...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Socializmi dhe Enveri në sytë e artistëve

Dita

22/11/2016 - 13:13

Përpara viteve ’90 ishin të shumta ato familje që mbanin fotografinë e Enver Hoxhës, në këndin e fotografive familjare. Shqipëria ishte e ndarë në dy anë: për shumicën ai ishte pjesë e familjes dhe udhëheqësi i padiskutueshëm i vendit, ndërsa për palën tjetër, nuk duhet të ekzistonte dhe urrehej deri në ekstrem. Gjatë kohës kur Hoxha ishte në pushtet, për të janë thurur vargje, këngë, janë bërë libra, janë realizuar piktura dhe skulptura…

Ata që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre në ato vite janë shumë familjarë me imazhe të Enver Hoxhës, apo të jetës së realizmit socialist, dhe shumë prej këtyre imazheve janë bërë më të paharrueshme nga fotot ose nga pikturat. Piktura si “Gju më gju me popullin”, “Mjelëset”, “Në prashitje”, “Kooperativistja”, “Zadrimorja”, “Kuvendi i Lezhës” (e cila sot është pronë e Kuvendit të Shqipërisë), apo portreti i famshëm i Enver Hoxhës i vitit 1974, janë disa pika referimi për kujtesën e asaj kohe.

Ndërsa ishim duke lundrar në një faqe interneti me fotografi të vjetra shqiptare u hasëm edhe më pikturën e famshme të Enver Hoxhës, ajo që quhet “Gju më gju me popullin”. Kjo pikturë është sot pjesë e fondit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Autori i kësaj vepre është Zef Shoshi. Ai ka lindur në Tiranë në vitin 1939 dhe është piktori që plotësisht u dashurua pas portretit të njeriut. Emocionalisht ai e veçoi dhe e vendosi në sargjitë e pikturës. Ato e shfaqin si një nga piktorët, i cili nuk mund të shkëputej nga vizatimi i figurës realiste, që i besoi besnikërisht ndjeshmërisë vetjake, të cilat i sollën një produkt viziv me përkatësi dhe veçori thellësisht njerëzore.

“Enveri ishte fytyra e asaj kohe dhe arti ka fytyrën e kohës së cilës i përket”.

Një burrë imcak, i thinjur, por që në fytyrë nuk arrin ta dallosh dot se ç’moshë ka, me një admirim që duket sikur e ka zbuluar pikërisht në këtë moment artin e të pikturuarit, tregon historinë që fshihet pas këtyre pikturave.

Ai është Zef Shoshi, ndoshta një nga piktorët që përfaqëson më së miri realizmin socialist në art, një realist deri në detajet më të vogla, një portretist, për kolegët e tij, një mjeshtër, por që ky epitet atë s’e ngazëllen aspak, sepse nuk është fare i tërhequr nga fama apo dëshira për t’u shfaqur.

realizem-socialist-ne-shqiperi

Realizmi socialist në Shqipëri

“Unë di që kam nisur të pikturoj që kur isha 5 vjeç (që i bie viti 1944) e vazhdoj pikturoj ende dhe sot, por e ndjej që i përkas kohës së realizmit socialist. Unë jam gatuar në atë kohë, punën më të madhe e kam bërë në atë kohë, i përkas asaj kohe”, – shprehet Shoshi për fillimet e tij, por edhe për vitet e shkëlqimit në profesionin e piktorit.

Lidhja me pikturën nuk mund të kuptohet pa lidhjen me të atin. “Babai kishte talent, kishte dëshirë të studionte për pikturë, por nuk mundi, por kjo nuk e pengoi të pikturonte. Ai ishte një piktor amator dhe unë i kam të gjitha punët e tij. Besoj se genin e të pikturuarit e trashëgova nga im atë”.

Dhe në të vërtetë jo vetëm genin, por dhe këmbënguljen për të punuar e ka të ushqyer nga i ati, Pashko. “Ai më thoshte se që kur isha 5 vjeç e kur më çonte në Ulqin, unë vizatoja horizontin e detit. Më pas, para se të ikte në punë (ai punonte nëpunës banke) më caktonte detyra. Më kishte blerë një libër me piktura të Leonardo Da Vinçit e më vinte çdo ditë të kopjoja nga një pikturë të tij”.

Dhe Zefi e nisi profesionin e piktorit duke pikturuar punët e Da Vinçit, ndoshta kjo gjë i futi në gjak dëshirën për perfeksion në çdo punë që bënte.

Pse e pikturove Enverin?

Zef Shoshi

Zef Shoshi

I qetë sikur ajo kohë e Enverit të mos ketë ikur kurrë, apo sikur të mos e dijë kush është Enveri për shqiptarët e tjerë, Zefi thotë: “E di si është puna? Unë s’e kam takuar kurrë Enverin, përveç një herë kur isha pionier, fëmijë. Unë s’kam marrë porosi as nga partia, as nga Enveri, as nga askush, unë jam piktor, pikturoj çdo gjë që më ngjall interes.

Enveri ishte fytyra e asaj kohe dhe arti ka fytyrën e kohës së cilës i përket. Ideja më lindi spontanisht, pasi babai im punonte në Bankën e Shtetit dhe një ditë më solli një fotografi të Enver Hoxhës, e cila ishte hequr nga stendat e socializmit që bëheshin atëherë. Mua më tërhoqi dhe e skicova. Ka qenë viti ’74 dhe ai ka qenë portreti i parë që i kam bërë Enverit.

Kam punuar gjithë verën për ta përfunduar. Me po aq lehtësi sa u realizua si portret vizatimi, me aq shumë vështirësi e lodhje u kthye pastaj në vaj. Mbaj mend që më dolën flluska në krah kur po punoja dhe vajta u vizitova tek një dermatolog e mora mjekim”.

Të huajt kërkojnë vepra të realizmit socialist

Më vonë ai bëri disa tablo të tjera për Enverin; për njërën prej tyre, po ashtu e famshme, “Gju më gju me popullin”, kishte marrë më parë miratimin nga Nexhmija, bashkëshortja e Hoxhës. Por në asnjë rast nuk kishte pasur ftesë për ta takuar dhe as ndonjë falenderim apo vlerësim nga familja Hoxha.

konferenca-e-moskes-e-81-partive-komuniste-e-punetore-nentor-1960

Konferenca e Moskës e 81 partive komuniste e punëtore, nëntor 1960

“Tabloja “Gju më gju me popullin” u porosit nga Fiqret Shehu përpara se të ndodhte vetëvrasja e Mehmet Shehut. Unë punova mbi këtë vepër, por pas ngjarjes, kjo vepër më mbeti mua. Me propozim të Kujtim Buzës, i cili ishte edhe sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, kjo vepër u ble nga Kuvendi i Shqipërisë. Ajo u vendos në ambientet e pasme të Kuvendit të Shqipërisë, në ambientet e kafes, ku mblidheshin anëtarët e Kuvendit. Ka ndenjur atje deri në ndërrimin e sistemeve”, ­ thotë Shoshi

Pavarësisht se në moshë ai vazhdon të jetë aktiv në të përditshmen e tij. “Veç krijimtarisë sime të mirëfilltë unë po merrem dhe me porosi të ndryshme në pikturë, kjo edhe për nevoja ekonomike, porosi të ndryshme, që kërkojnë punë origjinale ose përsëritje të veprave të ndryshme, që unë i kam realizuar më përpara. Dëshira ime është që në krijimtarinë time të vazhdoj të bëj gjëra të reja, por edhe rrethanat ekonomike na detyrojnë të merremi dhe me këtë punë. Meqë pensionet tona nuk e përballojnë jetën si duhet, jemi të detyruar të realizojmë dhe këto kërkesa që kërkojnë vepra, kopje të punëve, apo portrete familjare. Të huajt kërkojnë më shumë vepra të periudhës së realizmit socialist, pra që unë i bëj replikë, përsëritje e një vepre të dikurshme, dhe shqiptarët më shumë portrete. Ato janë vepra që janë pëlqyer nga të gjithë vepra realiste pëlqehet gjithmonë. Unë për fat të keq jam detyruar të shes disa nga ato vepra për arsye ekonomike, por sot e shikoj që kam bërë gabim që i kam shituar, por në ato rrethana kishim nevojë”.

zef-shoshi-1939

realizmi-socialaist

zef-shoshi_enver_hoxha

   Dita

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA