...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qëndresa e shqiptarëve ndaj terrorit dhe dhunës shtetërore serbe në Kosovë e Sanxhak mes dy luftërave botërore

Sa më larg shkollave dhe kulturës së pushtuesit për popullin ishte më mirë, ishte bindja mbizotëruse e popullatës myslimane (shqiptare e boshnjake)

Ismet Azizi

24/12/2018 - 13:15

Pjestaret e milicise myslmane rrethi i Pazarit te Ri

Me gjithë pasuritë e mëdha natyrore dhe vitalitetit të popullsisë, në trojet e banuara me shqiptarëmbretëronte një prapambetje e theksuar ekonomike dhe kulturore. Ndryshe nga popujt tjerë të mbretërisë Jugosllave, shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë kulturore, demokratike dhe njerëzore: atyre, jo vetëm që u mohohej shkollimi në gjuhën amtare, por atyre u bëheshin pengesa të llojllojshme për t’u shkolluar edhe në gjuhën serbe. Në vitin 1939-1940, në Kosovë, nga 37, 885 nxënës të shkollave fillore, vetëm 11, 876 ishin shqiptarë, kurse në gjimnaze, numri i nxënësve ishte jo më tepër se 2% e të gjithë nxënësve. Mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbe e malazeze. Në këto rrethana, mbi 90% e popullsisë shqiptare ishte analfabete.[1]

Në Sanxhak situata ishte edhe më e rëndë për boshnjakët e sidomos për shqiptarët të cilët luftonin në mënyra të ndryshme kundër asimilimit. Deri në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, gjegjësisht fundi i viteve të ‘80-ta nuk kishim analiza, shkrime apo të dhëna të sakta për gjendjen e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të rrallët është autori Avdia Avdiq, i cili u mor me këtë problematikë. Për gjendjen arsimore kulturore të Sanxhakut ai shkruan:

“Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në mes të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930, kur popullata, thuajse tërësisht ishte analfabete. Sanxhaku ka qenë i njohur jo vetëm si rajon i pazhvilluar, por edhe për prapambetjen në aspektin kulturor dhe arsimor. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexojë ndonjë shkresë, gjë që është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Novi Pazari ishte qyteti në Jugosllavinë e atëhershme më i madhi për nga numri i analfabetëve. Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1931, 60% e meshkujve të moshës mbi 10 vjeçare ishte e paarsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 %. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për popullsinë e përgjithshme, mandej pjesa dërrmuese ishte popullsi fshatare, e cila jetonte në kushte të vështira. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p. sh., qarku i Tutinit, që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjakë, shkalla e analfabetizmit ishte 89%, ndërsa ai i Novi Pazarit 63%. Posaçërisht në Sanxhak, popullsia myslimane (shqiptare dhe boshnjake) ishte thuajse tërësisht analfabete. Ishte rast i rrallë që ndonjë mysliman të ishte i arsimuar. Faktorët për një gjendje të tillë ishin të shumëfishtë, nga ai, popullsia myslimane nuk ka dashur ta pranojë shkrim leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin, deri te mendësia se myslimanëve nuk u duhet, posaçërisht femrave myslimane”.[2]

Në tërë Sanxhakun në vitin 1931, kanë ekzistuar vetëm 127 shkolla fillore katër klasëshe. Shkollat kryesisht ishin në vendbanime të mëdha, ndërsa fshatrat malore, sidomos ato të Peshterit, ishin thuajse pa asnjë shkollë, prandaj popullata kishte mbetur fare e paarsimuar. Në tërë Sanxhakun në këtë kohë ekzistonin vetëm katër gjimnaze katërvjeçare (gjimnazi i ulët), të cilat herë punonin e herë ishin të mbyllur. Pazari i Ri kishte vetëm një gjimnaz të ulët tetëvjeçar, edhe kjo shkollë mandej zbret në katërvjeçare, kështu që vetëm Plevle kishte një gjimnaz  tetëvjeçar në tërë Sanxhakun.

Shkollat ishin me numër të vogël nxënësish. Prindërit nuk ishin të interesuar t’i shkollonin fëmijët e tyre. Ata rezistonin t’i dërgonin fëmijët në shkolla. Posaçërisht popullsia myslimane nuk i dërgonin vajzat në shkollë. Kjo prirje u shkonte për shtat pushtetarëve të atëhershëm. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas viti 1935, i janë lutur deputetit të krahinës që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë, do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

Sa më larg shkollave dhe kulturës së pushtuesit për popullin ishte më mirë, ishte bindja mbizotëruse e popullatës myslimane (shqiptare e boshnjake). Por edhe ata që kishin dëshirë t’i shkollonin fëmijët e tyre, nuk kanë pasur mundësi materiale.

Një pjesë e fëmijëve shqiptarë ndiqte mësimet në shkollat fetare (mejtepe dhe medrese) që organizoheshin kryesisht nëpër xhami. Në këto shkolla, me lokale të papërshtatshme, mësimin e zhvillonin kryesisht hoxhallarë të pakualifikuar, në gjuhë të huaj dhe me metoda mesjetare. Por kishte raste kur hoxhallarët përparimtarë,  me vetëdije të lartë kombëtare, ua mësonin nxënësve të tyre shkrimin e leximin në gjuhën amtare.

Të vetmet institucione shkollore të mesme, ku zhvillohej kuadri fetar-mysliman, ishin dy medresetë e Shkupit: Medreseja e mbretit Aleksandër dhe Medreseja Gazi Isa Beg. E para ishte shtetërore dhe kuadri i saj arsimor ishte më i ngritur, kurse e dyta ishte shkollë fetare e bashkësisë islame. Nga këto institucione shkollore, krahas kuadrit fetar, doli një plejadë patriotësh, demokrate intelektualë, luftëtarë të denjë për çlirim e bashkim kombëtar, ndër të cilët edhe intelektualë e shkrimtarët e njohur si:Esad Mekuli, Hivzi Sylejmani etj.

Lëvizja Kombëtare në Kosovë, në Sanxhak dhe në vise të tjera shqiptare gjatë vitet 1925- 1941, u zhvillua në dy etapa kryesore. Etapa e parë përfshinte vitet 1925-28, dhe e etapa e dytë vitet 1929-1941.

Edhe pse Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” pushoi veprimtarinë e vet, edhe pse u likuiduan zonat e lira dhe u ndërpre veprimtaria e Xhemijetit, lëvizja për çlirim e bashkim kombëtar vazhdoi kryesisht përmes luftës së armatosur të çetave kaçake dhe formave tjera të qëndresës. Çetat kaçake zhvilluan aksione të armatosura kundër ushtrisë e xhandarmërisë gati në të gjitha trojet shqiptare.

Pas viti 1928, intensiteti i luftës së armatosur ra. Megjithatë, edhe gjatë etapës së dytë të lëvizjes, lufta vazhdoi në forma specifike, si p. sh. qëndresa e herëpashershme e çetave të vogla kaçake, të cilat gjenin strehim edhe në Shqipëri. Në këtë etapë u zhvillua një veprimtari edhe për të organizuar e bashkërenduar lëvizjen ndërmjet ish-anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, të Xhemijetit dhe atyre të emigracionit politik. Të parët zhvilluan propagandë dhe veprimtari ilegale dhe legale- nëpërmjet memorandumeve e protestave të deputetëve shqiptarë kundër arbitraritetit të organeve agrare dhe kundër shpërnguljes, kurse të dytët, në krye me Hasan Prishtinën, u angazhuan për t’i dërguar memorandume, ku kërkohej ndërprerja e dhunës, terrorit dhe gjenocidit mbi shqiptarët e boshnjakët.

Gjatë viteve ’30, kundër arbitraritetit e dhunës shtetërore pati revolta spontane individuale dhe kolektive. Gjatë kësaj periudhe pati gjithashtu aksione të armatosura të çetave të vogla kaçake. Nga fundi i viteve ‘30 u paraqitën kërkesa që, krahas zgjidhjes së çështjes kroate, të zgjidhësh edhe çështja shqiptare, të paktën në kuadrin e një autonomie edhe pse aspiratë kryesore mbetej bashkimi me Shqipërinë. Në këtë periudhë u krijuan edhe shoqata e organizata të ndryshme ilegale, si ato me emrat “Kosmet”, “Besa” etj.

Një nga format e veprimtarisë ilegale ishte edhe shpërndarja e afisheve në gjuhën shqipe, me anë të të cilave rinia dhe studentët shqiptarë, në njërën anë dënonin zbatimin e reformës agrare dhe kolonizimin, kurse, në anën tjetër i bënin thirrje popullit shqiptar që të mos i braktisin trojet e veta. Fshatarët shqiptarë kundërshtuan me forcë gati të gjitha aksionet për mbledhjen e armëve që ndërmori regjimi i Beogradit në trojet shqiptare.[3]

Përveç kësaj, Sanxhaku ishte një mjedis multietnik, multifetar dhe multikulturor, mjedis i  ngarkuar me konflikte të trashëguara nga e kaluara. Vrasjet e ndërsjella ndërmjet serbëve dhe myslimanëve u ndërprenë vetëm në vitin 1929, kur çeta e fundit kaçake u dëbua nga kjo pjesë e Serbisë. Por raste sporadike të aktiviteteve të tyre ka pasur deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.[4]

Sipas të dhënave të cilat posedon Muzeu në Pazar të Ri, ky qytet në periudhën mes dy luftërave botërore, përveç një numër të madh të (150) lokaleve tregtare, numri i zejtarëve ka qenë mjaft i madh, edhe pse kanë qenë të pazhvilluara. Në Pazar të Ri, po ashtu në mes të dy luftërave botërore numri i zanatlinjve ishte 34 berberë, 28 rrobaqepës, 33 këpucëtarë, 13 mitanxhinj, 10 abaxhinj, 11 drupunues, 8 tasaxhi, 10 briskpunues, 5 kolarë, 7 ahxhinj, 2 sahanxhinj, 6 qeleshepunues,[5]4 nanlapunues, 2 kujunxhinj,  4 kazanxhinj, 2 bojaxhi, 2 samarxhinj, 11 mullis etj.[6]

(Artikulli është pjesë e punimit të Masterit ” Roli diplomatik i Aqif Blytës në mbrojtjen e Pazarit të Ri”)

Vijon: Sanxhaku Lindor dhe Lufta e Dytë Botërore



[1]Historia e popullit shqiptar IV (2008). Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e saj 1939-1990, , Tiranë, Botimet Toena, f 293.

[2]Avdić, H. (1991), Položaj Muslimana u Sandžaku, Sarajevo, fq. 15, 16.

[3]Historia e popullit shqiptar IV.(2007). Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e saj 1939-1990, Botimet “Toena”, Tiranë 2008. f. 295

[4]Avdić A.(1977) Hajdučka i komitska delatnost u Sandžaku (1878-1925)“, Novi Pazar:Novopazarski zbornik, 11, 158-163.

[5]Numri kaq i madh i zejtarëve qeleshepunues, tregon më së miri simbolin kombëtar shqiptar, dhe hedh poshtë çdo thënie të autorëve serb dhe të tjerë, të cilët mundohet ta akuzojnë Aqif Blytën se me dhunë i ka detyruar qytetarët t’i bartin qylahët (plisat e bardhë).

[6]Mušović, E. (1979) Etnićki procesi i etnićka struktura stanovništva  Novog Pazara.fq. 46. citim:Mušović, Stari zanati u Novo Pazaru.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA