Madridi shkarkoi qeverinë dhe shpalli zgjedhje të reja për Katalonjën: por çfarë mund të ndodhë tani?
Fakti që Madridi kërkon të ‘shfuqizojë’ qeverinë e Katalonjës...ai do të përpiqet të përdorë policinë dhe të kontrollojë institucionet e saj. Ky synim bëhet deri diku i pamundur përsa kohë që qeveria e Katalonjës ka gjithashtu policë dhe mbështetjen e shumicës së popullit.
SHJ/VOA
28/10/2017 - 09:18
Nëse policia e Madridit nuk e thyen dot rezistencën rreth institucioneve të Barcelonës, ka shumë mundësi të përdorë dhunë në institucionet rajonale me qëllim që ta dobësojë nga jashtë-brenda. Madridi e ka të vështirë deri në të pa mundur për ta vënë në kontroll Katalonjën. Edhe sikur të marrë institucionet, një luftë e gjatë guerrile do të fillojë. Aktualisht populli i Katalonjës është gati dhe për luftë guerrile.
Një “pranverë katalanese”, siç e quajnë ata, na pret. Ndërkohë që tronditjet e para ekonomike erdhën si për Madridin ashtu dhe për Barcelonën. Bondet e qeverisë spanjolle po shiten nga ‘investitorët’. Bankat komerciale janë humbëset më të mëdha.
Nga ana tjetër, Brukselit i intereson pavarësia e Katalonjës, jo vetëm në terma ekonomikë por edhe gjeopolitikë, pavarësisht qendrimit të tij në mbështetje të Madridit. Në terma ekonomikë, do t’i kushtojë më pak nëse një krizë shpërthen në këtë hapësirë, sepse kriza lokalizohet; në terma gjeopolitikë, mund ta kontrollojë më lehtë “Spanjën” e ndarë në dy rajone...SHJ
Spanja shkarkoi të premten qeverinë rajonale të Katalonjës, shpërndau parlamentin e saj dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme për 21 dhjetorin në një përpjekje për të tejkaluar krizën më të rëndë politike në Spanjë në 40 vjetët e fundit.
"Ne besojmë se është emergjente që të dëgjojmë qytetarët e Katalonjës, të gjitha ata, në mënyrë që ata të mund të vendosin për të ardhmen e tyre dhe askush të mos mund të veprojë jashtë ligjit në emrin e tyre", tha kryeministri spanjoll Mariano Rajoy në një fjalim në televizion.
Vendimi i qeverisë spanjolle pasoi votimin në senatin spanjoll në favor të masave për pezullimin e autonomisë së Katalonjës e cila të premten shpalli pavarësinë nga Spanja.
Mocioni për shpalljen e pavarësisë në parlamentin rajonal të Katalonjës prej 135 vendesh mori 70 vota, ndërsa 10 ishin kundër.
Ligjvënësit nga Partia Socialiste, Partia Popullore dhe Ciudadanos, braktisën parlamentin në shenjë proteste para votimit.
Departamenti amerikan i shtetit tha se Katalonja është pjesë integrale e Spanjës dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin masat kushtetuese të qeverisë spanjolle për të mbajtur Spanjën të bashkuar e të fuqishme.
Në Bruksel, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i bëri thirrje qeverisë spanjolle që "të përdorë forcën e argumentit në vend të argumentit e forcës", duke e siguruar Madridin se Bashkimi Evropian do të flasë vetëm me Spanjën.
Më pak se gjysma e popullsisë prej 7.5 milionë banorësh të Katalonjës morën pjesë në referendumin e 1 tetorit, megjithëse 90 për qind e pjesëmarrësve votuan në favor të pavarësisë.
Historia e lëvizjeve separatiste në Katalonjë, që është një nga 17 zonat autonome të Spanjës shtrihet në disa shekuj, duke përfshirë një vendim në vitin 1640 për t'u lidhur me Francën fqinje. Voa
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 163 reads



