...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Do të çlirohen shqiptarët nga borxhi i hatashëm i klasës politike?

Kontradiktat sistemike të traktatit të Maastricht-it me përqindjen e borxheve dhe e ardhmja e borxhit të Shqipërisë

SHJ

14/10/2018 - 09:53

Traktati i Maastricht-it (1992) vendosi një mbikqyrje fiskale shumëpalëshe për anëtarët për t’u përputhur me disiplinën buxhetore duke respektuar dy kritere: përqindjen vjetore të deficitit kundrejt PPB-së prej 3% dhe përqindjen tërësore të borxhit kundrejt PBB-së prej 60%. Problemi kryesor me këtë qasje është se ‘borxhi’ themelohet në praktikat e qeverive. Racionalja pas kësaj përqindje është se kur një qeveri ka borxhe poshtë shkallës së 60% ka shumë mundësi ta rekuperojë deficitin. Por përse mos të pranojmë një qeveri pa borxhe? Ose, meqë ekonomitë e vendeve kanë ndryshime në konkurrencë (janë të pabarabartë), përse shifra është e njëjtë për të gjithë? Sa mundësi ka ekonomia shqiptare, për shembull, të rigjallërojë ekonominë e saj kur ajo dominohet nga ekonomitë e mëdha? Dhe si mund të adoptohet e njëjta përqindje për ekonomi të pabarabarta?! Qartësisht, Traktati në fjalë nuk i konsideron këto aspekte. Hamendësisht, sepse u hartua nga vendet metropole të unionit. Siç citon Fotopoulos lidhur me këtë problematikë:

Krijimi i pabarazive të pakapërcyeshme brenda një bashkimi ekonomik, siç është Bashkimi Europian, mund të themelohet jo vetëm mbi teorinë ekonomike radikale, por edhe mbi teorinë ortodokse, pasi në kushte të tregjeve të hapur dhe të lirë, vendet me prodhim dhe efiçencë më të madhe ekonomike do të dominojnë në lidhje me vendet më të dobëta dhe ndryshimet do të jenë më të mëdha, përveç rastit nëse atje ekziston një përpjekje e kundërt e barabartë për kalimin e dinamikës ekonomike nga qendra e bashkimit për përmbysjen e këtyre prirjeve në periferi, që sigurisht nuk ekziston brenda në Bashkimin Europian, as edhe në SHBA, ose në çdo shtet tjetër kapitalist.[1] 

Një tjetër çështje që nuk përmendet nga traktati në fjalë është natyra e borxhit: ai është borxh që merret në tregun ndërkombëtar (banka, fonde etj.) dhe jo “borxh” që merret në bankën qendrore të një vendi siç veprohësh shekullin e kaluar me politikat keinsiane! Për të braktisur “borxhin” keinsianist dekadat e fundit janë përdorur disa studime që argumentojnë se ai është i dëmshëm ndërsa borxhi neoliberal është më i shëndetshëm. Kjo është një tjetër çështje që kam shqyrtuar gjerë e gjatë në studime të tjerë dhe kam treguar se në rendin botëror të globalizmit neoliberal mund të përdoret por nevojitet dije sistemike. 

Por sa është borxhi i Shqipërisë dhe sa mundësi ka ai të bierë me kushtet që janë krijuar? Sipas një raporti të vitit 2014-të[2] borxhi shqiptar ishte më shumë se $1500 për person, (më shumë se $6 miliardë, nga i cili $4 miliardë ishte borxh i brendshëm dhe $2.6 miliardë borxh i jashtëm).[3] Borxhi, në fjalë të tjera, ishte më shumë se njëmbëdhjetë paga mujore me të ardhura mesatare kur një në tre familje shqiptare është e zhytur në borxhe kundrejt bankave – dhe kur 70% e kredive është përdorur për blerje të pronës së paluajtshme dhe 50% e tyre është përdorur për qëllime likuiditeti[4] dhe, kur gati 65 miliardë lekë kredi të marra në banka nuk kthehen nga individët dhe bizneset, ose rreth 17% ndaj totalit.[5]

Paralel me borxhin publik―të cilin qeveria “Rama” filloi ta ulte me politika kursimtare― është krijuar borxhi në nivel bankar dhe ndërmarrjesh: sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) kredia me probleme në Shqipërinë e vitit 2014-të është thuajse dyfishuar. BERZH-i e klasifikon në nivel të lartë krahasuar me ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi, me 24,4% të gjithë portofolit të kredive të dhëna, duke zënë vendin e parë në rajon. Maqedonia i ka kreditë e pashlyera në nivelin 0,8%, Bosnja më pak se 7% dhe të njëjtin nivel ka Mali i Zi dhe Serbia. Vendi i vetëm në ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi me nivel më të lartë huash bankare të pashlyera se Shqipëria rezulton Kazakistani, me 36,7%.[6]

Ky borxh u fshi nga defterët e bankave pasi ndërhyri qeveria “Rama” me një ligj. Në maj të vitit 2018-të borxhi i përgjithshëm i Shqipërisë sipas FMN-së ra në 72.4 për qind me pritshmëri të bierë në 69.8 për qind në vitin 2019-të. Por ndërsa borxhi i brendshëm ra në 35.2 për qind, borxhi i jashtëm u rrit në 37.2 për qind![7] Thuajse të njëjtën shifër njoftoi dhe KLSH-ja: sipas saj, qeveria “Rama” ka ulur rrejshëm borxhin gjatë vitit 2017-të duke krijuar detyrime të prapambetura (tvsh-në e parimbursuar kundrejt biznesit dhe huamarrja). Kështu borxhi nuk ishte 70 për qind por 72 për qind ndërsa deficiti buxhetor ishte 3.5 për qind dhe jo 2 për qind siç raportoi ministria e financave. Sidoqoftë, është e qartë se borxhi është i lartë.

Të gjitha këto kur eksportet vitin e kaluar ishin vetëm 2.1 miliard euro dhe rezerva valutore e vendit ishte në fund të vitit 2017-të rreth 2.9 miliardë euro. Kjo sasi është më e ulët se borxhi i jashtëm. Ekspozimi i lartë i borxhit publik në raport me PPB-në dhe borxhi i lartë në valutë e rendit Shqipërinë në vendet me rrezik të lartë. Për pasojë, vendi ynë, thuajse njëlloj si Greqia, do të vuajë në afatgjatë nëse nuk ndryshon politikat ekonomike. Domethënë, jo duke mbajtur rrogat e punëtorëve të ulëta siç kërkon tregu ndërkombëtar dhe siç janë pajtuar në padijen e tyre qeveritë tona, me qëllim që vendi të jetë më “konkurrent”, por të organizojë sektorët e prodhimit, duke përfshirë dhe sektorin e energjisë, çmimi i së cilës do të luajë rol vendimtar në koston e prodhimit, me qëllim që t`i bëjë ato më konkurrente në tregun botëror. Por për realizimin e këtij objektivi nevojitet një qeveri me dije sistemike.

Fakti që s`kemi ndonjë parti dhe lëvizje politike me dije sistemike qeveritë do të luajnë me pragun e vendosur nga traktati i Maastricht-it: kështu herë do të zëbresin poshtë tij herë do ta kalojnë. Por kurrë nuk do të synojnë ta çlirojnë vendin nga borxhet. As do të synojnë të çlirojnë shqiptarët nga borxhet e tjerë që marrin në bankat vendore. Kështu shumica e shqiptarëve përballet me dy lloj borxhesh: me borxhin që krijon qeveria për të financuar administratën dhe punët publike dhe borxhet që krijonë vetë ata kur marrin borxhe nga bankat për zhvillimin e ndonjë ndërmarrje apo për ‘konsum’. Dhe fakti që as qeveria nuk do t`i çlirojë nga borxhet por as vetë shqiptarët e zhytur në borxhe nuk do të synojnë të çlirohen nga borxhet, një shoqëri e nënshtruar dhe e paemancipuar përjetësohet. 

Pjesë nga Ekonomia ekstroverte shkatërroi Greqinë dhe Shqipërinë, Ylli Përmeti...



[1]Η ΕΕ στα κόμματα εξουσίας...αλλά και στην κυβέρνηση της Αριστεράς! ΤΑΚΗΣ ΦΩΤΟΠΟΥΛΟΣ, Eleftherotypia, 3 Ιουνίου 2012.

[2]Shtohen borxhet për shqiptarët, 223 milionë USD kredi nga arabët, Shqip, 2011-05-24. Borxhi për frymë në vitet 2010-2014, Opendata.al, Tetor 2014.

[3]Shqiptarët, të zhytur në borxhe, 1 në 3 familje ka kredi në bankë, Shqip, 2011-08-19.

[4]Po aty. 

[5]Ekonomia, Bode kundër të gjithëve, Shqip, 14/12/2010.

[6]Kuota e lartë e kredive të pakthyera rrezikon rritjen ekonomike në Shqipëri, DW, 16/02/2014.

[7]IMF Contry report No. 18/123, Albania: Selected economic indicators, 2013-2019.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA