Të paktën 58 të vrarë dhe mbi 500 të plagosur prej të shtënave më vdekjeprurëse në historinë e SHBA-së
SHJ
02/10/2017 - 12:17

Policia e Las Vegasit njoftoi se një 64 vjeçar sulmoi me armë një koncert të muzikës country që po zhvillohej mbrëmjen e së dielës. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 500 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten dhe sipas burimeve të policisë ai nuk kishte lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.
Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.
“Të shtënat vazhdonin pa pushim. Kishte vetëm pauza të shkurtra. Por, dukej se vazhduan për rreth 20 minuta. Sapo krijohej një pauzë, vraponim dhe vetëm vraponim. Nuk isha e sigurtë nëse ishin realisht plumba, por njëri prej miqve tanë na tha se u godit dikush pranë nesh”, tregon Vanessa, vizitore nga Kalifornia.
Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se sulmuesi ndodhej në katin e 32-të të kazinosë Mandala Bay, përballë vendit të ngjarjes.
“Mendojmë se ai është vendas. Nuk mundem t’jua them ende vendbanimin e tij, pasi po zhvillohet hetimi. Nuk dimë se në çfarë besonte”, tha sherifi Lombardo.
Autoritetet ishin gjithashtu në kërkim të një gruaje që mendohej se ishte shoqëruese e të dyshuarit 64-vjeçar, Stephen Paddock.
Ndër të vrarët janë edhe disa oficerë policie që po ndiqnin koncertin.
Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, njerëzit kërkuan strehim në hotelet e shumtë përgjatë distriktit turistik. Në zonë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit, ku fluturimet u pezulluan.
Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter: “Ngushëllimet më të sinqerta për viktimat dhe familjet e sulmit të tmerrshëm në Las Vegas. Zoti ju bekoftë!”.
Ylli i muzikës country, Jason Aldean, ishte duke kënduar në skenë kur filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai shkruajti në Instagram, duke e përshkruar momentin “të llahtarshëm”.
Në panik njerëzit janë përpjekur të shkojnë në vende të sigurta. VOA

...
Policia e shtetit federal Nevada ndodhet me trupa të përforcuara në vendin e ngjarjes. Këtë e konfirmojnë dëshmitarët okularë, sipas të cilëve një i armatosur ka hapur zjarr nga kazinoja Mandalay Bay dhe kompleksi i hoteleve. Ndërkohë personi është "bllokuar". Një i dyshimtë është shtrirë përdhe, tha zëdhënësi i policisë Steve Gomez në konferencë shtypi, pa e shpjeguar këtë më tej. Forcat e rendit ndërkohë mendojnë, se ngjarja ka të bëjë vetëm me një doras, sikurse njoftojnë ato në paltformën Twitter.
Përpara kompleksit të ndërtesave ishin mbledhur rreth 30.000 viziotë për të ndjekur festivalin muzikor "Route 91 Harvest", kur papritur pasuan plumbat nga shtënat. Këngëtari i muzikës country Jason Aldean ndërpreu menjëherë shfaqjen e tij. Dëshmitarët okularë thonë, se kanë dëgjuar qindra të shtëna. Shumë njerëz ishin shtrirë përdhe të gjakosur.
Gjendja është ende e paqartë. Policia i bëri thirrje popullsisë që ta evitojë këtë zonë. Spitali i Las Vegasit deri tani bën fjalë për 20 të vdekur dhe të paktën 100 të plagosur.
Kazinoja është evakuuar. Ruga e njohur Strip, rruga kryesore, ku ndodhen shumë kazino të mëdha është rrethuar. Aeroporti i qytetit më të madh të Nevadës e ka nderprerë aktivitetin. Policia u bëri thirrje njerëzve përmes Twitter-it që të mos vendosin livestream nga aksioni i policisë në internet. Kjo mund t'i rrezikojë forcat e policisë. DW


Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 274 reads




