Zbulohet studimi i universitetit grek për ‘pesë miliardë fuçi naftë në Sazan’ dhe shitja e tij nga Rama

Të dhënat katalitike përmbahen në raporte dhe memorandume shumëfaqëshe, së bashku me harta, që janë përpiluar prej vitesh nga Universiteti i Patrës
Andrea Kapsampeli (κυριακάτικη δημοκρατία)
25/01/2026 - 17:51
Kujtimet historike që, nëse s`janë gjë tjetër, gjenerojnë hidhërim u aktivizuan nga pamjet e Ramës në një darkë pune me përqafime në qytetin shqiptar të Vlorës me Ivanka Trampin, duke hartuar plane së bashku me arkitektë nga vende të ndryshme të botës për zhvillimin e Ishullit të Sazanit. Këto ndjenja nuk kanë të bëjnë vetëm me rëndësinë gjeopolitike të ishullit, por edhe me rolin e tij strategjik në lojën botërore të energjisë, e cila ka hyrë në një fazë të re vitin e fundit pas zgjedhjes së Trampit në presidencën e SHBA-së.
Një ishull grek që nga kohërat e lashta, Sazani, i cili mori emrin shqiptar Sazan ose Sazani, është regjistruar si anëtar i kompleksit Diapontia në të gjithë traktatet ndërkombëtare dhe u shkëput së bashku me Ishujt Jonianë në vitin 1864. Megjithatë, në një veprim të dyshimtë - edhe nga një pikëpamje ligjore dhe jo vetëm kombëtare - nga Eleftherios Venizelos në vitin 1914, iu dha Shqipërisë.
Interesi i Jared Kushner dhe Ivanka Trampit filloi katër vjet më parë, gjatë pushimeve dhe lundrimit të tyre në Greqi, sipas "Le Point", por vetëm në dhjetor 2024 - një muaj pas rizgjedhjes së Trampit - qeveria e Ramës nënshkroi marrëveshjen paraprake, duke zgjedhur t`ia jepte ishullin, në formën e një kontrate qiraje 99-vjeçare dhe sipas një regjimi “investimi strategjik”, familjes së presidentit të ri të SHBA-së...
Pjesa e dukshme e çështjes ka të bëjë me investimin në turizëm që do të bëjë dhëndri i Trampit, duke shpenzuar 1.4 miliardë dollarë me Ivankën për ta shndërruar atë në një vendpushim luksoz. Por gjëja më e rëndësishme është se zona është shumë e pasur me hidrokarbure. Tashmë në pjesën tokësore të Shqipërisë ndodhet depozita Patos-Marinzë; dhe të paktën e barabartë me këtë, bazuar në studimet shkencore që janë kryer dhe pellgjet gjeologjike që janë llogaritur, është depozita ende e paeksploruar në anën detare që rrethon Sazanin. Këto depozita janë regjistruar si më të mëdhatë në Evropë dhe secila vlerësohet në pesë miliardë fuçi, nëse jo më shumë. Është një shifër mbresëlënëse që, siç thonë ekspertët, është madje e krahasueshme me vende si Venezuela.
Në fakt, në lidhje me Patos-Marinzën, këto shifra janë shpallur zyrtarisht që nga viti 2014, me rastin e nënshkrimit të kontratave për hidrokarburet në Greqinë perëndimore në atë kohë. Karakteristikisht, në emër të kontraktorit Energean Oil and Gas, presidenti M. Rigas, duke përmendur depozitën Patos-Marinzë, “e cila ka 5 miliardë fuçi në vend”, siç theksoi ai, dhe zbulimin e 200 milionë fuçive nga Shell në atë kohë, kishte vënë në dukje se “siç e dimë të gjithë, gjeologjia nuk njeh kufij politikë. Prandaj, ky është një tregues shumë i rëndësishëm se sistemet gjeologjike të Shqipërisë vazhdojnë brenda Janinës”.
Është interesante që bashkërenduesja e asaj ngjarjeje ishte, si drejtoreshë e zyrës së Ministrit të atëhershëm (që vinte nga PASOK në qeverinë Samaras-Venizelos) të Energjisë dhe Mjedisit, Yannis Maniatis, Alexandra Sdoukou. Pas vitit 2019, pasi iu bashkua politikës së “energjisë së gjelbërt”, ajo fillimisht shërbeu si sekretare e përgjithshme në atë ministri dhe më pas si zëvendësministre, ndërsa sot është përfaqësuese shtypi e Demokracisë së Re.
Zona përreth Sazanit quhet gjeologjikisht si vazhdim i depozitave të Adriatikut dhe Jonit dhe shumica e blloqeve në det të hapur mbeten të pashfrytëzuara tanipërtani. Gjithashtu, sipas të dhënave, të dhënat katalitike përmbahen në raporte dhe memorandume shumëfaqëshe, së bashku me harta, që janë përpiluar prej vitesh nga Universiteti i Patrës.
Profesori i Gjeologjisë Avraam Zelilidis, duke folur për gazetën “demokracia e të dielës”, vërteton qënien e tyre. Sa i përket depozitës në tokë, nafta është “e rëndë”, si ajo e Venezuelës, për rafinimin dhe përpunimin e së cilës rafineritë amerikane kanë zhvilluar teknologji të veçantë, ndërsa ajo në det të hapur është më e lehtë dhe më e pastër.
Siç na zbuloi z. Zelilidis, ai ia kishte dorëzuar të gjithë lëndën përkatëse në emër të Departamentit të Gjeologjisë të Universitetit Tina Birbilit, kur ajo ishte Ministre e Energjisë në qeverinë e George Papandreut pas vitit 2009, si dhe ministrit pasues z. Maniatis, pa marrë megjithatë ndonjë përgjigje pozitive nga ana e tyre.
Edhe në vitet e fundit, përcaktimi i pezulluar i ZEE-së midis Greqisë dhe Shqipërisë është përmendur si një arsye pse pala greke nuk po shpon në zonë, ndërsa Rama duket se nuk po humbet kohën e vet. Në Shqipëri, minierat, kryesisht nafta, filluan fillimisht gjatë viteve 1930, me ndërmarrjet italiane që mbikëqyrnin puset dhe minierat e naftës, duke hapur rrugën për aneksimin e plotë të vendit në vitin 1939. Nën Hoxhën, pati izolim, ndërsa interesi ndërkombëtar u ringjall pas rënies së regjimit komunist (...) dyzet vjet më parë.
Qendër energjie dhe levë ndikimi gjeostrategjik në Adriatik
Me rastin e investimit në turizëm, pala e Trampit, siç vërejnë ata që ndjekin nga afër zhvillimet, dëshiron ta përdorë Sazanin si selinë e pranisë së saj të përgjithshme në rajon, në shërbim të shfaqjes së saj si një qendër energjie dhe me qëllim tërheqjen e gjigantëve të naftës për të shfrytëzuar depozitat e vjetra dhe të reja. Si nga ana energjetike ashtu edhe nga ana gjeostrategjike, ishulli ka një vend kyç dhe është karakteristike se ndodhet pikërisht në boshtin që lidh dy brigjet e Adriatikut; dhe nga kjo pikë, është e mundur të mbikëqyren depozitat dhe rrugët tokësore dhe detare.
Siç shihet në hartën përkatëse, në perëndim të ishullit - drejt anës së Adriatikut - ende nuk është bërë asnjë shpim dhe për këtë arsye vërtetohet se ato zona janë të virgjëra. Duke pasur parasysh këtë, është e qartë se, nëse Sazani nuk do t`u ishte dorëzuar shqiptarëve dhe do të kishte mbetur grek, ndarja e pushtetit do të kishte marrë një trajtë tjetër në dobi të vendit tonë dhe interesave të tij, në një bazë më afatgjatë. Dhe në vend të Shqipërisë dhe Ramës, Greqia sot, nëpërmjet Sazanit, do të kishte një prani më të madhe për bisedime përballë SHBA-së dhe presidentit të saj të ardhshëm…
Kufiri tektonik i Platformës Apuliane
E ashtuquajtura Platforma Apuliane është një nga formacionet gjeologjike më të rëndësishme në rajonin Adriatik dhe Jon, me interes të veçantë për të dhënat e energjisë. Është një platformë karbonatike e gjerë dhe e qëndrueshme që shtrihet nga Italia jugore, nën Adriatik, deri në brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë perëndimore.
Në hartat gjeologjike përkatëse, vija e kuqe përshkruan kufirin tektonik dhe zonën e lidhjes së platformës me zonat e shformuara të Ballkanit. Me fjalë të tjera, një vijë që nuk është thjesht shkencore, por fiton një përmasë të qartë strategjike. Në këtë vijë, siç tregon harta përkatëse, ishulli i Sazanit ndodhet në grykëderdhjen e Adriatikut, duke kontrolluar portën natyrore midis Adriatikut dhe Detit Jon, një fakt që i jep asaj rëndësi të shtuar gjeostrategjike dhe gjeologjike, pasi ndodhet pikërisht në një pikë kritike të konvergjencës së sistemeve gjeologjike dhe energjetike.
Si u humb parajsa në tokë nga Greqia
Sazani, i cili sot i përket Shqipërisë - Sazan ose Sazani në shqip dhe Saseno në italisht -, ka një sipërfaqe prej afërsisht 6 km katrorë dhe gjithsesi ka një rëndësi të madhe strategjike, pasi ndodhet midis Ngushticës së Otrantos dhe hyrjes në Gjirin e Vlorës. Për shkak të kësaj rëndësie, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte një bazë ushtarake sovjetike në Mesdhe për disa vite, pas një marrëveshjeje midis Hoxhës dhe Bashkimit Sovjetik.
Sazani duket si parajsë. Në shqip quhet parajsa, por vitet e fundit shumë e kanë quajtur atë, për arsye të dukshme, “Ishulli i Trampit”. Sasso ose Sasso është njohur që nga lashtësia nga Straboni dhe Polibi, i cili e përmend atë edhe në një “episod” të luftës midis Filipit V të Maqedonisë dhe Romakëve nga viti 215 para Krishtit. Me të gjitha traktatet ndërkombëtare të shekujve të mëparshëm - Kampoformio (1797), Kostandinopojë (1800), Amien (1802), Paris (1815) - Sazani gjithmonë i ka përkitur Ishujve Jonianë dhe në vitin 1864, me Traktatin e Koncesionit të “Shteteve të Bashkuara të Ishujve Jonianë”, iu dorëzua nga Anglia shtetit grek si “pjesë” e Korfuzit.
Megjithatë, në vitin 1914, Eleftherios Venizelos, duke iu nënshtruar kërkesave të egra dhe antikombëtare të Fuqive të Mëdha, veçanërisht Austrisë dhe Italisë, paraqiti, mes kundërshtive të forta dhe përplajsjeve të stuhishme në Parlament, një ligj me vetëm dy nene që përcaktonte se: “Qeveria lejohet t`ia japë ishullin e Sazanit, që i përket Mbretërisë Helenike, territorit shqiptar”. Edhe fakti që traktatet ndërkombëtare u shfuqizuan me një ligj të thjeshtë ka ngritur herë pas here çështje shtesë të vënies në pikëpyetje të këtij veprimi.
Më 2 korrik 1915, 25 ushtarë grekë të udhëhequr nga një rreshter dhe tetë marinarë të udhëhequr nga një nënkolonel u larguan nga Sazani, pa ia dorëzuar atë një përfaqësuesi të shqiptarëve. Në ishull mbetën 15 familje barinjsh grekë që flisnin vllahisht (...), të cilët, duke qarë gjatë largimit të ushtarëve tanë, puthën flamurin grek dhe iu lutën ushtarëve të mos i braktisnin. “Këta bashkëqytetarë fatkeq tanë, më 16 korrik 1914, u vranë brutalisht nga trupat e padisiplinuara shqiptare, të cilat zbarkuan për të vendosur “administratën shqiptare” në ishull”, shkruan V. Georgiou në librin e tij “Epiri i Veriut – Tragjedia Kombëtare në Vazhdim”.
Shqipëroi dhe përgatiti për botim Ylli Përmeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 61 reads



