Miti i “sigurisë kombëtare” me anëtarësinë tonë në NATO dhe implikimet me bazat ushtarake
Në vijim do të tregoj mitin e sigurisë sonë nga NATO-ja dhe implikimet e propagandës së elitave moderne dhe masmedias që ato kontrollojnë mbi popujt meqënse e “hanë sapunin për djathë” lidhur me ngjarjet e mëdha që ndodhin rreth tyre, nga të cilat nuk përcaktohet vetëm qendrimi i tyre lidhur me to por dhe e ardhmja e tyre
Ylli Përmeti
02/06/2022 - 14:26
Më 4 mars Rama përuroi hapjen e bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë dhe e paraqiti atë “të një rëndësie që tejkalon kufijtë e Shqipërisë” për sigurinë tonë nga “kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”! Në vijim do të tregoj mitin e sigurisë sonë nga NATO-ja dhe implikimet e propagandës së elitave moderne dhe masmedias që ato kontrollojnë mbi popujt meqënse e “hanë sapunin për djathë” lidhur me ngjarjet e mëdha që ndodhin rreth tyre, nga të cilat nuk përcaktohet vetëm qendrimi i tyre lidhur me to por dhe e ardhmja e tyre!
Lidhur me tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, për shembull, për ta qetësuar popullin shqiptar nga agresioni serb, mediat e kontrolluara nga elitat perëndimore (Voa, DW etj.) citojnë në titullin e lajmeve se “Stoltenberg: Nato gati të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë” ndërsa në përmbajtjen e raportit citohet se bëhet fjalë për misionin e Nato-s, KFOR-in, i cili ka për detyrë të “kontribojë në një mjedis të qendrueshëm dhe të sigurtë; të mbështesë dhe bashkërendojë përpjekjen ndërkombëtare dhe praninë qytetare; të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qendrueshme, demokratike, shumë-kombshe dhe të paqtë; dhe të mbeshtesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosoves”.
KFOR-i mbështetet në vendimin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe u vendos në Kosovë në vitin 1999 pas ndalimit të veprimeve ushtarake serbe dhe bombardimeve të NATO-s dhe largimit nga disa krahina të Kosovës. Marrëveshja e Kumanovës përshkruan detyrat e KFOR-t (Apendix B), ku thuhet se ajo do të përdorë “forcën” ushtarake nëse nevojitet por askund s`përmendet “mbrojtjen” e Kosovës nga ndonjë agresion, as edhe ndonjë afat kohor, ndërsa ka rreth 3,750 trupa ushtarake në Kosovë nga 27 shtete...nga më shumë se 35,000 që kishte pas luftës duke përfshirë dhe trupat ushtarake ruse.
Detyra e tij, rrjedhimisht, nuk është të ‘mbrojë’ shqiptarët nga ndonjë agresion ushtarak i mundshëm nga Serbia përsa kohë që në detyrën e tij nuk përfshihet asnjë herë fjala ‘mbrojtje’. Kjo është arsyeja se pse ai ka për detyrë të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Edhe nëse hemendësojmë se KFOR-i për vetëmbrojtje mund të përfshihet në luftë kundër ndonjë mësymjeje serbe, atij i duhet mandat nga OKB-ja dhe sigurisht përgatitja ushtarake.
Me zhvillimet e fundit mes superfuqive Këshilli i Sigurimit në OKB kurrë s`ka për të marrë vendim për ndërhyrje ushtarake në rast agresioni ndërsa vetë anëtarët e Nato-s kurrë s`kanë për të votuar njëzëri përfshirjen e Nato-s në të. Argumenti i kreut të Nato-s se Nato-ja është e gatshme të ndërhyjë në rast agresioni lidhet me KFOR-in por mandati i këtij të fundit varet nga OKB-ja dhe jo nga kreu i Nato-s! Edhe nëse hamendësojmë se anëtarët e Nato-s arrijnë njëzëshmëri, ajo duhet të miratohet nga KS në OKB.
Por le ta shkoqisim më shumë këtë çështje me qëllim që populli të kuptojë se sa i dhimbshëm është “sapuni” që ha për “djathë” nga elitat.
Anëtarësimin tonë në NATO, klasa jonë politike dhe veçanërisht qeveria “Berisha” e paraqiti si ngjarje të jashtëzakonshme për sigurinë tonë kombëtare; madje dhe si çlirim kombëtar! Berisha, për shembull, e përshkroi si “ditën më të madhe për Shqipërinë, që nga pavarësia e saj” në ditën e anëtarësimit ndërsa pesë vjet më vonë tha se “ky akt përbën arritjen më madhore në fushën politike dhe atë të sigurisë kombëtare [...] pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”.
Klasa jonë politike dhe veçanërisht Berisha ka çdo arsye që ta paraqesë anëtarësimin në fjalë si “arritje shekullore” dhe të krijojë mitin se ne mbrohemi nga organizata në fjalë, sepse shkatërroi ushtrinë dhe industrinë ushtarake dhe bashkë me të dhe ekonominë tonë. Propagandën e Berishës e vazhdoi dhe qeveria “Rama” sidomos dy vitet e fundit me krijimin e një baze ushtarake ajrore në Kuçovë dhe një tjetër detare, në Durrës; të parën ministrja jonë e “mbrojtjes” e paraqiti si projekt “jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por mbi të gjitha për sigurinë rajonale” ndërsa të dytën si një vlerë tjetër të rëndësishme të shtuar në infrasturkturën dhe logjistikën e aleancës! Krijimin e tyre e kërkoi vetë qeveria “Rama” duke “autorizuar agjencinë e Natos për prokurimet dhe mbështetjen – NSPA, për hartimin e master-planit për bazën e Kuçovës” ndërsa për bazën e dytë i paraqiti një projekt Nato-s, për të cilën e njëjta qeveri kishte parashtruar një kërkesë që në vitin 2019, fill pas njoftimit të bazës së parë, në 13 korrik 2022. Në të njëjtën linjë paraqitet dhe klasa politike në Prishtinë me qeverinë “Kurti” në krye!
Të gjitha këto kur Greqia si anëtare e Nato-s ―që në vitin 1952― për t`u mbrojtur nga Turqia ―anëtare që në vitin 1951― krijoi aleancë me Francën dhe po fuqizon ushtrinë e saj dhe kur Nato-ja ka një nen (5) sipas të cilit “një sulm ushtarak kundër një ose më shumë anëtarëve në Evropë ose Amerikën Veriore duhet të konsiderohet një sulm kundër gjithë atyre dhe rrjedhimisht ata pajtohen të ndihmojnë palën ose palët, veçmas ose me palët e tjera, duke përdorur fuqinë ushtarake për të ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut Verior” [...], i cili është përdorur për herë të parë në 11 shtator të vitit 2001 kur u sulmua SHBA-ja duke mbrojtur qiejt e saj për rreth tetë muaj dhe më pas kundër ‘terrorizmit’ në Mesdhe, kryesisht për të mbrojtur lundrimin e anijeve. Greqia mbështetet nga SHBA-ja dhe BE-ja në “luftën” e saj kundër Turqisë dhe pavarësisht këtij fakti por dhe nenit 5 të aleancës ushtarake të Nato-s, ajo krijoi aleancë me Francën për të mbrojtur veten!
Kujtoj edhe një herë se Greqia është bërë vetë shkak për tensionet me Turqinë, kryesisht lidhur me pretendimin e saj për të zgjeruar ujërat detare dhe zonën ekonomike të saj. Ky shkak buron nga një shkak tjetër: gjendja e keqe ekonomike greke dhe nevoja për të shfrytëzuar burimet energjitike në det me qëllim që të mbështesë ekonominë e saj. Këtë nevojë kërkon ta shfrytëzojë dhe Turqia meqë gjendja e saj ekonomike është e keqe gjithashtu. Gjendja ekonomike e tyre, me radhë, është shkaktuar nga politikat neoliberale që kanë përdorur të dy vendet 3-4 dekadat e fundit. Këto politika i ka imponuar perëndimi në përgjithësi dhe Uashingtoni në veçanti, në bashkëpunim me elitat përkatëse, sipas politikës së “kulaçit dhe kërbaçit”.
Ky parim përdoret në varësi të karakterit të elitave kombëtare: kur ato gëzojnë mbështetje të gjerë popullore dhe tregojnë pavarësi politike elitat perëndimore përdorin kryesisht politikën e “kulaçit” dhe anasjelltas. Në rastin e klasës sonë politike shtohet dhe servilizimi. Këtë të fundit e tregojnë çdo ditë sidomos kundrejt Uashingtonit. Madje e kanë treguar që kur braktisën socializmin marksist. Siç rrëfen Sabit Brokaj, anëtar i partisë “socialiste” pas braktisjes së socializmit marksist:
Në janar të vitit 1992 Nano njofton në kryesinë e PS-së se duhej të shkonte në Romë për një vizitë. Në fakt, prej Rome ai shkoi në Nju Jork në një takim, ku midis bashkëbiseduesve ishin edhe Biberajt. Në takim, që zgjati për orë të tëra pa ndërprerje, Nano, me përulësi, u kish kërkuar mbështetësve të ardhjes në pushtet të PD-së, në shkëmbim të ndihmës për fitoren, të paktën, t’i jepnin postin e ministrit të Jashtëm.
Nanua kërkoi, në fjalë të tjera, nga shqiptarët e Amerikës, të cilët nxisin deputetët e Kongresit dhe anëtarët qeverisë së Uashingtonit për të mbështetur “aktorë” të veçantë politikë, t`i jepej ministria e jashtme në shkëmbim të ndihmës për fitoren e PD-së duke shkaktuar me një veprim tre padrejtësi: një herë kur gënjeu kryesinë e PS-së; një herë kur kërkoi mbështetje politike në Uashington; dhe një herë kur kërkoi ministri në shkëmbim të mbështetjes së pushtetit të PD-së.
Kështu, përpara se të tregoj mitin e “sigurisë sonë kombëtare” do të ishte e domosdoshme të kuptojmë se pse nuk ndërhyri Nato-ja në rastin e ndërhyrjes ushtarake turke në Qipro mes Greqisë dhe Turqisë. Qiprua u themelua si shtet i pavarur në vitin 1960 sipas kushtetutës së hartuar nga marrëveshja mes Londrës dhe Zyrihut. Nga ky vit deri në vitin 1974 pati tensione të brendshme mes qipriotëve grekë dhe qipriotëve turq ku u përfshin pushtetet e jashtme (Athina, Ankaraja, Londra, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik). Athina ishte nën pushtetin e juntës ushtarake e mbështetur nga SHBA-ja. Kjo e fundit organizoi një grusht shteti në Qipro me qëllim që ta bashkonte me Greqinë. Si pasojë, Turqia ndërhyri ushtarakisht për të mbrojtur qipriotët turq. Që nga ajo kohë tensionet mes Athinës dhe Ankarasë kanë qenë të përhershme me të parën të mos njoh deklaratën e pavarësisë nga qipriotët turq të shpallur në vitin 1983.
Kujtoj se kur Turqia pushtoi Qipron, Nato-ja me në krye Uashingtonin, nuk u përpoq as t`i paqëtonte përpara ndërhyrjes ushtarake e as të mbronte palën greke e cila pretendon se i takon gjithë ishulli. Bashkimi Sovjetik e lidhi armiqësinë mes aleatëve të Nato-s në atë kohë me aleancën perëndimore: “BS, në një përpjekje për të lidhur Nato-n drejtpërdrejt me armiqësitë në Qipro, nënkuptoi sot se aleanca perëndimore kishte urdhëruar pushtimin turk të ishullit pasi dështoi të fitonte kontroll përmes grushtit të shtetit të udhëhequr nga Greqia më herët”, citonte New York Times në atë kohë duke cituar gazetën “Pravda” të partisë komuniste.
Sipas të njëjtës gazetë, diplomatët evropianë ishin të përçarë në Nato në fillim të krizës mbi Qipron. Por ata u përballën me zyrtarët amerikanë, sepse “administrata e Niksonit ishte përfshirë në prapaskenë në Greqi dhe Turqi kur partnerët e tjerë të aleancës ishin të lirë të mbanin një qendrim publik kundër udhëheqësve grekë”. Në vigjile të pushtimit turk të Qipros me banorë turko-qipriotë, nën-sekretari i shtetit Xhozef J. Sisko paralajmëroi kryeministrin turk Bulent Exhevit se nëse ai shkonte në luftë kundër Greqisë, do ta izolonte Turqinë dhe do të humbiste ndihmën ushtarake amerikane” ndërsa një ditë më pas “paralajmëroi kryeministrin grek Adamantios Andruçopulos se nëse Greqia shkonte në luftë kundër Turqisë ajo do të përballësh me ndalim të furnizimeve me armë amerikane dhe do ta gjente veten të izoluar, gjithashtu”.
Pikërisht për këtë arsye―se në rast lufte mes Greqisë dhe Turqisë― Nato-ja dhe Uashingtoni mund të mos e ndihmojë Greqinë, kjo e fundit nënshkroi vitin e kaluar traktat me Francën për t`u mbrojtur nga Turqia. Por edhe me këtë “aleancë” shumë në Greqi dyshojnë përfshirjen e Francës. Dyshimi tyre buron nga fakti se shtetet në rast lufte shikojnë interesin e tyre dhe jo nga natyra e traktatit: se ai nuk i ‘detyron’ palët të mbrojnë njëra-tjetrën por ato thjesht zotohen se...Nga ky traktat do të fitojë më shumë Franca meqë ajo angazhon një shtet tjetër për t`i blerë armë asaj në mënyrë të përhershme dhe meqënse Franca është përfshirë rëndë në disa vende afrikane. Ky fakt nënkupton se ushtria greke do të shkojë pas ushtrisë franceze në vendet përkatëse. Këta dy fakte u përmendën dhe nga opozita greke (Syriza) në parlamentin grek kur u miratua traktati por pa paraqitur ndonjë rrugëzgjidhje tjetër. Efekti tjetër është se Greqia nuk ka zhvilluar as e synon pavarësinë e industrisë ushtarake ose prodhimin e armëve brenda vendit.
Ndryshe nga Greqia, Turqia e “Erdoganit” është orientuar drejt ‘autonomisë’ ushtarake. Nga ky orientim ajo nuk mund të kërcënohet nga Uashingtoni me ndonjë ndërprerje të ndihmës ushtarake si në vitin 1974, sepse Uashingtoni e ka ndaluar ndihmën ushtarake, pavarësisht se kërcënimet nuk do të mungojnë lidhur me izolimin e ekonomisë turke.
Megjithëse ajo ka shumë rrugë për ta kthyer vendin të pavarur ushtarakisht dhe ta mbrojë nga kërcënimet e Uashingtonit, në kushtet aktuale ajo mund ta përballojë luftën me Greqinë ndërsa kjo e fundit mbetet e varur nga Franca dhe prodhues të tjerë dhe do ta zhyste atë edhe më shumë në detyrime ndaj elitave perëndimore. Greqia ka dhe një dizavantazh tjetër në raport me Turqinë: ajo është shumë e ekspozuar në Egje: ishujt e saj janë të përhapur në gjithë hapësirën e detit dhe e bën atë të pamundur për t`i mbrojtur nga sulmi ―nëse do të jetë drejt gjithë ishujve ku ka baza ushtarake― i ushtrisë turke; madje me nëndetëset e saj Turqia mund shkojë në brigjet e Athinës dhe të asgjësojë pushtetin politik atje.
Dizavantazhi tjetër lidhet me fqinjësinë: Athina në veri rrethohet kryesisht nga shqiptarët. Pavarësisht se ka kapur pushtetin politik dhe mediatik në Tiranë, ajo ka shtuar frymën armiqësore ndaj nesh, sidomos me politikat e saj hegjemoniste. Kështuqë populli ynë, pavarësisht se e vërteta do t`i çensurohet si në çdo rast tjetër nga elita politike dhe mediatike duke përfshirë dhe akademikët e mjerimit, do të mbante anën e Turqisë, jo sepse shumica është muslimane, më shumë e deklaruar se sa si fetare e vërtetë, por sepse një ndjesi drejtësie do të mbizotërojë, në të cilën do të kontribojë dhe ndjesia e padrejtësisë së Athinës ndaj nesh tre dekadat e fundit.
Në këto kushte, Greqia do të gjendësh mes shkëmbit dhe greminës dhe do të ngjizste në gojën e popullit thënien: “shkoi për lesh dhe u kthye e qethur”―sepse lufta me Turqinë shkaktohet nga vetë ajo.
Tani le t`i kthehemi nismës së qeverisë “Rama”: ngritjen e bazave të Nato-s në vendin tonë për të mbrojtur kombin dhe rajonin tonë! Së pari, kombi ynë po shkretohet pikërisht për shkak të politikave neoliberale, të cilat i kam treguar në vend tjetër. Së dyti, kombi ynë do të vazhdojë të shkretohet sepse elitat e rajonit do të vazhdojnë të përdorin politika neoliberale. Dhe së treti,
Anëtarësimi ynë në Nato dhe ngritja e bazave në fjalë shkakton njëherësh tre efekte të dëmshëm ose katastrofikë për popullin tonë: 1) do të vazhdojmë të jemi pjesë e lojërave gjeopolitike të Uashingtonit; 2) nuk zhvillojmë ushtrinë tonë për t`u mbrojtur nga ndonjë agresion i mundshëm nga vendet fqinje; dhe 3) bëhemi vend armik i Rusisë dhe Kinës―çka nënkupton se të dy këta vende do t`i drejtojnë raketat e tyre edhe drejt Shqipërisë!
Vlen të përmendet fakti se pajisjet ushtarake që marrim nga vendet perëndimore, qofshin ato të blera nga qeveritë tona apo dhurata, nuk shfrytëzohen racionalisht nga të njëjtat qeveri. Për shembull, për helikopterët “Cougar” ministria jonë e mbrotjes ka “dështuar të garantojë mirëmbajtjen“ e tyre, duke shkaktur vdekjen e disa pilotëve dhe dobësimin e efikasitetit të forcave ajrore të Shqipërisë, sidomos lidhur me fikjen e zjarreve gjatë verës. Si pasojë, numri i pilotëve dhe teknikëve të trajinuar jashtë vendit me kursimet tona është thuajse përgjysmuar. Këto janë disa të vërteta të zbuluara nga një hetim i Birn ndërsa të vërtetat e tjera lidhur me pajisjet e tjera ushtarake janë “sekret shtetëror”!
Në fund, meriton të kuptohet fakti se neni 5 i organizatës së Nato-s e thotë qartë: se fuqia ushtarake e Nato-s do të përdoret “për të ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut Verior”, duke nënkuptuar se nuk do të përdoret për të ruajtur sigurinë e gjithë anëtarëve, dhe po t`i shtojmë të vërtetën tjetër, se “gjuha në nenin 5 është e përkulshme dhe nuk kërkon nga gjithë anëtarët të përgjigjet me forcë ushtarake”, siç vunë në dukje me të drejtë këshilltarët e Trampit në fillim të muajit korrik kur hartonin planet e politikës së jashtme amerikane lidhur me NATO-n dhe Ukrainën, gjatë presidencës së tij të dytë, kuptohet se neni përkatës nuk na mbron nga fuqitë perëndimore, as në parim.
Ky fakt kuptohet dhe nga drejtuesit e NATO-s: ata janë gjithnjë nga vendet perëndimore. Pikërisht për këtë arsye, disa “udhëheqës” të vendeve lindore të BE-së kanë filluar të shprehin shqetësimin e tyre se pse NATO-ja (por dhe për gjithë pushtetet e tjerë të BE-së) drejtohet vetëm nga vendet perëndimore, kur nga ta pritet të kenë lexuar nenin në fjalë kur nënshkruan anëtarësinë.
Por qoftë edhe nëse ky citim u ka shpëtuar krijuesve të nenit, Nato-ja është pushtet ushtarak që shoqëron dhe përparon interesat ose pushtetet e G-7 në rendin botëror të globalizmit neoliberal dhe kryesisht të SHBA-së. Si e tillë, ajo do të mbrojë së pari interesat ose pushtetet e shteteve në fjalë dhe jo interesat ose pushtetet e shteteve të tjerë të organizatës.
Madje me ndryshimin e doktrinës së saj―duke i kthyer ushtarët amerikanë në trajinues të ushtarëve të shteteve të tjerë të aleancës― ajo nuk do të përdorë “mish për top” amerikanët si në të kaluarën por ushtarët e tjerë të aleancës! Aktualisht Nato-ja rrezikon të përfshihet në luftë me Rusinë; nëse përfshihet, në frontin e saj do të jenë ushtarët e shteteve si vendi ynë ndërsa anglo-amerikanët, francezët dhe gjermanët, do të jenë në rolin e trajinuesve jo vetëm sepse SHBA-ja ka ndryshuar doktrinë por dhe ngaqë ata kanë industrinë ushtarake.
Pse si anëtarë të Nato-s nuk garantojmë “sigurinë kombëtare”?
T`i kthehemi përshtypjes, sepse më shumë për përshtypje bëhet fjalë sa për argument nga nomenklatura jonë e mjerimit, se anëtarësia jonë në NATO do të na mbrojë sipas nenit 5 të organizatës, pavarësisht se neni e thotë qartë se ai përdoret kur rrezikohet Atlantiku Verior!
Së pari, duhet të bëjmë një dallim mes bazave ushtarake amerikane dhe bazave ushtarake të Nato-s; të parat janë përdorur nga Uashingtoni për qëllimet e tij strategjike në kuptimin që sqarova më herët: se ato shërbejnë për të mbrojtur aleatët e SHBA-ve dhe për të mbrojtur interesat ekonomike amerikane rreth botës (hegjemoninë e saj) ndërsa Nato-ja është përdorur si pushtet ushtarak kryesisht kundër Rusisë për të mbrojtur hegjemoninë perëndimore. Për bazat ushtarake amerikane vendimet merren në Uashington ndërsa për Nato-n merren nga të gjithë anëtarët e organizatës. Karakteri i vendimeve të Nato-s dhe interesat e ndryshme të anëtarëve të organizatës e bën të pamundur përdorimin e nenit në fjalë.
Qoftë edhe nëse konsiderojmë rastin e Kosovës, kur Nato-ja kontriboi në ndalimin e akresionit serb ndaj shqiptarëve, ajo veproi pasi si Rusia ashtu dhe Kina ishin të dobëta në atë kohë dhe për të njëjtën arsye ato miratuan në “heshtje” bombardimin e Serbisë. Kujtoj se SHBA-ja kishte paralajmëruar Milosheviçin që në vitin 1992 se nëse ajo fillonte luftë në Kosovë, ajo do ta konsideronte kërcënim të drejtpërdrejtë të interesave kombëtare amerikane dhe do të detyrohësh të vepronte. Në atë kohë, Jugosllavia kishte filluar shpërbërjen, si fillim me Slloveninë, më pas me Kroacinë dhe me Bosnjen ndërsa Nato-ja ishte e pranishme në kufirin jugor të Kosovës, si ‘forcë shtrydhëse’ për të mbrojtur vrojtuesit e OSBE-së. Por ishte dështimi i bisedimeve në Rambujesë (19 mars 1999) kur Serbia refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e përkohshme, që mundësoi bombardimin e Serbisë nga Nato-ja, sigurisht, pasi Serbia rinisi ofensivën e saj në Kosovë.
Paralelisht anëtarët e Nato-s ishin bindur nga Uashingtoni dhe Londra se ndërhyrja ushtarake ishte e nevojshme. Por francezët ngurronin, kryesisht sepse kishin frikën e dëmeve “kolaterale” dhe kishin disa gazetarë në zyrat qendrore të televizionit dhe radios jugosllave. Anëtarët e tjerë miratuan në “heshtje” vendimet e treshes. Siç citon “Washington Post”: “Brenda aleancës, ishte e qartë se vendimet e rëndësishme ―se nëse do të bombardoheshin objektiva që kishin karakter shoqëror― merreshin nga udhëheqësit e tre vendeve: SHBA-ja, Britania, dhe Franca. Dhe vetëm njëri nga ata, Franca, ishte rregullisht skeptike”.
Tani kohët kanë ndryshuar: Rusia dhe Kina nuk do të votonin në Këshillin e Sigurimit asnjë ndërhyrje ushtarake të Nato-s edhe sikur të ishte e nevojshme; madje do ta shfrytëzonin duke treguar edhe një herë karakterin e aleancës.
Së dyti, Shqipëria dhe Kosova kërcënohen nga dy vende me luftë: njëra është Greqia dhe tjetra Serbia; e para sepse synon jugun e Shqipërisë ndërsa e dyta Kosovën. Megjithëse me disa ndryshime, këto dy shtete po fuqizohen ushtarakisht dhe ekonomikisht nga Uashingtoni dhe “rendi” i tij i globalizmit neoliberal. Kështuqë në një farë kuptimi ne kërcënohemi nga armët amerikane meqënse të dy këta vende furnizohen edhe nga Amerika (Serbia me heshtjen e Uashingtonit furnizohet nga Izraeli dhe vende të tjerë).
Së treti, Prishtina po i “lutet” Uashingtonit të ngrejë një bazë ushtarake të përhershme krahas përfshirjes së forcave amerikane në misionin e Nato-s ndërsa Tirana po “lutet” të ngrejë dy baza të Nato-s, sepse, thonë demagogët tanë me mbështetjen e Uashingtonit, ne kërcënohemi nga Rusia! Por e vërteta qendron ndryshe: ne nuk kërcënohemi nga Rusia; kjo e fundit luftën e ka me SHBA-në siç e ka SHBA-ja me Rusinë dhe Kinën (lexo politikën e jashtme amerikane).
Së katërti, edhe nëse kërcënohemi me luftë nga Serbia dhe Greqia, nuk do të ishte më mirë të kishim ushtrinë dhe industrinë tonë ushtarake? Me orientimin tonë ushtarak dhe ekonomik ne kurrë nuk do të kemi mundësi të zhvillojmë ushtri dhe industri ushtarake, sepse s`na lejon “aleatja”: sepse asaj i intereson të na ketë të varur dhe “klient” dhe jo të pavarur. S`na lë as Greqia, anëtarja tjetër e Nato-s: sepse asaj i intereson të jetë ajo hegjemoniste në rajon dhe për të qenë e tillë ajo do të bëjë ç`është e mundur që ta minojë forcimin e ushtrisë sonë, sigurisht, me ndihmën e Serbisë, e cila si joanëtare e Nato-s, kërkon, gjithashtu të jetë hegjemoniste.
Dhe së fundmi, nuk do të ishte më mirë të përpiqeshim me vendet përkatëse të realizonim një traktat paqeje? Pse s`dihmon “aleatja” jonë në këtë drejtim me qëllim që të zhvillohemi dhe të mos shpenzojmë kursimet tona në armatime? Sepse, hamendësisht, nuk i intereson paqja!
Por ky është vetëm një “hamendësim” dhe nuk është fakt; fakt do të ishte kur ne të përpiqeshim për paqe dhe të kërkonim ndihmën e “aleates” sonë dhe të shikonim reagimin. Por kemi një fakt, që pengon zhvillimin e ushtrisë dhe industrisë sonë ushtarake apo përpjekjen për paqe mes nesh, për të cilët “aleatja“ jonë nuk mund të ndihmojë: faktin se ajo kërkon zgjerimin e BE-së në rajonin tonë me qëllim që ta kontrollojë atë përmes Brukselit por dhe përmes strategjisë së “përçarjes dhe sundimit”. Për këtë qëllim ajo përdor “kërcënimin” rus dhe kinez dhe elitat tona për ta shtënë në mendësinë e popujve me qëllim që të miratohen politikat e tyre duke përfshirë dhe ato ushtarake!
Përfundime
Kryesisht si pasojë e padijes (sepse s`e kanë treguar kurrë natyrën e Nato-s) dhe pjesërisht si pasojë e servilizmit ndaj elitave perëndimore, krerët e klasave tona politike në Tiranë dhe Prishtinë kanë kohë që quajnë armiq të popullit tonë Kinën dhe Rusinë! Por qendrimet e tyre janë të dënueshëm jo vetëm sepse s`ka asnjë fakt historik që superfuqitë përkatëse të na kenë sulmuar ushtarakisht por edhe aktualisht propaganda e tyre se rajoni kërcënohet nga “dërhyrjet” e tyre s`ka asnjë fakt bindës.
Historikisht populli ynë ka patur dhe ka dy armiq kryesorë, të dy të deklaruar dhe me qëllime grabitqare: Serbinë dhe Greqinë. Të dy këta vende na kanë sulmuar në të kaluarën dhe do të na sulmonin prapë nëse nuk na gllabërojnë dot përmes pushtetit të butë që po përdorin vitet e fundit me mashtrimet e klasës sonë politike (kur na tregojnë “sigurinë” tonë kombëtare përmes anëtarësimit në Nato) dhe “tolerancën” e Uashingtonit dhe Bruskelit.
Gjatë krizës së qershorit në veri të Kosovës, për shembull, u njoftua se drejtoria e Nato-s kërkoi dhe nga Turqia të dërgonte forca ushtarake të tjera (komando) atje. Por si forcat e pranishme atje ashtu dhe forcat e reja s`kanë mandat tjetër veç të përdorin taktikën ushtarake që njihet si “asnjanësimi” i protestuesve duke u mbrojtur―domethënë, siç u sollën në protesta: hëngrën “dru” pa përdorur kundërdhunë…as edhe përpjestimore. Kjo sjellje i shqetësoi disa palo “analistë” në anët tona pa kuptuar arsyen e vërtetë se pse forcat e Nato-s qendruan “pasive”! Hamendësisht, sepse nuk lexojnë vendimet e OKB-së.
Beogradi, ndërkohë, në dijeni të faktit përkatës, me siguri ka porositur “milicinë fashiste”, siç e quan Kurti, të përdorin dhunën. Por “faktin” në fjalë e njeh Beogradi dhe jo protestuesit! Për pasojë, ata ndihen të trimëruar; madje, sipas Kurtit, po planifikojnë sulmet e radhës. Ndaj çështja nuk është shtimi i forcave të Nato-s, të cilat nuk mund ta mbrojnë popullin tonë me kundërdhunë ushtarake me mandatin që kanë, por moskrijimi i kushteve për protesta dhe konflikte. Në rast se “milicia fashiste” apo ushtria serbe sulmon forcat e Nato-s, meqënse Beogradi është në dijeni se ushtarët e anëtarëve të Nato-s nuk kanë mandat për t`u kundërpërgjigjur me zjarr dhe ndryshimi i mandatit përkatës kërkon miratim në KS të OKB-së dhe në gjithë anëtarët e Nato-s dhe ky proces kërkon punë dhe kohë, dhe siç tregova këtu, është e pamundur, ushtarët e anëtarëve të Nato-s nuk mund të na mbrojnë: ndaj na nevojitet ushtria jonë ose një traktat i ri rajonal!
Kësaj analize i është shtuar pjesa e dytë dy ditë më pas që nga dita e publikimit dhe është përditësuar
Raketat hipersoniket ruse dhe implikimet për sigurinë amerikane dhe evropiane
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 495 reads