...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Historia e financave shqiptare: 1912-1939

Jovan Jano (Dita)

01/10/2017 - 14:56

Në qeverinë e parë të kryesuar nga Ismail Qemali, institucionet më të rëndësishme ishin ato financiare, që kishte në varësi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, të cilën Ismail Qemali e vlerësonte tej mase, sepse nëpërmjet saj do të konsolidohej shteti i ri, si dhe do të ndihmohej borgjezia vendase. “E them me lavdërim, vinte në dukje Ismail Qemali që në fjalimin e parë në sheshine Vlorës, se puna e bankës për Shqipërinë, është një i dytë fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike epolitike”.

Ministri i parë i Financave Shqiptare ka qenë Abdi Toptani, ndërsa drejtor i Përgjithshëm, Baki Gjebrea. Të dy këta burra, në atë gjendje që ishte Shqipëria, kanë bërë shumë për të vënë në rrugë financat, duke nxjerrë dhe forcuar ligjet fiskale për tarifat doganore, për taksat e import eksporteve etj.

Baki Gjebrea.

Lufta Ballkanike dhe rebelimet separatiste të Esat Pashë Toptanit sollën në Shqipëri Princ Vidin, historia e të cilit dihet, dhe puna e dy ministrave të Financës së asaj kohe, Filip Nogës dhe Adhamidh Frashërit, ishte pa gjurmë.

Vetëm pas Kongresit të Lushnjes dhe mbas krijimit të Qeverisë Kombëtare u bë e mundur vendosja në Tiranë e Ministrisë së Financave. Kështu nën vartësinë e saj në atë kohë vepronin Drejtoritë Financiare në Shkodër, Durrës, Elbasan, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë si dhe zyra financiare në qytetet e tjerë. Në këtë kohë dolën ligje për ndalimin e eksporteve të arit, argjendit, drithërave; doli ligji i krijimit të doganave dhe tarifave doganore; ligji për prerjen e kartëmonedhës së parë shqiptare etj. Meritë për reformat financiare të këtyre viteve kanë Ndoc Çoba, Ahmet Dakli, Kol Thaçi, si dhe drejtori i parë i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Ahmet Boriçi.

Pas vitit 1925,  Financave Shqiptare iu dha mundësia të organizoheshin më mirë. Pavarësisht politikave të Zogut dhe huave të rënda që ai mori, ligji i Kontabilitetit të Përgjithshëm të Shtetit, i cili u dekretua më 28 maj 1929 dhe hyri në fuqi më 1 prill 1930, i shoqëruar më pas me mbi 70 dektet-ligje, ishte një nga ligjet më të mirë të kohës. Një punë të jashtëzakonisht të vyer në këtë kohë kanë bërë specialistët reformatorë si Baki Gjebrea, Mehdi Frashëri, Haxhi Shkoza, Teki Selenica, Rrok Gera, Lame Kareco, Sokrat Dodbiba, Vasil Pala, Lac Gera, Muharrem Kokona etj.

Lame Kareco

 

Duhet thënë se Ahmet Zogu ishte i pari që krijoi Shtetin Shqiptar me Kushtetutë, me ushtri dhe financa të organizuar. Ai bëri sa i lejuan rrethanat dhe mundësitë. Shqipëria nën sundimin e tij ishte tipik vend feudal i prapambetur me një popullsi të varfër dhe të paarsimuar. Natyrisht, ai ishte përfaqësuesi më i lartë i feudo-borgjezisë së viteve ’30 që preferoi të drejtonte me dorë të fortë diktatoriale.

Mbas pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1939-1944, u formuan disa qeveri të mbështetura nga pushtuesit. Tre kanë qenë ministrat e Financave në këtë kohë, Shuk Gurakuqi, Andon Beça dhe Sokrat Dodbiba.

Ka mbetur në kujtesën historike në këtë kohë akti i i guximshëm i Dhimitër Paskos, për të mos u dorëzuar Thesarin e Shtetit gjermanëve dhe kundërshtimi me forcë për mos emetimin e monedhës naziste.

Themelet e shtetit të ri që po dilte nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare u hodhën që në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942, me krijimin e Këshillave Nacionalçlirimtare në të gjithë territorin shqiptar. Kurorëzimi i qeverisë së parë të dalë nga lufta u bë kur vendi ende nuk ishte çliruar. Në Berat më 22 tetor 1944 formohet kabineti i Qeverisë Demokratike Provizore, të kryesuar nga Enver Hoxha, i cili vazhdoi deri në mars të vitit 1947. Programi i kësaj qeverie ishte radikal revolucionar. Në përbërje të qeverisë ishin njerëz të përkushtuar, të dalë nga lufta, por edhe të shkolluar dhe me kulturë të gjerë si Omer Nishani, Gaqo Tashko, Nako Spiru, Medar Shtylla, Sejfulla Malëshova, Manol Konomi, Spiro Koleka etj. Krahas masave shtrënguese dhe radikale me shtetëzimet dhe konfiskimet dhe reformën agrare, qeveria dhe veçanërisht financat po shkonin drejt një ekonomie të centralizuar. Siç  u vu re edhe më vonë, i gjithë programi i Partisë Komuniste, ishte për ndërtimin e një shoqërie me barazi sociale, që quhej socializëm. Edhe ligjet ekonomike dhe financiare u bazuan në këtë program, që, siç rezultoi më vonë, qe i destinuar të dështonte.

Megjithatë, përveç arsimit masiv dhe shëndetësisë falas, duhen vlerësuar si kolosale bonifikimi i kënetave, ndërtimi i veprave të mëdha të pesëvjeçarëve, që, po të mos ishin shkatërruar nga marrëzia politike e “tokës së djegur” të çdo gjëje komuniste, si dhe nga teoria famëkeqe e  “çekut të bardhë”, Shqipëria sot do të ishte shumë-shumë më ndryshe.

Ndryshimi i sistemit pa viteve ’90 të shekullit të kaluar, solli ndryshime parimore dhe esenciale në fushën ekonomike dhe financiare të vendit tonë. Në këto vite Shqipëria u përball me sfidën e madhe të krijimit të së ardhmes. Kalimi nga sistemi i centralizuar dhe tërësisht i mbyllur i ekonomisë në ekonominë e tregut, u shoqërua me shkatërrimin e ekonomisë kombëtare dhe me një rënie të ndjeshme të nivelit ekonomik të shqiptarëve. Gjatë kësaj periudhe u shënuan nivelet më të larta të papunësisë, inflacionit dhe zhvleftësimit të lekut, të cilat sollën rritje të emigracionit. Duke nxjerrë mësime nga dështimet, organet shtetërore dhe bankare të shtetit shqiptar, nga viti 1997 e këtej, të ndihmuar edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, kanë synuar qëndrueshmëri makroekonomike nëpërmjet përdorimit të politikave stabilizuese.

Abdi Toptani, nderi i familjes politike të Toptanëve

Duke hequr mënjanë Esat Pashë Toptanin, pinjojtë e tjerë të kësaj familjeje të madhe dhe me emër, kanë dhënë kontribut të madh dhe të veçantë për Shqipërinë. Mund të veçosh ndër ta dy figura të mëdha, Murat Toptanin dhe Abdi Toptanin. Ky i fundit është edhe i pari ministër i Financave në Shqipëri, në Qeverinë e Ismail Qemalit të ngritur më  1912, si dhe i disa qeverive të tjera, si asaj të Vidit, të Kongresit të Lushnjes etj.

 

Myfit Bej Libëhova, më i kompletuari, më i kulturuari

Studioi në disa shkolla prestigjioze të kohës, në gjimnazin “Zosimea” të Janinës; në liceun perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit në gjuhën frënge; mbaroi universitetin për Drejtësi dhe së fundi u diplomua në Lozanë të Zvicrës doktor për Shkencat Politike. Ka qenë ministër Drejtësie, ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm, ministër i Financave në të gjitha kabinetet, nga ai i Ismail Qemalit e deri në atë të Ahmet Zogut.

Shkodranë me emër

Për shkak të kulturës së tyre të gjithanshme, nuk janë të pakët edhe shkodranët, që kanë kontribuar në fushën financiare në disa qeveri. I pari i të parëve, Luigj Gurakuqi, që në qeverinë e Ismail Qemalit; më pas Filip Noga që e nisi si ministër Finance i qeverisë së Princ Vidit; Ndoc Çoba, Tefë Curani dhe Rrok Gera që punuan si ministra Finance në qeveri të ndryshme.

Rrok Gera

Nikoqirët gjirokastritë…

Një qeveri e mirë kërkon në radhë të parë një administrim të mirë. Çdo kreu qeverie kur krijonte kabinetin në fillim, natyrshëm i shkonte mendja te nikoqirllëku i gjirokastritëve. Ndaj dhe ata nuk mungonin në çdo kabinet qeveritar, që nga ai i Ismail Qemalit deri te ai i Enver Hoxhës. I pari ndër të parët, por edhe i zoti, ashtu siç ka mbiemrin, ka qenë Fejzi Alizoti, anëtar kabineti që mbulonte Financat dhe sektorë të rëndësishëm në disa qeveri. Gjirokastritë me gjurmë kanë qenë edhe Baki Gjebrea në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe Lame Kareco në qeverinë e Ahmet Zogut.

Fejzi bej Alizoti

…Të tjerë që nuk qëndronin më pas

Ka pasur edhe të tjerë figura të shquara të Financave Shqiptare si: Adhamidh Frashëri, Mehdi Frashëri Milto Tutulani, Abdurraman Dibra, Kol Thaçi, Ahmet Dakli etj.

Milto Tutulani

Kol Thaçi

Ahmet Dakli

 

Ministrat e Financave që fjetën mbi pará, por që vdiqën të varfër…

…Luigj Gurakuqi, vetëm me 500 liretat e xhepit kur u vra!

Ka qenë nxënës i De Radës në kolegjin arbëresh të Shën Dhimitër Koronës; ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit; ka qenë drejtori i Normales së Elbasanit. Në vitin 1912 ishte krahu i djathtë i  Ismail Qemalit dhe një nga personalitetet më të kulturuara të qeverisë së tij, ku mbajti postin e ministrit të Arsimit.

Në vitin 1923 u caktua ministër i Financave, duke kundërshtuar me forcë marrëveshjet në dëm të shtetit shqiptar për dhënien me koncesion të puseve të vajgurit shoqërive të huaja. Ministër i Financave ishte edhe në Qeverinë e Nolit më 1924, ku sa hyri në zyrë, siç shkruan Stavri Vinjahu në atë kohë, “bëri çudira, gjeti 4 milionë franga ari të papaguara; me administrimin e tij të shkëlqyer, me kursimet e tij, arriti që ta mbyllte buxhetin me 1 milion franga ari tepricë, por edhe të gjithë borxhet e kaluara të shtetit”.

Pas kundërrevolucionit të Zogut, emigroi në Bari të Italisë. Më 2 mars 1925, ndërsa dilte nga hotel Kavur, pa përballë djalin e tezes. Ndërsa hapi krahët për ta përqafuar, kushëriri qëllon mbi gjoksin e tij duke e lënë të vdekur. Siç doli më vonë, kjo qe një vrasje politike e organizuar nga vetë mbreti Zog.

Miqtë e tij, Gjon Kamsi dhe Serafin Mazreku, pas vrasjes gjetën në xhepin e xhaketës së tij vetëm 30 lireta italiane. Por “pasuria” e tij e vërtetë ishin 40 kurora lulesh të dërguara nga personalitete nga kolonitë dhe studentët shqiptarë të shpërndarë nëpër botë dhe nderimi që iu si një nga heronjtë më të shquar të kombit shqiptar.

 

…Sulejman Starova, varrimin ia bëri bashkia!

Kur Sulejman Starova në vitin 1934 dha shpirt nga sëmundja e gjatë dhe e rëndë në vitin 1934, shtypi realist i kohës shkroi: “Vdiq në varfëri, në moshën 54-vjeçare, Sulejman Starova, ministri i Financave, duke lënë në pikëllim gruan e tij Bediha Starova me tre fëmijë. Bashkia do të kujdeset për shpenzimet e varrimit të tij, ndërsa qeveria së cilës i ka shërbyer duhet të kujdeset për fëmijët e tij që i la të vegjël. Në banesën e fundit përcillet nga i gjithë populli i Korçës”.

Ka lindur në vitin 1876 në Starovë të Pogradecit. Mësimet e para i mori në Manastir, ndërsa studimet e shkollës së mesme dhe të lartë i vazhdoi në Stamboll. Pasi përfundoi universitetin punoi në një bankë në Stamboll. Duke qenë nën influencën dhe frymën e rilindësve, u përfshi në lëvizjen patriotike kombëtare. Miku më i ngushtë i tij, njëkohësisht edhe baxhanak, ishte Refat Frashëri, sekretar i Abdyl Frashërit. Refati ishte diplomuar për Mjekësi dhe kishte punuar në Institutin “Lui Paster” në Paris.

Për herë të parë ministër i Financave është emëruar në vitin 1921, ku ka punuar pak kohë. Disa vite më vonë, kur Ahmet Zogu në cilësinë e Kryetarit të Republikës Shqiptare, e emëron dy herë të tjera ministër Finance, në periudhat 27.09.1925 – 10.02.1927 dhe 26.10.1927 – 11.05.1928.

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, djali i madh i tij, Petriti, pasi provoi torturat në burgun fashist të Tiranës, nga fundi i vitit 1943, u radhit në rreshtat partizane.

Sulejman Starova për kontributet e tij patriotike është vlerësuar, veç të tjerash, edhe nga Këshilli i Komunës Buçimas në Pogradec, me titullin Qytetar Nderi i Buçimasit.

 

Ministrat e Financave 1912-1939

Abdi Toptani

Adhamidh Frashëri (Gaqo Adhamidhi)

Filip Noga

Fejzi Alizoti

Ndoc Çoba

Tef Curani

Ahmet Dakli

Sulejman Starova

Kol Thaçi

Myfit Libëhova

Luigj Gurakuqi

Milto Tutulani

Lame Kareco

D. Rrok Gera

Dhimitër Pasko

Shuk Gurakuqi

Andon Beça

Sokrat Dodbiba

 

Ministrat e Financave 1945-1991

Ramadan Çitaku

Qirjako Harito

Abdyl Këllezi

Tuk Jakova

Aleks Verli

Lefter Goga

Haki Toska

Qirjako Mihali

Nik Gjyzari

Andrea Nako

 

Ministrat e Financave 1991 – 2017

Qemal Disha

Anastas Angjeli

Genc Ruli

Robert Çeku

Piro Dishnica

Dylber Vrioni

Ridvan Bode

Arben Malaj

Kastriot Islami

Shkëlqim Cani

Arben Ahmetaj   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA