...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shtirjet e ministrit të jashtëm grek me Shqipërinë dhe paturpësia e Spiropalit dhe shqiptarëve

“Bisedimet” e “reja” mes palës sonë dhe greke nuk mund të quhen “bisedime” për sa kohë që ato zhvillohen në kushte të pabarabarta, me palën tonë të paraqitet tërësisht kriminale, pjesërisht sepse s`ka dije lidhur me pasojat tejet të rrezikshme për kombin tonë nga gjeostrategjia greke dhe pjesërisht sepse dijen e censuron

Ylli Përmeti

20/12/2025 - 14:16

Ministri` jashtëm grek e bëri të qartë përmbajtjen e bisedimeve diplomatike (kuptoji si “jo të ndershme”) që ditën e parë të vajtjes së Spiropalit kur tha në qendrimin e tij se “ne duhet të përqendrohemi…në dobinë qendrueshmërisë dhe përparimit në rajon”, kur dihet se është qeveria e tij që nxit paqendrueshmëri me epshet e saj për të zgjeruar ujërat detare, për të shkatërruar jetën e deteve dhe në rastin e Shqipërisë, për ta përdorur detin Jon si “trampolinë” për të përparuar me gjeostrategjinë e saj.

Pas kësaj shtirjeje, ministri përmendi një shtirje tjetër: “ndihmën” e emigrantëve shqiptarë në shoqërinë fetar-totalitare greke dhe e quajti atë “të rëndësishme” por “harroi” të përmendte shkeljet e të drejtave të punëtorëve atje, veçanërisht ndaj shqiptarëve, ndaj të cilave BE-ja kërkon përfshirjen e ligjit të saj në ligjin kombëtar mbi kushtet e punës (Directive 2019/1152) por Athina bën sikur s`sheh nga sytë e s`dëgjon nga veshët.

Më pas tregoi çështjen kryesore që kishte biseduar me “homologen” e tij —“zgjerimin”, i cili është “kyçi” kryesor i Greqisë për t`ia mbyllur gojën Shqipërisë, që, sipas Athinës, është “domosdoshmëri gjeopolitike”; ndaj ajo mbështet dhënien e një “vrulli të ri”, sidomos kur të marrë drejtimin e presidencës së Këshillit Evropian.

Bashkimi me BE-në është “rruga e vetme” për Ballkanin Perëndimor, beson Athina, sidomos kur ai gjoja “kërcënohet” nga ndërhyrjet e huaja dhe nacionalizmi. Përmes kësaj qasjeje, që është e mirëditur për ne shqiptarët, Athina përparon me gjeostrategjinë e saj ndërsa kërkon dhe zbatimin e ligjit lidhur me pronat për “pakicën greke” në Himarë.

Ai e mbyll qendrimin e tij duke na treguar fushat e bashkëpunimit (tregti etj.) për të cilat Spiropali shtoi “lehtësirat ekonomike” ose krahun e lirë të punës dhe mungesën e të drejtave të punëtorëve, më keq se në Greqi, falë qeverisë reaksionare të Ramës dhe elitës sonë, por dhe mungesën e zbatimit të ligjeve lidhur me mjedisin.

Kështu, me ato marrëveshje, kërkesa (jozyrtare) e çaçkës së Ramës, Spiropalit, për shfuqizimin e ligjit të luftës, është më shumë se qesharake, jo vetëm sepse ajo ishte “e ftuar” nga Athina por si “mike” duhet të përshtatësh me “epshet” e bujtësit. Në të vërtetë, Spiropali e bëri të qartë se cila do të ishte përmbajtja e bisedimeve dy ditë përpara se të shkonte në Athinë, për gazetën greke “Ta Nea”, ku tha se do të kishte “bisedime 360 gradë” siç i quajti ajo, ose “për gjithçka” për kur lexon përmbajtjen e “çështjeve”, s`janë gjë tjetër veç pikat që shprehu Jerapetritis.   

Përmblethtas, mund të thuhet se “bisedimet” e “reja” mes palës sonë dhe greke nuk mund të quhen “bisedime” për sa kohë që ato zhvillohen në kushte të pabarabarta me palën tonë të paraqitet tërësisht kriminale, pjesërisht sepse s`ka dije lidhur me pasojat tejet të rrezikshme për kombin tonë nga gjeostrategjia greke dhe pjesërisht sepse dijen e censuron. Si e tillë, qeveria “Rama 4/5” dhe elita jonë neoliberale në tërësi është dy herë kriminale, në kuptimin kombëtar të fjalës.          

Qendrimi` përmblethtas i ministrit të jashtëm grek:

Greqia dhe Shqipëria janë të lidhura nga lidhje të gjata miqësie dhe bashkëpunimi. Sigurisht, ne e pranojmë se kemi kaluar edhe në çaste dhe sprova të vështira.

Megjithatë, gjeografia jonë e përbashkët dhe gjendja e tanishme gjeopolitike kërkojnë të shikojmë përpara. Ne duhet të punojmë ngushtë për të përmirësuar marrëdhëniet tona. Ne besojmë fuqimisht se aty ku ka vullnet, ka edhe një rrugë.

Për këtë arsye, ne duhet të përqendrohemi në atë që na bashkon në dobi të qendrueshmërisë dhe përparimit në rajon, dhe ta shohim të ardhmen e marrëdhënieve tona dypalëshe me largpamje.

Në të vërtetë, Pakica Kombëtare Greke vendase në Shqipëri vazhdon të shërbejë si një urë kumtimi dhe mirëkuptimi dhe përbën lidhjen e pandërprerë midis dy popujve tanë.

Po aq e rëndësishme në këtë drejtim është ndihma i emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe lulëzojnë në Greqi, duke shfaqur një shkallë mjaft të rëndësishme të përfshirjes së mbarë në shoqërinë greke.

Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, patëm mundësinë të shkëmbejmë pikëpamje mbi çështje me dobi rajonale dhe ndërkombëtare, mbi bashkëpunimin tonë brenda NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara, si dhe në organizata dhe forume të tjera ndërkombëtare.

Një nga çështjet kryesore të trajtuara në bisedimet e sotme ishte Zgjerimi, të cilin të gjithë e njohim si një domosdoshmëri gjeopolitike për Bashkimin Evropian.

Ashtu si në takimin tonë të fundit në Vjenë, ku u takuam në kuadër të grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, theksova rëndësinë e dhënies së një vrulli të ri të ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Greqia, nëpërmjet Axhendës së Selanikut, ishte një pioniere në mbështetjen e idesë së bashkimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Njëzetë e dy vjet më vonë, Greqia mbetet në ballë të kësaj përpjekjeje. Me Presidencën Greke të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027 në horizont, ne jemi gati të ndërmarrim nisma për të përshpejtuar rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Jemi të bindur se bashkimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane përbën të vetmen rrugë drejt krijimit të një mjedisi paqeje dhe sigurie në një rajon me një histori të gjatë përçarjesh dhe konfliktesh.

Gjithashtu do të ndihmojë në kapërcimin e rreziqeve të paraqitura nga ndërhyrjet e jashtme të panevojshme, si dhe nga ringjallja e përkapjeve stereotipike dhe retorikës së vjetëruar nacionaliste dhe revizioniste - elementë që nuk ndihmojnë në ndërtimin e besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Greqia mbetet e vijueshme me qëndrimin e saj të shpallur mbi konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me BE-në, bazuar në meritat dhe reformat e veta. Në këtë drejtim, ne mirëpresim përparimin e Shqipërisë, i cili çoi këtë vit në hapjen e kapitujve të bisedimeve të pranimit, ku Greqia miratoi një qëndrim vërtet të dobishëm.

Brenda këtij kuadri, ne i kushtojmë rëndësi të veçantë përmbushjes së të gjitha detyrimeve përkatëse, veçanërisht në lidhje me “Themelet”, përparimi në të cilin përcakton ritmin e përgjithshëm të bisedimeve.

Kujdes i veçantë duhet t`i kushtohet nderimit të mbrojtjes dhe ruajtjes së të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek vendas, i cili përbën një përparësi të madhe për ne dhe, më gjerësisht, një përmasë vendimtare për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Ne kemi rënë në ujdi tashmë për të forcuar bashkëpunimin tonë në kuadër të funksionimit të Kadastrave Shtetërore, me qëllim dhënien e titujve të pronësisë në mënyrën më të shpejtë të mundshme, në fushat me dobi për pakicën greke.

Në takimin tonë të sotëm, ramë në një mendje se ka hapësirë të rëndësishme për zgjerim sasior dhe thelbësor të një bashkëpunimi tashmë shumëplanësh, veçanërisht në fusha të tilla si tregtia, lidhshmëria, energjia, investimet, bashkëpunimi ndërkufitar, turizmi, arsimi dhe kultura.

Për më tepër, pothuajse të gjitha çështjet që shqetësojnë botën bashkëkohore dhe në veçanti sfidat e shumëfishta, duke përfshirë fushat e sigurisë, krizës klimatike dhe lidhshmërisë, i tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe kërkojnë këshillime dhe veprime të përbashkëta në nivel rajonal dhe më të gjerë ndërkombëtar, aq më tepër midis dy vendeve me një pasuri shpirtërore (traditë) të gjatë bashkëjetese dhe bashkëpunimi brenda hapësirës sonë të përbashkët gjeografike.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA