Operacionet e mbuluara të Iranit në Shqipëri dhe sulmi me dron
Duke ditur se Shqipëria nuk ka sisteme anti-dronë dhe përpjekjet guerrile të Iranit kanë dështuar, përdorimi i dronëve mbetet një mundësi
Ylli Përmeti
22/07/2022 - 19:32
Sistemet elektronike të Shqipërisë u sulmuan në datën 17 korrik. Qeveria e quajti sulm armik ndërsa Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bëri të ditur se si pasojë u detyrua “të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë”. AKSHI sqaroi se “për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike”.
Agjencia, deklaroi më tej se është “në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën Teknologjisë së Informacionit, për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cënojë sistemet shqiptare të informacionit”. Shërbimi i “e-Albania”, për shembull, u paralizua tërësisht dhe ai ishte i tillë edhe pas 5 ditëve. Dy ditë pas sulmit qarkulloi dyshimi se Shqipëria ishte sulmuar nga Irani si ndëshkim për strehimin e muxhahedinëve dhe në ditën e katërt Top Channel njoftoi se “agresorët” kanë lënë të kuptohet se janë iranianë. Madje kërkuan 30 milionë euro në bitcoin nga autoritetet shqiptare.
Rëndësia e ndryshimit të doktrinës ushtarake të Iranit për sigurinë tonë dhe zhvendosjet gjeopolitike në Lindjen e Mesme
Gjasat janë se pas sulmit mund të qendrojnë shërbimet iraniane jo vetëm sepse Shqipëria strehon muxhahedinët por sepse vetë Irani është viktimë e sulmeve kibernetike dhe së fundmi një sulm ka shkaktuar dëme fizike në një ndërmarrje çeliku. Autoritetet iraniane dyshojnë se muxhahedinët e strehuar në Shqipëri kanë sulmuar shërbimet elektronike atje. Në mars, për shembull, u sulmua faqja elektronike e qeverisë së Iranit. Ata dyshuan anëtarët e muxhahedinëve në Shqipëri. Sipas tyre, ata veprojnë kundër Iranit me një media të mirëfinancuar nga amerikanët dhe duke bërë propagandë në median sociale.
Pas këtyre radhëve shkruajta në faqen time të “facebook-ut” se Irani mund të sulmonte muxhahedinët në Durrës me dron dhe se Shqipëria në dijeninë time nuk ka sistem anti-dronë për t`u mbrojtur! Pas dy ditësh ambasada amerikane njoftoi se muxhahedinët mund të sulmohen gjatë takimit të tyre “botëror të nivelit të lartë Iranit të lirë” në datat 23 dhe 24 korrik ndërsa Spak-u ushtroi kontrolle në banesat e disa prej anëtarëve të MEK-ut duke sekuestruar materiale të ndryshme, sepse dyshohet se një rrjet i kamufluar spiunazhi i maskuar nën veprimtarinë e një shoqate që propagandon se synon bashkimin e iranianëve dhe shkëmbimin kulturor mes dy vendeve ka depërtuar mes tyre.
Të gjitha këto kur qeveria “Rama” ka dëbuar gjashtë iranianë duke përfshirë dhe ambasadorin dhe një diplomat të ambasadës së Iranit në vendin tonë për shkak të aktivitetit të tyre në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik duke filluar nga viti 2018 ndërsa në vitin 2019 policia shqiptare identifikoi anëtarët e një celule iraniane e cila kishte si synim kryerjen e sulmeve ndaj lëvizjes, siç quhet nga amerikanët, opozitare iraniane në Shqipëri. Ajo u konsiderua përgjegjëse për tentativën e dështuar të një akti terrorist në mars të vitit 2018.
Këto mund të jenë disa nga përpjekjet e Iranit për të minuar organizatën në fjalë ndërsa nuk dihet se sa të vërteta janë dyshimet dhe gjetjet e autoriteteve tona, sepse nuk është raportuar ndonjë raport i veçantë. Raporti i SHISH-t/2021 nuk tregon ndonjë gjetje që të tregojë se Irani ka mobilizuar spiunazhin e tij për të minuar përpjekjen e MEK-ut përveç pohimit të përgjithshëm se “aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë njohur rritje në rajon dhe në vendin tonë”.
Por dihet se Irani shqetësohet nga veprimtaria e organizatës së MEK-ut. Dihet, gjithashtu, se MEK-u po përdoret nga amerikanët me miratimin e qeverisë sonë, për të minuar përparimin e shoqërisë iraniane. Veprimet e MEK-ut janë të mbuluara dhe të zbuluara; ‘të mbulura’ janë sulmet kibernetike ndërsa ‘të zbuluara’ veprimet në mediat sociale. Këto veprime nuk përputhen me të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo e fundit ndalon ndërhyrjen e jashtme në punët e brendshme të një shtetit përveç rasteve kur bëhet fjalë për katastrofë humanitare dhe shkelje nga qeveritë e të drejtave të njeriut në mënyrë të përsëritur.
Mbështetja e veprimtarisë së MEK-ut, rrjedhimisht, nga autoritetet amerikane dhe nga klasa jonë politike (sepse opozita nuk e ka kundërshtuar vendosjen e muxhahedinëve në vendin tonë) nuk përputhet me të drejtën ndërkombëtare. Por ky fakt nuk i jep të drejtë Iranit të sulmojë Shqipërinë me armë ushtarake. Kjo është arsyeja pse ai ka vepruar dhe do të veprojë përmes veprimeve të mbuluara. Veprimet e spiunazhit dhe guerrile futen në këtë kategori.
Sipas autoriteteve tona Irani i ka përdorur ato vitet e fundit kundër MEK-ut. Por pa mbrothësi. Por kjo s`do të thotë se ai do të heqë dorë nga përpjekja e tij për të asgjësuar organizatën e amerikanëve. Një mënyrë tjetër, që futet në kategorinë e veprimeve të mbuluara, është përdorimi i dronëve. Irani radhitet në pesë vendet kryesore në teknologjinë e dronëve që në vitin 2015 (National Interest) bashkë me SHBA-në, Izraelin, Kinën dhe Rusinë. Ai ka rezerva të mëdha dronësh dhe mund të furnizojë Rusinë. Disa prej tyre fluturojnë në lartësi të mëdha, janë të padukshëm nga radarët dhe nuk kapen nga sistemet anti-dronë.
Duke ditur se Shqipëria nuk ka sisteme anti-dronë dhe përpjekjet guerrile të Iranit kanë dështuar, dhe dronët gëzojnë një avantazh krahasuar me çdo veprimtari tjetër ushtarake―kursejnë jetën njerëzore― përdorimi i dronëve mbetet një mundësi. Nëse Irani zgjedh të përdorë dronët (modelin Shahed-129, për shembull) ai me siguri do të synojë ose vrasjen e anëtarëve të MEK-ut me ndonjë bombë ose helmimin e tyre; në rastin e parë duhet të mos lërë gjurmë me dronin e tij, në kuptimin e vetë-asgjësimit të dronit në vendngjarje ose kthimin e tij në atdhe; në rastin e dytë mund ta përdorë dronin duke spërkatur vendbanimin e tyre.
Ky operacion nuk është i vështirë për t`u ndërmarrë. Në çdo rast, populli ynë rrezikon, dhe njoftimet e ambasadës amerikane për sulme të mundshme nuk e mbrojnë fare. Madje tregojnë dhe hipokrizi, sepse do të ishte më e ndershme të thoshte që në fillim të njoftimit se “ju kërkojmë ndjesë që u kemi vënë në shenjestrën e Iranit dhe nuk kemi marrë masa për mbrojtjen tuaj, dhe ju kemi detyruar të shkelni të drejtën ndërkombëtare me kosto të mëdha për të ardhmen tuaj...”, u mjaftua me njoftimin ndërsa qeveria “Rama” dhe klasa jonë politike në përgjithesi, nuk është e aftë të ketë as politikë të jashtme të pavarur as të përdorë të drejtën ndërkombëtare në dobi të popullit tonë por e ka futur atë në qorrsokak me pasoja tejet të rënda për të tashmen dhe të ardhmen e tij.
Implikimet me kampin e muxhahedinëve & refugjatëve sirianë: Shqipëria sulmohet nga Irani
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 533 reads



