...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Aristoteli dhe katër format e oligarkive: pse demagogët e partive politike e shtrembërojnë konceptin?

...Oligarkia thuhet të jetë qeveria e pakicës...aristokracia konsiderohet të jetë një lloj oligarkie, meqë është sundimi i pakicës...oligarki është kur të pasurit dhe fisnikët qeverisin, që janë pak në numër. Por oligarkitë janë të ndryshme në lloje

Ylli Përmeti

01/05/2020 - 10:34

Ndërsa 1 maji punëtorët i gjen më të varfër se kurrë dhe oligarkët më të pasur se kurrë, demagogët e partive por dhe lëvizjeve politike shtrembërojnë konceptin e fjalës ‘oligarki’. Ata quajnë ‘oligarki’ pushtetin ekonomik (ose njerëzit e pasur) që qendrojnë pas qeverisë! Kujtoj se oligarkinë e përmend Berisha, Rama dhe Basha dhe nëse gjykojmë nga veprimtaria dhe qendrimet publike, dhe Organizata Politike. Kujtoj, gjithashtu, se luftë kundër oligarkisë kishte shpallur dhe François Hollande, presidenti francez, i cili kur takohësh me oligarkët ekonomikë u thoshte të mos shqetësoheshin se e bënte për vota. Njëlloj veproi dhe pasardhësi i tij Makroni ndërsa nuk ndryshojnë demagogët e vendeve të tjerë.

Shtrembërimi i këtij koncepti është tejet i rrezikshëm sepse tregon ose moskuptim të konceptit ose të realitetit në të cilin jetojmë. Në të dy rastet, ai është i padëshirueshëm. Ky lloj moskuptimi u përsërit mbrëmë nga emisioni “open” i cili shqyrtonte me disa të ftuar mes të tjerash oligarkinë me gazetarë, padegogë dhe tregëtarë. Në fakt, gazetari përpara se t`i futet shqyrtimit të një koncepti qeverisës, duhet të dijësohet. Por gazetarët  i kemi për zhurmë (sepse përmes “debatit zhurmues” rrisin audiencën dhe jo përmes dijes). Por edhe të ftuarit njëlloj paraqiteshin.

Unë prisja, në fakt, një kuptim më të drejtë nga Arlidi meqë është dhe pedagog i shkencave sociale dhe lufton oligarkinë. Por nuk pashë ta ketë kuptuar! Madje kuptimi i tij nuk ndryshon fare nga kuptimi i Bashës dhe idiotëve të tjerë të establishmentit: se oligarki janë pasanikët që qendrojnë pas qeverisë! Arlini përmendi dhe Aristotelin, filozofin e mirënjohur që nuk ka lënë dije pa shqyrtuar. Por edhe kur e përmendi nuk na tregoi ndonjë kuptim të drejtë. Për të njëjtën arsye, po citoj disa paragrafë nga Aristoteli lidhur me kuptimin e tij:  

...oligarkia thuhet të jetë qeveria e pakicës...aristokracia konsiderohet të jetë një lloj oligarkie, meqë është sundimi i pakicës...oligarki është kur të pasurit dhe fisnikët qeverisin, që janë pak në numër. Por oligarkitë janë të ndryshme në lloje: (1) një kur kualifikimi i pronës është i tillë që të varfërit, megjithëse ata janë shumica, nuk kanë pjesë në qeverisje, por ai që fiton një kualifikim prone mund të marrë pjesë në të. (2) Një tjetër është kur atje është një kualifikim ofiqi, por i një ofiqi të lartë, dhe vendet e lirë të trupit qeverisës shkrepen përmes kooptimit. (3) Nëse zgjedhja bëhet përmes personave të kualifikuar, një kushtetutë e këtij lloji anon nga aristokracia, nëse nga klasa e privilegjuar, anon në një oligarki. (4) Atje është një formë e katërt, njësoj trashigmtare, në të cilën legjivënësit janë më të lartë dhe jo ligji. Mes oligarkive kjo është ajo çfarë është tirania mes monarkive, dhe forma e fundit e përmendur e demokracisë [sipas tij atje pesë forma demokracish të cilat i kam përmbledhur në studimet e mija] mes demokracive; dhe në të vërtetë kjo lloj oligarkie merr emërin e dinastisë (ose sundim i familjeve të fuqishme).

Mirëpo, në kohën e Aritotelit nuk ishte themeluar ndonjë “demokraci” përfaqësuese e llojit që kemi në dy-tre shekujt e fundit. Dhe për pasojë, ne duhet të kuptojmë së pari natyrën e kësaj të fundit dhe pse është e tillë. Në studimet e mija kam treguar pse është e tillë. Ndaj këtu do t`i përmbahem kuptimit të konceptit oligarki: se ajo është një formë qeverisëse nga pak njerëz. Por si krijohet kjo lloj qeverisje?

Dihet se ne kaluam nga një lloj oligarkie —elita komuniste ishte një lloj oligarkie— në një tjetër. Por ndryshimet janë të mëdha: elita komuniste administronte gjithë pushtetet, politik, ekonomik, shoqëror, dhe ushtarak. Ndërsa në oligarkinë e kohëve tona, elita politike administron gjithë pushtetet por më pak pushtetin ekonomik. Ky është lënë ‘i lirë’ sepse besohet se kur ndërmarrjet e lira konkurrojnë - gjenerojnë mirëqenie për të gjithë. Kështuqë pushteti ekonomik u krijua nga elita jonë politike dhe administrohet nga ajo: sepse pavarësisht se një lloj lirie është lejuar, ndërmarrjet kontrollohen nga pushteti politik (kur marrin leje për veprimtari ekonomike etj.). Mirëpo, kur partitë lanë të ‘lirë’ pushtetin ekonomik, dinin se do të varfëroheshin.

Kështuqë, filluan t`i “mjelin” ato si me financime të drejtëpërdrejta në parti ashtu dhe me taksa. Por pavarësisht “mjeljes” përkatëse, pushteti ekonomik u pasurua më shumë se partitë politike dhe për pasojë dikton politikat—jo sepse është detyrimisht i keq, por sepse zotëron shumë pushtet ekonomik: sepse kur një ndërmarrës administron mijëra punëtorë dhe zotëron qindra prona dhe miliona euro, më shumë se buxheti i qeverisë, detyrimisht që ai do të ushtrojë presion mbi pushtetin politik nëse ky i fundit vepron kundër tij ose kundër fitimeve të tij.

Shkurt, pushteti politik krijoi pushtetin ekonomik dhe të gjithë bashkë riprodhojnë veten dhe qeverisin qoftë edhe duke mashtruar dhe kryer krime. Në dijeni të këtij efekti, por edhe të faktit tjetër se klasa jonë politike ose oligarkia jonë, kishte krijuar një sistem drejtësie të korruptuar, nga i cili nuk do të dënohësh kurrë, u krijua Spak-u... 

Kështu, çështja nuk shtrohet se si të luftojmë pushtetin ekonomik, siç na thonë të paditurit. Por se si të vendosim drejtësi në një sistem tejet oligarkik? 

Nëse Berisha, Basha dhe Rama kanë çdo arsye që ta shtrembërojnë konceptin e oligarkisë, sepse duke e shtrembëruar tregojnë të tjerët si të këqij ndërsa përjashtojnë veten nga të qenit oligarkë, pavarësisht se oligarkinë përkatëse e kanë krijuar dhe brujtur vetë, Arlindi nuk ka asnjë arsye: sepse nuk ka qenë pjesë e krijimtarisë së oligarkisë përkatëse—përjashto mundësinë se nuk e ka kuptuar drejtë konceptin përkatës.

Nëse gjykojmë nga një pohim tjetër në të njëjtin emision —se problemi ynë janë oligarkët e këqij, domethënë pushteti ekonomik, sepse ky është kuptimi i tij për oligarkinë, sepse tipat si Rama janë të përkohshëm ndërsa tipat si Maneja janë të përhershëm, kuptohet se ka kuptim të padrejtë, sepse oligarkia ekonomike në vendin tone është krijuar nga oligarkia politike dhe jo anasjelltas siç ka ndodhur gjatë shekujve të fundit të mesjetës me oligarkitë ekonomike të cilat u krijuan nga perandoritë dhe u trashëguan në sistemin e ri të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut të marketingut gjatë shekullit 18, 19, 20 dhe 21.

Oligarkinë ekonomike që trashëgoi vendi ynë nga perandoritë me më të fundit perandorinë osmane të cilën e trashëgoi dhe riprodhoi dhe Zogu, Enver Hosha dhe komunistët e shekullit të kaluar e shkatërruan, sepse kështu mësonte Marksi: se pa shkatërruar sistemin e vjetër ose pushtetet e elitave borgjeze, besonte ai, nuk mund të krijohësh një sistem i ri.   

Ndaj dhe oligarkia politike krijoi oligarkinë ekonomike. Por kujtoj se kuptimi i Marksit ishte gjithashtu i padrejtë: sepse ai kritikonte kryesisht kapitalizmin duke përmendur dhe borgjezitë kur në kohën e tij “demokracia” përfaqësuese ishte krijuar nga oligarkia ekonomike dhe konsiderohësh si një sintezë “revolucionare”. Domethënë, kuptimi i tij ishte klasor dhe nuk e ndante pushtetin politik nga pushteti ekonomik: për të njëjtën arsye ai kritikonte kapitalizmin e kohës së tij që ndryshon shumë nga ky që kemi në kohët tona...                          

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA