...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shfarrosja e jetës së deteve dhe lumenjve nga klasa politike, akademike dhe mediatike shqiptare

Duhet thënë se karakteristika kryesore e flotës së peshkimit ose natyra e peshkimit në det është ‘pirateria’—në kuptimin që ajo grabit jetën e gatshme që krijon Natyra njëlloj siç grabisnin gjahtarët kafshët e pyjeve dhe shpendët e qiejve apo siç grabisnin nomadët frytet e natyrës për mijëra vjet! Karakteristikën e piraterisë së detit, pyjeve dhe qiejve, peshkatarët, gjahtarët dhe përgjithësisht popujt s`e kanë kuptuar ende meqë krenohen me gjahun e tyre. Kjo karakteristikë shëmtuese nuk përmendet nga asnjëri!

Ylli Përmeti

01/06/2019 - 15:25

Ylli Përmeti: Drejt shfarrosjes së peshqve, shpendëve, insekteve dhe akullnajave

Në Shqipëri, pas privatizimit të industrisë së peshkut në vitet `90-`94 dhe zhvillimit të flotës së peshkimit (231 anije ishin në vitin 2006),[1] dhe në krye të 30 vjetëve me rreth 5 mijë njerëz të përfshirë në të, kultivuesit e peshkut ankohen se po konkurrohen nga peshku i importit që është më i lirë dhe më pak cilësor ndërsa qeveria nuk i subvencionon. Për të njëjtat arsye, ata kërcënojnë me protesta. Paralelisht, qeveria “Rama2” ka subvencionuar naftën e peshkatarëve të detit (mbi 5 mijë njerëz dhe disa qindra anije të vogla), hoqi TVSH-në për mjetet e bordit të anijeve për rreth dy mijë peshkatarë dhe subvencionon sardelet dhe açuget në vlerën 200 lekë për kg. Vitet e fundit ndihmoi zhvillimin e ndërmarrjes “Rozafa” ­—përmes një kontrate “1-euro për 53 mijë m²”— e cila, si gjithë flota tjetër e peshkimit, nuk punon si kultivuesit e peshkut as peshkon pranë bregdetit si anijet e vogla por gjuan në ujëra ndërkombëtare (Maltë etj.) me anije me pajisje thuajse ushtarake (admiralja e flotës kushton mbi 4.5 milion euro, me sonar japonez që kushton mbi 2 milion euro dhe preçizion të lartë ndërsa punon me ekuipazh të huaj, kryesisht turq!): si rezultat, të parët tregojnë fitime të kënaqshme ndërsa Rozafa qendron përtej kënaqësive të peshkatarëve me anije të vogla dhe drejtuesi i saj, Gjergj Luca, nuk ngurron ta quajë “rilindjen” e Ramës ‘rilindje’ të vërtetë meqë pararendësit e saj sipas tij kanë zhvilluar “politika të mbrapshta” dhe ndërmarrja e tij po lulëzon me “rilindjen” në pushtet...ndërsa beson se slogani i dytë i “rilindjes” do të jetë “ridërtimi” i vendit! Drejtuesi në fjalë nuk ngurron ta vendosë Ramën mes “dijetarësh” të tjerë në qytetin e peshkut që ka ndërtuar në Elbasan.

Por është e qartë se “dora” e qeverisë me subvencione dhe taksën 1 euro ka qenë vendimtare në zhvillimin e ndërmarrjes përkatëse dhe s`ka arsye pse mos ta nderojë dhe mos t`i thurë lavde. Dhe pikërisht për shkak të fitimeve, Luca nuk ngurron t`u thojë shqiptarëve —përmes reportazheve të gazetarëve— se e ardhmja e shqiptarëve është peshkimi, duke treguar padijen e tij për ‘natyrën’ e peshkimit, shkallën e katastrofës ekologjike dhe të ardhmen e jetës planetare! Kështu, ndërsa kultivuesit e peshkut kanë një farë të drejte, meqë konkurrohen edhe nga peshku i brendshëm i cili tashmë gjenerohet me kosto më të ulët meqë qeveria subvencionon naftën...pjesa tjetër e industrisë ka gjithashtu të drejtë sa i përket punësimit por nuk ka fare të drejtë të shkatërrojë jetën e detit dhe ekosistemit në përgjithësi dhe të detit në veçanti me mbështetjen e qeverisë kur paralel me këtë flotë të madhe zhvillohet një tjetër që shkatërron jetën e detit: “flota” e ‘dinamitit’![2] Nuk është e rastit që anijet e peshkimit shkojnë për herë dhe më thellë në det që të kapin peshk: sepse është shkatërrur peshku pranë brigjeve të detit nga piratët e bregdetit kur dihet se është shkatërruar dhe peshku i lumenjve me ngritjen e qindra hidrocentraleve, shkarkimin e mbetjeve etj.

Duhet thënë se karakteristika kryesore e flotës së peshkimit ose natyra e peshkimit në det është ‘pirateria’—në kuptimin që ajo grabit jetën e gatshme që krijon Natyra njëlloj siç grabisnin gjahtarët kafshët e pyjeve dhe shpendët e qiejve apo siç grabisnin nomadët frytet e natyrës për mijëra vjet! Karakteristikën e piraterisë së detit, pyjeve dhe qiejve, peshkatarët, gjahtarët dhe përgjithësisht popujt s`e kanë kuptuar ende meqë krenohen me gjahun e tyre. Kjo karakteristikë shëmtuese nuk përmendet nga asnjëri! Si duket, s`e kanë kuptuar ende marrëzinë e tyre. Efektivisht, të gjithë, dhe veçanërisht shteti ose elitat meqënse shteti administrohet nga elitat, shpërnjohin dhimbjen që shkaktojnë mbi kafshët, shkallën e katastrofës ekologjike dhe faktin tjetër se tashmë peshku jeton në ujëra të infektuar nga ndotja e ekosistemit dhe shkakton tek njerëzit infeksione dhe kancer! Shpërnjohin, gjithashtu, faktin se shpendët dëmtohen nga gazrat e atmosferës. Sipas një studimi, insektet, dhe sidomos bleda, dëmtohen nga sasia e madhe e gazrave që çlirohet në atmosferë.[3] Shpërnjohin, për më shumë, faktin se shumë shpendë ushqehen me peshq. Në mungesë të peshkut do të ngordhin. Por edhe nëse gjejnë ndonjë peshk - ai është me infeksion! Në këtë mënyrë shpendët peshkngrënëse ekspozohen dy herë në infeksione: një herë në oksigjenin ku fluturojnë dhe një herë kur ushqehen me peshk të infektuar siç nuk shpëtojnë dot kafshët e pyejve dhe arktikut nga ndotja e oksigjenit, ujit dhe tokës. Arushat e pyjeve dhe Arktikut, për shembull, ushqehen kryesisht me peshk dhe kërcënohen me shfarrosje për shkak të mungesës së peshkut në detet dhe lumenj.[4]

Në këtë dinamikë, qeveria dhe gazetarët e oligarkisë përmendin vetëm një fakt: punësimin dhe eksportet dhe lënë gjithshka tjetër pa përmendur! Në këtë mënyrë, riprodhojnë krimin dhe idiotësinë e popujve.



[1]Studim tregu për industrinë e peshkut në Shqipëri, Agjensia rajonale e zhvillimit, 2006.

[2]Top Story/Eksluzive: Ja pamjet dhe video-t ku peshkimi bëhet me lëndë plasëse, Top channel, 10/10/2018.

[3]Revealed: traffic fumes are confusing bees in their hunt for food, The Independent, 03 October 2013. The global economic value of the pollination of flowering crops - such as fruit trees and oilseed rape - by bees and other insects is estimated to be £135 billion a year.

[4]High-energy, high-fat lifestyle challenges an Arctic apex predator, the polar bear, Science, 02 Feb 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA