...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ja sa do të paguajë Populli italian për të shpëtuar bankat?

SHJ

22/12/2016 - 07:42

Në javët e para pas referendumit Monte dei Pasci di Siena, banka më e vjetër në botë, u përpoq të vetë-shpëtohësh “nga brenda”. Domethënë, duke përfshirë një investitor privat, i cili do të ‘rikapitalizonte’ prej 5 miliard euro bankën, një proces që u udhëhoq nga JPMorgan dhe dështoi, pasi banka nuk mundi të gjente një “investitor shpëtimtar” (“anchor investor”) dhe duke përfshirë këmbimin e detyruar të borxhit me aksione, i cili dështoi gjithashtu. Nga dështimi i këtij procesi mbeti vetëm “shpëtimi” i qeverisë italiane. Domethënë, “shpëtimi nga jashtë”: si pasojë, ajo injektoi kursimet e popullit italian në bankë!

Këto kursime burojnë nga një fond që krijoi qeveria italiane përgjatë këtij procesi, prej 20 miliard eurosh. Ato mund të përdoren për shpëtim...“nga jashtë”, nga bankat italiane pavarësisht se shuma që ato kanë nevojë, sipas Goldman Sachs, është 38 miliard euro. Sipas një përllogaritje, shuma prej 20 miliard euro do t’i kushtojë çdo familje italiane 833 euro. Kjo zgjidhje do të dëmtojë perspektivën fiskale të vendit: sepse qoftë edhe nëse hamendësojmë se do të përdoret gjithë shuma e fondit prej 20 miliard euro, ajo do të jetë e barabartë me 1.2 për qind të PPB-së italiane, duke e bërë tejet të pamundur për Italinë të përputhet me angazhimin për të administruar borxhin e saj nën rregullat buxhetore të BE-së.

Kështu ligji i famshëm i BE-së, se kur bankat rrezikojnë të kapitullojnë do të shpëtohen nga vetë aksionarët, tregoi, edhe një herë, se ishte një fiasko për popullin italian në veçanti dhe popujt europian në përgjithësi. Kundrejt kësaj politike ose praktike e ashtuquajtura e “majta” anti-establishment, e Bepes, heshti! Pa përmendur të “majtat” e tjera europiane...dëftues është, gjithashtu, fakti që masmedia (mbi)kombëtare, ndryshe nga faza pararendëse —kur bankat ishin të ndera për të falimentuar— zgjidhjen e qeverisë italiane nuk e vendosi si kryelajm! As diskutoi në emisione të veçantë për efektet e saj. Ndërsa Komisioni Europian u mjaftua duke thënë se ai “mban shënime”!

Si pasojë, populli italian mbeti në errësirë dhe nuk organizoi dot as edhe një protestë. Nga kjo “taktikë” e masmedias kuptojmë se kujt i shërben. Por kuptojmë, gjithashtu, dhe efektin që ka për të nxitur reagimin e një populli.               

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA