...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kur ‘dielli’ i Shqipërisë ndriçonte popullin shqiptar të Kosovës: rasti i Mësueses Nevzate Çiçko-Shporta

Bëhet fjalë për një mësuese ndër të parat nga plejada e veteranëve të arsimit shqip në Kosovë, Nevzate Çiçko nga Korça, e cila, si vajzë e re 17 vjeçare, bijë e avokatit Zija Çiçko dhe nënës Ismete, kishte ardhur në Kosovë (në Prizren) në vitin shkollor 1942/43, për të ndihmuar arsimin shqip, jo vetëm të fëmijëve në shkollë, por edhe në kurse shëndetësore, dhe në kurse për zhdukjen e analfabetizmit të të rriturve, femra e meshkuj, dhe në aktivitete të tjera arsimore e kulturore

Adil Fetahu & Qerim Zariqi

04/01/2019 - 13:22

Një grup mësuesish të asaj periudhe; mësuesja Nevzate Çiçko,në rreshtin e pare, me mantel të bardhë
Duke çmuar lart rolin e mësuesit, shkencëtari ynë i madh, Eqrem Çabej ka thënë: “Në punën e ndërtimit mendor të popullit e të ngritjës kulturore të tij, arsimtarëve shqiptarë u bie një pjesë e madhe. Ata kanë përmbushur kurdoherë e me një mënyrë të heshtur, thuajse anonime, detyrën e formimit të brezave të rinj. Këtë detyrë të lartë, por të rëndë, ata e kanë kryer me frymë vetëmohimi, shpeshherë në kushte të vështira dhe gjatë sundimeve të hueja, me sakrifica të shumëllojshme… Në këtë punë, ata shpunë më tej veprën e lartë të burrave të  Rilindjes, të cilët në shekullin e kaluar, u përpoqën të shtien në popull dritën e dijes e të idesë sonë kombëtare”.
 
E filluam këtë ese me mendimin e të madhit Eqrem Çabej (cituar sipas librit të dr.Abdullah Vokrrit: “Mësues në Kosovë e në Shqipëri”, f.9), ngaqë i përshtatet personalitetit, misionit dhe punës së personazhit për të cilën bëjmë fjalë më poshtë: sepse jeta e njerëzve të merituar është e denjë për respekt dhe për t’u skalitur në mënyrën më të mirë—që të mos harrohet nga brezat. 
Bëhet fjalë për një mësuese ndër të parat nga plejada e veteranëve të  arsimit shqip në Kosovë,  Nevzate Çiçko nga Korça, e cila, si vajzë e re 17 vjeçare, bijë e avokatit Zija Çiçko dhe nënës Ismete,  kishte ardhur në Kosovë (në Prizren) në vitin shkollor 1942/43, për të ndihmuar arsimin shqip, jo vetëm të fëmijëve në shkollë, por edhe  në kurse shëndetësore, dhe në kurse për zhdukjen e analfabetizmit të të rriturve, femra e meshkuj, dhe në aktivitete të tjera arsimore e kulturore.
 
Është diçka paradoksale por e vërtetë, se populli shqiptar jashtë Shqipërisë londineze, disa pushtime i ka përjetuar dhe konsideruar si çlirim nga pushtimet paraprake. Kështu ishte në periudhën e Luftës së Parë (1914-1918) dhe të Luftës së Dytë Botërore (1941-1944), kur Serbinë e kishin pushtuar Austrohungaria, Italia, Gjermania dhe Bullgaria. Ato  periudha të shkurtëra të viteve të pushtimit, shqiptarët morën frymë më lehtë nga diskriminimi, dhuna e represioni serb, çelën shkolla dhe u arsimuan, për aq sa lejuan kushtet, mundësitë  dhe koha.
 
Në historinë e zhvillimit të arsimit shqip, në Kosovë dhe  në tokat e tjera shqiptare  nën Jugosllavi, periudha e viteve 1941-1944 është veçanërisht e rëndësishme, sepse atë kohë u çelën shumë shkolla fillore dhe disa të mesme, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, sikurse mbahej në gjuhën shqipe edhe administrata publike. Shkrimtari e profesori Ernest Koliqi, që aso kohe ishte ministër i arsimit në Qeverinë e Shqipërisë, ndërmori masa të menjëhershme organizative e kadrove dhe formoi institucione arsimore-pedagogjike  për të çelur dhe punuar shkollat në gjuhën shqipe, “në viset e çliruara” të Shqipërisë etnike, siç i quante ai. Qysh në vitin e parë shkollor, 1941/1942, në Kosovë u çelën më se 170 shkolla fillore dhe erdhën afro 200 mësues nga Shqipëria (27 prej tyre ishin mësues kosovarë të cilët deri atëherë kishin punuar në shkollat e Shqipërisë). Apelit të ministrit Koliqi, iu përgjigjen pozitivisht shumë mësues nga të gjithë trojet e Shqipërisë. Një ndër to ishte edhe vajza e re korçare, Nevzate Çiçko, e cila sapo kishte kryer liceun e Korçës dhe një kurs për mësuese. Ajo e filloi punën në Shkollën Fillore  “Abdyl Frashëri” e “Hasan Mahalla” në vitin shkollor 1942/43, ndërsa vitet e tjera shkollore punoi edhe në Shkollën Fillore “Haxhi Imeri”, “Bajram Curri”, “Shkollën Popullore” dhe në Shkollën “Mlladen Ugareviç”, të gjitha në Prizren. Një kohë të shkurtër ishte transferuar në Gjilan, bashkë me të shoqin, Behzat Shporta,  por përsëri ishte kthyer në Prizren. Çifti Nevzate-Behzati bënë 5 fëmijë (Vjollca, Valeda, Drita, Sadiku dhe Rita). 
 
Në disa “kontigjente” mësuesish të ardhur nga Shqipëria në shkollat e “Viseve të Çliruara”, në periudhën 1941-1947, erdhën rreth 700 mësues. Nuk ka ndonjë evidencë  të saktë për numrin e  mësuesve të ardhur asokohe, por ekziston një evidencë tjetër, e organeve të brendshme të Jugosllavisë, se pas prishjes së marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë e Jugosllavisë (1948), nga Jugosllavia janë përzënë 714 mësues, të cilët ose janë kthyer në Shqipëri, ose kanë dalë në shtetet e Perëndimit. Një numër i vogël mbeti dhe vazhdoi punën, si Mehmet Gjevori, Tajar Hatipi, si dhe protagonistja e këtij shkrimi, Nevzate Çiçko, e të tjerë, të cilët dhanë kontribut të çmueshëm arsimor e pedagogjik në Kosovë. 
 
Në atë periudhë, që në popull quhet “Koha e Shqipërisë”, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare mbizotëronte një entuisazëm dhe vullnet i madh sa i përket arsimimit në gjuhën shqipe.  Mësonin në shkolla e në kurse,  fëmjië e të rritur, djemë e vajza, burra e gra, në shkolla të ditës e të natës, mësonin në kurse pedagogjike e përgatiteshin për mësues shumë kuadro të cilët kishin kryer shkolla në gjuhën serbe e të tjera. Se me çfarë entuziazmi e priti populli çeljen e shkollave shqipe, tregon kënga që këndohej asokohe:
 
“Ti o diell i Shqipërisë,
Që lëshon rrezet e lirisë,
Djemë e vajza gjithë sa janë,
Do ta mësojnë gjuhën tanë”.
 
Por kushtet e punës ishin të vështira, mungonin hapësirat shkollore, mjetet mësimore, librat, literatura, mësuesit e nevojshëm e të kualifikuar. Në këso kushte punoi edhe Nevzate Çiçko, e cila në vitin 1959 mori shtetësinë jugosllave, por edhe për shumë kohë mbeti pa punë. 
 
Në një letër, si një biografi të vetën, zonja Çiçko përshkruan tërë ecurinë e ardhjes nga Korça, të punës në shkollat e Prizrenit, të angazhimeve në kurset shëndetësore dhe analfabetike pas mësimit të ditës në shkolla, të angazhimit për dërgimin e femrave në shkollë, për heqjen peqeve e ferexheve, për bisedat informative në organet e punëve të brendshme, kërcënimet se do ta kthejnë prej nga ka ardhur, duke e ndarë nga burri dhe fëmijët;  për takimet me profesor Ibrahim Fehmiun, profesor Zekeria Rexhën, Mehmet Gjevorin, Xhevdet Dodën, Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin (në rolin e inspektorit të arsimit), Hajredin Vullkanin, Hajrullah Ishmin (burrin e Katarina Paternogiq-Cica), Mehdi Bardhin (përgjegjësi i arsimit), Sheh Hasanin, etj.  Mësuesja Nevzate, në letrën e saj, tregon për gjithë peripecitë që ka vuajtur, si e pa punë, prej vitit 1951-1967, se si dy vjet (1951-53) ka qenë e detyruar çdo ditë të paraqitet në organet e punëve të brendshme. Dhe krejt kjo i ishte bërë, për shkak të një kundërshtimi të saj, që në shkollën ku punonte, në Prizren, të hapeshin klasa në gjuhën turke, ku siç thotë veterania e arsimit që vet kishte marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, se vetëm dy familje (Vaganxhi dhe Merseli) ishin deklaruar si turke! Nga paraqitjet e përditshme në organet punëve të brendshme, kishte pësuar krizë nervore, dhe vetëm falë ndihmës e këshillave të dr Lush Dakës, dhe karakterit e vullnetit të vet të fortë,  e kishte kaluar atë krizë.
                                                         
Në letrën e saj, mësuesja Nevzate shprehet falënderuese ndaj qëndrimit dhe ndihmës së Fadil Hoxhës, i cili kishte ndikuar që pas 16 vjetë peripecishë dhe pa punë, në tetor 1967 e kishin kthyer në punë, në Shkollën Fillore “Mustafa Bakia”, e pastaj në Shkollën Fillore “Fadil Hisari”, deri sa u pensionua (1981). Pas pensionimit mësuesja Nevzate u angazhua dhe kontribuoi në punën e Organizatës Bamirëse “Nëna Terezë”, dhe si gjykatëse-porote në Gjykatën Komunale të Prizrenit.
Në vitin 1987, me rastin e kremtimit të 80-vjetorit të Shkollës Fillore “Millan Ugareviç” të Prizrenit, mësuesja Nevzate mori shpërblim një Monografi të asaj Shkolle dhe një Lëvdatë me shkrim, për punën e saj në atë Shkollë, ndërsa ish-kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e Ditës së Mësuesit (më 7 mars 2016), në mesin e shumë  mësueseve të para, mësuesen Nevzate Çiçko-Shporta e dekoroi me Medaljen e Kryetares, për meritat dhe kontributin e dhënë, si njëra nga mësueset e para, pishtare të arsimit në Kosovë. 
 
Mësuesja Nevzate dhe shumë mësuese e mësues të tjerë të ardhur nga Shqipëria në vitet 1941-1947, jo vetëm që dhanë kontribut të madh në arsimimin e popullatës shqiptare në “viset e çlirueme”, veçse përmes mësimit të historisë, gjeografisë, kulturës dhe personaliteteve kombëtare,  ngritën ndërgjegjën e popullit për t’u mbrojtur nga asimilimi ose ikja prej vendit të vet, e për të luftuar pandërprerë për çlirim nga pushtuesit e huaj. Konsiderojmë se për ata mësues e ata prijës të arsimit të asaj kohe, siç ishin ministri Ernest Koliqi, Ali Hashorva, Ibrahim Fehmiu, Zekeria Rexha, Tajar Hatipi, Mehmet Gjevori e shumë tjerë, të cilët u angazhuan me mish e me shpirt për arsimimin kombëtar të popullit shqiptar, fare pak është shkruar e më pak dihet, dhe se është një sektor i pa studiuar sa e si duhet, për t’ua lënë trashëgimi brezave. Kosova ua ka borxh atyre njerëzve të merituar. 
 
Ky shkrim yni modest, për mësuesen Nevzate Çiçko-Shporta, le të jetë një falënderim për protagonisten tonë dhe për të gjithë ata mësues, pedagogë e inspektorë të arsimit të asaj kohe, dhe një apel që të ndriçohet më tepër ajo kohë dhe të kujtohen ato personalitete.
 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA