...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Protesta e Metës (2 marsit): e drejtë apo spektakël për marrosjen e popullit?

Protesta e thirrur nga Meta në 2 mars ishte e padrejtë: së pari, sepse ishte ai i pari që shkeli ligjin e Kushtetutës për emërimin e një anëtare “speciale” pas veprimit të të cilit vraproi qeveria “Rama” me ndryshime në ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe së dyti, ndryshimet përkatëse nuk reflektohen në ligj

Ylli Përmeti

03/03/2020 - 19:19

Protesta e thirrur nga Meta në 2 mars ishte e padrejtë: së pari, sepse ishte ai i pari që shkeli ligjin e Kushtetutës për emërimin e një anëtare “speciale” pas veprimit të të cilit vraproi qeveria “Rama” me ndryshime në ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe së dyti, ndryshimet përkatëse nuk reflektohen në ligj. Domethënë, tentativa e qeverisë “Rama” për të ndryshuar ligjin dhe për të anashkaluar presidentin për betimin e anëtarëve që nuk emëronte presidenti, mbeti në ‘tentativë’ — fakt që as “intelektualët” s`e kanë kuptuar e jo më militantët dhe populli.  

Shkeljet e rënda kushtetuese të Metës dhe kërcënimi me burg

Meta, në fakt, e quajti protestën ‘manifestim’! Hamendësisht, për t`i dhënë karakter më të butë asaj. Por kujtoj me këtë rast se ‘manifestimi’ ka të njëjtin kuptim me ‘protestën’: “Marshim i madh nëpër rrugë i masave të gjera punonjëse për të shprehur përkrahjen politike ose shoqërore për dikë a për diçka, protestën kundër dikujt a kundër diçkaje etj.”, citon fjalori ynë. Gjykuar edhe nga ky fakt, Meta ose s`e di vërtet kuptimin fjalëve përkatëse ose i shtrembëron ato me qëllim që të realizojë qëllimin e tij: pështjellimin e popullit. Në të dy rastet, ai është i padëshireshëm.

Por le ta lëmë mënjanë çështjen përkatëse meqë nuk ka ndonjë efekt të dëmshëm në popull dhe të gjykojmë qendrimet dhe veprimet e tij. Arsyeja se presidenti i ‘republikës parlamentare’ thirri protestën ishte sepse qeveria “Rama” po zhvillon “grusht shteti përmes sistemit të drejtësisë, kryesisht lidhur me Gjykatën Kushtetuese, se ka shkelur Kushtetutën, dhe ka lidhje me “krimin e organizuar”, akuza që nuk janë tërësisht të padrejta, por ngrihen nga një president që ka treguar në mënyrë të përsëritur se është kryekëput i korruptuar: duke kulmuar me mohimin e paturpshëm të faktit që citon Komisioni i Venecias në raportin e dytë lidhur me zhdekretimin e zgjedhjeve nga ai, se ai ka ‘tejkaluar’ kompetencat!     

Kujtoj se protesta e Metës kulmoi kur shumica e kuvendit miratoi propozimin që shmangte betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në ligjin për organizimin dhe funksionimin e gjykatës përkatëse. Më konkretisht, ndryshimi citonte se “nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, brenda 10 ditësh nga afati i zgjedhjes, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”.

Qeveria e ndryshoi ligjin për shkak të kandidates Arta Vorpsi, e cila nuk u emërua nga presidenti; në vend të saj, presidenti emëroi Marsida Xhaferllarin, “këshilltaren” e Enkeled Alibeajt, ish-ministrit të drejtësisë dhe një ndër kryedemagogët e partisë “demokratike”. Ja ç`citon Voa për këtë çështje:

Në rastin e zonjës Arta Vorpsi, kandidate për në Gjykatën Kushtetuese, presidenti nuk respektoi afatin ligjor për përzgjedhjen nga lista e dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke përdorur si arsyetim faktin se Kushtetuta saktësonte, sipas tij, që ai duhet të priste më parë përzgjedhjen e kandidatit nga vakancat e parlamentit. Ndërsa shumica në pushtet e konsideroi si të emëruar automatikisht zonjën Vorpsi, Kreu i Shtetit dekretoi kandidaten Marsida Xhaferllari dhe organizoi ceremoninë e betimit për të.[1]

Veprimi i qeverisë “Rama” lidhur me këtë çështje mund të quhet padyshim i nxituar dhe i padrejtë për sa kohë që nuk përputhësh me Kushtetutën. Sidoqoftë, në Ligjin, Nr. 8577, 10.2.2020, Neni 8, ndryshimi nuk ekziston. Si duket, qeveria reflektoi. Por nuk reflektoi Meta: sepse ai organizoi një protestë përmes së cilës ktheu ligjin përkatës për rishqyrtim në Kuvend—domethënë, ligjin që është në përputhje me Kushtetutën! Në “dekretin” e tij, në fakt, Meta përfshin 18 akuza, ku nuk kufizohet vetëm tek ndryshimi i ligjit në fjalë—që siç tregova, nuk ekziston. Por tek ligjet e miratuar nga kuvendi tre vitet e fundit (2017-2019) me të cilët Meta nuk është pajtuar.[2]

Dekretin përkatës Rama nuk e njohu —“Presidenti i Republikës nuk mund të firmosë dekrete të tilla”, citoi ai pas protestës duke e lidhur protestën e Metës me rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe duke nënkuptuar se Meta po “minon” procesin e integrimit në BE! Me këtë qendrim Rama tregoi edhe një herë se nuk di të përdorë as ligjet në fuqi as edhe të arsyetojë drejtë veprimet e “kundërshtarit” kur të gjithë e dinin se protesta ishte njoftuar më parë.         

Kujtoj se Marsida Xhaferllari u pranua nga tre anëtarët e Gjykatës Kushtetuese si anëtare e re ndërsa Arta Vorpsi jo. Si duket, sepse u betua në një noter, sipas ndryshimit të përkohshëm të ligjit përkatës. Paralelisht, Besnik Muçi, një kandidat tjetër të cilin e emëroi Meta...mbeti në “klasë” sepse s`kaloi dy fazat e rikualifikimit (vetingut). Si rezultat, Gjykata Kushtetuese është me katër anëtarë ose anëtare meqënse janë të gjitha femra dhe për pasojë nuk mund të marrë vendime kushtetuese, sepse “vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj” (Neni 72, pika 2).      

Qartësisht, protesta e Metës është e padrejtë dhe të gjithë ata që na u paraqitën si “intelektualë” në foltore vetëm të tillë s`janë. Pjesëmarresit, ndërkohë, dihet se janë kryesisht militantë të partive përkatëse dhe rrjedhimisht, ose u mashtruan, edhe një herë, ose zbatuan urdhërin e partive. Por është e sigurtë se u mashtruan meqë aftësia hetuese u mungon “intelektualëve” e jo më militantëve.

Nga kjo protestë mësojmë edhe një herë se demagogët e kanë më të thjeshtë të marrosin popullin se sa ta mësojnë atë të gjykojë drejtë. Kujtoj se që të mësohet një njeri apo një popull të gjykojë drejtë duhet që ai që mëson tjetrin, drejtësinë e ka të parën dhe ka zhvilluar aftësinë të gjykojë drejtë ose ka zhvilluar virtytin e drejtësisë. Gjykuar nga pushtetarët në fjalë, ata vetëm virtytin e drëjtësisë nuk kanë zhvilluar dhe për pasojë s`kanë se si të jenë ndryshe me popullin dhe me njëri-tjetrin.  

Mund të thërrasë presidenti protestë kur bëhet vetë shkak për gjendjen e krijuar?

Mbështetësit e Metës thonë po! Si duket, për ta nuk mjaftoi koha kur ishte në pushtet dhe korruptonte institucionet; as mjaftoi shkelja e Kushtetutës por as edhe fakti se u bë vetë shkak i gjendjes së krijuar kur dihet se në drejtësi dënohet së pari shkaktari pastaj gjithë të tjerët.

Neni 89 i Kushtetutës citon se “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”. Ky nen nuk është shumë i qartë lidhur me nismën e presidentit Meta. Por presidenti ka dhe një rëndim tjetër: ai është nën hetim për shkelje të Kushtetutës. Ky ‘status’ juridik e bën thirrjen e tij të paligjshme. Thirrja e tij mund të ishte e ligjshme vetëm nëse nuk do të kufizohësh veprimtaria e tij në Kushtetutë dhe nuk do të ishte nën hetim.

Neni përkatës dhe ‘statusi’ i tij, mund të përdoren nga qeveria për ta arrestuar. Neni mund të përdoret duke i dhënë atij karakter më të gjerë ndërsa ‘statusi’ i tij juridik duhet të përdoret sepse asnjë qytetar nuk mund të kërkojë të drejta popullore kur ai ka shkeluar disa të drejta të tjera popullore për të cilat nuk është marrë vendim gjykate. Nëse qeveria, rrjedhimisht, anashkalon nenin përkatës dhe statusin e tij, ajo do të shkelë ligjin dhe veçanërisht ‘statusin’ e tij.

Gjykuar nga katër emërimet që janë bërë tashmë, Gjykatën Kushtetuese nuk mund ta kapë as qeveria “Rama” pavarësisht përpjekjeve: sepse këto anëtare kanë marrë “bekimin” e Metës gjithashtu dhe do të ketë zgjedhje të parakohshme. Meta krijon precedent të rrezikshëm për çdo president tjetër me protestën e tij. Dhe në fund, protesta e presidentit do të nënkuptonte se kemi republikë presidenciale dhe jo republikë parlamentare.  



[1]Shqipëri, kalon propozimi që shmang betimin vetëm te Presidenti, Voa, 13 shkurt, 2020.

[2]3 Mars 2020, Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 14/2020 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA