Është militarizimi i Europës një përpjekje për t’u shkëputur nga NATO-ja dhe varësia ushtarake amerikane?
Pavarësisht se nismëtarët thonë se kjo përpjekje është plotësuese e NATO-s - është e qartë se BE-ja po përgatitet të krijojë kushtet për pavarësi ushtarake. Nuk është e rastit përmendja e termit ‘pavarësi’ nga ministri i jashtëm gjerman.
SHJ
14/11/2017 - 15:17
Përpjekjen për krijimin e strukturës së re e udhëheq Gjermania dhe Franca me Italinë si shoqëruese se sa përcaktuese. Përmes saj synohet të mblidhet logjistikë ushtarake dhe t’u përgjigjen krizave me trupa ushtarake ndërsa bashkëpunohet në zhvillimin e armëve të gjeneratës së re. Por ndërsa Franca kërkoi nga struktura (Pesco) të jetë sa më ambicioze në terma projektesh dhe e ndarë mes pak shtetesh me ushtri të mëdha, Gjermania kërkoi përfshirjen e sa më shumë vendeve — një qendrim që mbizotëroi.
Synimi qendror i Pesco-s është të shkurtojë problemet ndër-operacionale që shfaqen nga një sërë sisteme armësh që përdoren në Europë. Pesco do të luajë në prirjen e përgjithshme për të kursyer pará duke gërshetuar burimet për projekte si plani franko-gjerman që u deklarua në korrik për ndërtimin e aeroplanëve luftarak europianë. Struktura do të shërbejë për vendet që duan të blejnë ose zhvillojnë armë bashkë. Pesco shihet si një ombrellë për mbrojtje rajonale operacionale e njëjtë si bashkëpunimi aktual i flotës së Belgjikës dhe Hollandës ose Komanda Ajrore e Transportit Europian, e cila përfshin Hollandën, Belgjikën, Francën dhe Gjermaninë. Vetëm se këtë përpjekje e nënshkruan 23 ministra të jashtëm dhe mbrojtje nga 28 gjithsej.
Angazhimi i gjithë palëve në rritjen e shpenzimeve ushtarake është parësor. Të paktën 20 për qind e totalit do të shkojë për blerjen e armëve. Për pjesën e saj, BE-ja synon të kontribuojë me 500 milion euro çdo vit dhe 1 milird euro pas vitit 2021 për projekte të përbashkët ushtarake.
Aktualisht janë parashtruar 47 propozime për projekte të përbashkët: ata përfshijnë një trup për t’u përgjigjur krizave (korpus); themelimin e një njësie luftarake shumëkombshe; një “qendër përsosjeje” për misione trajinuese europiane; plane parandalues për ndërhyrje ushtarake në zona të ndryshme rreth botës; një “zonë ushtarake Shengen”, e cila do të lejojë zhvillimin e butë të armëve të rënda pa pengesa burokratike; zbulim të përbashkët satelitor; një komandë mjekësore europiane; dhe qendra logjistike të përbashkëta. Dhjetë nga këta projekte do të fillojnë në dhjetor.
Nismëtarët thonë se Pesco është plotësues i operacioneve të NATO-s, e cila do të vazhdojë të ruajë rolin e saj parësor për mbrojtjen territoriale të kontinentit. Ngjarje ndërkombëtare kanë shërbyer për krijimin e Pesco-s (luhatja e Trampit lidhur me NATO-n etj.).
Paralel me këtë strukturë, Franca dhe Italia po përpiqen të krijojnë një “kampion europian” komercial për ndërtimin e anijeve ushtarake duke krijuar një grup studimor të përbashkët me STX-in francez dhe Fincantieri-n italian (STX-Fincatieri). Një ndër synimet kryesore të aleancës është të bëjë grupin më konkurrent në tendera ndërkombëtare, kryesisht duke vepruar kundër rivalëve nga Amerika por gjithashtu nga vende si Kina dhe Koreja Jugore. Përpjekja si fillim u sfidua politikisht por në fund shpëtoi me disa teknikalitete financiare të Francës. Kjo përpjekje, pavarësisht se e paraqesin si ‘komerciale’, lidhet ngushtë me përparimin e integrimit ushtarak të BE-së në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal.
Fillimi i dekadës tjetër do ta gjejë Europën me një fuqi ushtarake ndërhyrëse, me një buxhet të përbashkët mbrojtje dhe një doktrinë ushtarake të përbashkët. Palët, siç citoi ministrja e mbrojtes gjermane, Ursula Von der Leyen, ndërmorrën “një hap të mëtejshëm drejt një ushtrie për Europën”. Ndërsa ministri i jashtëm gjerman tha se ky hap ishte “historik” dhe “është një hap drejt pavarësisë dhe fuqizimit të sigurisë së BE-së dhe politikën e mbrojtjes. Pavarësisht se nismëtarët thonë se kjo përpjekje është plotësuese e NATO-s - është e qartë se BE-ja po përgatitet të krijojë kushtet për pavarësi ushtarake. Nuk është e rastit përmendja e termit ‘pavarësi’ nga ministri i jashtëm gjerman.

Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 127 reads



