Shkelja e ligjit nga mediat dhe gazetarët dhe nevoja e mbështetjes së drejtësisë
Media dhe gazetarët që mbështesin Berishën dhe Ramën kuptojnë pak nga realiteti politik
Ylli Përmeti
12/02/2023 - 09:25
Tridhjetë vitet e fundit media jonë përgjithësisht është ndarë mes “socialistëve” dhe “demokratëve”, në vend të mbështesë të vërtetën dhe popullin apo parimet e Ligjit Nr. 97/2013 për mediat audiovizive. Njëri nga parimet e tij citon se “veprimtaria e transmetimeve audiovizive siguron informim objektiv dhe të paanshëm të publikut, duke paraqitur në mënyrë të saktë faktet dhe ngjarjet, si dhe duke respektuar formimin e lirë të opinionit”.
Ky parim është braktisur nga mediat kryesore dhe asnjë masë ligjore nuk është marrë kundër tyre, pikërisht sepse ekziston një “pakt” politik mes partive kryesore që parimet e ligjit përkatës të shkelen nga të gjitha palët. Kryesisht si pasojë e këtij “pakti” ushtrohet çensura kundrejt atyre që janë kritikë ndaj partive kryesore politike dhe nomenklaturës në përgjithësi.
Nga ana tjetër, vetë media vepron njëanshmërisht sepse ka interesa të ngushta (ekonomike) dhe të gjera (ideologjike). Por ngaqë ndryshimet ideologjike mes partive kryesore në pushtet janë të pakta, ato kanë përdorur pushtetin e tyre mediatik kryesisht për interesa të ngushta ekonomike.
Paralelisht media është përqendruar në pak duar dhe kontrollohet nga pusheti politik në përqindje të madhe.
Sipas një studimi të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri dhe Reporterëve Pa Kufij, 2018, audienca në tregun e madias në Shqipëri është përqendruar në katër pronarë kryesorë. Ata kanë fituar gati gjysmën e audiencës: mes 48.93 dhe 58.60 për qind. Në radio përqendrimi është më i lartë, ku katër pronarë kontrollojnë thuajse dy të tretat e saj (63.69%). Përqendrimi i tyre bie për shtypin me 43.29%. Por kur përfshihen televizionet, shtypi, radioja dhe interneti, atje janë “tetë pronarë kryesorë” që kontrollojnë mes 72.1% dhe 80.1%. Por katër botuesit kryesorë kontrollojnë bashkarisht 86.5% të shtypit ndërsa kontrolli politik i medias është i lartë: ai luhatet mes 65.18% në 75.68%.
Por do të ishte e dobishme të shqyrtojmë, gjithashtu, dhe “politikën editoriale” të medias sonë. Në rend të parë është RTSH-ja, me rreth 58 mijë ndjekës në Facebook: sepse ai është televizion kombëtar dhe për të paguajmë të gjithë taksa. Ai ka mbajtur gjithnjë një qendrim të butë ndaj qeverisë ndërsa mediat private kanë qenë më të ashpra. Por fakti që ato ndahen në “kampe”, ato nuk i shërbejnë gjithë të vërtetës dhe popullit dhe nuk janë të besueshme, dhe si pasojë, rrezikojnë të damkosen nga populli i ndershëm dhe të hetohen nga drejtësia e re për lidhje të ngushta pushtetore me partitë politike.
Aktualisht PS-ja gëzon më pak mbështetje mediatike se PD-ja. Dy nga mediat kryesore që mbështesin PD-në janë Klani (mbi 1 milionë) dhe Syrinet (269 mijë). Pjesë e këtyre televizioneve është dhe Oranews. Por ai anon nga Meta. Hamendësisht, sepse kontributi i tij (financiar) ka qenë dhe është vendimtar në ngritjen dhe veprimtarinë e tij mediatike.
Një media tjetër që mbështet PD-në është News24 (me rreth 600 mijë ndjekës) dhe Panorama. Kjo e fundit është në procesin e zhvillimit të televizionit kombëtar krahas gazetës. Këtyre u është shtuar dhe Voa: sepse përgjithësisht ajo ndjek politikën e jashtme të Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH) dhe të ambasadës amerikane në Shqipëri. Ajo ka filluar t`i rrisë dozat e kritikës ndaj qeverisë “Rama” që tetorin e vitit 2022 kur SHBA-ja vendosi ta braktiste Ramën, kryesisht sepse ka penguar hetimin e krerëve të opozitës dhe hetimet e drejtësisë në përgjithësi.
Madje dhe Topi, por ky jo se mbështet PD-në por ka braktisur mbështetjen e Ramës dhe po godet korrupsionin e qeverisë së tij. Vetë goditja e qeverisë “Rama” çon ujë dhe në mullirin e PD-së. Braktisja e Ramës nga Topi lidhet me mosdhënien e një fondi nga AZHBR-ja. Ajo kulmoi me akuza të ndësjellta gjatë ditëve të para të nëntorit të vitit 2022.
Si fillim “sulmoi” Topi me disa kronika. Më pas Rama u kundërpërgjigj duke përdorur një faqe nga projekti i Topit përmes të cilit, tha Rama, synon të “grabisë fondet publike” dhe të shantazhojë qeverinë...me kronika. Topi iu përgjigj se reagimi i tij erdhi si pasojë e “transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun (shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe naftës, largimi i të rinjve, taksimi i bizneseve etj.) duke sqaruar se faqja që publikoi Rama në kuvend është pjesë e projekteve të fondacionit “Dritan Hoxha” përmes të cilëve kërkon fonde nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare për “promovimin, advokimin e vlerave të vendit dhe vityteve të shoqërisë sonë” dhe duke shtuar se:
“Kjo ka ndodhur në dhjetra projekte që ka zbatuar Fondacionin “Dritan Hoxha”, duke nisur nga Ministria e Kulturës, DPSHTRR, Bashkimi Europian, Bashkia Tiranë dhe bashki të tjera në vend etj. Së fundmi Top Media po zhvillon promovimin e bizneseve Start-up, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Dhe ky projekt nuk po transmetohet nën efektet e shantazhit, por po i jepet hapësirë të rinjve që të aplikojnë në iniciativa të reja biznesi”.
Sipas televizionit në fjalë, “asnjë nga fondet e aplikuara në institucione nuk përdoret për financim nga Top Channel por ato shpenzohen vetëm për realizimin e programit dhe promovimin e vlerave”. Për të treguar se ai mbështet dhe institucionet dhe politikat e qeverisë “Rama” që i shërbejnë interesit publik, televizioni përmend mbështetjen e Ministrisë së Energjisë me spote për kursimin e energjisë.
Por këto spote nuk e kanë penguar atë të tregojë dhe shqetësimin e publikut për shtrenjtimin e energjisë. Më tej Topi përmend kërkesën e parashtruar në AZHBR (Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) për të promovuar produktet bio shqiptare, reklamimin e fermave shqiptare, dhe rritjen e turizmit rural, përmes projektit “Bio Albania”. Ky projekt, sipas Topit, nuk është për t`i bërë marketing AZHBR-së siç pretendon kryeministri “por për bizneset shqiptare në mënyrë që të thithen sa më shumë investime në sektorin bujqësor”.
Projekti i Topit përfshinte dhe transparencën e fondeve të AZHBR-së, bashkë me të cilën, kjo e fundit e publikoi dhe kërkesën e Topit, sipas ligjit. Si pasojë, Topi reagoi me “Inside Story-in” ku tregoi se fondet e AZHBR-së ishin shpërdoruar dhe shpesh u janë dhënë njerëzve me lidhje politike, duke përmendur disa prej tyre.
Megjithëse nevojitet hetim i mëtejshëm për këto pretendime, nga rrëfimi i Topit kuptohet se AZHBR-ja ka shkrepur reagimin e Topit me një hetim gazetaresk për AZHBR-në dhe më pas Topi shkrepi reagimin e Ramës. Ky i fundit, në fjalë të tjera, ka të drejtë në denoncimin e tij por nuk tregon arsyet se pse i është refuzuar fondi Topit nga AZHBR-ja.
Nga kjo “luftë” ose përplasje kuptojmë dhe faktin se pse Topi ka mbështetur propagandën e Ramës vitet e fundit dhe pse kanë munguar kritikat. Topi, në fjalë të tjera, nuk i është përmbajtur ligjit për mediat dhe detyrës që ka si televizion: të kontribojë në mirëqenien e popullit me lajmet dhe kritikat e tij. Por kuptojmë, gjithashtu, dhe faktin se Rama e ka përdorur televizionin përkatës prej shumë vitesh duke e ushqyer atë me fonde (sepse nuk e dimë se sa fonde ka marrë më parë) dhe me shpresa për fonde të tjerë.
Një media tjetër që mbështet PD-në është “gazeta Mapo”; një tjetër është “Koha Jonë” dhe disa portale të tjerë si “Dosja” e të tjerë, por ata janë të dorës së dytë, sepse kanë ndjekshmëri tejet të ulët.
Rama ka vetëm një televizion që e mbështet aktualisht: Vizion plus, me rreth 300 mijë ndjekës ndërsa ABCnews, me rreth 380 mijë ndjekës, është në ngjizje e sipër. Rama ka mbështetje dhe nga “Tema”, “Gazeta Shqiptare” etj. Por ato janë me ndjekshmëri të ulët.
Epërsia mediatike e PD-së tregon se propaganda e Berishës kundër Ramës do të ketë efekt në popull. Nuk jemi larg dinamikës së krijuar në vitin 2013, kur Rama dhe media që e mbështeste atë, tregonte si shkaktarin e vetëm të krizës shumëpërmasore që kishte pushtuar Shqipërinë, dhe vazhdon ta mbajë të pushtuar, madje në një shkallë më të madhe, vetëm Berishën!
Por viti 2013 me vitin 2023 nuk është i njëjtë: sepse në atë kohë mungonte SPAK-u dhe mungonin “damkat” dhe synimet amerikane lidhur me klasën tonë politike. Kështuqë mbështetja e Berishës dhe Ramës nga media përkatëse është pa të ardhme; sepse nuk do të fitojnë nga ata siç kanë fituar në të kaluarën.
Disa nga gazetarët që mbështesin Berishën ose PD-në janë Fevziu, Bushati (ky shpesh bën sikur e kritikon atë), Zheji, Peka, Krasta etj. Ndërsa Ramën e mbështesin Nazarkot, Xhunga, Çupi, Bazja, S. Balla etj. Edhe këta kanë kuptim të pjesshëm nga realiteti politik: sepse po ta kishin kuptuar, do të kishin hequr dorë nga mbështetja e tyre pavarësisht se për ta është e vështirë për sa kohë që kanë përfituar nga pushtetet politike.
Ka dhe gazetarë të tjerë që mundohen të mbajnë një rol asnjanës. Ata shfaqen kryesisht tek Euronews, sepse ai ka një pronar që nuk ka lidhje të ngushta me Shqipërinë por ndihmon në integrimin e vendit tonë në BE dhe Eurozonë me propagandën e tij (duke spikatur dobitë e BE-së por pa përmendur jodobitë), sepse interesat e tij ekonomike lidhen kryesisht me BE-në.
Një televizion tjetër që mundohet të mbajë një qendrim asnjanës, jokombëtar, është MCN-ja; madje ai ka punësuar disa nga “figurat” kryesore të gazetarisë shqiptare, si Nanon, Kikia, Rakipi etj. Por si televizioni përkatës ashtu dhe gazetarët në fjalë kanë ndjekshmëri të ulët; madje disa prejt tyre janë vetë-diskretituar shpesh herë me qendrimet e tyre për çështje të ndryshme.
Ndaj vendit tonë i nevojitet si kurrë më parë një media demokratike dhe e drejtë, sepse vetëm demokracia dhe drejtësia do t`i shërbente të vërtetës dhe popullit. Sa më parë ta kuptojnë këtë nevojë të domosdoshme njerëzit e medias aq më shumë do të nderohen nga populli i ndershëm dhe sa më shumë të vonojnë aq më keq për ta.
Ylli Përmeti: mas-indoktrinimi i popujve dhe masmedia
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 80 reads