Do të çlirohen shqiptarët nga borxhi i hatashëm i klasës politike?
Kontradiktat sistemike të traktatit të Maastricht-it me përqindjen e borxheve dhe e ardhmja e borxhit të Shqipërisë
Ylli Përmeti
14/10/2018 - 09:53
Traktati i Maastricht-it (1992) vendosi një mbikqyrje fiskale shumëpalëshe për anëtarët për t’u përputhur me disiplinën buxhetore duke respektuar dy kritere: përqindjen vjetore të deficitit kundrejt PPB-së prej 3% dhe përqindjen tërësore të borxhit kundrejt PBB-së prej 60%. Racionalja pas kësaj përqindje është se kur një qeveri ka borxhe poshtë shkallës së 60% ka shumë mundësi ta rekuperojë deficitin. Por përse mos të pranojmë një qeveri pa borxhe? Ose, meqë ekonomitë e vendeve anëtare kanë ndryshime në konkurrencë (janë të pabarabartë), përse shifra është e njëjtë për të gjithë? Sa mundësi ka ekonomia shqiptare, për shembull, të rigjallërojë ekonominë e saj kur ajo dominohet nga ekonomitë e mëdha? Dhe si mund të adoptohet e njëjta përqindje për ekonomi të pabarabarta?! Qartësisht, Traktati në fjalë nuk i konsideron këto aspekte. Hamendësisht, sepse u hartua nga vendet metropole të unionit! Siç citon Fotopoulos lidhur me këtë problematikë:
Krijimi i pabarazive të pakapërcyeshme brenda një bashkimi ekonomik, siç është Bashkimi Europian, mund të themelohet jo vetëm mbi teorinë ekonomike radikale, por edhe mbi teorinë ortodokse, pasi në kushte të tregjeve të hapur dhe të lirë, vendet me prodhim dhe efiçencë më të madhe ekonomike do të dominojnë në lidhje me vendet më të dobëta dhe ndryshimet do të jenë më të mëdha, përveç rastit nëse atje ekziston një përpjekje e kundërt e barabartë për kalimin e dinamikës ekonomike nga qendra e bashkimit për përmbysjen e këtyre prirjeve në periferi, që sigurisht nuk ekziston brenda në Bashkimin Europian, as edhe në SHBA, ose në çdo shtet tjetër kapitalist.
Një tjetër çështje që nuk përmendet nga traktati në fjalë është natyra e borxhit: ai është borxh që merret në tregun ndërkombëtar (banka, fonde etj.) dhe jo “borxh” që merret në bankën qendrore të një vendi siç veprohësh shekullin e kaluar me politikat keinsiane! Për të braktisur “borxhin” keinsianist dekadat e fundit janë përdorur disa studime që argumentojnë se ai është i dëmshëm ndërsa borxhi neoliberal është më i shëndetshëm!
Zhytja e popullit shqiptar në borxhe me politikat deficitare
Por sa është borxhi i Shqipërisë dhe sa mundësi ka ai të bierë me kushtet ekonomike që janë krijuar? Sipas një raporti të vitit 2014-të borxhi ynë ishte më shumë se 1500 dollarë për person, (më shumë se $6 miliardë, nga i cili $4 miliardë ishte borxh i brendshëm dhe $2.6 miliardë borxh i jashtëm).
Borxhi, në fjalë të tjera, ishte më shumë se njëmbëdhjetë paga mujore me të ardhura mesatare kur një në tre familje shqiptare ishte e zhytur në borxhe kundrejt bankave – dhe kur 70% e kredive u përdor për blerje të pronës së paluajtshme dhe 50% e tyre u përdor për qëllime likuiditeti, dhe kur gati 65 miliardë lekë kredi të marra në banka nuk ktheheshin nga individët dhe bizneset, ose rreth 17% ndaj totalit. Në qershor të vitit 2019-të borxhi për frymë arriti rreth 3,150 euro. Domethënë, borxhi është më shumë se dyfishuar që nga viti 2014!
Në maj të vitit 2018-të borxhi i përgjithshëm i Shqipërisë sipas FMN-së ra në 72.4 për qind me pritshmëri të binte në 69.8 për qind në vitin 2019-të. Por ndërsa borxhi i brendshëm ra në 35.2 për qind, borxhi i jashtëm u rrit në 37.2 për qind! Thuajse të njëjtën shifër njoftoi dhe KLSH-ja: sipas saj, qeveria “Rama” uli rrejshëm borxhin gjatë vitit 2017-të duke krijuar detyrime të prapambetura (tvsh-në e parimbursuar kundrejt biznesit dhe huamarrjet). Kështu borxhi nuk ishte 70 për qind por 72 për qind ndërsa deficiti buxhetor ishte 3.5 për qind dhe jo 2 për qind siç raportoi ministria e financave. Në fund të vitit 2018-të borxhi publik, sipas qeverisë, ishte 1,107.3 miliardë lekë ose rreth 9.15 miliardë euro ose afërsisht 67.2% e PPB-së ose 3,210 euro për frymë ose gati një vit punë për një punëtor me rrogë mesatare (rreth 400 mijë lekë të vjetër).
Sipas FMN-së borxhi ishte 69.9 për qind, 2.8 për qind më lartë se raporti i qeverisë! Gjatë vitit 2019-të qeveria “Rama” njoftoi borxh prej 63%—një rënie prej gati 9% krahasuar me shifrën që paraqiti KLSH-ja. Por ndërsa borxhi në tërësi ishte në rënie, borxhi për frymë është dyfishuar! Të gjitha këto kur popullsia pritet të bierë edhe më shumë (kur bie popullsia rritet përqindja e borxhit për frymë) dhe eksportet vitin e kaluar ishin vetëm 2.1 miliard euro dhe rezerva valutore e vendit ishte në fund të vitit 2017-të rreth 2.9 miliardë euro. Kjo sasi është më e ulët se borxhi i jashtëm! Ekspozimi i lartë i borxhit publik në raport me PPB-në dhe borxhi i lartë në valutë e rendit Shqipërinë në vendet me rrezik të lartë!
Në fund të marsit 2020, borxhi i jashtëm ishte 8.2 miliardë euro. Ky borxh u rrit edhe më shumë gjatë vitit 2020-2021: sepse qeveria “Rama” mori dy herë borxh përmes “eurobondit” — domethënë shtoi borxhin e jashtëm në kohën kur qeveri të tjera, si qeveria “Bajden”, kishte marr borxh në tregun e brendshëm! Kështu borxhi shkoi mbi 80%.
Borxhi i padukshëm i politikave konçesionare
Paralel me borxhin publik―të cilin qeveria “Rama” filloi ta ulte me politika kursimtare dhe masa të tjera― është krijuar borxhi në nivel bankar dhe ndërmarrjesh: sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) kredia me probleme në Shqipërinë e vitit 2014-të ishte thuajse dyfishuar. BERZH-i e klasifikoi Shqipërinë në nivel të lartë krahasuar me ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi, me 24,4% të gjithë portofolit të kredive të dhëna, duke zënë vendin e parë në rajon. Maqedonia i ka kreditë e pashlyera në nivelin 0,8%, Bosnja më pak se 7% dhe të njëjtin nivel ka Mali i Zi dhe Serbia. Vendi i vetëm në ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi me nivel më të lartë huash bankare të pashlyera se Shqipëria rezulton Kazakistani, me 36,7%. Ky borxh u fshi nga defterët e bankave pasi ndërhyri qeveria “Rama” me një ligj.
Sidoqoftë, qeveria “Rama” e ka rritur borxhin publik edhe më shumë me politikat kon;esionare. Për shembull, vetëm për vitin 2020-të qeveria u pagoi ndërmarrjeve konçesionare rreth 120 milionë euro më shumë ose fatura e pagesave rritet me 18 për qind për shkak të hyrjes në fuqi të kontratave të reja, ndryshe nga viti 2019 kur qeveria paguante nga buxheti 10 ndërmarrje konçesionare! Ndërsa në vitin 2020-të u shlye konçesioni i hidrocentralit mbi lumin Devoll, po të njëjtin vit nisën pagesat për katër konçesione të reja (laboratorët; shkollat në Bashkinë e Tiranës; dhe dy konçesionet e rrugëve, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat).
Kështu nga 7 miliardë lekë që paguante qeveria në vitin 2017-të, vitin 2020-të pagoi mbi 14 miliardë lekë ose sa 3.3 për qind e të ardhurave tatimore nga 2.8 për qind që paguante vitin 2019-të! Konçesionet ndër vite kanë arritur vlerën prej 643 miliardë lekë ose rreth 5 miliardë euro ose sa rreth 36% e PPB-së nga të cilët 64% ose rreth 411 miliardë lekë ose rreth 3 miliardë euro e zënë konçesionet e sektorit të energjitikës, ku ndërmarrjet përkatëse nuk marrin pagesa nga shteti por marrin nga shitja e energjisë ndërsa rreth 2 miliardë euro janë kontrata konçesionare të cilat do të paguhen gradualisht nga buxheti i shtetit për dy dekadat e ardhshme ku barrën kryesore e zënë rrugët, shëndetësia, impiantet e riciklimit, skanimi në dogana dhe infrastruktura shkollore në kryeqytet.
Lexo dhe këtë Borxhet e hatashme të qeverive botërore dhe nevoja për kuptimin e shkaqeve
Praktikisht, jepen më shumë konçesione dhe me kosto më të lartë, se sa shlyhen…në kohën kur qeveria vazhdon të shënojë buxhet deficitar dhe vazhdon të marrë borxhe! Në fjalë të tjera, qeveria “Rama” zvogëloi borxhin e vjetër gjatë mandatit të parë dhe gjysmës së të dytit por e rriti atë me borxhin e ri gjatë vitit 2019-20-21, duke përdorur dy ngjarje të dhimbshme që shënuan shoqërinë tonë: tërmetin dhe pandeminë. Nëse i shtojmë, rrjedhimisht, borxhit që marim tek të huajt dhe të brendshmit dhe borxhin që krijohet përmes politikave konçesionare, ai është rreth 140%!
Borxh të jashtëm apo të brendshëm – cili është më ‘i mirë’?
Kujtoj se borxhi i jashtëm rrit varësinë tonë kundrejt të huajve ndërsa borxhi i brendshëm kundrejt tregut të brendshëm, i cili, është pjesë e politikave të qeverive neoliberale dhe jo anasjalltas. Por ndryshe argumenton një “ekspert” i Voa-s. Ai thotë se burxhi i jashtëm këshillohet me qëllim që qeveria “mos të konkurrojë me biznesin vendas” ndërsa një studim i FMN-së, 2002, me titull, “Zgjedhja mes borxhit të jashtëm dhe të brendshëm për financimin e deficiteve buxhetore: rasti i vendeve afrikane qendrore dhe perëndimore, nxjerr përfundimin që vijon:
Variante të ndryshme për financimin e një deficiti buxhetor kanë kosto të mëdha dhe avantazhe. Avantazhet e financimit të jashtëm ekzagjerohen ndonjë herë dhe kostot e mundshme nënvlerësohen. Qëllimi kryesor i drejtimit të borxhit publik është të sigurojë se kërkesat e huave të qeverive përputhen dhe se detyrimet që burojnë nga ato mund të paguhet në kostot më të pakta në afat mesmë ose afatgjatë, me një shkallë të matur rreziku. Duke u përqendruar në kostot afatmesmë ndërsa shpërnjihen rreziqet afatmesmë dhe afatgjatë është një strategji e rrezikshme. Ndërkëmbimet që duken të pashtrenjta mund të përfshijnë rreziqe të mëdha për qeverinë dhe kështu të nënvlerësojë aftësinë afatgjatë shlyese të saj. Për shumicën e vendeve në zhvillim, borxhe të lartë konçensionarë—kur janë të përdorueshëm— janë zakonisht mënyra më tërheqëse për të financuar deficitet buxhetore...ky rezultat vlen edhe kur vlera e devizës vendore mund të zhvlerësohet.
Kujtoj se FMN-ja është institucion financiar me karakter ndërkombëtar dhe si i tillë kurrë nuk do të këshillojë qeveritë e integruar pjesërisht apo plotësisht në globalizmin neoliberal të marrin borxhe brenda vendit, sepse mbetet pa borxhmarrës. Por kjo s`e pengon të bëjë lidhjen mes avantazheve dhe nënvlerësimit të kostove. Ndryshe nga FMN-ja, një studim i OKB-së (UNCTAD: 2008) tregon se “megjithëse borxhi i brendshëm ka ndërlikime pozitive të rëndësishme për drejtimin e borxhit, politikëbërësit nuk duhet të jenë tejet të kënaqur”.
Gjykuar nga këto përfundime, por dhe nga praktikat që ndjek qeveria amerikane —se ajo merr borxh kryesisht brenda vendit— prej të cilës “ekspertët” dhe politikanët tanë mësojnë, ku e gjen argumentin “eksperti” i Voa-s sipas të cilit këshillohet të merret borxh jashtë vendit me qëllim që qeveria mos të konkurrojë me biznesin vendas?!
Pyetjes se cili është borxh më ‘i mirë’, rrjedhimisht, mund t`i përgjigjemi jo duke iu përmbajtur studimeve që përmenda, sepse ata nuk përmendin politikat financiare të shekullit të kaluar në vendet perëndimore, keinsianiste, por mençurinë e popullit tonë, i cili thotë “më mirë fli pa darkë dhe zgjohu pa borxhe”. Por kjo ‘mençuri’ s`mjafton për sa kohë që populli po zhytet në borxhe dhe nuk po reagon!
*Kjo analizë është përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 152 reads



