...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Meta, Komisioni i Venecias dhe K. Parlamentar: nga ‘tejkalimi’ i kompetencave në ‘shkelje’ të Kushtetutës

Qartësisht, fjala ‘tejkalim’ është pjesë e ‘shkeljes’ dhe sinonime e saj.

Ylli Përmeti

30/09/2019 - 13:41

Meta tha pas vendimit të mazhorancës për hetimin e tij lidhur me vendimin e tij për të zhdekretuar zgjedhjet vendore—se nëse Komisioni i Venecias argumentonte se ai kishte ‘shkelur’ Kushtetutën, do të jepte dorëheqjen! Kujtoj se vendimi i Komisionit të Venecias—se presidenti “tejkaloi kompetencat kushtetuese” është përputhur me gjykimin paraprak të Komisionit të Hetimit: fjala ‘tejkalim’ është përdorur nga të dy komisionet. Dhe kujtoj se Komisioni i Venecias konkludon nga aspektet e shqyrtuara të rastit në fjalë “se këto akte nuk mund të kenë qenë të një natyre mjaftueshmërisht serioze për të justifikuar shkarkimin e Presidentit”. Në fjalë të tjera, presidenti sipas K. Venecias ‘tejkaloi’ Kushtetutën por veprimet e tij nuk janë mjaftueshëm serioze saqë të kërkohet shkarkimi i i tij!

Ishte pikërisht ky përfundim—se presidenti “tejkaloi Kushtetutën por nuk ka shkelje për shkarkim”—që shtypi i përditshëm theksoi (Panorama p.sh.). Për pasojë, Meta filloi të kërcente si “plesht”…nga gëzimi dhe ditën e nesërme deklaroi se ai nuk kishte shkaktuar asnjë shkelje të Kushtetutës—në fjalët e tij: “Zero shkelje të Kushtetutës”…duke u përpjekur edhe një herë të përligjte vendimin e tij jo me argumentin kryesor që paraqiti në Komision dhe kishte përmendur në konferencat për shtyp gjatë fazës së fillimit të shkarkimit të tij—se ‘kërcënohësh siguria kombëtare’ nga “akte destabilizimi” nga “persona të caktuar” gjatë protestave…një pretendim që pritet të zbardhet nga Komisioni i Hetimit se sa i vërtetë është—por me argumentin “se [ai] i ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer Kushtetutës dhe pluralizimit politik...të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventes Europaine të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial”!

Ky argument ishte i pari gjatë paraqitjes së tij në Komision në 9 shtator ndërsa argumenti i dytë—se kishte informacion të klasifikuar për kërcënim të sigurisë kombëtare— ishte i dyti.

Kështu, fakti që vendimi i Komisionit të Hetimit do të duhet ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese që të vendosë për “fatin” e Metës, dhe fakti që Komisioni i Hetimit filloi procesin e shkarkimit të presidentin me përdorimin e termit ‘tejkalim’ dhe jo ‘shkelje’ dhe Komisioni i Venecias përdori të njëjtin term, duke i dhënë të drejtë Metës të mbrohet dhe mos të dorëhiqet, mbetet ose të qartësohen termat përkatës ose të zgjerohet spektri i hetimeve përtej përcaktimeve kushtetuese—në veprimet e tij në skenë dhe prapaskenë— lidhur me përpjekjet e opozitës për të destabilizuar vendin dhe minuar reformën në drejtësi dhe rolin e tij në këtë përpjekje: sepse gjasat janë se Gjykata Kushtetuese do të vendojë njëlloj si Komisioni i Venecias—domethënë, nuk do të miratojë shkarkimin e Metës pikërisht sepse do t`i përmbahet gjykimit të ngushtë të rastit si nga K. Venecias ashtu dhe nga Komisioni Parlamanetar!

Meta ishte aq i sigurt për fjalët ‘tejkalim’ dhe ‘shkelje’ saqë thoshte se nuk e ka ‘shkelur’ Kushtetutën dhe se ‘tejkalimi’ i kompetencave nuk e shqetësonte fare kur dihet se kuptimet e fjalëve përkatëse në sytë e drejtësisë kanë të njëjtin kuptim qoftë edhe nëse përmendim një veprim të thjeshtë njerëzor në rrugë: kur një shofer ‘tejkalon’ shpejtësinë e lejuar, ai dënohet ose me…Kur ‘shkel’ kufirin e lejuar ai e tejkalon atë dhe për të njëjtën arsye vendohet njëlloj!

Fjala ‘tejkalim’ dhe ‘shkelje’ e ligjit kanë të njëjtin kuptim. Kodi i procedurës civile dhe penale dhe Kushtetuta nuk i kanë përcaktuar këta dy koncepte ndërsa përmendet vetëm termi ‘shkelje’ dhe ‘parregullsi’ ndërsa termi ‘tejkalim’ përmendet vetëm një herë në Kushtetutë (neni 17).

Në këto kushte, mund të përdoren kuptimet e fjalorëve ligjor të huaj. Sipas fjalorit juridik amerikan, “shkelja (violation) është një ‘dëmtim’, ‘kundravajtje’, thyerje e kompetencës, detyrës, ose ligjit” (The Law dictionary: what is violation?). Ndërsa fjala ‘tejkalim’ ka të njëjtin kuptim me fjalën ‘shkelje’ vetëm në kuptimin e saj të parë. Fjalori ynë, ndërkohë, fjalës ‘tejkalim’ nuk i jep ndonjë kuptim juridik. 

Fjala ‘tejkalim’ nënkupton një lloj veprimi ndërsa fjala ‘shkelje’ nënkupton përfundimin e tij. Kjo është arsyeja pse përdoret fjala ‘shkelje’ në rastet kur ‘tejkalohet’ ligji...dhe jo fjala ‘tejkalim’. Dhe kjo është arsyeja pse Komisioni i Venecias përdori fjalën ‘tejkalim’ dhe jo ‘shkeljen’: sepse supozohet se hetimi do të përcaktojë shkallën e ‘tejkalimit’ të kompetencës (drejtës) së presidentit.  

Qartësisht, fjala ‘tejkalim’ është pjesë e ‘shkeljes’ dhe pararendëse e saj. Komisioni i Venecias e shikon konceptin e ‘tejkalimit’ si ‘shkelje’ por duke e nënkuptuar atë ndërsa flet për “shkelje sorioze”, sipas të cilit, Meta nuk ka kryer “shkelje serioze...”.

Fakti që K. Venecias nuk përmend fjalën ‘shkelje’ por ‘tejkalim’ lë hapësirë për gjykim sipas dëshirës nga establishmenti politik sidomos nga Meta.

Sidoqoftë, është e qartë se presidenti ka kryer shkelje me tejkalimin e kompetencave lidhur me zhdekretimin e zgjedhjeve ndërsa ka bashkëpunuar —në skenë dhe prapaskenë— me opozitën për minimin e reformës në drejtësi.         

Shkeljet e rënda kushtetuese të Metës dhe kërcënimi me burg

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA