Irani kërcënon Europën me sulm bërthamor
Deklarata vjen pas qëndrimit të disa shteteve europiane që mbështesin linjën e Uashingtonit lidhur me programin bërthamor të Iranit.
SHJ
26/11/2017 - 15:06
Irani ka lëshuar një kërcënim bërthamor për Europën: “Ne jemi të gatshëm të rrisim rrezen e raketave tona në mbi dy mijë kilometra”, ka thënë gjenerali Hossein Salami, zëvendës udhëheqës i Gardës Revolucionare -- një distancë që do të vinte disa vende të Europës në rrezik.
Në një deklaratë për agjencinë Fars, zyrtari i lartë shprehet se Teheranit nuk i “mungon teknologjia”. “Nëse nuk kemi marrë shtysë deri më tani është për një zgjedhje strategjike, por nëse e perceptojmë se Evropa mund të bëhet një kërcënim, ne do të ndërmarrim veprime në përputhje me rrethanat”, shton gjenerali.
Kjo deklaratë e zyrtarit vjen pas qëndrimit të disa shteteve europiane që mbështesin linjën e Uashingtonit lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Franca ka kërkuar të zhvillohen negociata të reja përtej marrëveshjes së 2015. Por nga ana tjetër, Irani ka theksuar shumë herë se programi raketor është për vetëmbrojtje dhe nuk është i negociueshëm.
Sfida e re raketore ngre nivelin e tensionit edhe me Uashingtonin, që i ka vendosur sanksione të reja Iranit me pretendimin se ka shkelur një rezolutë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila i ndalon Teheranit të kryejë teste raketore dhe bërthamore
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 438 reads



