...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Implikimet me kampin e muxhahedinëve & refugjatëve sirianë: Shqipëria sulmohet nga Irani

Trampi krahasuar me Obamën, ka krijuar dy premisa përmes të cilave mund ta braktisë luftën kundër Iranit dhe bashkë me të dhe muxhahedinët: ai është anti-globalist dhe ka siguruar energjinë brenda vendit. Këto premisa do ta çojnë Trampin në realizimin e një marrëveshje për rajonin pavarësisht se Arabia Saudite dhe Izraeli do të përpiqen ta mbajnë të lartë tensionin me qëllim që të mbajnë Amerikën të angazhuar në rajon.

Ylli Përmeti

16/01/2020 - 20:46

Në vijim do të shqyrtoj implikimet e Shqipërisë lidhur kampet e muxhahedinëve dhe sirianëve neoliberalë —sepse për të tillë bëhet fjalë—  ndërsa do të tregoj se pse Shqipëria implikohet në afat-gjatë. Arsyeja kryesore pse erdhi Kerri, ministri i jashtëm amerikan i administratës “Obama”, në fillim të vitit 2016-të, ishte strehimi i ‘muxhahedinëve’ iranianë në Shqipëri. Kjo çështje implikon në afatgjatë Shqipërinë. Së pari, strehimi i tyre na armiqëson me Iranin. Nëse lufta kundër regjimit të Iranit intesifikohet nga Trampi dhe muxhahedinët përdoren nga Uashingtoni kundër Iranit, nuk do të ishte e çuditshme që të dëshmojmë ndonjë ‘mësymje’ agjenturore të Iranit në Shqipëri dhe vrasjen e tyre në vendin tonë apo ndonjë raketë të lëshuar nga Irani në mes të Shqipërisë! Kujtoj se Irani ka raketa që arrijnë deri në Shqipëri! Një tentativë është ndërmarr tashmë kur u zhvillua një takim i muxhahedinëve në Paris —Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, një organizatë që dikur ishte listuar në organizatat terroriste nga Amerika dhe Evropa— me aleatët e tyre ku ishte i pranishëm dhe Majkua! Ndërkohë, dy operativë iranianë janë arrestuar në Shqipëri, janë dëbuar katër diplomatë (ambasadori dhe një diplomat në vitin 2018 dhe dy të tjerë u dëbuan pas vrasjes së Sulejmanit). Holanda, gjithashtu, ka dëbuar dy anëtarë të personelit të ambasadës iraniane në Amsterdam. Gjykuar nga lëvizjet e muxhahedinëve, qendrimet e Trampit dhe avokatëve të tij (Rudy Giuliani etj.),[1] opozita iraniane po “përgatitet” për të larguar qeverinë iraniane me gjithçka që nënkupton kjo ‘përgatitje’.

Së dyti, fakti që organizata e muxhahedinëve filloi veprimtarinë e saj politike si një lëvizje ‘çlirimtare’, e ndikuar nga nocionet shii-te të flijimit, teoritë klasike të luftës së klasave dhe determinizmit historik marksist dhe konceptet neomarksiste të betejës klasore, luftës guerrile dhe heroizmit revolucionar,[2] dhe kërkon një shoqëri paklasa ndërsa bën thirrje vetëm për shkatërrimin e regjimit të Iranit, sepse sipas organizatës ai është një regjim autoritar, duke mos treguar vetë si organizatë se është ndryshe nga regjimi i Iranit, dhe duke bashkëpunuar për realizimin e objektivit të saj me vendet Perëdimore, klasore!, tregon se kjo lëvizje s’është aspak serioze jo vetëm lidhur me marksizmin beteja e të cilit është ndërkombëtare por edhe lidhur me bashkëpunëtorët saj: neoliberalët! Ndërsa kjo është njëra anë e çështjes, tjetra, është se vendet Perëndimore në njërën anë luftojnë lëvizjet “marksite”, në tjetrën, bashkëpunojnë me ta për të rrëzuar një regjim që refuzon të çlirojë dhe liberalizojë tregjet: sepse duhet thënë se muxhahedinët bartin edhe një kontradiktë tjetër në raport me marksizmin: ata mbështesin një ekonomi të lirë tregëtare! Kjo është një arsye pse ata mbështeten nga amerikanët: sepse plotësojnë një ndër kriteret kryesore të ideologjisë së rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal: çlirimin dhe liberalizimin e tregjeve![3]

Por Trampi krahasuar me Obamën, ka krijuar dy premisa përmes të cilave mund ta braktisë luftën kundër Iranit dhe bashkë me të dhe muxhahedinët: ai është anti-globalist dhe ka siguruar energjinë brenda vendit. Këto premisa do ta çojnë Trampin në realizimin e një marrëveshje për rajonin pavarësisht se Arabia Saudite dhe Izraeli do të përpiqen ta mbajnë të lartë tensionin me qëllim që të mbajnë Amerikën të angazhuar në rajon. Duhet thënë se muxhahedinët nuk janë përdorur nga amerikanët siç përdoreshin reaksionarët shqiptarë shekullin e kaluar: kundër socializmit marksist dhe Enver Hoxhës - me diversantë. Muxhahedinët thjesht organizojnë mbrëmje ku më shumë dëfrejnë sesa shqyrtojnë veprime të mundshme. Një aspekt tjetër, është mosha dhe disiplina e muxhahedinëve: ata përgjithësisht janë mbi 50 vjeç dhe nuk lindin fëmijë. Për pasojë, ata do ta braktisin vetë përpjekjen për të kërkuar ndryshim regjimi në Iran dhe fshati ku banojnë ose do të shkretohet ose do ta shfrytëzojë qeveria shqiptare. Por rreziku i ndonjë sulmi ekziston pavarësisht se qeveria “Rama” ka dëbuar katër diplomatë iranianë. Irani mund të sulmojë vetëm nëse përdoren muxhahedinët nga amerikanët; ndryshe, ata nuk përbëjnë rrezik. Karakterizimi i udhëheqësit suprem të Iranit —se ne jemi një vend “shumë i lig”— ka natyrë fetare/të padrejtë: sepse përgjithësisht hoxhallarët dhe priftërinjtë përdorin këto lloj “damkash” për njerëzit kur dihet se ne nuk jemi të liq (megjithëse ligësinë e kemi mes nesh si gjithë popujt e tjerë) në raport me zgjedhjet tona por pikë së pari idiotë ose padije: nuk dinim, për shembull, se ku do të çonte braktisja e socializmit marksist. Si i tillë, ai nuk mund të quhet kërcënim por thjesht një karakterizim i padrejtë. Vendosja e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri nuk është bërë për arsye “humanitare” siç e paraqet Ramë-struci. Por sepse vendi ynë varet nga Uashingtoni dhe Brukseli—në kuptimin që jeta në pushtet e elitave tona varet kryesisht nga pushtet përkatëse sesa nga pushteti i popullit prej të cilit supozohet se merr fuqinë. Për të njëjtën arsye, elitat evropiane po përdorin Shqipërinë si “hambar” të refugjatëve sirianë.

Nga muxhahedinët te kampet e refugjatëve sirianë në Shqipëri

Shqipëria, për më shumë, do të përdoret nga perëndimi për të strehuar refugjatët e Sirisë. Kjo çështje si fillim u publikua nga “Le Monde”, sipas së cilës, Austria dhe Danimarka po kristalizojnë idenë e krijimit të një kampi jashtë BE-së. Më pas idenë në fjalë e mbështeti dhe një deputet gjerman i partisë së Merkelit (CDU) dhe media gjermane, e cila, për më shumë, kërkon nga Gjermania të shkëmbejë me Shqipërinë pranimin e refugjatëve me çeljen e negociatave! Në Shqipëri paralelisht filloi përgatitja e konsesusit social: si fillim nga një e përditshme (Panorama: M. Nazarko etj.) dhe gazeta të tjera, duke e shtruar çështjen në raport me refugjatët shqiptarë. Domethënë, se ne na pritën mirë europianët kur ra socializmi marksist dhe ndaj duhet t’i mirëpresim! Gazeta të tjera e shtruan çështjen se ne nuk kemi këllqe për t’i mbajtur (Dita). Ndërkohë qeveria “Rama2” deklaroi se nuk i është kërkuar asgjë nga europianët dhe Rama i quajti “esadistë të rinj” ata që dyshonin në qendrimin e tij lidhur me këtë çështje. Rama argumentin e tij e mbështeti me mbledhjen e BE-së për refugjatët ku vërtet nuk pati ndonjë vendim të rëndësishëm.

Sidoqoftë, gjykuar nga fakti se europianët po e deklarojnë dhe propagandojnë si mundësi krijimin e kampit (në fakt, vetëm “kamp” nuk mund ta quajmë nëse kemi parasysh numrin e madh të tyre) dhe nga marrëveshja europiane për emigrantët, ku çështja e ngritjes së kampeve në BE/Eurozonë nuk u përjashtua, dhe nga marrëveshja e partive gjermane në pushtet, se do të krijohen qendra trazitore në kufij (sidomos mes Gjermanisë dhe Austrisë) për emigrantët e regjistruar tashmë në vende të tjerë të BE-së dhe do të kthehen brenda 48 orëve në vendin ku janë regjistruar[4]...edhe nëse nuk ia kanë kërkuar krijimin e kampit, në kushtet aktuale kur Shqipëria pret çeljen e negociatave për anëtarësim në BE nuk do të ishte e çuditshme që t’ia kërkojnë së shpejti ose të bllokojnë çeljen e negociatave me qëllim që vetë Rama t’u thojë se Shqipëria është gati të ngrejë kampin mjafton ju të çelni negociatat. Kjo është një çështje që europianët mund ta realizojnë meqënse në BE po krijohen kushtet politike dhe sociale nga partitë neo-nacionaliste që refugjatët të mos pranohen.

Çështja tjetër që duhet të marrë përgjigje është se pse europianët nuk pranojnë ta ngrejnë kampin në BE? Hamendësisht, sepse kanë frikë nga sjellja e militantëve të ISIS-it në shoqëritë europiane dhe nga reagimi i partive neo-nacionaliste. Aktualisht në Gjermani është krijuar bindja se refugjatët nga Siria kanë rritur shkallën e përdhunimeve. Sipas një hetimi gazetaresk, rreth një e treta e rasteve (rreth 100) është shkaktuar nga refugjatët, ndërsa një e treta tjetër mbetet e paidenfikuar. Përqindja tjetër janë të huaj me gjendje të pazgjidhur banimi, qytetarë të bashkimit europian dhe në 22 raste, shtetas gjermanë.[5] Sidoqoftë, gjykuar nga fakti se me refugjatët sirianë do të ketë dhe militantë (ose një përqindje e madhe e tyre) të ISIS-it, dhe nga gjendja e tyre psikologjike dhe mendësia, kriminale, pa dyshim që përqindja e krimeve mbi femrat europiane (dhe jo vetëm) do të rritet. Është pikërisht ky fakt që tremb europianët dhe i detyrohen të krijojnë kampe në vende ku krimi është tashmë tejet i lartë, si Shqipëria, duke i shtuar dhe krime të mundshëm të tjerë!

Qoftë edhe nëse shqyrtojmë mendësinë e refugjatëve të tjerë nga Siria —individët që as kanë luftuar kundër Asadit me ISIS-in as e kanë mbështetur regjimin atje— ne duhet të mbajmë një qendrim kritik: sepse supozohet se njerëzit që mbrojnë vendin e tyre do të mbrojnë dhe vendin e ri ku shkojnë – sepse kanë kuptuar se cilët luftojnë për drejtësi. Por gjykuar nga fakti se niveli i emancipimit të njerëzve është i pabarabartë dhe rrjedhimisht kuptimi se cila palë zhvillon luftë të drejtë mungon, gjithashtu dhe nga fakti se fëmijët nuk luftojnë dot dhe se ata kanë nevojë për përkujdesje nga nënat, do të ishte e natyrshme që të dynden në dyert e Evropës dhe të kërkojnë strehim dhe mbrojtje. Lidhur me këtë aspekt, në Spartën antike u zhvillua një debat i gjatë për rolin e gruas në shoqëri: për vite me radhë ajo përcillte djalin në luftë me fjalët “H τὰν ἢ ἐπὶ τᾶς” — “kthehu me këtë mburojë ose mbi të” duke i dhënë mburojën birit. Shumë prej tyre ktheheshin mbi mburojë – të vrarë. Pasi u pakësuan meshkujt filloi të ngjizësh ideja e pjesëmarrjes së femrave në luftë në emër të drejtësisë së jetës: sepse jeta e njëjtë është për të dyja gjinitë. Kështu femrat filluan të merrnin pjesë në luftë dhe ta shikonin veten të barabartë edhe në këtë fushë-betejë. Kjo etikë u zhvillua edhe në fise të tjerë pellazgë dhe ilirë dhe u adoptua dhe në luftën e LANÇ-it.

Varianti i kthimit të refugjatëve në atdhe përjashtohet për sa kohë që në Sirinë jug-perëndimore lufta vazhdon —atje ku operon opozita— dhe Asadi kërkon ose dorëzimin ose vdekjen e tyre dhe Trampi është tërhequr —të paktën në deklaratë— nga ofrimi i ndihmës për ta. Qoftë edhe nëse perëndimorët bashkërendojnë përpjekjet për të paqëtuar gjendjen në Siri dhe njohin Asadin si fitimtar të luftës, dhe ky fillon ndërtimin e vendit, çështja e militantëve të ISIS-it mbetet e pazgjidhur përsa kohë që Asadi nuk mund t’i falë dhe t’i integrojë në jetën social-politike të vendit. Mbetet në fuqi varianti i kampit. Por në Shqipëri ai nuk mund të krijohet edhe sepse numri i tyre (fillestar) është thuajse sa një e treta e popullsisë vendase dhe nëse në Gjermani ku popullsia është disafish më e madhe se në vendin tonë dhe krimet e refugjatëve duken pak për shkak të popullsisë, në Shqipëri ata do ta çojnë raportin shumë lartë dhe herët a vonë, shqetësimi i popullatës do të vërshojë në rrugë. Pa përmendur faktin se mund të krijohen forca politike neo-nacionaliste —simotra të forcave europiane— dhe të fillojnë të trazojnë ujrat e brishtë të shoqërisë shqiptare. Disa janë tashmë krijuar.

Kujtoj, në fund, edhe një herë, se qeveria “Rama” dhe opozita mbështeti vendimin e perëndimorëve për ndërhyrje në Siri me militantët e opozitës atje. Kjo mbështetje —për të cilën asnjëri s’protestoi në anët tona— është shkaku kryesor se pse vërshuan refugjatët e luftës në Evropë. Kundërshtimi i opozitës, rrjedhimisht, kundër ndërtimit të kampit, është, edhe një herë, hipokrit, jo vetëm lidhur me faktin se nuk kundërshtoi ndërhyrjen në Siri por dhe me faktin se po të ishte në pushtet —me kushtet gjeopolitike që janë krijuar në raport me perëndimin, për të cilët ajo është kontribuesja kryesore— do të vepronte njëlloj si Rama për mos të thënë më keq, duke luajtur me milionat e eurove që nevojiten për kampin. Se çfarë e pengon përparimin e kësaj ideje ose gjëme për vendin tonë, është krijimi i një force politike e cila në çështjet gjeopolitike të superfuqive të qendrojë neutrale, sepse të protestosh kundër saj, rrezikon të nëmesh si anti-human, sidomos kur demagogët e sistemit po luajnë pikërisht me këtë ndjesi: se kur ne patëm nevojë kërkuam të na mbanin – tani, që një popull tjetër ka nevojë, ne u mbyllim derën...duke ngatërruar qëllimshëm natyrën e refugjatëve të Shqipërisë –ekonomikë— me natyrën e refugjatëve të Sirisë dhe Lindjes së Mesme në përgjithësi: ata janë pasojë e gjeopolitikës perëndimore dhe janë “refugjatë lufte”! Por që vendi ynë të mbajë qendrim ‘neutral’ në çështjet e gjeopolitikës së superfuqive duhet të ketë një shkallë të lartë pavarësie ekonomike.

Në kushtet aktuale, me integrimin tonë në BE dhe globalizmin neoliberal, dhe me një klasë politike dhe popull të kriminalizuar, ne vetëm shkallën e pavarësisë ekonomike (dhe politike) nuk mund të rrisim. Kështu kjo çështje, si shumë çështje të tjera, mbetet në dëshirën e mirë të perëndimorëve se sa në mundësitë që kemi ne si popull dhe klasë politike. Nëse kampi ngrihet, në raport me Sirinë (por dhe me Rusinë dhe Iranin) ne do të armiqësohemi më shumë meqënse do të mbrojmë armiqt e tyre. Varianti për ngritjen e kampit në Libi, jo vetëm që është refuzuar nga Libia, pasi ia kërkoi Italia e qeverisë së re (Lega/Yje), por e implikon më shumë si vend kur dihet se ishin perëndimorët që e shkatërruan si vend me ndërhyrjen e tyre atje për shkak të politikave të Gadafit...              



[1]Rudy Giuliani calls for Iran regime change at rally linked to extreme group, The Guardian, 30 Jun 2018.

[2]The Iranian Mojahedin’s struggle for legitimacy, Lina Aarseth Bakke, University of Oslo, 2007, f, 16.

[3]Who are the People’s Mujahedin of Iran? World Socialist, 14 September 2000.

[4]German coalition parties resolve conflict over asylum policy, FT, 04 July 2018.

[5]Is there truth to refugee rape reports, Spiegel, January 17, 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA