...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Padija politike e Syriza-s dhe mundësia e falimentimit të Greqisë në korrik

SHJ

18/03/2017 - 12:11

Vërtetohen, edhe një herë, parashikimet që kemi argumentuar vitet e fundit, për Greqinë, ku kemi treguar se çfarë kërkohet që Greqia të dalë nga kriza e rëndë që ka rënë. Mirëpo, populli grek është përçarë nga partitë dhe nuk përqafon një program-projekt për t’u bashkuar. Tashmë vjen FMN-ja, me një raport të nxjerrë, dhe argumenton se Greqia përballet me një borxh publik “shpërthyes”. Domethënë, brenda pak dekadash vendi do të ketë një borxh publik thuajse tre herë sa prodhimi ekonomik vjetor, po mos të lehtësohet nga një borxh i rëndësishëm. FMN-ja sjell një portret më të zymtë se viti 2016-të, duke paralajmëruar se barra e borxhit është “tejet e paqendrueshme” dhe nuk do të përmirësohet qoftë edhe nëse ajo zbatonte reforma të tjera të rekomanduara nga fondi. Barra e borxhit do të arrijë 170 për qind të PPB-së në vitin 2020-të, dhe 164 për qind në vitin 2022, por do të jetë “shpërthyes më pas” dhe do të rritet në 275 për qind të PPB-së në vitin 2060-të. Për të njëjtën arsye, FMN-ja përsërit thirrjen për një përshtatje fiskale më pak agresive se ç’ka kërkon BE-ja dhe rekomandon për reforma të mëtejshme (privatizime!) të sistemit të pensioneve dhe përmirësim në mbledhjen e taksave, gjithashtu dhe themelimin e një rrjeti më të fuqishëm sigurie për të ndihmuar ata që do të ndikohen më shumë nga kriza. Nga ana tjetër, ky paralajmërim, do të ndalojë, sipas rregullave të fondit, FMN-në për të marrë pjesë financiarisht në shpëtimin aktual, një pjesëmarrje që vendet si Gjermania e kanë kushtëzuar për të qenë pjesë e shpëtimit dhe për të mbështetur.

Kështu, megjithëse një numër i madh i anëtarëve janë të patundur që FMN-ja të marrë pjesë në shpëtimin e rradhës, dritarja e mundësisë për një marrëveshje po mbyllet edhe për shkak të zgjedhjeve këtë vit në Europë (Hollandë, dhe më tej në Francë dhe Gjermani). Marrëveshja bëhet edhe më e vështirë kur ministrat e eurozonës besojnë se gjendja ekonomike në Greqi është përmirësuar, meqënse ajo realizoi një tepëricë primare nën programin aktual. Për të përfunduar përplasjet e gjata me kreditorët dhe larguar falimentimin në korrik të vitit 2017-të, kur Greqia duhet të paguante 7 miliard euro, SYRIZA kërkoi të emëronte Rothshildin si këshilltar! Domethënë, veproi njëlloj si Samarasi, kryeministri i partisë konservatore, “demokracia e re”, në vitin 2012-të, politikat e të cilit ZYRIZA i kundërshtonte, duke përdorur argumentin e ‘paaftësisë’ dhe duke nënkuptuar se ajo do të ishte më ‘aftë’ kur të vinte pushtet:

Sipas planit, Rothshilldi do të këshillojë vendin në gjithë sektorët që lidhen me borxhet e saj, duke përfshirë bisedime me kreditorët, përfshirjen e mundshme të një programi të Bankës Qendrore Europiane për blerjen e bondeve greke një herë në muaj dhe rifillimin e qeverisë greke në shitjen e bondeve. Për këtë shërbim do të paguhet një divident i veçantë (“bonus”) kur Greqia të rifitojë qasjen në tregjet botëror të borxhit. Emërimi i Rothshildit si këshilltar i borxhit sovran [ose publik], i cili do të nevojitet të miratohet nga ministat, do të zëvendësojë marrëveshjen e ministrisë së financeve greke me një bank amerikane investitore Lazard, e cila udhëzoi vendin në vitin 2012-të kur u shpëtua si fillim. Puna e Lazard-it në ristrukturimin e borxhit grek —në atë kohë më i madhi në histori— i dha bankës deri 25 milion euro në tarifa. Lazard-i aktualisht operon si këshilltar financiar i minstrisë së energjisë greke...Nga borxhi prej 323 miliard euro, vetëm 35 miliadr euro zotërohet nga investitorët privatë të cilët zotërojnë bonde greke. Pjesa tjetër është në duart e kreditorëve sektorial siç është FMN-ja dhe institucionet europiane...Këto përplasje sollën efektin anësor mbi bondet dhe aksionet greke: ato u zhvlerësuan edhe më shumë.[1]

Të gjitha këto për t’u kthyer në tregun botëror të borxheve ku interesat tregëtarizuese të SHBA-ve, siç tregon Stiglitz, “mund të dominojnë vendimin e gjykatave.”[2]. Domethënë, gjykatat e borxheve sovrane, të cilat rezidentojnë në Amerikë dhe Britani, krijojnë vonesa për zgjidhjen e kontratave të borxhit, hamendësisht qëllimshëm, dhe vonesat, me rradhë, edhe më shumë kaos për vendet e përfshira në kontrata borxhesh. Rothshilldi këshilloi, në të vërtetë, edhe bankën e dytë më të madhe në Gjermani: “Commerzbank”, për shitjen e një pjese të biznesit të saj.[3] Ciprasi, për më shumë, tregoi edhe një herë, padijen e tij lidhur me taktikat institucionale: sepse përgjatë përplasjeve, në vend të mbante një qendrim të matur me FMN-në, meqënse vetëm kjo e fundit mbështeti lehtësim financiar për Greqinë, ndryshe nga komisioni europian dhe gjermanët, përdori kritikë kundrejt saj dhe mbajti qendrim të butë kundrejt europianëve, duke nxitur largimin e FMN-së nga çështja e borxhit grek. Nëse FMN-ja largohet —një variant të cilin e mbështet dhe e imponon edhe administrata e Trampit—,[4] dy nga ngjarjet e mëposhtme do të ndodhin: “ose Greqia do të falimentojë në borxhin e saj këtë verë dhe do të detyrohet të largohet nga eurozona, ose Berlini do të pranojë lehtësimin e borxhit pak muaj para zgjedhjeve”.[5] Mundësia më e madhe mbetet dalja e Greqisë nga eurozona meqënse dihet se lehtësimi financiar do t’u jepte të drejtë spanjollëve dhe italianëve të thoshin se ne po zbatojmë reforma dhe nuk po shpërblehemi me lehtësim financiar dhe se shumica e popullit gjerman nuk e mbështet këtë veprim. Në të vërtetë kriza greke i ka rrënjët thellë në histori dhe ajo është dirigjuar gjithnjë nga fuqitë perëndimore. Siç citon një studiues i Universitetit të Sorbonës:

Patronazhi dhe korruptimi kanë rrënjë historike. Greqia nuk ka gëzuar asnjëherë një shtet modern me burokraci relative autonome, të lirë nga interesat private, me kapacitet për të formuar zhvillim ekonomik dhe social. As nuk ka pasur një identitet civil të fortë. Fuqitë e huaja kanë imponuar preferencat e tyre që nga koha e pavarësisë në vitin 1830, kur Greqia u detyrua të integrohej në ekonominë botërore kapitaliste në një pozicion periferik, që u mbajt e skllavëruar dhe luftuar nga fuqi të ndryshme të mëdha. Historia ka mbivendosur një model artificial politik mbi një shoqëri të fragmentuar tradicionalisht të përqendruar mbi besnikëritë lokale, vlerat e shtrira familjare dhe komunitare. Si rezultat, sistemi politik i Greqisë ka qenë gjithnjë autoritar dhe i qendërzuar, duke refuzuar ndarjen e pushteteve, autonominë lokale dhe demokracinë reale — tokën pjellore për korrupsion dhe patronazh që i shërben interesit dhe fortifikon dominimin e elitave. Grekët i kanë braktisur të gjitha këto.[6] 

Papunësia në Greqi përgjatë periudhës 2005-08 ishte më pak se 8% (sipas shifrave zyrtare) në 2009 u rrit në 9.5%, në vitin 2010 ajo u rrit në 12.1% dhe në 2011 në 14.3%. Llogari të tjera japin shifra se papunësia është më shumë se 20% dhe në disa zona periferike papunësia kalon 70%.[7] Nëse përllogarisim shifrën mesatare të papunësisë në Greqi sipas shifrave të mësipërme, ajo duhet të jetë rreth 22% në nivel shtetëror, më shumë se Spanja (20%). Sipas një studimi të fundit,[8] papunësia ka arritur mesatarisht 16% të forcës punëtore, por nuk duhet harruar se ky grup është i nën-punësuar, d.m.th ata punojnë me kohë të pjesshme (part-time) - gjatë sezoneve të verës (punëtorë sezonalë)...në kuadër të ‘fleksibilitetit’ dhe ‘flex-security’ të tregut të punës, një kuadër që e imponon globalizmi neoliberal.

*Kjo analizë është shkëputur nga një studim më i gjerë me titull: Ekonomia ekstroverte falimentoi Greqinë: Shqipëia drejt të njëjtës greminë. Ylli Përmeti


[1]Greece plans to appoint Rothschild as debt aviser, FT, Feb 13, 2017.

[2]A fair hearing for sovereign debt, Project Syndicate, Mar 5, 2015.

[3]Commerzbank hires Rothschild to advise on EMC sale, FT, Feb 13, 2017.

[4]IMF under pressure in Washington over Greek bailout, FT, March 17, 2017.

[5]A failure to tell the truth imperils Greece and Europe, FT, Feb 12, 2017.

[6]  Greece in chaos, Noëlle Burgi, Le Monde Diplomatique,December 2011.

[7]Στα ύψη η ανεργία, στα τάρταρα το ΑΕΠ, Eleftherotypia, 8 Σεπτεμβρίου 2011.

[8]Po aty.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA