës kanë mundësi ta krijojnë dhe vende të tjerë përfshirë dhe Britaninë duke aluduar se sulmi me lëndën toksike mund të ishte shkaktuar nga vetë Britania për të minuar, siç citoi Putini, pasi heshti disa ditë, “zgjedhjet presidenciale dhe lojrat olimpike në Rusi”. Në të vërtetë, helmi është krijuar gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik për përdorime ushtarake dhe nuk lidhet me Rusinë e sotme. Por ai nuk është përdorur kurrë. Britania, rrjedhimisht, nuk kishte ‘fakte’ se sulmin përkatës e ndërmori Rusia. Kishte vetëm “fakte” se Rusia kishte krijuar lëndën përkatëse (“novichok”) —një fakt që e ka pohuar vetë elita sovjete në atë kohë— por jo ‘fakte’ për sulmin. Kështu u mjaftua me “faktin” e parë dhe akuzoi Rusinë duke përkeqësuar marrëdhëniet. Nga veprimet e nxitura të Mejit dhe kundërveprimet e Kremlinit, kuptohet se Meji nuk donte ta hetonte çështjen me Rusinë. Por kërkonte të krijonte një krizë më të madhe përmes të cilës të përkeqësonte marrëdhëniet euro-atlantike me Rusinë – ndoshta të krijonte kushtet për një luftë tjetër të “ftohtë”.

Sidoqoftë, akuzat e Mejit i mbështetën një ditë më pas amerikanët, gjermanët dhe francezët: pa rezerva! Dhe pak ditë më pas, filloi dëbimi i diplomatëve rusë nga 21 vende europiane duke përfshirë Shqipërinë me Amerikën të udhëheqë kursën e cila njoftoi dëbimin e 60 agjentëve rusë dhe mbylljen e konsullatës ruse në Seattle. Bullgaria, Italia, Greqia, Austria dhe Portugalia e mbështetën Britaninë por nuk dëbuan asnjë rus! Vende të tjerë europianë (Zvicra etj.) nuk u përfshinë fare në këtë çështje. Kjo mbështetje spontante u nxit —siç u zbulua dy ditë më vonë— nga një email i qeverisë britanike dërguar aleatëve të saj për t’i nxitur ata për të mbështetur vendimin e qeverisë birtanike ku konkludohej se “ishte shumë e mundur” se pas sulmit qendronte Rusia! Por ky pohim vazhdon të qendrojë në nivel dyshimi! Gjykuar nga një perspektivë historike, Regani deboi 80 diplomatë rusë të epokës së luftës së ftohtë në vitin ‘86 për shkak se Gorbaçovi nuk u pajtua në Gjenevë me politikat ushtarake të Amerikës (“Strategic Defense Initiative”:1985); përballjeve në Lindjen e Mesme dhe spiunazhit intensiv mes palëve. Ishte koha kur Amerika projektonte veten si hegjemoniste. Në atë kohë Uashingtoni e kërcënoi Moskën se nëse ajo i kundërpërgjigjësh njëlloj - reaksioni amerikan do të ishte i “ashpër”. Por Gorbaçovi nuk ngurroi t’i kundërpërgjigjësh dhe si pasojë Amerika u tërhoqë.[2] Obama dëboi 35 diplomatë rusë në vitin 2016-të për shkak të pretendimit se Rusia nxori të palarat e establishmentit politik amerikan përmes gërmimeve elektronike. Obama, në fakt, kishte hartuar një plan sekret ‘hakmarrës’ që përfshinte dhe goditje të tjera kundër Rusisë.[3] Por Rusia e Putinit iu kundërpërgjigj dhëmb për dhëmb sanksioneve gjatë kohës së Trampit, kryesisht si pasojë e kushteve që ka krijuar — shkallës së lartë të pavarësisë. Kështu, kur Amerika e Trampit shpalli sanksione të reja kundër Rusisë në vitin 2017-të, sepse Rusia aneksoi Krimenë dhe sipas establishmentit politik dhe inteligjent amerikan ndërhyri në zgjedhje, Rusia njoftoi dëbimin e 755 zyrtarëve amerikanë duke e çuar numrin e tyre në 455 për të dy vendet. Ky është dëbimi më i madh i të gjitha kohërave. Ndryshimi mes Britanisë dhe Rusisë në këtë rast është se e para akuzoi pa prova ndërsa e dyta nuk akuzoi por aludoi në të drejtën e saj se lëndën përkatëse e prodhojnë dhe vende të tjerë dhe përdorimi i saj mund të jetë kryer nga të tjerë. Nuk mungoi në këtë mbështetje spontane dhe kundërligjore dhe vrima e fundit e kavallit: mbështetja e Shqipërisë —përmes fjalëve të ministrisë së jashtme, Rama-Bushati— një mbështeje që u kritikua dhe nga ambasada ruse në Shqipëri duke shkaktuar dhe një valë tjetër ironie: ishte aq e sigurtë ministria jonë për ‘mbështetjen’ e saj sa që akuzën publike e shkarkoi nga faqja e ministrisë! Ngatërroi, në fjalë të tjera, propagandën gri mes partive, që zhvillohet çdo ditë në nivel kombëtar nga partitë e kohëve tona, me çështjet ndërkombëtare!

Por çfarë e shtyu në të vërtetë Mejin, kryeministren britanike, të përkeqësonte marrëdhëniet me Rusinë? Ishte vetëm fakti se ajo kërkonte të dëmtonte Rusinë dhe të përkeqësonte marrëdhëniet dhe ndoshta të krijonte kushtet për një luftë të “ftohtë” apo vinte si pasojë e ndonjë dëmtimi tjetër?

Historia fillon me rënien e socializmit marksist në Bashkimin Sovjetik dhe bllokun politiko-ekonomik të lindjes: me rënien e tij, prona e përbashkët e sovjetëve dhe puntorëve nuk u ‘grabit’ thjesht nga oligarkët ekonomikë –të cilët më parë ishin kuadro të socializmit marksist- por paralel me krijimin e ndërmarrjeve private u krijua një dinamikë tjetër mes arkitektëve të kapitalizmit në perëndim dhe elitës politike dhe ekonomike ruse: fillimin e bashkëpunimit për larjen e paráve të popujve në Londër dhe përgjithësisht në perëndim. Në Londër sepse aty ishin krijuar kushtet institucionale për depozitimin e fitimeve të oligarkëve rusë (dhe jo vetëm) bashkë me listimin e ndërmarrjeve të reja me origjinë lindore në bursë. Në përpjekjen e integrimit të oligarkëve të rinj me origjinë lindore në sistemin financiar perëndimor kanë luajtur rol vendimtar, siç tregon FT në një hetim gazetaresk,[4] bankat svicerane (BSI etj.) dhe Londra. Sipas saj, gjithë krimi financiar është nxitur nga bankierët: ata kuptuan se oligarkët e rinj kishin nevojë për ta dhe krijuan grupe pune —në sekret— për të kontaktuar me oligarkët duke u ofruar siguri depozitare. Këtë lëvizje e ndihmoi dhe ligji (John Major) për lëshimin e vizave të veçanta për ata që investonin në Britani 1 milion stërlina — që më vonë u rritë në 2 milion. Një çerek e këtyre vizave të dhëna nga qeveria britanike mes vitit 2008 dhe 2015 shkuan te rusët duke u përllogaritur për një minimum prej 729 milion stërlina investim. Gjithë sekreti filloi të shkoklavitësh nga një punonjës i filialit të bankës svicerane “BSI” në Londër i cili njoftoi autoritet britanike se bankierët e BSI-së përdornin teknika që mund të lejonin klientët të fshehnin asete, të lehtësonin shmangien e taksave dhe të lanin pará. Por autoritetet britanike heshtën! Si pasojë e një hetimi amerikan lidhur me shmangien e pagimit të taksave nga oligarkët punonjësi në fjalë u nxit t’i njoftonte ato dhe kështu filloi të zbulohësh sekreti bankar:

Bankierët e BSI-së kishin regjistruar llogari klientësh në “entitete shtirëse”. Ato ishin ndërmarrje vitrinore, të regjistruara në vende si ishujt Virxhin dhe Lihtenshtajn. Ato përdornin një seri manovrash juridike për të fshehur faktin se pronari i vërtetë ishin klientët amerikanë të bankës. Kur klientët donin të zhvendosnin pará në Amerikë, bankierët e BSI-së përdornin një larmi dredhish. Në një, banka do t’u jepte klientëve me karta debiti të parapaguara të mbushura me pará nga llogaria e tyre svicerane. Emri i klientit nuk shfaqësh mbi kartë. Kjo i linte ata të shpenzonin pa lënë gjurmë për njeriun e taksave. Kur klientët kishin nevojë që BSI-ja të mbushte kartat, ata dërgonin kumt me kod...ishte vendimtare shmangia e gjurmës së letrës që mund të lejonte autoritetet të pikasnin lidhjen mes taksapaguesit amerikan dhe llogarisë sekrete. Për një tarifë tremujore ekstra, banka do t’i përmendte klientët vetëm me emra të koduar në gjithë dokumentat që lidheshin me llogaritë svicerane. Më shumë se një e treta e klientëve të bankës amerikane — atje ishin 3,500 në tërësi, dhe 2.8 miliard dollarë në llogari të deklaruara dhe të padeklaruara — që përdornin këtë shërbim. Dy e treta jepnin udhëzime për “postime pezull”, në kuptimin që asgjë nuk duhet të dërgohet me postë në adresën e banesës së klientit. Nëse ishte e nevojshme, bankierët e BSI-së do të fluturonin nga Zvicra në Amerikë për të shpërndarë dokumenta llogarie dorazi...e themeluar në vitin 1873 në bregliqenin e qytetit të Alpineve të Luganos si “Banka della Svizzera Italiana”, BSI-ja radhitet mes 10 bankave kryesore të Zvicrës. Ajo administron 80 miliard dollarë për rreth 125,000 klientë. Ajo ka 2,000 punonjës dhe 400 “administratorë marrëdhëniesh” në zyra të Evropës, Azisë, Amerikës Latine dhe në Lindjen e Mesme...deri në vitin 2008 një njëzeçe klientësh, duke përfshirë oligarkë rusë dhe një princ arab gjithashtu dhe britanikë, bashkëpunonin e zyrën e bankës në Londër...për të ruajtur rrjedhën e klientëve zyra e BSI-së në Londër rekrutoi siç i quante ajo “promotorët”. Ata ishin në të vërtetë ndërmjetës mes bankës dhe pasanikëve. Kontratat e promotorëve përcaktonin se ata nuk lejoheshin të paraqesnin veten si punonjës të BSI-së por u kishin garantuar një aksion të arkëtimit që kryente banka që administronte parátë e klientëve që sillnin brenda saj. Në Amerikë, këta njerëz quheshin “administratorë të jashtëm asetesh”...BSI-ja kishte plotë klientë nga Rusia dhe shtete të tjerë sovjet ku përzierja e politikës dhe biznesit qelbi shumë me pasuri...Dosjet e BSI-së sigurojnë një dije për këtë dukuri që ishte shumë e përhapur përpara vitit 2008 por vetëm vitet e fundit ka nxitur zemëratë publike: sasi tejet të mëdha paráshë që qarkullojnë rreth botës inkonjito...listat e klientëve për zyrën e BSI-së në Londër janë bombarduar me emra që mund të jenë parashikuar se do të shkaktonin shqetësim. Ato përfshijnë magnatët e ndërtimit nga Ballkani të implikuar në një skemë të pretenduar kundërvepruese të lidhur me Kremlinin e Boris Jelcinit dhe një anëtar mbretëror të Katarit të përshkruar si një “ditë-moderne Mjekësi”, të cilët përballen me pretendime korrupsioni...Gabriel Zuzman, vlerësoi vitin e kaluar në librin e tij “The Hidden Wealth of Nations” se strehat e taksave mbajnë 7.6 trilion dollarë, ekuivalentin e dy buxheteve vjetore të Amerikës...bankierët e Britanisë administrojnë 1.65 trilion dollarë asetesh të klientëve, çetelja më e madhe pas Zvicrës. Kjo sasi paráshë është e mjaftueshme për të blerë tre herë Apple-in...nëse i grumbullon të gjitha, rrjeti sekret britanik është më i madhi në botë. Agjencia Kombëtare e Krimit vlerësoi në një raport...se qindra bilion dollarë të parásë kriminale thuajse me siguri vazhdon të lahet përmes bankave të Britanisë, duke përfshirë filialet e tyre, çdo vit...shumica e bankave në Londër kishin oligarkë dhe PPE [persona politikisht të ekspozuar] mes klientëve të tyre, duke përfshirë banka të mëdha britanike. Por gjërat kanë ndryshuar që nga ajo kohë, dhe disa praktika që lejoheshin në atë kohë janë kritikuar dhe si rezultat dekurajuar. Sidoqoftë, ligji nuk zbatohet me prapaveprim...Amerika hetoi sekretin financiar sepse veprimtaria kishte lënë pa të ardhura thesarin amerikan...parátë e lara mund të fajësohen për bërjen e pronave të papërballueshme por ajo forcon asetet e votuesve të pasur...gjithë kjo i lë ata që studiojnë financë të paligjshme të pyesin se nëse Britania dëshiron vërtetë të pastrojë Londrën...rreth 80 banka svicerane përfunduan si BSI-ja dhe bashkë me marrëveshjet ndërkombëtare për të ndarë informacionin e taksave dhe lëvizjeve për të luftuar ndërmarrjet guaskë, ka nxitur sugjerimet se një epokë e re tejdukshmërie është përpara. Por financa klandestine është sfiduar më parë — dhe ajo është zhvilluar.

Pas akuzave dhe veprimeve të Mejit pasuan dhe kritikat. Duke bërë lidhjen kriminale të Britanisë me Rusinë dhe duke theksuar se politika e Mejit mund të çojë në luftën e dytë të ftohtë, një kolumnist argumenton se “që nga koha e rrënimit të Bashkimit Sovjetik në vitin 1989, perëndimi dëfren me poshtërimin e Rusisë. Çdo veprim i BE-së dhe NATO-s pas 1989 kishte të njëjtin përfundim shkatërrimtar. Fqinjët e Rusisë u mirëpritën në BE. NATO-ja zgjeroi kufijtë e saj mbrojtës në buzë të federatës ruse, pavarësisht se në atë kohë Boris Jelcin (dhe deri diku Gjermania) lutësh që perëndimi mos të “luante me zjarrin”. Ndërsa Jelcini zhytësh në privatizimet e tij të katranosura në 1990, Londra i ndezi ata duke hapur bankat e saj për të administruar bilionat e vjedhura të rusëve. Britania ishte bashkëpuntore në krim në krijimin e kleptokracisë më të madhe botërore, paturpësisht dhe për një çerek shekulli”.[5] Në të njëjtën logjikë argumenton dhe një kolumnist tjetër në FT: “për një kohë të gjatë Londra ka qenë e lumtur me larjen e paráve të pista...bankierët, këshilltarë marrëdhëniesh publike, agjentë të “Mayfair estate” dhe politikanë në pension dhe diplomatë kanë nxjerrë shpërblime të majme”.[6]

Me përkeqësimin e marrëdhënieve Putini filloi të mblidhte oligarët rusë duke i shtrënguar ata të kthehen në atdhe dhe bashkë me ta të kthehen dhe milionat e tyre. Por kjo do të kishte një kosto tjetër shetërore. Për të zbutur dëmin, Putini do të lejojë pasanikët rusë që kërcënohen nga sanksionet amerikane dhe ndoshta nga konfiskimet britanike, duke lëshuar bonde qeveritare të rinj. Përmes kësaj qasje ai kërkon të riatdhesojë më shumë se 3 bilion dollarë.[7] Kështu, ndërsa Meji dëbonte diplomatët rusë, bankierët e Londrës ishin të zënë duke mbushur regjistrat me biliona dollarë të bond-marrëveshjeve ruse. Gazpromi lëshoi një eurobond prej 750 milion dollarësh në Londër. Ditën tjetër qeveria ruse lëshoi një bond prej 6 bilion. Viti i kaluar ka qenë rekord për bondet ruse në Londër pavarësisht sanksioneve. Atje janë tashmë 57 kryesisht ndërmarrje ruse të listuara në bursën e Londrës, më shumë se në çdo vend tjetër jashtë Moskës.[8]

Qartësisht, arsyeja kryesore se pse Britania është armiqësore me Rusinë është fakti se Rusia e Putinit kontrollon, ndryshe nga epoka e Jelcinit, në shkallë të lartë ekonominë ruse dhe Britania nuk mund të nxjerrë më fitime të majme. Arsyeja dytësore është se ajo kërkon —meqënse Trampi po lëkundet— të vazhdojë politikën e armiqësisë sidomos tani që shteroi një burim i mirë korrupsioni: sepse, hamendësisht, një mik që nuk majmë klasën politike britanike është i padëshirueshëm. Por shkaqet se pse oligarkët rreth botës korruptohen nuk tregohen nga hetimet gazetareske. Jo sepse s’duan por sepse s’e kanë dijen. Kështu, së pari, oligarkët nuk kanë zhvilluar karakter virtuoz. Kur njëriu nuk zhvillon virtytet ai gjithnjë do të rrëmbehet pas pasurisë, padrejtësisë dhe pandershmërisë. Së dyti, oligarkët kanë shfrytëzuar katër liritë e globalizmit neoliberal, dhe kryesisht lirinë e kapitalit. Këto janë “liri” të themeluara në traktate pikërisht për të ndihmuar korporatat në tregjet globale. Kjo është arsyeja se pse ata kanë mundësi dhe do të kenë, pavarësisht masave të fundit që janë miratuar —transparencë etj.— të vazhdojnë me veprime kriminale dhe disa elita, si elita britanike, të përfitojë nga rasti dhe të kriminalizohet bashkë me ta. Elita britanike është përqendruar tashmë në tregun e Azisë – veçanërisht në Hong Kong, ku partia komuniste kineze nuk ka kontroll të lartë, dhe ku larja e paráve të tregut të drogës, siç tregon sërish FT në një hetim gazetaresk, lulëzon:  

Larja e paráve përgjatë kufijëve jo vetëm që lubrifikon rrotat e tregut botëror të drogës por lejon bandat e trafikut të ligjësojnë, magazinojnë dhe investojnë të ardhurat e stërmëdha —dhe në rritje— të veprimtarive të tyre kriminale. Kina jugore dhe juglindja e Azisë po manifakturojnë qendra për methamfetaminën dhe sintetikë të tjerë popullor, duke përshirë ketaminën, por trafikantët punojnë fuqishëm të eksportojnë prodhimin e tyre në tregjet e zhvilluar si Australia, Japonia dhe Amerika, ku mund të kapin çmime shumë më të lartë. Një kilogramë methi, një stimulant, shitet për 10,000 dollarë në Mianmar, krahasuar me 200,000 në Australi...duke folur “konservativisht” tregu rajonal i drograve sintetike si methamfetamina është rritur nga 15 bilion pesë vjet më parë në 20 bilion dollarë sot. Për blerjen e pararendësit të nevojshëm për prodhimin e këtyre sintetikëve dhe për riatdhesimin e përfitimeve nga shpërndarja e tyre rrugëve, bandat e organizuara kriminale kanë nevojë të lëvizin sasi të stërmëdha paráshë rreth Azisë. Në këtë pikë vjen qendra financiare e Hong Kongut, gjeografikisht pranë qendrave kryesore dhe disa tregjeve më të mëdhenj të drograve të paligjshme...grupet e krimit të organizuar qendrojnë në vende ku shërbimet bankare janë të përdorshme dhe atje ka volume të mëdha paráshë që lëvizin tashmë përmes sistemit. Përveç lëvizjes së paráve përmes Hong Kongut, trafikantët e drogës kanë kapitalizuar në territorin e portit dhe aeroportit — të dy mes porteve më të zënë me punë në botë — dhe statusi i tyre pa tarifa, ngarkojnë në anije prodhimet e tyre dhe i shërbejnë tregut lokal...larësit e paráve zakonisht krijojnë depozitat e tyre fillestare në këto banka të parregulluara përpara se të transferojnë fondet në bankat më të mëdha, ndërkombëtare.[9]     

Njëlloj po vepron qeveria “Rama” me parátë e drogës duke ndjekur praktikat e qeverisë “Berisha” por me disa ndryshime: vetëm se po shfrytëzon parátë e shqiptarëve dhe jo të rusëve etj. Politika e Ramës është disa herë kriminale në kushtet aktuale: sepse ndryshe nga Britania, e cila ka zhvilluar disa shërbime –kryesisht bankare- dhe tashmë është integruar në Lindjen e Largët, për arsyet që citova, dhe mund të konkurrojë...kjo jona, s’ka zhvilluar asnjë sektor të ekonomisë!

Në fund, do të ishte me vend të përmendnim një kritik të establishmentit britanik kur pyet me plotë dyshim duke refuzuar të quhet, edhe një herë, idot nga klasa politike britanike: Në kundërshti, [nga perëndimorët] Rusët i janë shmangur gjithë përmendjes së luftës së tyre botërore – një sakrificë pafund më e madhe në luftën e dytë se gjithë aleatët e tjerë bashkë – dhe kanë paraqitur me zgjuarsi përgjigjen e tyre dhe propagandën e RT-së rreth botës dështimin tonë për të ngritur pyetje. Pse vriten rusët e dëbuar vetëm në Britani? Pse nuk i dhanë Moskës qasje në hollësitë e helmimit që në fillim? Pse nuk publikuan fotografi të Sergej Skripalit dhe Julias në spital (siç u publikuan për ish-agjentin rus Aleksandër Lidvinenko kur ai po vdiste nga helmi në spitalin britanik në vitin 2006)? Pse shkencëtarët britanikë ecnin në vendin e krimit me veshje mbrojtëse kur shumë pranë tij kalonin qytetarë britanikë të pambrojtur?...Është kjo vërtet puna më e mirë e Borisit dhe Mejit? Duhet vërtet të konsiderohemi edhe një herë fëmijë?[10]

Mësimet që nxjerrim nga kjo marrëzi, janë të shumtë. Por unë do të përmendja kryesoren: se fakti që elitat perëndimore braktisin të drejtën ndërkombëtare dhe dënojnë një popull të tërë pa prova dhe pa të drejtë për hir të hegjemonisë së tyre, mund ta braktisin drejtësinë me popujt e tyre për të njëjtën arsye!        

 

*Financa: nga statizmi në globalizmin neoliberal


[1]Shih, për më shumë, Kushtetuta e globalizmit neoliberal dhe pavarësia e popujve.

[2]Cold war archive: U.S. diplomats in Moscow have endured without support staff before, RTERL, July 31, 2017.

[3]Obama’s secret struggle to punish Russia for Putin’s election assault, Washington Post, June 23, 2017.

[4]Dark money: London’s dirty secret, Tom Burgis, FT, May 11, 2016.

[5]After the Skripal attack, talk of war only plays into Vladimir Putin’s hands, Simon Jenkins, The Guardian, 16 Mar 2018.

[6]Hard-headed deterrence is the antidote to Putin’s poison, Philip Stephens, Mar 14, 2018.

[7]Russian tycoons, fearing new sanctions, float new bond idea: sources, Reuters, Dec 5, 2017.

[8]Expat Russian fear cold front in ‘Londongrad’, FT, 24 Mar 2018.

[9]The drop: inside Australia’s banking scandal, special report, FT, 13 March 2018.

[10]Why are politicians comparing everything to the Second World War? Robert Fisk, The Independent, 22 March 2018

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA