...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çarja e parë mes Amerikës dhe Europës: Merkel kërkon ‘pavarësi’ nga Uashingtoni

SHJ

28/05/2017 - 20:31

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka sugjeruar se vendi i saj dhe Evropa nuk mund të mbështeten më në Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trampit. Duke folur në një fushatë në Bavari, Merkel theksoi nevojën për marrëdhënie miqësore me Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Rusinë.

Por, ajo shtoi: “Ne, evropianët, duhet vërtet ta marrim fatin tonë në duart tona.” Ajo ka thënë se kohërat kur ata mund të llogarisin plotësisht në tjerët kanë mbaruar disi. “Kohërat në të cilat ne mund të llogarisim plotësisht në tjerët kanë mbaruar disi, siç edhe e kam përjetuar në ditët e fundit,” ka thënë Merkel.

Komentet e saj vijnë pasi Trampi tha se ka nevojë për më shumë kohë për të vendosur nëse SHBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë marrëveshjen e Parisit për klimën, gjë që i ka irrituar diplomatët evropianë. Qëndrimi i Trampit e ka bërë Merkelin që t’i përshkruajë si të pakënaqshme bisedimet e grupit G7 për ndryshimin klimatik. “Nuk ka indikacione nëse Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë apo jo në Marrëveshjen e Parisit,” ka thënë ajo.   

Trampi që e quajti NATO-n të “vjetëruar” në fushatën e fundit presidenciale, nuk e mbështeti Artikullin 5 të sigurisë së aleancës për mbrojtje të ndërsjellë, qoftë edhe kur qendroi përpara monumentit të ri të NATO-s në Bruksel në nder të mbrojtjes së ndërsjellë. Monumenti përkujton sulmin e 11 shtatorit të vitit 2001, kur gjithë anëtarët e aleancës së NATO-s mbështetën SHBA-në në luftën e saj kundër terrorizmit — hera e vetme kur artikulli 5 u përdor.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA