...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Tre shkaqet kryesore pse ndërmarrjet e vogla s’paguajnë dot taksat

11/12/2016 - 17:26

Masmedia e ka bërë zakon t'i komunikojë publikut faktin e kryer; nuk mundohet fare për t'i treguar shkaqet, pavarësisht se është detyra e saj! Për shembull, lidhur me mospagimin e detyrimeve të ndërmarrjeve të vogla; ja si e paraqet një e përditshme:

'Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore ka ardhur në rritje. Nga të dhënat më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku shihet qartë numri i madh i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet.

Sipas shifrave zyrtare nga kjo drejtori, lista e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet tatimore është 19 762, nga 13 778 biznese që ishin në fund të muajit dhjetor të vitit që shkoi.

Referuar këtyre statistikave, kësaj “liste të zezë” vetëm gjatë 3 muajve të fundit i janë shtuar 1617 subjekte, raporton Tv Scan. Ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.

Vetëm pak kohë më parë ka qenë vetë ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili ka bërë publike vlerën prej 1.4 miliardë dollarë, që bizneset i kanë administratës tatimore, si detyrime fiskale.

Ndërkohë me ndryshimin e procedurave tatimore po synohet të gjendet një mënyrë për të rritur efikasitetin e tatimeve për mbledhjen e borxhit “të keq” tatimor.

Por në muajt në vijim pritet një ulje e këtij numri, pasi Administrata tatimore tashmë po lidh kontrata specifike me shumë sipërmarrje për  pagesën e detyrimeve tatimore me këste.

Kjo pritet ti japë një frymëmarrje biznesit në lidhje më detyrimet e prapambetura.' Dita

Por tre janë shkaqet kryesore të pamundësisë së ndërmarrjeve të vogla për të paguar taksat: së pari, globalizmi neoliberal ka braktisur -objektivisht- mekanizmin e kërkesës dhe ka lënë të veprojë në treg vetëm mekanizmi i ofertës. Kërkesa në globalizmin neoliberal nuk mund të ruhet në konstancë për dy arsye: sepse qeveritë adoptojnë politika kursimtare, sepse zhyten në borxhe, dhe rrjedhimisht, nuk investojnë në sektorin publik. Sepse është ky i fundit që ruan kërkesën në treg. Domethënë, kur qeveritë investojnë në sektorin publik, ato investojnë tërthorazi edhe në sektorin privat: sepse rritet kërkesa në treg. Atje është, sigurisht, edhe një arsye dytësore: keqadministrimi i ndërmarrjeve. Por dihet se edhe keqadministrimi ka shkaqe. Shkaku kryesor është keqedukimi i ndërmarrësve lidhur me sistemin dhe efektet e politikave të qeverive. Dhe një shkak tjetër, janë monopolet dhe oligopolet: ato shkatërrojnë ndëmarrjet e vogla që operojnë në të njëjtin sektor - përjashto mundësinë kur monopolet bashkëpunojnë me ndërmarrjet e vogla. Por, nëse gjykojmë nga praktikat e mono-oligopoleve, ato zakonisht bashkëpunojnë me pushtetin politik dhe të dy bashkë, shkatërojnë ngadalë ndërmarrjet e vogla. 

 

 

 

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA